Mimoza Ahmeti: Një koleksion librash antikë për Skënderbeun

Në mjediset e Muzeut Kombëtar historik, në sallën madhore frontale në hyrje, u hap dhe qëndron këtë javë në pritje të vizitorëve, një ekspozitë minore dhe po aq intime, me 37 libra të shkruar në nëntë gjuhë të ndryshme të botës – botime origjinale këto, të hijshme dhe po aq misterioze, nga shtresa shekullore të kohës, pasqyrime të marrëdhënieve dhe të veprimtarisë luftarake, strategjike dhe diplomatike, të epokës së shekullit të pesëmbëdhjetë, të figurës europiane, ballkanike dhe shqiptare, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu

Nga Doc. Mimoza Ahmeti
Në mjediset e Muzeut Kombëtar historik, në sallën madhore frontale në hyrje, u hap dhe qëndron këtë javë në pritje të vizitorëve, një ekspozitë minore dhe po aq intime, me 37 libra të shkruar në nëntë gjuhë të ndryshme të botës – botime origjinale këto, të hijshme dhe po aq misterioze, nga shtresa shekullore të kohës, pasqyrime të marrëdhënieve dhe të veprimtarisë luftarake, strategjike dhe diplomatike, të epokës së shekullit të pesëmbëdhjetë, të figurës europiane, ballkanike dhe shqiptare, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu.

Koleksioni shoqërohej nga një damë angleze me banim në Londër, Patricia Nugee, e cila është edhe mbledhësja e pasionuar e këtyre librave, dhe një veneruese e dashurisë për shqiptarët dhe shpirtin e ngjyrshëm të tyre.

E pyes se çfarë e lidh më vendin tonë, me shqiptarët dhe ajo me frymëzim më përgjigjet: “Kur shkon në një vend, ngjyrimi shpirtëror i njerëzve është gjëja e parë që të fton te ta, te familjet e tyre. Mund të them se jam me fat që jam pranë tyre, që i kam njohur. Koleksioni i librave për Skënderbeun ka qenë diçka kaq rastësore. Më kujtohet rreth vitit 1969-‘70, në një dyqan antikuarësh, bleva librin e parë për Skënderbeun. Libri ishte në anglisht. Unë nuk dija asgjë deri atëherë për Skënderbeun. Por u befasova me karakterin patriotik, kristian dhe të dhembshur të kësaj figure historike. Dhe kështu vazhdova të blej e të ruaj të tjera vepra rreth tij, në gjuhë që mund dhe që nuk mund t’í kuptoja. Arrita të grumbulloj 37 libra, autentikë, autorësh, në nëntë gjuhësh të ndryshme, shumica botime të para 1800-s, domethënë të epokës së paramodernizimit. Njëri nga botimet kap vitin 1510, e imagjinoni?

Dhe kështu mendova e fillova të udhëtoj bashkë me koleksionin tim, për t´ua treguar njerëzve në vende të ndryshme të botës dhe pashë që ata kishin shumë interes për të ditur për këtë figurë, për Skënderbeun.

Ky interes pasuroi jetën time. Dhe është e kuptueshme: librat janë universe dhe janë për gjithkënd! Dhe kjo më lidhi me shumë botë e njerëz.

E fillova udhëtimin tim me Prishtinën, vazhdoi ajo, rreth viteve 1980. Tani jam e ftuar nga Muzeu Kombëtar i Shqipërisë, Tiranë, e në qershor do të jem për të prezantuar koleksionin tim në Dyseldorf, por ndërkaq, paraprakisht e kam parakaluar në ekspozim koleksionin tim, këtë vit, edhe në Kanada, Danimarkë dhe Gjenevë ”.

Më pas ajo më tregon një shkrim që e ka gjetur në Skotland, rreth Skënderbeut, ku ai paraqitet jo thjesht si trim, por një prijës që nuk luftoi për pasurim, por për liri dhe mirësi njerëzore. “Mendoni, tha ajo, edhe në Scotland është shkruar për të!”

Megjithëse nga pikëpamja kohore sivjet evidentuam 550-vjetorin e Gjergj Kastriotit, dhe nga ajo zyrtare dhe historike mund të themi se vetë kryeministri u kujdes për të shpallur këtë vit si vitin e Skënderbeut, ajo që i jep një aspekt njerëzor dhe një sharm intim këtij eventi, ishte pikërisht ky koleksion i vogël librash, i një dame angleze, në Muzeun historik kombëtar, e cila rastësisht është takuar me këtë figurë liridashëse, në një botë antikash dhe pastaj intrinsiku i saj koincidon në një pikë me atë Skënderbeut dhe ajo, si një ambasadore, bëhet pjesë e një udhëtimi, që i dhuron njohjes njohje.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤