Mimoza Ahmeti: Të parëndësishmit- Flogerta Krypi e Klubit letrar “Pena e re”!

E lindur në korrik të 93-shit, në Tiranë, Flogerta Krypi, kjo femër, krijuese letrare dhe organizatore e fuqishme e brezit të vet të letrave artistike, kryesisht prozës e poezisë, ka hyrë në letërsinë tonë bashkëkohore me një vokacion pretendues dhe me moton “Unë zgjedh të ndryshoj botën”!

Dr. Mimoza Ahmeti – E lindur në korrik të 93-shit, në Tiranë, Flogerta Krypi, kjo femër, krijuese letrare dhe organizatore e fuqishme e brezit të vet të letrave artistike, kryesisht prozës e poezisë, ka hyrë në letërsinë tonë bashkëkohore me një vokacion pretendues dhe me moton “Unë zgjedh të ndryshoj botën”!

Karakteristikë e saj është se motivimi i saj nuk shkon vetëm drejt aksionit mental krijues, por shoqërohet gjithashtu edhe me atë organizativ. Ky binom është një nyje e fortë e personalitetit të saj, dhe nga optika shoqërore dëshmon që brezat e rinj i gjejnë rrugët e veta, pavarësisht nga vëmendja e etërve.

Po themi dy fjalë për “Klubi Letrar Pena e Re”, themeluar prej saj, ashtu si na e përshkruan vetë ajo: “Pena e Re” u themelua në dhjetor të vitit 2014 me qëllimin kryesor promovimin e autorëve të rinj shqiptarë nga mosha 16 – 26 vjeç. Klubi mbidhet çdo datë 26, në Qendrën rinore të Tiranës ku të rinjtë konkurojnë në tre forma atristike: prozë, ese dhe poezi; dhe zgjidhet një fitues për çdo zhanër.

Në çdo fundvit botohet një antologji me punimet më të mira të vitit si dhe zgjidhet një fitues. Përkatësisht për vitin e parë u përzgjodh Manjola Markola të cilës i botuam librin me poezi “Aroma e Heshtjes”, dhe vitin e dytë Lediona Braho, që shumë shpejt do të botohet edhe libri i saj me poezi.

Cuditërisht financimi, një nga pikat nevralgjike të promovimit të artit, bëhet nga vetë Flogerta dhe një shoku i saj i Shoqatës “Unë zgjedh të ndryshoj Botën”. Kuptohet në çfarë kushtesh të vështira synon signifikimin ky brez, e megjithatë nuk tërhiqet.

Të parëndësishmit, që natyrisht janë shumica e botës, janë qendra e vëmendjes dhe strategjisë së kësaj krijuese të re,jo vetëm për krijimin letrar individual por edhe për organizimin dhe rritjen e dimensionit social të vëzhgimit dhe interpretimit të botës së tyre.

“Një shtet i ngelur në derë”, një nga esetë e kësaj autoreje, e përshkruan përfaqësinë e konstituimit tonë, si një vajzë e re, virgjëreshë, e mbetur në derë, që po pret princin shpëtimtar. Ajo përshkruan kontekstin historik ku u lind kjo vajzë dhe mentalitetin e prapambetur pritës, njësoj si dikur, kur një shpëtimtar do të vinte t´i japë dorën, të mbeturës:

“E megjithatë dhe pse ka çdo mundësi të fitojë vetë lirinë, ajo pret një burrë që të mos quhet më një grua e ngelur në derë, e për këtë arsye ajo pret në dritare e jo në prag të derës, se është fat i keq. E tek pret fillon dhe thotë me zë të lartë për përrallën e saj.

Sa fëmijë do të ketë, sa të sigurt dhe të fortë do të jenë ata dhe, më e rëndësishmja, sa nënë e mirë do të jetë ajo. Por thuajse gjithmonë e zë gjumi pa arritur ende në gjysmë të përrallës. E kështu kjo vajzë e gjorë e ngelur në derë pret për natën tjetër, duke thurur shalle, si Penelopa, me bindjen se një ditë Odiseja do të vijë.”

Flogerta Krypi, siç e vetëquan ajo veten, Gerta, ka një respekt thuajse sublime për ngjarjen e egos së saj. Ky konstrukt racional-ndjesor, është një objekt që vëzhgohet dhe interpretohet nga një instancë poetike e vetes, me nota, ngandonjëherë tragjike, drejt sublimes!

Mam

Sot në këto rrugëtime të gjata në errësirë

kur lodhja nuk po më le as të fle

se koha është e ftohtë sot

ashtu siç ishte e ftohtë dhe dje

dhe unë frikësohem se mos të kam lënë vetëm…

E kur kthehem ti prapë je aty

në pritjet e tua që nuk përfundojnë kurrë

se ti e di Mam: unë jam gjithmonë në ikje

dhe bashkë veç vuajtjet na bashkojnë.

Sot, Mam, që kam fjetur në sedilje të këputura

dhe koka më rëndon sikur të kem pirë,

kujtohem se pas ca orësh arratisje

unë prapë tek ti do kthehem

kudo që të shkoj.

Se unë jam fëmija yt gjithmonë

dhe nëse koha e gjithçka tjetër na ndan

vetë Zoti e gjen rrugën me u taku

përjetësisht.

Mam

Do doja të të kisha këtu tani

që të mbështetja kokën tek supi yt

dhe kur gjithë ky ujë të thajë sytë

do na marrë dhe lotët e dhimbjes sonë.

Se dhe kur jemi larg

Zoti bashkë të na takojë

se ne jemi një.

Tendencioze e të sinqerta janë vargjet e saj rreth themelimit të vetvetishëm të brezit letrar të saj, që është edhe shëndeti minimal i një shoqërie, nëse të lejon të shkëputesh prej shpërgenjve të saj, të cilët nuk janë vetëm përkujdesje, por edhe autoritet përmbi. Të themeluar prej vetveteje si grupim letrar, ajo thotë në poezinë “Dyshimi”:

Ishim të dyshimtë

se luftonim për idealin

pa u futur në xhepin e askujt.

E na shihnin me frikë

nën fijet e kujt ishim…

Ishim të dyshimtë

se i dilnim përballë përgjegjësisë-

e merrnim dhe ecnim të lirë

me të vërtetën në duar

pa patur për kënd xhelozi.

Ishim të dyshimtë

se nuk nuk na blinte askush

drejtësinë e kishim pjesë të frymës.

Ishim të dyshimtë

se nuk na mundnin dot

me servilizëm, pushtet.

Ishim të dyshimtë

se kishim një jetë!

Duke iu drejtuar alter egos së saj, me emrin Gerta, ajo flet me të, e përkshruan, dialogon, i premton, e trajton si një objekt të çmuar të vetes:

Gertë,

Ti e di që nuk të drejtohem dot ndryshe,

nuk të mbush dot me lëvdata

po nuk mundem as të të gënjej:

Jetove mes njerëzve: vetëm,

e m´u desh shumë kohë të të gjej

diçka që të ngjan, dikë tjetër.

Se ti ishe fëmijë në trup të rrituri

një gjë e qetë mes lëmshit,

një hije që u përpëlite…

U lute

që njerëzit shpirtin të ta njohin.

Megjithësë ka mbaruar disa shkolla të Ekonomikut në Shqipëri dhe në Gjermani, pathos i saj për signifikancë letrare e vetëshpallje shënimi, mbetet një apel i brendshëm që motivon gjithë frymëzimin e saj. Eshtë e pabesueshme të mendosh që vetëm në njërin nga konkurset poetike organizuar nga “Pena e re”, u paraqitën për konkurim rreth gjashtë mijë poezi.

Dëshira për antologji të re letrare e linguistike dhe ky vetorganizim i brezit të ri letrar (pena e re) në një dimension të konsiderueshëm, është një tregues që nga shoqëria jo vetëm pritet (presim), por edhe konkurohet(e konkurojmë).

E re, e pasionuar pas idesë se vetëm çfarë del në histori i mbijeton kujtesës, ajo e ka marrë seriozisht vendosjen e një guri në ndërtesën shpirtërore të brezit dhe kulturës prej nga ka dalë, dhe don të identifikojë me të, mbi identifikime të tejkaluara të cilat nuk prezantojnë.

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤