Ndriçim Kulla: Berati, qyteti i një mbi një dritareve që duhet mirëmbajtur dhe promovuar

Shekulli XX, si shekull i jashtëzakonshëm në historinë e njerëzimit, krahas shumë mrekullive të tjera që u dhuroi kombeve të gjithë botës, krijoi një fenomen të ri në jetën moderne të popujve të mbarë globit tonë. Duke filluar qysh nga vitet ’20 e ’30 në rrjedhën midis dy luftërave, nisi shtegtimin e tij të pandalshëm udhëtimi ndërshtetëror ose ndryshe turizmi.

Më parë shtresa e pasur e më vonë masivisht edhe shtresa e mesme u bënë dy target-grupet më të interesuara për të njohur bukuritë gjeografike e së bashku me to edhe bukuritë urbanistike të kontinentit europian dhe më tej. Ende edhe sot kujtohet me nostalgji treni turistik me emrin Orient-Ekspres, i cili çonte turistë nga Parisi magjik në drejtim të qytetit magjepsës të Stambollit. Hotelet mbi njëqindvjeçare të Stambollit si “Pera Palace” dhe “Hilton” në ditët tona janë kthyer edhe vetë në muze të gjalla të turizmit botëror.

Por do të ishte gjysma e dytë e shekullit XX dhe sidomos epoka e globalizimit që do iu jepnin një hov të paparë ëndrrave të fluturimit drejt së panjohurës, duke i shtyrë si me një impuls të vetëm masa kolosale qytetarësh të botës që të vizitonin me një pasion të zjarrtë çdo atraksion turistik të këtij rruzulli. Nga Meksika e vullkaneve të pashuara dhe deri te Turqia e joshjes përrallore turizmi është bërë pasioni zotërues i milionave mendjeve që e duan argëtimin.

Po bëhen disa dekada që në këtë vorbull gjigante të lëvizjes pa pushim po përpiqet që të ingranohet me shpejtësi edhe industria turistike e Shqipërisë, e atdheut tonë, që Zoti i ka dhënë një bukuri e hijeshi të rrallë natyrore por dhe një trashëgimi të rrallë historiko-kulturore, por që komunizmi e dënoi për të vuajtur shumë gjatë ne një mjerim ekonomik.

Në këto 30 vite të pluralizmit iniciativa private bëri më të mundshmen për të transformuar panoramën hoteliere të dhjetëra vendbanimeve tona. Aktualisht në trevat shqiptare po vërehet një bum investimesh për të pritur mysafirë të panumërt që po vërshojnë nga përtej kufijve tanë. Njëkohësisht, publiku i huaj po joshet nga hiret e sapozbuluara të bukurisë që disa qytete të lashta të Shqipërisë kane nisur t’u sfilojnë miqve të ardhur. Mes tyre Berati është “mbreti” i kurorëzuar prej kohësh i turizmit të ri shqiptar.

Bukuria e Beratit, e këtij diamanti turistik shqiptar buzë lumit Osum, zë fill qysh në hapat e parë të qytetërimit shqiptar, atëherë kur orakujt e fatit e vendosën atë në një mjedis madhështor e të pasfidueshëm, atje, karshi malit të Tomorrit dhe rrëzë disa kodrave të gjelbëruara dhe buzë ujërave të mbushura me shkëlqim. Si askund tjetër te ne nuk ka një kështjellë më afër njerëzve, madje një lagje gjendet ende e trupëzuar brenda mureve të larta të saj. Por fizionominë e tij më të plotë kjo kryeqendër urbane e shqiptarëve do ta krijonte përfundimisht vetëm mbas mesit të shekullit XIX, pikërisht atëherë kur ajo do të merrte formën e hijshme origjinale që gëzon edhe sot.

Le ta përfytyrojë për një moment veten tonë në rolin e një të ardhuri, që vizitën e tij në Berat dëshiron ta startojë nga lagjja e Kalasë. Nëse ai do të dëshironte që natën ta kalonte në një nga hotelet e atyshme, me siguri që qysh në orët e para te mëngjesit do ndjente kënaqësinë e rrallë që dielli t’i hapte sytë me rrezatimin e tij që depërton së pari këtu. Kjo lagje, që shëmbëllen me një ballkon natyror, ka privilegjin e padiskutueshëm që në çdo stinë të jetë e para që i ekspozohet ndriçimit të agimit, të atij zgjimi të natyrës që përsëritet në 12 muajt e pandërprerë të vitit e që i bën njerëzit të rendin drejt jetës së përditshme me vrull.

Por surprizën më të papritur ta japin lokalet e vjetra dhe të reja, të cilat të ftojnë me hare që të zhytesh në “perandorinë” kulinare të beratasve, të këtyre mjeshtërve virtuozë të gatimit të një morie gjellësh të shijshme. Kur del për të shëtitur në rrugicat me kalldrëm të kësaj lagjeje historike, shpirti yt nuk ngopet duke soditur pamjen e ngjyrosur me larmi që të ofrojnë të katër anët e horizontit të kësaj “miniere” pjellore bukurie.

Prej mureve të kështjellës 2500 vjeçare simfonia e zërave melodiozë ngërthen në veshin tënd një muzikë mahnitëse me të gjitha ngjyrat e ylberit. Mozaiku i pamjeve që vështrohen prej aty përfaqëson një album viziv, që dhe mjaft kohë më vonë do ta kesh të fiksuar përjetësisht në retinën tënde. Por një monument kulturor më vete përbën në këtë zonë “Muzeu Onufri”, kjo Mekë e artit mesjetar shqiptar, e kuruar me kujdes nga studiuesit dhe e kompozuar nga kryevepra figurative të artistëve më të shquar të mesjetës.

Duke u larguar nga lagjja “Kala” dhe duke i dhënë lamtumirën kështjellës, të mbërthen ndjesia sikur po ikën nga historia dhe po kthehesh në realitet. Këmbët rrëzohen vetvetiu tatëpjetë në kalldrëmin që zbret ngadalë në qytet dhe ti ndihesh sikur po shkarkon nga supet peshën e 2500 vjetëve histori. Rruga me kalldrëm ku ti shkel është një nga rrugët më të gjata të gurta që ndeshet te ne dhe lidh lagjen “Kala” me qytetin e shtrirë në rrafshinë.

Por kur të duket sikur po largohesh nga e kaluara e ndritur e Beratit, në fund të kësaj rruge të shfaqen menjëherë ndërtesat e Mangalemit, një tjetër parajsë arkitekturore që stolis imazhin e përkryer të këtij qyteti. Mangalemi është lagjja me arkitekturën historike më të përsosur të Beratit. Ndërtesat e tij të ngritura njëra mbi tjetrën në trajtën e brezareve kanë meritën që nxorën emërtimin e “Qytetit të një mbi një dritareve”.

Kur nata bie mbi to, sytë e tu ndeshin në to me qindra dantella drite, që i japin një shndritje të veçantë këtij kompleksi të praruar godinash. Gjenia krijuese e arkitekturës këtu arrin kulmin e rafinimit profesional, duke i pozuar shikuesit një kombinim urbanistik në përmasa tronditëse, që i ka shokët të pakët në Shqipëri dhe ndoshta në krejt Ballkanin.

Lagjja Mangalem është jo thjesht një grumbull monumentesh të kulturës, por është e gjitha një monument kulture në trupin e pashëm të Beratit. Vetëm soditja e saj është një dehje artistike e panjohur në asnjë vend. Kur vëren gjarpërimin vezullues të shtëpive të saj buzë shpatit të kodrës, të ndizet dëshira utopike që t’i përqafosh ato shtëpi lozonjare, që me vitalitetin e tyre nxisin imagjinatën e mijërave të huajve, që në çdo moment të ditës pëlqejnë të lumtur harmoninë e tyre ndërtimore.

Dhe të përfytyrosh që në brendësi të atyre banesave jetuan dikur banorë të mrekullueshëm që nga zemrat e tyre rrezatuan dritë jo thjesht për familjet e tyre, por ndoshta edhe më tej për krejt vendin tonë. Me prejardhje prej njërës nga këto ndërtesa historike, nga një familje që i dha shumë Shqipërisë, dikur një djalosh i ri fluturoi drejt qiellit të kulturës franceze për t’u bërë më pas një yll i kulturës shqiptare në fushën e përkthimit. Jam i bindur se shpirti i Isuf Vrionit i lindur dhe i rritur në një nga dinastitë familjare më të shquara të Beratit dhe të gjithë trevave shqiptare qëndron përjetësisht mbi qiellin e Mangalemit.

Duke u endur pak më tutje, vështrimit tënd nuk i shpëton dot Ura e Goricës, e quajtur kështu prej lagjes me të njëjtin emër që shtrihet sapo kalon atë. Gorica është gjerdani më i ri në moshë në thesarin e vlerave të Beratit. Kjo lagje e përqafuar me kodrën të ngjan sikur lag këmbët në Osum. Është pikërisht këtu në lagjen Goricë ku turizmi familjar ka njohur gjallërim në këto vitet e fundit. Është lagjja Muze më e qetë e qytetit, në të cilën zotëron një heshtje e bukur. Ndërsa ngjitesh në shtëpitë më të larta të saj dhe shikon me endje horizontin, të ndillet qoftë edhe padashur dëshira e hershme për të medituar.

Ti futesh në ato porta madhështore me harqe tejet të valëzuara dhe përnjëherësh bie në kontakt me hijet e padukshme të së kaluarës. Janë portrete paraardhësish fisnikë që të ftojnë me mirësjellje e përdëllim për të të gjezdisur në ambientet ku ata jetuan, në oborret ku ata ndenjën. Ti ecën i kapur përdore nga kujtimi i tyre mbresëlënës e shtangesh i gjithi. Në dejtë e tu lëvrin gjaku i mirënjohjes për këta beratas të mirë, që populluan në shekuj këto vatra patriotizmi të lagjes së Goricës, e në fund largohesh krenar për këto qenie që bënë historinë e saj.

Ne mund të vazhdonim të përshkonim edhe shumë lagje të tjera të Beratit dhe shumë bukuri të dallueshme të tij. Por edhe nga një gotë e vetme vere mund të shijosh cilësinë e fuçisë. Nga përshtypja e jashtëzakonshme e lagjeve Kala, Mangalen dhe Goricë çdo vizitor mund të shijojë paraprakisht edhe gjithë mrekullinë e Beratit.

Ky qytet tashmë është shndërruar në një magnet për turizmin e shtetit tonë. Portreti i tij është kthyer në simbolin e joshjes turistike të Shqipërisë, kësaj zonje të bekuar që bijtë e saj përherë do t’i drejtohen si nënë. Berati do të mbetet ngaherë si biri më simpatik i nënës së dashur Shqipëri. Por ne shqiptarët e thjeshtë, që jemi fansat e përjetshëm të tij, kemi ngasjen dhe kërkesën legjitime që t’u lutemi gjithmonë autoriteteve shtetërore që freskinë e çdokohshme të tij ta ruajnë me impenjim sa më maksimal, të investojnë gjithnjë e më tepër në tiparet më të shkëlqyera të tij për ta mirëmbajtur dhe sidomos për ta promovuar. Vetëm kështu Berati do të jetë edhe në të ardhmen imazhi më i kërkuar i turizmit jo vetëm për të tjerët, por së pari për veten tonë, për kombin shqiptar, që duhet të jetë i denjë për t’iu gëzuar bukurive që kanë shpërthyer nga trupi i tij.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤