Mira Meksi: Pa zemër në kraharor

 

mira-meksi

Mira Meksi i kapërcen vazhdimisht kufinjtë kombëtarë, në kuptimin klasik që i kemi dhënë këtij koncepti. (Kujtojmë E kuqja e demave, po edhe vepra të tjera). Personazhet, vendndodhja e tyre, ndërthurja e subjektit nuk është e thënë që të jenë patjetër shqiptarë, në tokë shqiptare, në tema shqiptare

Nga Diana Çuli 

Mira Meksi nuk resht. Lexuesit apo kritikut që e ndjek këtë shkrimtare, tashmë i duket sikur e dëgjon ritmin e saj të paprerë, goditjet në tastierën e kompjuterit, shfletimin e librave të historisë, të simbolikës, të mitologjisë, të magjisë, hapat në shtigje fsheharake, në botë të largëta, përkuljen e pazëshme për të zbuluar labirintet e frikshme, por joshëse të brendashpirtit dhe të brendamendjes…

Mira Meksi i kapërcen vazhdimisht kufinjtë kombëtarë, në kuptimin klasik që i kemi dhënë këtij koncepti. (Kujtojmë E kuqja e demave, po edhe vepra të tjera). Personazhet, vendndodhja e tyre, ndërthurja e subjektit nuk është e thënë që të jenë patjetër shqiptarë, në tokë shqiptare, në tema shqiptare. Mira Meksi i vendos personazhet dhe ngjarjet që u ndodhin atje ku e tërheq ideja e saj artistike.

Kësaj radhe në Meksikë. Por, edhe kësaj radhe, si gjithnjë, ajo ecën në hullinë e saj të gjith-hershme  të realizmit magjik, të cilin e lëvron prej kohësh, pa asnjë dyshim në mënyrë origjinale dhe gjithnjë në ngritje, nga vepra në vepër. Meksi e përdor realizmin magjik si strategji të sajën narrative. Vetë termi është shumë i gjerë, aspak një rrymë letrare e përcaktuar me rregulla të ngurta, por një hapësirë e madhe veprimi linguistike dhe kulturore, është mágico/real marvilloso i traditës latino-amerikane, po edhe magical realism-i i estetikës postmoderne europiane.

Në novelën Pa zemër në kraharor, botuar nga Onufri, Mira Meksi e përdor realizmin magjik si një mënyrë të shkruari, si një poetikë, jo si një lloj kanoni apo prirjeje; me një stil që gërsheton realen dhe fantastiken organikisht, duke shuar dallimin mes tyre  – siç thoshte Marques-i, një prej të mëdhenjve të realizmit magjik:  “…poezia është prova më e dukshme e ekzistencës së njeriut”. Heroina e novelës së Mira Meksit, në një çast zhgënjimi varros dashurinë me një gjest simbolik, tradhton të motrën duke i marrë të dashurin, niset për në Meksikë bashkë me Gentin, këtë të dashur të ri, e përfshirë, e bindur, e rrëmbyer dhe e joshur nga Erosi dhe jo më nga zemra dhe, në emër të kësaj ideje të ngulët, shijon të gjitha kënaqësitë tokësore të Meksikës, në një atmosferë sa ngjethëse aq edhe magjike. Ajo e tradhton edhe Gentin, e braktis, duke ndjekur ëndrrën e saj, që shkëputet dalëngadalë nga realiteti dhe shkrihet me inagjinaren, deri në aktin final e sublim, kur i dorëzohet sakrifikuesve, priftërinjve të tempullit aztek, që ata t’i marrin zemrën nga kraharori. Rrëfimtarja thotë: Njoha vuajtjen, torturën, dhembjen njerëzore, të pandara nga qiellorja dhe lumturia e perëndishme. Fati im kishte ndryshuar. Tani isha rishtarja e Erosit të aztekëve, nuk kisha zemër në kraharor dhe i falesha Quetzalcóatl-it të përjetshëm, Gjarprit me pendë. Siç shihet, autorja i rikthehet gjithnjë simbolikës së gjarprit (Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë), një prej simbolikave më të thella dhe më komplekse, e pranishme tek të gjitha kulturat dhe mitologjitë e njerëzimit. Dhe, Gjarpri me Pendë i aztekëve, që është  perëndi e vdekjes, po edhe e ringjalljes, të cilit i falet heroina e Mira Meksit, simbolizon shndërrimin dhe përsëritjen e ciklit jetë-vdekje, ai hyn nën tokë , si të vdekurit – në novelë përjetojmë pikërisht festën e bashkimit me shpirtrat e të vdekurve – dhe del përsëri, si ripërtërje e jetës. Në këtë simbolikë gjejmë edhe energjinë e integritetit, aftësinë për të eksperimentuar gjithçka vetvetiu, pa shtysa të jashtme, për të arritur kulmin e njohjes.

Novela shkon edhe më tej në këtë simbolikë azteke, të lidhur edhe me besimin maja, që kërkonte autosakrificën për të hyrë në kontakt me shpritrat e të vdekurve, për të lidhur dy botët kundërshtare e të pandara nga njera tjetra – atë të Erosit, që bashkon dhe çliron burrat dhe gratë me lirinë, vetveten, ndoshta nirvanën e kulturave të tjera, lumturinë e paanë, gati hyjnore, të pamatë, që arrihet me këtë auto-sakrificë përmes dhimbjes.

Mund të flasim edhe shumë më gjatë se çfarë do të gjejë lexuesi duke hyrë edhe  më thellë në përsiatje dhe në udhëtime të tilla brenda vetes dhe brenda botës së paanë duke lexuar novelën e Mira Meksit, por ajo që kurrsesi nuk mund të lihet pa thënë me ngulm, me nënvizim dhe me theksim është forma, stili, leksiku, struktura gjuhësore e Mira Meksit. Gjë që nuk është një habi, sepse e njohim dhe e kemi ndjekur prej vitesh këtë shkrimtare të palodhur në përkryerjen e fjalës shqipe. Por,  është, megjithatë, një ëndje e pafundme, kur, mes mish-mashit dhe çoroditjes gjuhësore që shpesh fatkeqësisht na rrethon, gjejmë prehje dhe shpresë se shqipja do të vazhdojë të pasurohet, të zhvillohet, të shpëtohet dhe do të bëhet më e bukur e më tingëlluese, kur atë e lëvrojnë shkrimtarë seriozë dhe të talentuar si Mira Meksi.

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤