Mungon një kartolinë…

Ajri i ngrohtë që dilte nga goja e një vajze të vogël që mundohej të ngrohte duart e skuqura nga i ftohti i dhjetorit duke krijuar një atmosferë si prej tymi përrallash, më bëri të kthehesha pas në kohë një copë here…

U gjenda pranë një kinkalerie të vogël, në rrugën që më çonte në shkollë. Fëmijë dhe të rritur mbanin radhë e gumëzhinin pas kioskës me xhama dhe teneqe duke krijuar një shteg të ngushtë kalimi për ata që kishin mbaruar psonisjen, ku pas monedhave gruaja pas xhamit i dorëzonte një tufë fotografish…

Ishin kartolinat e reja të vitit me pamje të bukura qytetesh, peizazhe e vizatime…Grupe të vogla me dy a tri vajza mblidhen dhe kundrojnë blerjet e njëra- tjetrës, ndërsa një fëmijë hap e mbyll kapakun e një kartoline me melodi duke u mahnitur sesi kartoni i butë me lule nxjerr drita dhe muzikë…

Sa të ngrohte ajo zhurmë ritmike, e thjeshtë dhe e këndshme për veshin. Pak rëndësi ka nëse urimet shpesh vinin klishe nga viti në vit, e rëndësishme është që dikush kujtohej të të uronte… Pastaj blije një tufë me kartolina, mundoheshe t’i ndaje imazhet sipas natyrës së marrësve dhe uleshe për t’i shkruar gjatë gjithë natës…

Ndodhte që kur i shpërndaje të kishe harruar dikë. Shkoje sërish te kinkaleria dhe blije kartolinën që të mungonte… Cingërima e mesazhit “What’s app” në telefonin celular më kthen edhe njëherë në epokën dixhitale ku mungon gjithmonë një kartolinë, e zëvendësuar me kuadratet e vegjël e të zbehtë të quajtur pixel në një ekran kompjuteri.

Sado të këndshëm të jenë, me urime të përzemërta e të ndjera, nuk e zëvendësojnë dot shijen e të shkruarit mbi kartonin e butë e të bardhë të një kartoline…

loading...
No Comments Yet

Comments are closed

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤