Mira Kazhani; Nga 1-shi te 500-a

mirak3

Mira Kazhani tregon historitë e saj në timon që nga makina e parë, një Volkswagen Lupo gjashtë vjet më parë e deri te kjo e dyta, blerë pak kohë më parë, një Fiat 500

Foto: Armand Sallabanda

Sigurisht që makinat e larta i japin siguri si asnjë tjetër dhe prandaj i pëlqejnë, por kjo nuk do të thotë që nuk është e kënaqur me makinën aktuale. Përkundrazi! Dhe sa për ta saktësuar: “Ajo nuk është makinë, është kukulla ime” . Një Fiat 500 ngjyrë  perle, blerë para pak kohësh, “e virgjër” (kur vjen puna te makina, një grua nuk i gëzohet më pak këtij fakti sesa një burrë zakoni), gëzimin e së cilës po e feston me revistën tonë. Ia plotëson të gjitha nevojat për momentin, jo vetëm ato të transportit, por edhe të syrit: ashtu e rrumbullakosur aq sa duhet, e shpejtë mjaftueshëm, me një shkëlqim prej sendesh me vlerë: një perlë e vërtetë! Që bëhet edhe më e çmuar kur mbushet me pasagjeret e preferuara të Mirës, të gjitha femra, asnjëra e ngjashme me tjetrën. “Mami që nuk ankohet kurrë. Ilva (Tare) që ankohet gjithmonë dhe Anjeza (Maja) që i bën të dyja. Por më e preferuara është Rebeka, mbesa ime”, e ndërton listën  menjëherë Mira. Nëse i duhet të numërojë pastaj jofrymorët që popullojnë hapësirën e lëvizshme të makinës së saj, e ka edhe më të lehtë detyrën. Pelushët nuk i ka pranuar asnjëherë aty brenda dhe mund të thuhet që është minimaliste në këtë drejtim, por tundimit të një hajmalie për ta mbrojtur nga syri i keq nuk i ka rezistuar. Kujtimi i një episodi të frikshëm, e bën edhe më të ndjeshme. “Jam përplasur para disa vitesh në Tiranë, e kujtoj si makth. Lutem mos më ndodhë kjo gjë.”

mirak1Dy janë frikërat e saj më të mëdha në timon. Njëra është autostrada, tjetra janë të tjerët. “Frika më e madhe është mos lëndoj dikë. Kalimtarët janë të tmerrshëm dhe duhet t’i ruash.” Ndërsa provokimi më nervozues ato dritat e meshkujve që bëjnë presion në autostradë, që e shtyn të lutet me gjithë shpirt që një ditë të dalë një ligj që t’i dënojë rëndë ata. Po deri sa të vijë ajo kohë, asaj i duhet të ruajë qetësinë, të njëjtën gjë që bën edhe në situatat konfrontuese në trafik. Më mirë një vesh i shurdhët sesa të bërtitura që të shurdhojnë e që në fund nuk ndihmojnë për gjë veçse për të shënuar një rekord të ri nervozizmi.mirak2

I janë bërë tetë vjet tashmë në timon dhe ca gjëra mund të thotë që i di mirë. Dhe këtu nuk hyjnë vetëm rrugicat e ndërmjetme që shmangin trafikun, apo manovrat në timon, por edhe ato që funksionojnë me kolegët shoferë apo me policat rrugorë. Me këta të fundit ka përdorur vetëm rrugën e drejtpërdrejtë. “Policët i respektoj. Sidomos tani që kanë dalë në patrullë edhe femrat.” Duket sikur aleancat e heshtura gjinore funksionojnë edhe në timon, por jo stereotipet.

mirak5 Vetë Mira për shembull, duke folur me gjuhën e meshkujve, edhe pse këtë hormon  e prodhojnë të dyja sekset, e pranon që shpejtësia ia shton adrenalinën, madje më shumë sesa “e mirë” (do ishte cilësi shumë e përgjithshme për një vajzë me këtë emër) veten e quan shofere të shpejtë. Është nga ato që ka guxuar, që në fillim fare madje, kur ia hiqte mendjen vendit instruktorit me sigurinë e pashpjegueshme prej fillestareje, por kjo siguri e ka ndihmuar. E kaloi provimin me provën e parë dhe si pa e kuptuar e mori patentën. Për makinën e parë pas kësaj duhet të priste dy vjet. Më në fund u shfaq ajo vogëlushja e aventurave të para të shoferes së re.mirak6

Një Volkswagen Lupo me marshe që nga 2007-a nisi të shtojë numrat në kilometrazh për llogari të gazetares. Por vitet kalojnë shpejt dhe nëse je me makinë edhe më shpejt akoma. Tashmë ajo ka makinën e saj të dytë, atë perlën në ngjyrë dhe jo vetëm që ia ka rrëmbyer zemrën, por jo sa ta bëjë t’i premtojë dashuri të përjetshme. “Makina aktuale më plotëson perfekt për momentin. Po besoj do ta ndërroj pas 3 vitesh sërish.” Sepse koha ikën mbi rrota më shpejt sesa zakonisht! Kështu kaloi dhe Mira nga makina e parë te 500-a e saj e dashur.mirak7

 

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤