Nisin Ditët e Studimeve Shqiptare: Kërkuesit shkencorë parashikojnë ndikimet e Reformës në Drejtësi

Nis sot për të pestin vit radhazi Konferenca “Ditët e Studimeve Shqiptare”. Siç shpjegon zv.rektorja e Universitetit Europian të Tiranës, Drita Kruja, këtë vit në aktivitetin që mbledh bashkëkërkues shkencorë nga e gjithë bota do të diskutohet mbi rolin e shtetit si rregullator apo ofrues në të mirat dhe shërbimet publike. Një çështje me rëndësi që do të trajtohet është dhe se cili do të jetë ndikimi i mundshëm i Reformës së Drejtësisë në Shqipëri në ofrimin e shërbimeve e të mirave publike dhe nevojës së mëtejshme të një reforme kushtetuese dhe administrate zgjedhore e publike

Cilët janë mekanizmat dhe praktikat më të përshtatshme për ofrimin e shërbimeve publike në raport me sfidat dhe kufizimet në vend, cilat janë rolet e palëve të interesit dhe përgjegjësitë e tyre për hartimin e politikave arsimore dhe zbatimin e tyre, cili do të jetë ndikimi i mundshëm i Reformës së Drejtësisë në ofrimin e shërbimeve e të mirave publike dhe nevojës së mëtejshme të një reforme kushtetuese dhe administrate zgjedhore e publike, cili është roli i palëve të interesit për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri…Janë këto disa nga pyetjet që kërkuesit shkencor nga Universiteti Shqiptar dhe figura të njohura botërore në këtë fushë do të diskutojnë dhe do t’u japin përgjigje në edicionin e pestë të konferencës “Ditët e Studimeve Shqiptare” me në qendër shtetin si rregullator apo ofrues në të mirat dhe shërbimet publike.

Vizioni i kërkimit shkencor të UET në dekadën e tij të dytë është të konsolidojë identitetin e universitetit si qendër e prodhimit të dijes në Shqipëri. Pjesëmarrësit që do të paraqesin punimet e tyre mbi tematikën synojnë që këto t’u shërbejnë institucioneve publike dhe jopublike si dokumente bazë për një politikëbërje më të mirë e eficiente në shërbim të qytetarit dhe zhvillimit ekonomik e social të vendit.

Ku do të fokusohen Ditët e Studimeve Shqiptare këtë vit?

Kryefjala e konferencës së këtij viti është debati mbi shteti dhe të mirat publike e shërbimet si rregullator apo ofrues. Konferenca synon të reflektojë, debatojë dhe përgjigjet e çështjeve se cilët janë aktorët më të besueshëm për ofrimin e shërbimeve mes shtetit dhe tregut; politikat publike në procesin e rregullimit apo ofrimit të shërbimeve cilësore; garantimi i një ekuilibri ndërmjet interesave private të ofruesve dhe standardeve të këtyre shërbimeve etj. Konferenca ka 7 panele ndërdisiplinore të lidhura me Projektet e Mëdha Kërkimore (PMK), që përbëjnë shtyllën e kërkimit shkencor në UET: Politika, Komunikimi dhe Shoqëria; From Big Data to Big Business; Agjenda e Re e Rritjes; Zhvillimi Nëpërmjet Edukimit; Ligji Midis Eficiencës dhe Drejtësisë; E Drejta dhe Institucionet Publike në Transformim dhe Risku -Loja e të Gjithë Aktorëve.

Çfarë mëtohet të dalë si rezultat i këtij aktiviteti të fokusuar te shteti si rregullator apo sigurues në lidhje me të mirat dhe shërbimet publike?

Konferenca pritet t’u japë përgjigje pyetjeve se cilët janë mekanizmat dhe praktikat më të përshtatshme për ofrimin e shërbimeve publike në raport me sfidat dhe kufizimet që Shqipëria dhe vende të ngjashme me të kanë apo se cilat janë rolet e palëve të interesit dhe përgjegjësitë e tyre për hartimin e politikave arsimore dhe zbatimin e tyre në sektorin e arsimit. Një pasqyrim i situatës aktuale të mjedisit ligjor në Shqipëri duke e krahasuar me grupe të ndryshme si Ballkani dhe vendet anëtare të BE. Një çështje me rëndësi që do të trajtohet është dhe se cili do të jetë ndikimi i mundshëm i Reformës së Drejtësisë në Shqipëri në ofrimin e shërbimeve e të mirave publike dhe nevojës së mëtejshme të një reforme kushtetuese dhe administrate zgjedhore e publike. Turizmi do të jetë në fokus, ku do të shihet roli i palëve të interesit për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri. Ditët e Studimeve Shqiptare ngrenë pyetje e kërkojnë të japi përgjigje mbi sfidat me të cilat përballet sistemi financiar shqiptar dhe rajonal dhe roli rregullator i shtetit dhe çfarë roli ka Big Data në shpërndarjen e të mirave/ dhe shërbimeve publike.

Tashmë është i disati vit që organizohet ky aktivitet në UET. Cili ka qenë impakti deri më tani dhe si synohet të kthehet në traditë?

Ky është edicioni i pestë i kësaj konference. DSSH synon të konsolidohet si konferenca më prestigjioze në Shqipëri dhe të pranohet si e tillë edhe nga komuniteti shkencor ndërkombëtar duke aplikuar me standarde. Prezantimet janë në gjuhën angleze dhe nuk pranohen prezantime me poster. Artikujt janë dorëzuar një javë më parë se të nisë konferenca, në mënyrë që të jenë lexuar nga pjesëmarrësit e konferencës. Për çdo prezantim ka një diskutues (discussant) nga paneli përkatës, i cili do të bëjë një analizë analitike të punimit që do të shërbejë si baza e diskutimeve të mëtejme. Tërësia e këtyre standardeve, në kohë, do të bëjë që DSSH të krijojë një profil të pakonkurrueshëm shkencor në hapësirën shqiptare, i cili do të forcojë më tepër karakterin shkencor të UET dhe do të lehtësojë ndërkombëtarizimin e kërkimit shkencor këtu.

Ku do të botohen konkluzionet e kësaj konference dhe çfarë pritet të vijë e re në kërkimin shkencor?

Punimet më të mira do të botohen në çështje speciale të Revistave Polis dhe Economicus, të cilat janë instrumenti kryesor nëpërmjet të cilit UET komunikon me botën akademike dhe më gjerë. UET synon që në një afat 5-vjeçar revistat të jenë të gatshme për t’u rankuar ndërkombëtarisht dhe të binjakëzohen me botues të revistave prestigjioze ndërkombëtare. Po kështu një pjesë e tyre do të botohen në formën e “policy paper” dhe do u ofrohen institucioneve publike dhe jo publike si dokumente bazë për një politikëbërje më të mirë e eficiente në shërbim të qytetarit dhe zhvillimit ekonomik e social të vendit.

Sa mund t’i vijë në ndihmë kërkimi shkencor me të dhëna konkrete politikave?

Vizioni i kërkimit shkencor të UET në dekadën e tij të dytë është konsolidimi i identitetit të universitetit si qendër e prodhimit të dijes në Shqipëri e të transformohet nga një institucion i arsimit të lartë i fokusuar në mësimdhënie në një institucion elitar kërkimor, produkti kërkimor i të cilit kërkohet nga tregu dhe përmirëson në vazhdimësi mësimdhënien dhe eksperiencën studentore në UET”. Në kuadër të përmbushjes së këtij vizioni është dhe kjo konferencë, e cila do të sjellë së bashku emra të njohur kërkuesish shkencorë shqiptarë dhe të huaj. Nëpërmjet prezantimeve, diskutimeve, debatit të ideve, reflektimeve, ndarjes së eksperiencave do të kontribuojnë në ofrimin e metodave bashkëkohore dhe inovative të kërkimit dhe dhënien e konkluzioneve dhe rekomandimeve të vlefshme për politikëbërësit.

A mund të na zbuloni nëse do të ketë ndonjë emër të njohur në fushën e kërkimit shkencor që vjen nga jashtë?

Keynote speakers të seancës plenare do të jenë emra të njohur të fushës së kërkimit shkencor si prof. Thomas Herzfeld nga Instituti i Zhvillimit Agrikulturor ne Ekonomitë në Tranzicion, nga Lajbnic, Gjermani, prof. Eric Gordy nga Kolegji Universitare i Londrës, Britani, dr. Gëzim Visoka nga Universiteti i Dublinit, Irlandë. Po kështu secili nga 7 panelet e konferencës do të ketë drejtues dhe prezantues nga Universitetet partnere si prof. dr. Adriana Galvani që vjen nga Univeristeti i Bolonjës Itali, prof. dr. Peter Morgan nga Universiteti i Sidnejt, Australi; dr. Agostino Massa Universiteti i Gjenovës, Itali; dr. Wioleta Bryniewicz dhe dr. Żaneta Stasieniuk, Universiteti i Szczecin, Poloni; prof. Alessandro Ferrara, Universiteti i Romës ‘Tor Vergata’, Itali; dr. Kornélia Lazányi nga Universiteti Obuda i Hungarisë etj.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤