Nexhmije Hoxha sulmon qeverinë: Po kryen veprime fashiste

Nexhmije Hoxha dhe Rustem Peçi janë njoftuar nga Drejtoria e Rrugëve të lenë banesat ku jetojnë pas 90-s. Sipas familjarëve, tre punonjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar ARRSH janë paraqitur në dyert e tyre dhe i kanë urdhëruar të dalin prej aty brenda 5 ditëve.

Familjet e njohura ankohen se nuk kanë patur asnjë njoftim paraprak.

Gjatë komunikimit të urdhërit ka patur tension mes të moshuarve dhe punonjësve të ARRSH.

E shoqja e Rustem Peçit është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.

Nexhmije Hoxha, e veja e Enver Hoxhës jeton në banesën e përshtatur që pas dëbimit nga Blloku,

Rustem Peçi, gjeneral në pension është djali i heroit të LANÇ, Shefqet Peçi dhe kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës jeton po aty.

Hoxha 97 vjeç jeton vetëm dhe merr vizita të përditshme nga të afërmit kurse Peçi 83 vjeç jeton me familjen.

Godina ku këto dy familje jetojnë është një ish-Pulari në zonën e Laprakës, e cila është përshtatur si banesë pas 90-s.

Avokati Idajet Beqiri thotë se janë shkelur ligjet.

“Unaza rrugore është një vepër vërtetë e rëndësishme. Por ndërtimi i saj nuk është mister dhe ilegal! Projekti i saj duhet t’u bëhet i ditur atyre që u preken pasuritë e paluajtshme, posaçërisht shtëpitë e banimit prej ndërtimit të saj. Organet kompetente që e bëjnë këtë investim diskutojnë dhe i njoftojnë me kohë ata që preken, u japin vendimin përkatës me të drejtë ankimi në Gjykatën Administrative, u japin ofertën përkatëse të dëmshpërblimit për shpronësimin që do të bëjnë, u ofrojnë zgjidhjen e problemit të strehimit, duke u dhënë së paku aq sipërfaqe banimi, sa duan t’ju marrin për ndërtimin e rrugës. Kjo lloj transparence dhe logjike minimale juridike nuk po funksionon te këto dy familje për shkak të një paragjykimi ekstrem” – thotë Beqiri për DITA.

Në një shkrim botuar në numrin e sotëm ai shton se ka dyshime që projekti është devijuar qëllimisht.

“Projekti i Unazës nuk e prekte këtë ndërtesë. Ishte larg saj vija ku do të bëhej ky ndërtim. Mirëpo një “birbollan” pasardhës kolaboracionisto – fashisti, në mënyrë abuziviste, në shenjë të një hakmarrje të pastër e devijuan me një shtrëmbësi vije këtë projekt për të prekur vetëm gjysmën e kësaj ndërtese, e cila nuk mund të qëndroj më në këmbë pas këtij “kafshimi” të pritshëm” – thotë avokati i njohur.

E veja 97-vjeçare e Enver Hoxhës thotë në një prononcim se po veprohet me metoda fashiste për t’i nxjerrë në rrugë pa asnjë alternativë nga një godinë e vjetër e përshtatur si banesë pas dëbimit të familjes Hoxha nga Blloku në fillim vitet ’90.

“Si mund të merren vendime të tilla pa na dhënë asnjë mundësi, asnjë alternativë? Çfarë do të bëjmë ne në këto kushte, ku të shkojmë ne, ku të sistemohemi? Na thonë që duhet të zgjidhim trafikun e makinave në Tiranë. Patjetër të zgjidhet po jo kështu. Më duket një veprim tipik fashist dhe banorët këtu që po protestojnë kanë plotësisht të drejtë. Por meqë përmendet emri im, po ju them se kam edhe problemin e ruajtjes së asaj pak trashëgimie që më ka mbetur nga Enveri, që mezi e mblodha kur na degdisën këtu”.

Rustem Peçi, aktualisht Kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it, i cili banon në të njëjtën godinë është dhe më i ashpër në reagimin e tij:

“Nexhmija ka të drejtë, këto janë fashistë. Meritojnë etiketime më të rënda se kaq. Kjo është një qeveri që ka dëshmuar se i mungon dhembshuria vecanërisht për ata më të dobëtit. Po janë ata që ia kanë dhënë votat Edi Ramës. Mirëpo ta di mirë se ai që të ngre, edhe të rrëzon. Janë treguar shumë hipokritë, vecanërisht me ne. Si mund të veprohet në mënyrë të tillë? Disa na përmendin Bllokun dhe privilegjet e dikurshme. Im atë, Shefqet Peçi, pavarësisht meritave që kishte për kohën e luftës dhe më pas, nuk ka jetuar asnjëherë në ish-bllokun e famshëm. Edhe tani nuk po kërkojmë të kthehemi as në atë bllok dhe as në blloqet e rinj me vila luksi që kanë ndërtuar për veten milionerët pushtetarë dhe oborrtarët e tyre. Nuk mjafton që shpenzohen paratë tona dhe durimi ynë me muzera antikombëtarë dhe kampe gënjeshtrash, nuk mjafton balta që hidhet mbi luftën dhe heronjtë e dëshmorët e saj. Do na flakin dhe në rrugë tani, në këtë moshë? Këto veprime janë neofashizëm i kulluar”.

Autoritetet njoftuan Nexhmije Hoxhën dhe Rustem Peçin që duhet të lënë banesat pasi preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe.

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤