Një grua si Adelheid Feilcke!

Një mëngjes me gazetaren gjermane Adelheid Feilcke, themeluese e seksionit shqip të Deutsche Welle-s, sot drejtore e Departamentit të Evropës në median gjermane për botën e jashtme Deutsche Welle. Udhëtimi i parë i saj në Shqipëri ka qenë pak para rënies së komunizmit në fund viteve ‘80. Shqipëria dhe politika shqiptare nën vështrimin e një gazetareje të huaj…

Nga Alda Bardhyli – Revista Mapo
Pak e lodhur por megjithatë plot energji, Adelheid Feilcke, nis në tryezën e hotelit ku jemi ulur të pimë kafenë e gjatë këtë mëngjes, bisedën për historinë prej tri dekadash të njohjes së saj me Shqipërinë. Një gëzim i shpërndahet në fytyrë Drejtores së Departamentit të Evropës në Deutsche Welle, ku buzëqeshja ia bën më të plotë vështrimin e kaltër. Është kënaqësia që projekti Balkan Booster, ceremonia përmbyllëse e të cilit u zhvillua në Tiranë, përfundoi me sukses. Ky projekt i organizuar nga Deutsche Welle në bashkëpunim me RYCO-n krijoi ura të reja lidhjeje dhe bashkëpunimi mes të rinjve të rajonit të Ballkanit. Për shumë nga pjesëmarrësit në projekt ardhja në Tiranë ishte një premierë, kurse për Adelheid Feilcken jo. Ajo gëzohet që është sërish në Tiranë dhe që Tirana, të cilën e njeh që nga fundi i viteve ‘80, është zhvilluar kaq shumë dhe është bërë sot madje një motor i rëndësishëm integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Nuk janë të shumtë ata gjermano-perëndimorë që e njohin Shqipërinë e periudhës komuniste, dhe aq më të paktë ata që si Adelheid vinin në Shqipëri, jo me dehjen nga ideologjia që përhapte Radio Tirana e asaj kohe. Interesi i saj për Shqipërinë nisi në kuadrin e studimeve të magjistraturës në degën e Kulturologjisë në Universitetin e Këlnit dhe një seminari për kulturën mesdhetare. E rritur në një mjedis familjar, ku interesi për kulturat e tjera dhe gjuhët e huaja i qe mëkuar që në fëmijëri, Adelheid e kishte të qartë, që për të depërtuar në një kulturë duhet të njohësh gjuhën. “Gjuha është çelësi i botës kulturore për të njohur më nga afër sesi funksionon një shoqëri, sesi mendojnë njerëzit”, – thotë ajo. Por asokohe në Gjermaninë Perëndimore qe gati-gati e pamundur për të mësuar gjuhën shqipe, sepse mungonte si literatura edhe mësuesit. Kështu ajo nisi të merrte mësime private nga një studente shqiptare nga Maqedonia.

Krahas studimeve të magjistraturës Adelheid Feilcke punonte edhe si gazetare për mediat e ndryshme gjermane si për radion publike të Gjermanisë së asokohshme Perëndimore, WDR, për radion e botës së jashtme Deutsche Welle si dhe disa gazeta. Puna si gazetare i dha asaj mundësinë që në vitin 1988 të udhëtonte në Shqipëri për të marrë pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. “Shqipëria sapo kishte nisur të hapej disi. Ishte pranvera e parë e marrëdhënieve shqiptaro-gjermane pasi Gjermania Perëndimore kishte lidhur marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Në këtë kuadër Shqipëria ftoi për herë të parë një gazetar nga Gjermania Perëndimore për të ndjekur nga afër këtë event kulturor. Vizita në Shqipëri qe një moment dyfish i rëndësishëm”, kujton Adelheid. Si gazetare ajo kishte mundësi të shihte me sytë e saj realitetin në një vend të izoluar siç ishte Shqipëria komuniste. Dhe nga ana tjetër si hulumtuese ajo mund të mblidhte mjaft material për punimin e saj të magjistraturës.

“Ne ishim dy gazetarë, një nga Gjermania e një nga Greqia, që ishim zgjedhur për të vizituar Gjirokastrën. Nuk mund ta harroj kohën aty. Kemi inçizuar aq shumë këngë nga muzika folklorike shqiptare”, kujton ajo. Pas kthimit në Gjermani, Adelheid realizoi një sërë emisionesh mbi muzikën shqiptare, që jo vetëm do t‘i ngjallnin interesin për një botë e kulturë pothuajse të panjohur, por dhe do t‘i shtonin dëshirën e saj për ta eksploruar më tej botën shqiptare.

Hulumtimet për tezën e magjistraturës dhe studimet për muzikën shqiptare do ta bënin të udhëtonte një vit më vonë sërish drejt Tiranës.

“Një zë ndryshe” – Deutsche Welle flet shqip

Marrëdhëniet diplomatike mes RFGJ-së dhe Shqipërisë u pasuan edhe nga këmbime kulturore. Në këtë kuadër Adelheid siguroi në vitin 1989 një bursë për të zhvilluar hulumtime pranë Institutit të Kulturës Popullore dhe për të mësuar më mirë gjuhën shqipe.

Me rënien e Murit të Berlinit, DW vendosi të zgjeronte programet e saj për Evropën Juglindore. E natyrisht Adelheid Feilcke ishte një ndër aplikueset për pozicionin e drejtuesit të redaksisë shqipe. Ajo e kaloi me sukses testin e pranimit duke u mandatuar me themelimin e redaksisë, “pozicion ky që ishte një shans dhe një sfidë e madhe për mua”, kujton ajo.

Në qershor të vitit 1992 DW filloi transmetimet në gjuhën shqipe. Adelheid e kujton ende dinamikën e ditëve të para dhe përzgjedhjen e gazetarëve të parë nga Shqipëria dhe Kosova, për të nisur si ekip i DW në shqip, një sipërmarrje jo të lehtë.

Shqipëria kishte vetëm dy vjet që kishte rrëzuar komunizmin dhe strukturat e reja ende nuk ishin sistemuar: “Ishte e vështirë, ishte gati-gati një sfidë. Stafi i gazetarëve të DW punonte sipas filozofisë gjermane të gazetarisë, si pjesë e një sistemi dhe legjislacioni që funksiononte, ndërsa në Shqipëri ishte një situatë kaotike, e shoqëria ishte shumë çorientuar, njerëzit nuk dinin ku të drejtoheshin. Ne të gjithë synonim që përcjellja e informacioneve të pavarura nga Evropa, bota dhe rajoni, të hapnin këndvështrime të reja informative për emancipimin demokratik të shoqërisë”, kujton ajo.

Por edhe pse zyrat ishin në Gjermani situata nuk ishte aspak e lehtë. Nga njëra anë, ne punonim sipas parimeve të gazetarisë në perëndim, nga ana tjetër, përballeshim me frymën e acarimit politik në Shqipëri. Parimi bazë i punës sonë është objektiviteti dhe për shkak të qëndrimeve të qarta dhe të paanshme që vinin shpesh nga DW-ja, ishte e pamundur që të mos atakoheshe me politikën në vend. “Ne si ekip i DW-së në shqip në programin tonë e kemi thënë dhe e themi edhe sot qartë duke raportuar me objektivitet kur diçka nuk funksionon siç duhet me demokracinë në vend, problemet e korrupsionit, apo zgjedhjet shpesh jo korrekte”, thotë ajo.

Në Shqipërinë postkomuniste kishte shumë gazeta, por nuk ekzistonte pluralizëm i vërtetë i mediave. Emisionet e radiostacioneve DW, BBC dhe “Zëri i Amerikës” në gjuhën shqipe ishin të pranishme në të gjithë botën shqipfolëse. Dhe ne të gjithë ishim një zë ndryshe, i cili shpesh nuk u pëlqente politikanëve në pushtet, kujton Adelheid për ato vite, duke veçuar edhe ngjarjet e vitit 1997, kur çoroditja shqiptare do të tregonte anën e saj të dhunshme.

Momente të vështira

Por zemërimi dhe dhuna edhe pse jo me përmasat e 1997, janë ende pjesë e jetës politike në Shqipëri, dhe kur e pyes për këto momente të vështira gjatë punës së saj, Adelheid citon një nga shprehjet e saj të dashura: “Mos u zhysni asnjëherë në tundimin e zemërimit!”

Lufta e Kosovës qe një tjetër kapitull i dhimbshëm për shqiptarët. Të raportosh mbi luftën është një përvojë e jashtëzakonshme për një gazetar. E tillë qe ajo si për mua edhe për të gjithë stafin e DW shqip, tregon Adelheid. “Ngjarjet me Kosovën ishin pjesë e një zhvillimi kompleks. Nuk ishte një zhvillim i cili ndodhi papritur. Ne kemi përcjellë nga afër gjithë ato vite luftën në Bosnjë- Hercegovinë , politikën e Sllobodan Millosheviçit, militarizimin e politikës jugosllave në Kosovë. Mungesa e kompromiseve në zhvillimet e Kosovës do të çonin në përhapjen e konflikteve të armatosura në Kosovë”, thotë ajo. Adelheid tregon se për shkak të situatës me refugjatët pas fillimit të luftës së Kosovës DW punësoi shumë gazetarë, pasi DW ishte një nga zërat e pakta që ka informuar në mënyrë intensive në gjuhën shqipe. Ky informacion ka qenë shumë i rëndësishëm për informimin e popullsisë. Mua më kujtohet një moment në luftën e Kosovës kur pas shtatë ditësh u hap kufiri me Maqedoninë dhe mijëra njerëz ishin të fshehur nëpër pyje afër kufirit. Ata e dëgjuan në DW që u hap kufiri. Kur njerëzit hynin në Maqedoni dhe reporterët e huaj i pyesnin se si e kishin marrë vesh lajmin e ata thoshin: “përmes DW”, ishte një moment shumë emocionues për ne, kujton Adelheid.

Vendosje urash përmes informacionit

“Patjetër që ka ende shumë për të bërë. Por unë që e njoh Shqipërinë prej 30 vjetësh mund të them se në krahasim me shumë vende të tjera në rajon ajo është zhvilluar në shumë aspekte në mënyrë shumë pozitive dhe ka avancuar shumë. Mua më duket një fenomen pozitiv që Shqipëria ka marrë një rol shumë pozitiv në politikën e rajonit të Ballkanit Perëndimor, sepse ajo nuk ka konflikte me vendet fqinjë, është anëtare e NATO-s dhe është shumë e vendosur në drejtimin e politikës së saj ndaj perëndimit. Këta janë faktorë që luajnë një rol pozitiv. Por në brendësi të shtetit akoma ka shumë probleme. Akoma institucionet e shtetit kanë mangësi, janë të prekura nga mosfunksionimi i shtetit të së drejtës. Korrupsioni është problem shumë i madh. Këto probleme duhet të tejkalohen me shumë mundim nga secili dhe nga shoqëria, e njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm që mos e shpenzojnë energjinë kot”, thotë ajo.

Tepër i rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin është hapja e perspektivave për të rinjtë, thotë Adelheid. “Një problem që vazhdon të jetë veçanërisht i rëndë në Shqipëri është largimi i njerëzve të shkolluar. Në këtë aspekt duhet bërë shumë si nga politika ashtu edhe nga shoqëria, por edhe nga faktorë të jashtëm për të krijuar mundësi punësimi dhe një jetë më të mirë këtu në Shqipëri”, thotë Adelheid. “Me projektin tonë Balkan Booster ne u ofrojmë të rinjve të rajonit një mundësi që të krijojnë rrjete dhe ura lidhjeje me njëri-tjetrin duke shfrytëzuar teknologjinë dhe mundësitë që ofron interneti. Dikur vendet e rajonit ishin aq larg mes tyre dhe prej Evropës, kurse sot ata janë vetëm një klikim larg njëri-tjetrit”.

Kafja jonë është duke përfunduar. Unë përpiqem të marr vesh diçka më shumë për jetën e saj personale: Ka tre fëmijë, për ca kohë (2004-2016) u shkëput pak nga Ballkani, dhe si Drejtore për Marrëdhëniet me Jashtë përfaqësonte Deutsche Wellen në aktivitete dhe konferenca të ndryshme për mediet dhe standardet mediatike në mbarë botën, nga Meksika, Brazili, Myanmar, Kina, Egjipti e kështu me radhë. “Gjatë kësaj periudhe, thotë Adelheid, kam mësuar shumë për sfidat e gazetarisë në vende e kontekste të ndryshme shoqërore. Kjo përvojë është për mua shumë e vlefshme edhe në kontekstin e punës si drejtuese e departamentit Evropa në DW”, thekson ajo.

Jeta e saj duket se është angazhimi për krijimin e urave në shoqëri përmes informimit. Ajo e mbyll bisedën në Tiranë duke më zbuluar edhe filozofinë që ndjek në punën e saj të përditshme, një këshillë e babait të saj, i cili ka qenë prift protestant, se: “çdo njeri duhet të jetë i përgjegjshëm për kontributin e tij në jetë”.

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤