Mirela Kumbaro: Viti 2018, viti i trashëgimisë kulturore

E ftuar në Forumet UET për të bashkëbiseduar me studentë e pedagogë projektligjin e ri për Trashëgiminë Kulturore dhe çfarë synohet të arrihet përmes tij, ministrja e Kulturës u ndal në partneritetin me sektorin privat, ku përmes lehtësive fiskale të nxitet biznesi dhe donatorët për financimin në administrimin dhe rentabilizimin e trashëgimisë kulturore. Ajo përmendi krijimin e fondacioneve kulturore dhe mecenatin si forma të bashkëpunimit privat-publik, duke thënë se fondet për kulturën nuk mund të priten vetëm nga qeveria

Ministria e Kulturës e ka shpallur vitin 2018 si vitin e trashëgimisë kulturore. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ishte dje e ftuar në Forumet UET për të bashkëbiseduar me studentë e pedagogë projektligjin e ri për Trashëgiminë Kulturore dhe çfarë synohet të arrihet përmes tij, një takim i moderuar nga drejtoresha e shtëpisë botuese “UET Press”, Alda Bardhyli.

“E ndiej kulturën si prioritet jo vetëm si çështje krenarie apo estetike, por e gjej si domosdoshmëri ekzistenciale duke mos e konsideruar luks, por nevojë të përditshme dhe po aq e rëndësishme sa kultura e gjallë; arti, muzika, teatri, të gjitha llojet e performancave, libri, edukimi kulturor, për arsye ekonomike dhe zhvillimore të vendit është trashëgimia kulturore. Nuk është vetëm çështje katalogu kulturor, krenari kombëtare, por është pasuri kombëtare në kuptimin e aktivitetit ekonomik dhe të burimit dhe gjenerimit të të ardhurave, zhvillimin dhe emancipim të vendit dhe diplomacisë kulturore”, u shpreh ministrja Kumbaro në fjalën e saj, e cila u ndal në projektligjin e ri të Trashëgimisë Kulturore.

Ligji aktual për Trashëgiminë Kulturore, i hyrë në fuqi në vitin 2003 dhe i amenduar në vitin 2008, nuk arrinte t’iu jepte përgjigje disa nevojave apo realiteteve të reja, gjë që çoi në hartimin e projektligjit të ri, për të cilin është punuar 3 vjet, zbuloi ministrja e ku janë përfshirë Ministria e Kulturës, të gjitha institucionet në varësi të saj dhe mbështetjeje nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, që ka rezultuar në një projektligj prej 200 faqesh, me 280 nene.

“Thesaret kulturore kanë nevojë për kuadër ligjor, por që në ligjin e sotëm i kemi vetëm me një nen, pjesa tjetër mbetet në vullnetin e politikbërësve të ditës”.

Kumbaro tha se ky ligj mbështetet në katër pika kryesore; ruajtjen e trashëgimisë, mbrojtjen, vlerësimin dhe administrimin. “Kur flasim për këtë të fundit parashikojmë disa forma; administrimi i drejtpërdrejtë nga pushteti vendor apo Ministria e Kulturës, si edhe forma të tërthorta”, –tha ajo, ndërsa u ndal në debatin e gjatë të disa viteve më parë mbi dhënien në koncesion të monumenteve të kulturës, siç ishte rasti i Kalasë së Lezhës. “Sa i përket jetëzimeve është e mundur kalimi në administrim, por jo pa një kornizë ligjore, rregulla të përcaktuar, procedura e filtra që do të bëjnë vlerësimin deri në vendimmarrjen finale.

Ky projektligj nuk thotë se cilët janë sitet e trashëgimisë që do të rijetëzohen, por përcakton rregullat se si shkohet drejt rijetëzimit”, –tha Kumbaro duke shtuar se ky projektligj i heq mundësinë për vendim arbitrar çdo titullari, ministri apo kryeministri.

“Në këtë projektligj nuk kemi forma të koncesionit, sa i përket trashëgimisë kulturore, sepse konsiderojmë tepër të rëndësishme, por nga ana tjetër nuk duhet të përjashtojmë forma të tjera të bashkëpunimit publik-privat për të menaxhuar, rijetëzuar dhe gjeneruar të ardhura përmes trashëgimisë kulturore, por pa e ndryshuar thelbin e funksioneve të tyre”, -tha Ministrja duke u ndalur në ligjin për shoqërinë civile dhe atë të fondacioneve.

“Ky ligj ekziston, por ajo që bëjmë është që formën e fondacioneve kulturore e adoptojmë në këtë ligj që, për menaxhimin e siteve kulturore të cilët kanë potencial të fuqishëm turistik dhe ekonomik të krijojmë fondacione kulturore, ku themelues mbetet Ministria e Kulturës në bashkëpunim me shoqata, pushtet vendor, donatorë dhe përfaqësues të botës së biznesit. Forma e fondacionit na garanton se nuk janë forma menaxhimi fitimprurëse, por përmes lehtësive fiskale që propozojmë nxisim biznesin dhe donatorët për të financuar në administrimin dhe rentabilizimin e trashëgimive kulturore”. Duke marrë disa shembuj si Parku i Apolonisë, Muzeu Marubi apo Muzeu i Artit Mesjetar krijimi i fondacioneve dhe donatorëve do të mundësonte forma të reja financimi që do të rrisnin shërbimet, cilësinë apo edhe kostot e restaurimeve. Kumbaro tha se krijimi i fondacioneve kulturore do të bëhet me ligj të posaçëm në parlament.

Duke u ndalur te buxheti i shtetit për kulturën, ministrja Kumbaro tha se nga viti 2013-2018 ka i rritje me 28% të buxhetit, por ajo theksoi format e reja të financimit duke përmendur Ligjin për Mecenatin, një propozim i marrë nga stafi i Universitetit Europian të Tiranës. “Është një formë interesante sesi ta bëjmë të interesuar biznesin privat të financojë, formë që e kanë shumë shtete të zhvilluar; krijimi i formulave lehtësuese fiskale për nxitjen e biznesin. Nëse do të presim që fondet për kulturën të vijnë vetëm nga qeveria besoj se është betejë e humbur”, shtoi ministrja, duke pohuar mirëmbajtja e trashëgimisë kulturore ka kosto të mëdha.

“Mentaliteti i përgjithshëm se meqë është trashëgimi kulturore e mban vetëm shteti e ka shkatërruar trashëgiminë kulturore, sepse sot edhe shtete të fuqishme nuk arrijnë të mirëmbajnë dhe ndaj kanë prodhuar formulat e fondacioneve kulturore si bashkëpunim privat-publik për të krijuar formula të reja të mirëmbajtjes”, –tha ajo, duke përfunduar se projektligji i ri për trashëgiminë kulturore propozon skema më të qarta bashkëpunimi. Për pronarët aktualë të objekteve të trashëgimisë kulturore janë gati paketa fiskale të miratuara, të cilat i përjashtojnë nga taksat të gjithë ata pronarë me pronë trashëgimi kulturore.

Ligji i ri dhe tregu i koleksionistëve

Në 10 vitet e fundit, tha Kumbaro, është vërejtur zhvillimi i koleksionizmit. “Nuk janë disa individë apo shoqata, por janë një treg i mirëfilltë me vlera monetare. Përpiqemi të vëmë rregulla të qartë, një kuadër ligjor që u jep mundësinë të formalizohen dhe të operojnë në treg”, –tha Kumbaro, duke shtuar se koleksionistët privatë, por edhe ata që kanë fonde publike të pasurisë kulturore të luajtshme qarkullojnë në mënyrë jo të formalizuar. Për këtë projektligji i ri parashikon një kapitull dedikuar qarkullimit të pasurive kulturore të luajtshme që saktëson procedurat me detaje, deklarimi i interesit për pasurinë kulturore . “Në 25 vite kemi treg informal dhe trafikime të pasurisë kulturore. Para 2 vitesh qeveria miratoi strategji kombëtare të luftës kundër trafikimit të pasurisë kulturore, kemi një database me regjistrimin e pasurive nga qendra e inventarizimit të pasurive kulturore, që është shpërndarë drejt policisë dhe doganave me synimin për të krijuar një sistem TIMS për qarkullimin e pasurive kulturore jashtë kufijve”.

Ende nuk ka një bazë të saktë dhe të plotë të dhënash rreth pasurisë kulturore dhe shumë fonde private e publike janë bërë objekt trafikimi. “Këto pasuri që gjenden shpesh në koleksione private, në kuadër të këtij ligji nuk i nxjerrin, as i qarkullojnë, as i deklarojnë dhe as i shesin dot. Por një periudhe trevjeçare pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, poseduesit që figurojnë në database e fondeve të humbura publike do të kenë mundësi t’i deklarojnë dhe dorëzojnë, qoftë edhe në mënyrë vullnetare edhe anonime, pa penalitete. Pas kësaj periudhe kalon me rregullat e parashikuar nga ligji që hyn në fuqi pas tre vjetësh ku çdo objekt duhet deklaruar me orgjinë dhe transaksionin përkatës për të shmangur keqkuptimet dhe për të parandaluar trafikimin”, –tha ministrja.

Akreditimi i Muzeve

“Kemi një ligj të vitit 2005 për muzetë, ndërsa duke hartuar këtë projektligj kishim një dilemë, t’i përfshinim apo t’i linim brenda ligjit ekzistues”, shtoi Kumbaro, duke vijuar se projektligji i prekte muzetë. “Për të larguar mbivendosjen apo keqkuptimin menduam të dyja ligjet t’i shkrimin në një të ri; Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”.

Ajo foli edhe për gjendjen aktuale të muzeve, duke pranuar se ka shumë, nisur nga Muzeu Historik Kombëtar që nuk i plotëson kushtet e ruajtjes, ekspozimit, vlerësimit e të administrimit e deri te muzetë vendorë që janë të pavlerësuar e të paekspozuar.

“Do të hapim një konkurs ndërkombëtar si do ta rindërtojmë Muzeun Historik Kombëtar”.

Ajo tha edhe se në tri dekadat e fundit institucionet përkatëse nuk kanë qenë efikasë me ruajtjen e monumenteve të kulturës, ku vetëm para dy vitesh nga inventarët ishin plot 132 objekte që nuk figuronin më. Kumbaro foli edhe për sanksionet, deri në ngritjen e një inspektorati për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤