Nevila Perndoj: Revolucioni i tetorit të Ramës

Mbyllja e lojërave të fatit, ndalimi i pijeve alkoolike dhe energjike për çdo person nën 18 vjeç, si dhe përgatitja e një pakete antishpifje që prek edhe median janë tri vendimet “revolucionare” të Edi Ramës. Pse pikërisht tani dhe çfarë ka ndryshuar tek antikomformisti Edi Rama pas pesë vitesh qeverisje. Flasin Fitim Zekthi dhe Ilir Kalemaj

Nga Nevila Perndoj
Plot një vit më parë, Lulzim Basha tundi para kamerave dosjen voluminoze të autoriteteve italiane për hetimin e një bande narkotikësh ku akuzohej grupi i “Habilajve”. Në dosjen prej 416 faqesh, opozita pretendoi se ishte përfshirë edhe emri i Saimir Tahirit, asokohe ministër i Brendshëm. Debati për Tahirin vijon ende, ndërsa opozita e ka shtuar zërin e dosjeve, me emra ministrash të rëndësishëm të qeverisë “Rama”, si Damian Gjiknuri e Arben Ahmetaj. Së fundmi, dosja hetimore “339” po përdoret rëndom nga PD-ja kundër Vangjush Dakos, kryebashkiakut më të suksesshëm të socialistëve dhe njeriut të afërt të Edi Ramës.

Duke e përsëritur me bollëk këtë term, në perceptimin publik po krijohet ideja se segmente të caktuara të qeverisjes po mbërthejnë ushtrimin e pushtetit.

Tundja e dosjeve, një marifet i vjetër i opozitës, është ajo që e bezdis më shumë Ramën sot e mot, qysh kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, e kur Sali Berisha akuzonte se prokuroria flinte mbi dosjet e tij.

“Dosjet” e opozitës kanë ngacmuar sërish vëmendjen publike dhe vetë kryeministrin…

***

“Babale-Xhafaj, përgjim apo aktrim?!”, tema e emisionit Opinion në një nga ditët e tetorit. Për “Babalen” flitej edhe në emisionin “Open” të Eni Vasilit e cila e intervistoi në Kosovë, Albert Veliun. Edhe emisioni “Arena” apo “360 gradë” e Artur Zhejit në Ora News ziente me histori “Babale”-je. “News 24”, gjithashtu.

Në kulmin e zhurmës ku veç e vërteta nuk dihet, Edi Rama u shfaq në podiumin e kryeministrisë, hapi dosjen, iu drejtua kamerës dhe në lartësinë e zërit të tij sfumoi debatin e ditës.

“…Duke nisur nga data 31 dhjetor do pushojnë së funksionuari të gjitha kazinotë, përfshi dhe bastet sportive, baste me kuaj, qen apo çdo kafshe tjetër…Nga 1 janari nuk do të ngrihet më asnjë qepen për baste. Asnjë qepen për kazino elektronike në asnjë zonë të banuar…”, -tha befas Rama.

Referuar shifrave të tij, nisma ligjore e qeverisë prek 70% të popullsisë. “Në këtë histori nuk ka të majtë e as të djathtë e aq më shumë ‘ne”, nënvizon ai. Rama po synon të zhdukë një ves, që, sipas tij, është mallkim për 92% të grave shqiptare. Ai pranoi se kjo iniciativë nuk ishte e papritur edhe pse koha u pa e tillë. Përpjekjen e tij për të ndaluar kazinotë elektronike, Rama e përcolli në fillim të mandatit të parë (me operacionin “Fundi i Marrëzisë”). Atëbotë bastet nuk ishin pjesë e debatit socialist. Gjithçka ndryshoi këtë muaj sepse për Ramën koha është tani, paçka se shumë syresh nuk e lidhin me qëllimin e vërtetë.

“Nga 928 pika bastesh në vitin 2013, Shqipëria numëron 4230 të tilla. Pra, katër herë më shumë”, pretendon opozita. Edhe analisti Ilir Kalemaj mëton ndër radhë se, “lufta ndaj pikave të basteve dhe kazinove duket më tepër si një akt klientelist apo i ndërmarrë emocionalisht sesa realisht i studiuar, ndonëse i mirëpritur nga segmente të gjera të popullatës”.

***

Iniciativa e Edi Ramës vjen në një kohë kur dosja “Babale” e përgatitur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, po përfshihet në histori debati me emra drejtuesish policie, kakofonie të dhënash, e dëshmi të rreme, por jo vetëm. Vangjush Dako, kryebashkiaku që ka fituar prej vitesh Durrësin dhe mik i kreut të ekzekutivit është përfshirë në rrjetën e akuzave të njëpasnjëshme të opozitës që e lidhin me mundësinë e përfshirjes së tij në një tjetër patate të nxehtë; dosja e “Avdylajve”. Në ekranet televizive po shfaqen copëza të shkëputura përgjimesh, që më e pakta vënë në pikëpyetje integritetin moral të njeriut që Rama e ka mbështetur fort publikisht. Vetëm një vit më parë, kritikëve të Vangjush Dakos, Rama do t’u kthente përgjigje me shprehjen e kollajshme në kësi rastesh; “Qentë le të lehin, karvani shkon përpara”.

Andaj “lufta” e Edi Ramës me besëtytninë sociale se ky shtet nuk bëhet, opozitën e dosjeve e akuzave dhe vetë median që po angazhohet në publikime përgjimesh, sapo ka filluar.

Për analistin Fitim Zekthi, Ramës nuk i volitet gjë tjetër veçse një zhurmë e madhe. “Kjo zhurmë është ligji antishpifje, ai kundër basteve dhe kundër alkoolit”.

***

Rama lajmëroi një tjetër nismë ligjore me impakt social.

“Jemi duke diskutuar edhe një masë tjetër që ka të bëjë me alkoolin. Për të gjithë lokalet që tregtojnë alkool, në rast se do të kapen duke i tregtuar alkool një vajze apo një djali apo një grupi të rinjsh nën moshën 18 vjeç, do të merren masa drastike ndaj lokalit, deri në mbyllje për 1 vit kur është e përsëritur”, -tha Rama në një takim me banorët në Laprakë. “Lokalet nuk mund të jenë klasa alternative e atyre fëmijëve që prindërit i nisin në shkollë për të mësuar edhe që përfundojnë nëpër lokale gjatë orëve të mësimit… Mbushur lokalet me 15-vjeçarë e 16-vjeçarë që pinë alkool”, nënvizoi ai. Nisma e Ramës do të trajtohet gjerësisht në fillim të muajit janar. Por Ilir Kalemaj e shikon me skepticizëm. “Nisma kundër pijeve alkoolike për adoleshentët deri 18 vjeç duke i shtuar asaj si qershi mbi tortë dhe pijet energjike dhe me gaz, është një legjislacion social mjaft i guximshëm që mbart risqet e veta, ndaj dhe vendet më të zhvilluara sot janë matur dhjetë herë dhe kanë prerë një herë në këtë drejtim, ndërsa te ne zhvillime të tilla ndodhin overnight, me ‘urdhër të peshkut’ dhe natyrisht mandej nuk implementohen”.

***

Nuk mbetet pas as iniciativa e tretë e Ramës e risjellë sa herë

ka debat për mazhorancën, paketa antishpifje: “Boll me përgënjeshtrime, boll me kundërpërgjigje, boll me debate televizive të sajuara për t’u bërë jehonë shpifjeve apo për të fituar audiencë e me zhurmën e fabrikës së baltës. Boll me këtë neveri që po helmon Shqipërinë dhe po rrënon çdo gur të themelit të edukatës e mirësjelljes qytetare, të cilin çdo familje e ndërton përditë me aq mund e durim për fëmijët e vet. Çdo shpifje në gjyq!”.

Nuk janë të paktë ata që mendojnë se kjo është e drejtë. Nisma vjen në një kohë skepticizmi të lartë ndaj medias (jo vetëm në Shqipëri) ku njerëzit po ngopen me akuza e kundër akuza, duke pozicionuar keqas vetëm militantizmin e duke e bërë më skeptike e të pakënaqur elektoratin gri. Prandaj edhe Rama po synon t’i japë rëndësi një audience të gjerë. “Nga duam ta tërheqim vëmendjen?! Ku është vëmendja?! Nga Babalja? Na iku Babalja nga ekrani. Nuk po e ndjek më populli me interes telenovelën…Çfarë po bëjmë ne? Ne po bëjmë atë që nuk e ka bërë askush në 20 e kusur vite. Ne po bëjmë luftë frontale me të këqija të rrënjosura thellë në këtë shoqëri, që janë jashtëzakonisht të vështira për t’u mundur sa hap e mbyll sytë, por që po luftohen si kurrë më parë”.

A do të ketë po aq impakt sa fjala e tij edhe vota në favor të kësaj mazhorance në zgjedhjet e afërme lokale? Kjo pritet për t’u parë. Disa i kanë përgjigjet që tani. Fitim Zekthi thotë se tek Edi Rama nuk ka ndryshuar asgjë, dhe se impakti i këtyre vendimeve do të jetë i papërfillshëm. Ndërsa Ilir Kalemaj e sheh të vështirë rezultatin: “Është gjithsesi vështirë të parashikosh se si do jetë fati i mbramë i zgjedhjeve lokale, nëse koalicioni me shumicë numerike i opozitës do arrijë të thyejë bastione të forta të zgjedhjeve të kaluara si Durrësi apo Elbasani, do arrijë të ruajë bashkitë aktuale apo do të pësojë disfatën e radhës nga një pushtet që ka në dorë edhe grurin (të fortët), edhe arrën (thasët e miellit)”.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤