Mirela Oktrova: Sensibilizim “vende-vende”

Është një traditë e mirë, që të paktën dy herë në vit – në mars dhe në nëntor/dhjetor shoqëria globale dhe ato lokale detyrohen të kthejnë kokën nga diskriminimi gjinor dhe të shprehen – të paktën verbalisht, se mendimet për fat nuk lexohen – kundër dhunës gjinore. Po sa më shumë kristalizohet tradita e këtij aksionizmi në thelb të dobishëm, aq më formale bëhen aktivitetet 16-ditore. Formale në efekt, në problematika dhe jo së fundi në avokatinë e grupeve të prekura edhe brenda gjinisë femërore, që s’mund të jetë një masë gri përcaktuar vetëm nga gjinia apo/dhe seksi… . Aq formale është e gjithë kjo, sa për njërin nga grupet më të ekspozuara ndaj dhunës dhe diskriminimit të shumëfishtë, si gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara flitet fare pak apo aspak… .

Afro 400 milionë gra dhe vajza në të gjithë botën dhe afro 40 000 syresh vetëm në Shqipëri vuajnë gjatë gjithë jetës së tyre harresën e fatit dhe të shoqërisë dhe përballen përditë jo vetëm me vështirësi të paimagjinueshme ekzistence, por dhe me dhunë dhe diskriminim të shumëfishtë: në shtëpi, në institucionet për personat me aftësi të kufizuara dhe në kujdestari.

Dhunë mund të shfaqet si: dhunë seksuale (kur gratë dhe vajzat atakohen seksualisht ose detyrohen për seks kundër vullnetit të tyre), dhunë fizike (kur ato rrihen, shqelmohen, shtyhen ose dëmtohen në forma të tjera), dhunë mendore (kur lëndohen me fjalë, frikësohen, fyhen) dhe dhunë në jetën e përditshme (nëse ato nuk mund të vendosin dot vetë për jetën e tyre). Situata e të drejtave për gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara është shpesh dyfish e vështirë: ato përjetojnë dhunë si për shkak të gjinisë, ashtu edhe për shkak të aftësisë së kufizuar.

Dukuria përbënte deri para pak kohësh tabu. Ndonëse gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara përjetojnë dhunë më shpesh se gratë dhe vajzat e tjera, hulumtueseve kjo u ka rënë në sy shumë vonë. Të vona janë për rrjedhojë edhe trajtesat, studimet dhe platformat e dedikuara për këtë problem.

Gjetjet janë përftuar përmes intervistave me gjuhë dhe pyetje të thjeshta, si p.sh.: Si jetojnë gratë me aftësi të kufizuara? Ç’probleme kanë ato? A kanë përjetuar dhunë në jetën e tyre? Dhe nëse po, në ç’formë? Nga anketimet e kryera në Europën Perëndimore rezulton, se: gratë me aftësi të kufizuara përjetojnë dhunë seksuale dy deri në tre herë më shpesh se gratë e tjera.

Afro 50% e grave të intervistuara – pavarësisht, nëse jetojnë në institucione të posaçme për personat me aftësi të kufizuara apo në shtëpitë e tyre – pranojnë, se kanë përjetuar dhunë seksuale të paktën një herë në jetën e tyre.

Sipas të njëjtave statistika, gratë me aftësi të kufizuara përjetojnë edhe dhunë fizike dy herë më shpesh se të tjerat: tre në pesë syresh përjetojnë sistematikisht dhunë fizike dhe akoma më shpesh dhunë mendore: britmat, keqtrajtimi dhe padrejtësitë janë normalitet i trishtë për ato që jetojnë në institucione të specializuara dhe kanosje e vazhdueshme edhe për ato që jetojnë në shtëpitë e tyre.

Po gratë në qendrat rezidenciale për aftësinë e kufizuar përjetojnë lloje specifike të dhunës: ato nuk vendosin dot për jetën e tyre dhe trajtohen shpesh padrejtësisht. Kjo ndonëse për këtë kategori dhuna ka pasoja shkatërruese, pasi mbyll rrethin vicioz të aftësisë së kufizuar: kështu pjesa dërrmuese e individëve të dhunuar me aftësi të kufizuar paraqesin rëndim të simptomave dhe përshkallëzim të paaftësisë.

Ç’e stimulon dhunimin e kësaj kategorie krahasuar me gratë dhe vajzat e tjera?

Së pari, mënyra e tyre e jetesës dhe marrëdhëniet me komunitetin. Gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara jetojnë shpesh ndryshe nga simotrat e tyre dhe trajtohen ndryshe nga ato. Që në fëmijëri të tjerët shohin tek ato vetëm aftësinë e kufizuar dhe jo personalitetin, çka lë gjurmë të thella në formimin dhe sjelljen e tyre, i bën të brishta, pa vetëbesim dhe për rrjedhojë lehtësisht të ekspozuara ndaj dhunës së të gjitha formave.

Së dyti, nevoja sistematike që ato kanë për ndihmë dhe mbështetje. Veçanërisht në kushtet e kujdestarisë marrëdhëniet janë tepër të afërta dhe mundësia e shpërdorimit të afërsisë shumë e madhe: pavarësisht nëse bëhet fjalë për higjienën e përditshme, të ushqyerit, ekzaminimet apo terapitë e llojeve të ndryshme.

Së treti, të qenit jashtë vëmendjes së njerëzve të afërt dhe shoqërisë, që “flenë mendjen” me besimin e trajtimit profesional dhe humanitar në qendrat rezidenciale – që jo gjithmonë përputhet me pritshmëritë dhe për shkak të karakterit të këtyre institucioneve është e konstatueshme pak ose aspak.

Kështu dhuna në këto qendra mbetet shpesh “sekret” i të dhunuarës dhe dhunuesit – sepse gratë nuk guxojnë të flasin për këtë, sepse në këto institucione ekzistojnë pak ose aspak mekanizma për mbrojtjen kundër dhunës, sepse punonjësit janë shpesh të patrajnuar dhe të mbingarkuar me situatën, sepse administratorëve dhe/apo pronarëve të tyre nuk u intereson transparenca.

Cilët janë autorët e dhunës?

Dorësit janë kryesisht burra. Pothuajse në të gjitha rastet gratë i njohin dhunuesit e tyre – edhe sepse rrethi i të njohurve të kësaj kategorie është i kufizuar, po edhe sepse dhunimi për shkak të paaftësisë ndodh në marrëdhënie besimi dhe komunikim të afërt: babai ose kujdestari, kujdestari në shtëpi ose sanitari në qendrën rezidenciale, shoferi i autobusit ose shoferi i taksisë, kolegu ose bashkë-rezidenti. Ndodh ndonjëherë që autorët e dhunës të jenë gjithashtu edhe gra. Por kjo është shumë më pak e zakonshme.

Dhunimi në marrëdhënie të afërta i bën pasojat e tij akoma më të tmerrshme: sikurse të tjerat edhe gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara vuajnë nga ankthi, depresionet dhe dhimbjet e pajustifikuara fizikisht, janë të trishtuara, apatike, lëndojnë dhe godasin veten me qëllim, priten me thikë apo brisk rroje ose tentojnë vetëvrasjen. Po atyre u shtohet dhe rëndimi simptomave ekzistuese dhe përshkallëzimi i paaftësisë.

Si mund të luftohet dhe parandalohet dhuna?

Që gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara të mund të mbrohen nga dhuna, ato para së gjithash duhen këshilluar në një gjuhë sa më të thjeshtë, duhen bërë të vëmendshme për rrezikun dhe mbështetur me persona reference për rastet eventuale. Ato duhen ndihmuar të bëhen më të forta, që të mund të mbrojnë veten nga dhuna dhe ta denoncojnë atë.

Po kaq e rëndësishme është gjithashtu, që familjarët, kujdestarët dhe stafet mbështetëse jo vetëm të kenë informacion, po dhe të trajnohen për format e shfaqjes dhe mënyrat e shmangies së dhunës ndaj grave me aftësi të kufizuara.

Po jo vetëm kaq!

Gratë me aftësi të kufizuara nuk mund të lihen jashtë përfitimit të shërbimeve për aftësinë e kufizuar dhe aq më pak jashtë raportimeve në zbatim të Konventës për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit të gruas.

Kjo është shkelje e rekomandimit 18 të kësaj konvente dhe deformim i strategjisë kombëtare për personat me aftësi të kufizuar, ndjeshmëria e së cilës për këtë target, me gjithë reflektimet, mbetet tejet e kufizuar nga perspektiva gjinore. Por këtë e konstatojnë dot vetëm të prekurat dhe të ndjeshmit!

Është vërtet traditë e mirë, që të paktën dy herë në vit shoqëria civile, mediat tentojnë të sensibilizojnë kundër dhunës gjinore. Po që fondet të justifikojnë vetveten, duhet që fushata të ketë në qendër grupet më të prekura – jo për show, po për efektivitet angazhimi dhe zbutje tragjedish të përjetshme – të paktën me vëmendje!

Ndryshe fushata do të vazhdojë të mbetet një aksionizëm rutinor, që shkon paralelisht me shtimin e numrit të grave dhe vajzave që vriten përditë!

Ose një sensibilizim vende-vende!

Sipas “koshit” nga kanë dalë fondet për organizimin e fushatës së radhës!

Ku thjesht bëjmë sikur flasim e bëjnë sikur na dëgjojnë!

Paçka se të nesërmen sërish vdes një grua dhe përdhunohet një e pamundur fizikisht!

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤