Mustafa Nano; Një grua mund të jetë seksi  në miliona mënyra

View Gallery
1 Photos
Mustafa Nano; Një grua mund të jetë seksi  në miliona mënyra
mustafa-nano-foto-blerta

 

 

E qeshura, të ecurit, gjestet, aroma, zëri, takti… Një grua mund të jetë seksi  në miliona mënyra, mendon ai. Lexoni mendimet e gazetarit dhe analistit rreth universit grua…

 

Çfarë kanë biondet që brunet s’e kanë?

Kjo pyetje ngrihet mbi premisën që  “biondet kanë diçka më shumë se brunet”. Mirëpo unë nuk bie dakord me këtë. Nuk di çfarë prove kanë, apo çfarë arsyetimesh bëjnë, ata që e mbrojnë idenë se biondet kanë diçka më shumë se brunet. Shkurt, nuk mendoj se biondet kanë diçka më shumë. Të kuptohemi, një bionde mund të ketë diçka më shumë se sa një brune, madje kjo mund të ndodh edhe shpesh, por kjo nuk ka të bëjë me ngjyrën e flokëve. Thjesht ka qëlluar që një bionde, a disa bionde, a shumë bionde, kanë diçka më tepër. Shkurt, nuk mendoj se biondet kanë apriori një avantazh mbi brunet. Ah, ndoshta mendohet se biondet janë më spektakolare, por edhe kjo është kështu për shkak të një stereotipi. Aty ku brunet janë më të shumta, biondet sigurisht që ta tërheqin vëmendjen më shumë. Por kjo nuk ndodh në Finlandë. Në Finlandë, me këtë logjikë, do jenë brunet që kanë diçka më shumë se biondet. Madje, unë qysh tani po përfytyroj një revistë finlandeze të ngjashme me tuajën, dhe një gazetare si puna juaj që po interviston një gazetar si puna ime, atje në Finlandë pra, dhe mes pyetjeve është edhe kjo: Çfarë brunet kanë më tepër se sa biondet? J

Kur dëgjoni është ‘një grua e mirë’ çfarë u vjen në mend? Një grua, e kuruar apo e duruar?

Varet kush ma thotë. Nëse ma thotë një njeri patriarkal, në mend më vjen një grua “për shpi”, apo një grua  “e ndershme”, një “nënë e mirë”, një “bashkëshorte kokulur”, etj. Me fjalët tuaja, një grua e duruar. Nëse ma thotë një njeri mendjehapur, në mend më vjen një grua që ka respekt për veten. Me fjalët tuaja, një grua e kuruar. Por në Shqipëri, të shumtët kanë në mend një grua “të duruar”  kur flasin për një grua të mirë.

Ç’do të thotë për një burrë “dashuria kalon nga stomaku?

Me këtë, sa herë që e kam dëgjuar, kam kuptuar se një burrë ka nevojë për një grua që di të gatuajë mirë. Apo jo?! Mirëpo, më duket se kjo i përket një kohe tjetër, kur aftësia për të gatuar bënte pjesë tek cilësitë e mira për një grua. Sot ka edhe burra që gatuajnë mirë. Ashtu siç ka sa të duash gra që nuk dinë, apo nuk duan, të gatuajnë.

Martesa, zgjedhje apo zgjidhje?

Së pari, është një zgjedhje. Në kuptimin që njeriu mund të zgjedhë edhe të mos martohet. Së dyti, përsa i takon këndshikimit të martesës si zgjidhje, nuk e di. Mua nuk më duket kështu. Por e di që ka plot të tjerë që e shohin si një zgjidhje, d.m.th. e shohin si një gjë që i bën të ndihen më mirë në këtë botë, ose për ta thënë me një fjalë të madhe, i bën të ndihen më të lumtur. Njoh më shumë gra se sa burra që e shohin martesën si një zgjidhje, megjithatë. Nuk e di pse.

Tradhtia, pashmangshmëri e natyrshme apo devijim i paparashikueshëm?

Hm, kështu si i keni formuluar ju opsionet, nuk di ç’të them. Është e pamundur që tradhtinë të mos e çosh në mendje, e në këtë kuptim mund të flitet për pashmangshmëri, por kur vjen puna tek akti konkret i tradhtisë, unë besoj se ka shumë njerëz që, ndonëse me mendje tradhtojnë gjithë ditën,  prapëseprapë nuk shkojnë deri tek akti konkret. Ndoshta për shkak të edukatës që kanë marrë. Ndoshta nga frika se humbasin një njeri të shtrenjtë që e kanë në krah. Ndoshta për ndonjë arsye tjetër. E nëse shkojnë, atëherë i bie që po bëjmë diçka të paparashikueshme. Por jo devijim. Devijim, jo. Tradhtia nuk është devijim në asnjë rast. Madje unë mendoj se nëse ka një gjë që i shkon sojit të njeriut, kjo gjë është tradhtia.

Divorci, stacion apo ndërprerje e dhimbshme?

Kur thua “stacion” lë të kuptohet se do ndalosh se s’bën në atë stacion. Mirëpo nuk është e thënë. Të shumtët e njerëzve nuk ndalojnë në këtë stacion. Ndërsa për sa i takon tjetrës, opsionit të ndërprerjes së dhimbshme, nuk e di. Nuk është e thënë të jetë gjithnjë e dhimbshme. Por kjo nuk do të thotë që divorci është një vendim i lehtë. Përkundrazi, sidoqë të vijë punë, divorci është një vendim i vështirë.

Kur dëgjoni fjalën ‘grua’, cili është asosacioni i parë: Ajo apo Nëna?

Ajo. Për të pasur asosacionin e nënës, dua të dëgjoj fjalën “nënë”.

Sikur gruaja të ishte një këngë, cila do të ishte ajo?

Po vë re që të shumtat e pyetjeve meritojnë një përgjigje që duhet të fillojë me “varet”. Edhe në këtë rast po them që “varet”. Ka gra që janë këngë të Frank Sianatras, por ka të tjera që janë hip-hop, ashtu siç ka të tjera që janë tallava. Mua do të më pëlqente që të ishte një këngë e Frank Sinatras.

Dhurata e fundit që keni bërë për një grua?

Ka qenë një dhuratë e zakonshme. Nothing special.

Aventura, ka emrin grua apo shkon përtej saj?

Nuk di pse mendoj se aventura i shkon më shumë gruas se burrit. Por shkon përtej saj, sigurisht. Nuk e ka emrin grua.

Kur i thoni një gruaje që e doni?

Kur e dua. Madje, më ndodh që edhe kur e dua, nuk ia them. Më duket shumë impenjative, si fjalë; Të dua: Më shumë se sa një konstatim, është një premtim. Dhe unë kam frikë të bëj premtime.

Emma Bovary, heroinë apo viktimë? (Flober shkroi në hyrje të romanit të vet: ‘Zonja Bovari jam unë”. A je ti një ‘zonja Bovari?’)

Heroinë, jo. Por edhe si viktimë nuk e shoh tamam. Për mua, Madame Bovary është një grua. Qoftë edhe për këtë arsye, unë nuk jam zonja Bovary. (Qesh)

Lady Macbeth, fatalitet apo shans në jetën e një burri? Ose e thënë ndryshe, Lady Macbeth ose gruaja që të shtyn drejt pushtetit apo suksesit absolut, çfarë i bën një burri?

Shikoni! Për mua edhe Lady Macbeth është një grua. Madje është grua më shumë se sa Madame Bovary. E sikur Shekspiri të mos e kish bërë të kish në fund brerje ndërgjegjeje, do të ish edhe më shumë grua.

Po t’ju ndodhte të binit në dashuri me një prostitutë, do të vepronit si Richard Gere te “Pretty Woman”? A do të braktisnit një biznes, karrierën, një betejë për një dashuri?

Kur bie në dashuri, bie në dashuri, e kjo do të thotë se nuk ke më fuqi të shohësh se ç’ke përpara. Të biesh në dashuri me një prostitutë është si të biesh në dashuri me një CEO, apo me një mësuese fshati, apo me një gardiane burgu. Asnjë ndryshim nuk ka. Sepse ke rënë në dashuri.

Më mirë një shef apo një shefe?

Jam personi i gabuar për këtë pyetje. Nuk duroj dot asnjë shef.

Bota ndryshohet para apo pas martese? Po një burrë?

Nuk besoj se martesa është nga ato ngjarje që të bëjnë të të duket bota ndryshe. Është në ngjarje e rëndësishme në jetë, por kaq.

Çfarë konsideroni seksi te një grua?

Shumë gjëra: të qeshurën, të ecurën, gjestet, mënyrën  si ha, duart, mbathjet, aromën, zërin, qëndrimin në kanotiere e pa gjimbajtëse, taktin, aftësinë për të absorbuar macho-izmin e mjedisit, pantallonat xhins, mënyrën se si i jep makinës, mënyrën se si rri në një radhë…. Një grua mund të jetë seksi  në miliona mënyra.

Nëse do t’i bënit një gruaje një pyetje të vetme, cila do të ishte?

Si është orgazma femërore?

Mendoni se gratë bëjnë shumë pyetje?

Jo. Ndoshta duan që t’u bësh pyetje, sepse kanë përgjigje për çdo gjë. (Qesh)

 

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤