Mustafa Nano: Si e kam njohur Gramoz Pashkon

Ju kujtohet ajo fraza e famshme e Gramos Pashkos mbi çekun e bardhë? Unë isha atje, në Berat, në tribunë, me Gramozin e me të tjerë. Ai sapo ishte kthyer nga një vizitë në Washington, që në Tiranë ishte lexuar, me të drejtë, si një provë e fortë se SHBA-të apo institucionet ndërkombëtare ishin në mbështetje të opozitës. Dhe u përpoq ta sintetizonte këtë situatë në mënyrën më trillane të mundshme: “Morëm garanci se, nëse PD-ja i fiton zgjedhjet, Shqipërisë do t’i jepet një çek i bardhë”.

Unë besoj se ai e lëshoi “atë bombë” si një metaforë të faktit që PD-ja atëmot ishte kanakarja e Perëndimit në Shqipëri, por ka të tjerë që ia morën si shenjë të mungesës së seriozitetit e të papërgjegjshmërisë. Në të gjitha versionet, ajo ishte e gabuar, sidoqoftë. E vërteta është se më pas, që të nesërmen më saktë, këtë frazë ia bënë për të madhe. Kronika e politikës e ka regjistruar si një nga gjërat më të bujshme të atyre kohëve, por edhe të jetës publike të Gramoz Pashkos. U kapën pas saj edhe komunistët e asaj kohe (Zëri i Popullit gjeti këtu refrenin e një kënge që do ta këndonte gjatë), por edhe berishianët që shkëlqimin e protagonizmin e Gramoz Pashkos e shihnin si një problem.

Në atë rrethanë e kam njohur për herë të parë Gramozin. Por shumë njerëzve atë ditë, më shumë sesa artifici i çekut të bardhë, u mbeti në mendje një deklaratë tjetër e tij: “Raftet e dyqaneve të bukës në Shqipëri do të mbushen shumë shpejt me dhjetëra lloje bukësh”. Sot mund të duket si një konstatim banal, por e thënë në marsin e vitit 1991, kur dikush tjetër paralajmëronte se Shqipëria kishte grurë në depot e saj vetëm për gjashtë ditë bukë, kjo ishte një deklaratë e çmendur. Po aq sa ajo e çekut të bardhë. Dhe historia është e padrejtë. Ajo i ka regjistruar Pashkos vetëm këtë të fundit. Ashtu siç ajo ishte. Një mufkë.

Për herë të parë kisha dëgjuar për Pashkon te Zëri i Amerikës, në tetor të vitit 1991, në ditët që pasuan largimin nga vendi të Ismail Kadaresë. Më saktë, dëgjova vetë Pashkon, në një intervistë telefonike. Komentoi ikjen spektakolare të shkrimtarit, që rezultoi tronditëse për regjimin. Dhe e mori në mbrojtje Kadarenë. Qartazi. Pa asnjë spërdredhje të gjuhës. Dhe me një mënyrë të foluri që i ikte frymës së kohës. Nuk kishte në ligjërimin e tij asgjë të përafërt me newspeak-un Orwell-ian shqiptar. Është nga të parët (pas Kadaresë në letërsi) që ma ka dhënë këtë ndjesi, e për këtë arsye, do ta llogarisja te njerëzit që kanë përuruar një erë të re në komunikimin publik në Shqipëri. Ai fliste me një diksion që ia bënte mendimin t’i dukej më nazik e më i stërholluar. Dhe e kishte zakon të përdorte referenca kulturore ende të panjohura jo thjesht prej opinionit në përgjithësi, por edhe prej elitës intelektuale. Mbaj mend se si në konferencën e PD-së që ishte mbledhur për të ndëshkuar Gramozin (edhe Zogajn, Imamin, Cekën, etj.), dikush tha diçka që atij i shkoi në vesh si shpifje.

E mori fjalën, dhe në një sallë të mbushur me njerëz që ishin të gatshëm ta linçonin, zuri të shtinte në punë një parlance që ishte e huaj për turmën që çirrej. Dhe mes të tjerash tha, se “i duhet prerë gjuha jo atij që e nxjerr nga goja një shpifje, por atij që e përhap; këtë nuk e them unë; këtë e ka thënë mendimtari indian Tagore”. Sikur të mos mjaftonte ky emër i panjohur për të shastisur gjindjen në atë sallë, ai i përmendi edhe emrin Tagorës, Rabindranath, që në veshët e delegatëve mbërriti si një zhurmë kakofonike. “Ç’o ky emër, mer jahu?”, ndërhyri nga salla dikush, që kishte marrë ndërkohë një post të rëndësishëm. Ishte efekti që Gramoz kish planifikuar. U gëzohej shumë situatave, kur përpara kishte një turmë që mund ta magjepste me dijet e tij. Dhe mbi të gjitha, me stilin.

Por ky stil, që atij i ishte shndërruar ndoshta në një mani, shoqërohej me një kosto, duhet thënë (nuk di pse mendoj se njerëzit kanë stil edhe për te keqen e tyre; dhe është një nga rastet e rralla kur e keqja është e mirëseardhur). Gramoz Pashko kishte një mendje të rrëmujshme, të padisiplinuar. Nga dëshira për të mos qenë si të tjerët, ai improvizonte më shumë sesa duhej; dhe me këtë mund të (mirë)kuptohet edhe gjetja fatkeqe e çekut të bardhë. Të jepte përshtypjen se vetëpëlqehej. I besonte aftësisë së tij për të improvizuar, dhe kjo bëhej shkak që ta humbiste një pjesë të shkëlqimit. Siç ndodhi në Skrapar, kur erdhi tok me Genc Rulin, dhe me një gazetar të huaj (andej nga vjeshta e vitit 1991) për të bërë një takim publik.

Ruli u duartrokit më shumë në atë rast, gjë që i ra në sy edhe gazetarit të huaj. Ky i fundit m’u afrua pas takimit, dhe më pyeti: Pse, sipas teje, Ruli u pëlqye më shumë sesa Pashko? Unë i thashë se “Ruli kishte ardhur i përgatitur, kishte sistemuar disa ide në kokë, e kishte të qartë përse do fliste, ndërsa Pashko i kishte besuar talentit të tij natyral për të thithur vëmendje”. Gazetari u pasionua shumë pas këtij diskutimi, dhe zuri të thoshte të vetën mbi diferencat mes Pashkos e Rulit. Ishte e disata herë që i takonte, ishte i tërhequr prej tyre, dhe i shihte ndoshta si dy nga udhëheqësit shqiptarë të së nesërmes. Këtë gjë e mendoja edhe unë.

Dhe afërmendsh që e kemi pasur gabim. Që të dy luajtën më pas role që nuk ishin në lartësinë e pritshmërive që ata mbollën në vitin 1991. Ruli pati një karrierë më të gjatë, por edhe vetë Ruli nuk besoj se e njeh për sukses këtë fakt. Përkundrazi, karriera e gjatë, për mënyrën sesi e bëri, është një nga mossukseset e tij. Gramoz Pashko pati një fokusim në jetën akademike, por qëndrimet që ka mbajtur në jetën publike nuk duhet ta kenë lënë të qetë në ndërgjegjen e vet. Në vitet e fundit të jetës, që iu mbyll në mënyrën më tragjike të përfytyrueshme, zuri të reviziononte momentet më të bukura të veprimtarisë së tij publike. Humbi dhe atë tharmin e nervin prej të panënshtruari. Duhet ta ketë vuajtur këtë gjë sa ishte gjallë.

*Marrë nga edicioni i radhës i revistës Mapo

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤