Ministria e Kulturës braktis Cirkun, artistët: Na lanë në hava

Protestave të artistëve të skenës dhe ekranit i bashkohen edhe artistët e Cirkut Kombëtar, që janë kundër projektligjit të përgatitur nga Ministrisë së Kulturës. Në projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10 352 të datës 18.11. 2010 “Për artin dhe Kulturën”, Ministria e Kulturës shfuqizon Cirkun Kombëtar si institucion kombëtar.

Kjo ka bërë që artistët e Cirkut Kombëtar bashkë me përfaqësues të sindikatave të artistëve të protestojnë, duke kërkuar një shpjegim për çfarë po ndodh. Ata shprehen se as nuk ka pasur konsultime për projektligjin me artistët e cirkut, dhe janë gjendur përballë faktit që shfuqizohet Cirku Kombëtar. Mjeshtri i cirkut Pavli Sallata njëkohësisht dhe kryetar i sindikatës së artistëve të Tiranës thotë se me këtë ligj Ministria e Kulturës tregon se nuk ka menduar për trupën e artistëve. Në reagimin e tij ai pohon se ata do të ti drejtohen përmes një letre ministres së Kulturës për të kuptuar se ku do ta çojnë cirkun. “Kjo që ka ndodhur nuk është fare e drejtë.

Ne kemi kaq vite që prisnin të ishim Cirk Kombëtar dhe tani na fshijnë nga ligji. Se di pse e kalon Cirkun Kombëtar pa vëmendje fare, shfuqizohet një pikë te ligji aktual dhe e heqin cirkun. Nuk e di çfarë shpjegimi ka ministrja Kumbaro për këtë. Ne nuk dimë asgjë, cirkun e kanë lënë në hava. Aktualisht nuk është e drejtë që ne të na vihet vizë nga Ministria e Kulturës. Kjo tregon që politika e Kumbaros për cirkun ka qenë zero, ka qenë inekzistente dhe jo në lartësinë e duhur, investime dhe projekte.

Argumentin pse na ka hequr nuk e dimë. E meriton të ishte kombëtar, por politika ndaj cirkut nuk ishte e tillë”, pohon mjeshtri Sallata në reagimin e tij. Dje artistët kanë zhvilluar një takim për këto probleme, dhe deri tani sipas tyre nuk kanë munguar dhe zërat që Cirkun mund ta marrë Bashkia. “Mendoj se do na kalojnë te Bashkia, nuk kemi asgjë me kryetarin e bashkisë, por se dimë çfarë mendoi ministrja e Kulturës kur u bë ky ndryshim. Pra ne jemi në hava me këtë projektligj të ri. Ne duhet të ishim parë si Cirk Kombëtar me strategji, por kështu na kanë lënë në hava”, pohon mjeshtri i cirkut Pavli Sallata.

Çfarë do të bëhet me Cirkun Kombëtar?

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë, Reshat Ibrahimi tha se të gjithë institucionet e artit janë mes problemeve. Sipas tij ministria me projektligjin e ri ka bërë çfarë ka dashur. “Ne si SPASH do ti kërkojmë ministrisë të na japë shpjegime, si ka mundësi ta fshijë cirkun si institucion kombëtar me status të veçantë kombëtar, ta shfuqizojë me mendimet që ka vetë, por ne nuk e pranojmë këtë. Ministrja Kumbaro të na shpjegojë ku do ta çojë cirkun, ku ka ndërmend ta përplasë Cirkun Kombëtar. Ministrja nuk ka pyetur asnjë, por artistët janë shumë të shqetësuar për çfarë po ndodh. Është interesi i tyre të jenë kombëtar dhe nuk dihet se çfarë do të bëhet. Ne po përgatisim materialin dhe javës që vjen do ti drejtohemi për çfarë ka ndodhur me cirkun përmes një letre dhe ministres Kumbaro”, thotë Reshat Ibrahimi kryetar i SPASH.

Për artistin e cirkut Julian Kazazi njëkohësisht dhe kryetar i sindikatë së artistëve të Cirkut Kombëtar askush nuk ka qenë në dijeni për projektligjin. “E gjithë trupa e artistëve të cirkut nuk ishte në dijeni, u gjendëm përballë faktit që në projektligj thuhej shfuqizohet Cirku Kombëtar. Ne nuk kishim asnjë lloj informacioni çfarë është bërë. Sigurisht që e gjithë trupa e Cirkut Kombëtar do të ketë status kombëtar. Ne kemi qenë në varësi të Bashkisë më pas në vitin 2012 kaluam Cirk Kombëtar”, përfundon artisti Julian Kazazi.

Në ligjin e 2010 Neni 5 në pikën 3 thotë: “Në institucionet publike qendrore të artit e të kulturës, subjekt i këtij ligji, përfshihet në pikën dh) Cirku Kombëtar. Në projektligjin e ri të ministrisë në nenin 5 bëhen disa ndryshime mes tyre thuhet dhe se “Germa “dh” në pikën 3 shfuqizohet”. Ndryshimet në nenin 5 të ligjit aktual për artin dhe kulturën kanë qenë ndër më të diskuarat në komunitetin e artistëve.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤