Mimoza Ahmeti: Juvenali- Satira: Nga libraria e trotuareve

Kalimi buzë një librarie të shtrirë përgjatë trotuaresh në Tiranë, është një përshkrim i një ndjenje të shumëfishtë, ku nostalgjia, paragjykimi, dëshira, ikja, rikthim-krye, tundimi e më në fund blerja e një libri, shoqëron veprimin. Kështu ndodhi edhe pardje, ku pas një tërheqjeje të përkundërt, më mposhti dëshira për të blerë një libërth të hollë, me titullin: Juvenali- Satira.

Libri ishte aq i imët, botim i vitit 1973, kur unë isha ende pa mbushur dhjetë vjeç… Me një parathënie të shkëlqyer nga Andrea Varfi dhe kopertinë nga Svietllana Strazimiri, emra të dashur këta, bashkë me përkthyesin Spiro Çomora, të tre signifikantë të konstituimit letrar të brezave në vite, së paku deri në vitet e ndryshimit radikal, por ndoshta kjo është një kuotë jo e saktë, pasi kënaqësia që mora nga ky libërth është aq e madhe…

Futesh në një librari kaotike dhe nuk zgjedh dot një libër. Të rregullta janë vetëm kolonat e shkrimtarëve tashmë të njohur e të konsakruar prej epokash. Libra të trashë që peshojnë me kile dhe që kam frikë mos më rrëzojnë përgjatë leximit në karrige, ose mos më ndrydhin qafën në dyshek, pasi janë më voluminozë sesa jastëku im petuq që ka vetëm një funksion dekorativ…

Po kush ishte Juvenali? i librit me satira, botuar nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, në një tirazh plot 12 mijë kopje, megjithëse më pak se pesëdhjetë faqe, me një format që nuk e kalon shuplakën e dorës, në vitin ‘73?

Decimo Giunio Givenale (Juvenali) ishte poet romak i kohës para dhe përgjatë pushtetit të Cezarit në Romë, lëvrues i satirës, që unë do ta quaja: i sarkazmës, kundër regjimit, veseve dhe gjithë dekompozimit të shoqërisë romake, e cila të çudit me ngjashmërinë në shumë aspekte, të një simetrie absolute me bashkëkohoren, thua se jemi tatuar me të njëjtat dëshira mishi e materiali qysh prej më shumë se dymijë vjetësh.

Andrea Varfi shkruan: “kur thotë Juvenali se romakët e kohës së tij kishin nevojë vetëm për padronë, bukë dhe festa, këto fjalë nuk duhet të merren si një përbuzje për bashkëqytetarët, por si një pohim burrëror lidhur me realitetin e hidhur të kohës”.

Megjithëse Cezari para vitit ‘49, para erës sonë, premtoi se do çlironte popullin nga zgjedha e një grushti uzurpatorësh, kur u bë perandor, zgjedha u bë edhe më mbytëse.

Juvenali në vargjet e satirës së tij shkruante:

“ Përherë u dashka që unë të mbyll gojën

dhe vetëm të dëgjoj?..

Po ku vallë u gjendka aq durim, sa të durosh vendlindjen

të shthuret fund e krye?

Lëvdohet ndershmëria,

por të çon në varr; kurse çdo krim që bëhet

shpërblehet me bulqiza, me gostira,

nderime pretoriane, me takëme

ergjendi nga të moçmet dhe me kupa

që kanë si stoli fytyra cjepësh…Sado që poet

nuk linda, mua pezmatimi m´i dikton vargje të tilla…

Këtu te ne tani gjëja më e shenjtë

qenkërka Madhëria e saj- Kuleta,

sadoqë ti, Zot, ugursës- Kacidhe,

s´e ke akoma vendin në një tempull;

sado që gjer më sot s´u kemi ngritur Monedhave altar, ashtu si ka

altar për Besimin dhe për Paqen,

altarë për Fitoren e Virtytin!

Me kaq maisje vesesh që kemi

besoj se kurrë nuk ka për të mundur e ardhmja

të na shtojë më të liga.

Pasardhësit ne mjeshtra do na kenë

në këto turpe, nëse do na ndjekin

e s´do t´u vijë ndot nga turpet tona.

Çdo ves kur arrin kulmin, s´ka ku zbret

më poshtë.”

Andrea Varfi shkruan pastaj “ Karakteri kozmopolit, korrupsioni dhe prostitucioni vazhduan në Romë edhe kur skeptërin e cezarëve, si “Ponfeniksë të epërm”, e muarën papët e kohës feudale. Ky korrupsion e prostitucion vazhdoi të luftohej edhe shumë kohë më vonë prej Dantes e Petrarkës me shokë, ashtu siç u luftua prej Juvenalit, te poezia e të cilit po kthehemi, pas kësaj pasqyre të shpejtë të ambientit dhe të shoqërisë romake, para-gjatë dhe pas Juvenalit”:

“Me të vërtetë, nga sa kemi parë

në ç´vend të mjerë, ku, në ç´shkretëtirë

do të banonim më keq se në Romë,

ku kërcënohesh vazhdimisht nga zjarret,

nga shembjet e shtëpive, nga një mijë

rreziqet e kësaj Rome t´egër, ku

të ndjekin recitime poetucësh

edhe në gusht?

“Gjersa këtu, në Romë, nuk i ka

njeriu mundësitë të punojë

me nder, sepse çdo pune të nderuar

s´i jepet më asnjë shpërblim;

përgjersa gjendja e sotme ekonomike

është më e keqe se ajo e djeshmja

dhe nesër do të jetë ca më e keqe

se kjo që kemi(e s´ka ku shkon më tutje),

unë vendosa të shkoj në Kumë!

Tani që nisën të më thinjen flokët

tani që jam në prag të pleqërisë

edhe mezi mbaj trupin drejt kur eci,

po le atdheun tim sot, të përshtatshëm,

për të vepruar Artori e Katuli,

që e kthejnë ç´është e bardhë, në të zezë;

që marrin lehtësisht në sipërmarrje

shtëpi, skela, lumenj, tharje gjirizash;

që djegin edhe kufomat e të vdekurve;

këta nëpër ankande nxisin skllevër

për hiç të shesin kokën ndër padronë!…

Dikur, këta të gjithë s´kanë qenë

veçse britarë, që endeshin përherë

nër cirkuse krahinash, disa fyçka,

që mezi hanin bukë nëpër fshatra.

Por sot shpërndajnë çmimet nëpër ndeshjet

dhe, që t´i hyjnë popullit në zemër

me gishtin e madh nxisin që të vritet

prej gladiator, ai të cilin

duan ta shohin shtrirë…

do herë që ka qejf fati të lozë

merr një nga këta tipa dhe e ngre

në postet më të larta e plot shkëlqime!

Po unë, ç´mund të bëj në Romë? Unë

s´di të gënjej..”

“Juvenali “Satirat” e tij i shkroi në moshë mjaft të pjekur, pasi e kishte njohur mirë shoqërinë romake, si njeri i elokuencës e drejtësisë; i shkroi i shtyrë nga pesimizmi i fortë që ziente brenda kraharorit, kur shikonte se me duzina, poetucë, në vend që të pasqyronin realitetin e kohës dhe të godisnin krimet e poshtërsitë, arratiseshin në subjekte të stërshfrytëzuara të mitologjisë greke, të trajtuara në mënyrat më anemike dhe të një fryme kozmopolite”.

Juvenali gjithashtu shpesh flet për edukimin, se qeliza bazë e veprimit moral e social është edukimi. Herë-herë ai akuzon Perandorin për politikat e edukimit, por gjithashtu ai stigmatizon edhe familjen për keqedukim:

“Janë pikërisht prindërit, o Fushin,

ata që për së gjalli, ua tregojnë

edhe pastaj ua lenë trashëgim

fëmijëve ato vese të pështira,

që mbeten si një njollë e pashlyer

tek shpirti i bardhë i tyre…Asnjë gjë

e turpshme për t´u thënë o për t´u parë

le të mos prekë kurrë ato mure

të shenjta ku njeriu është babë…”.

Vërtet librat e librarisë së trotuarit shqiptar nuk janë si ato të Parisit- trashëgimia librore riciklohet atje e pështjellë në letër të tejdukshme për t´u mbrojtur nga pluhuri, buzë lëvizjes lumore e njerëzore të Senës, por edhe libraritë tona të varfra buzë rruge, kanë, mes librave të rëndomtë, margaritare të kulturave të cilat të impresionojnë me kthjelltësinë mendore, si rasti me satirat e Juvenalit, të cilat të plota mund t´i gjeni në gjuhën e tij, pasi jo vetëm nga përkthimi diçka është holluar, por edhe nga selektimi i censurës së kohës: nuk janë botuar të plota! Megjithatë, edhe për kaq: Faleminderit!

“Fuqia ndjell nakar të madh. Ca bëhen

viktima se u zë frymën

Regjistri shumë i gjatë e i lavdishëm

i vargut të nderimeve. Statujat

përmbysen dhe ndjekin pas litarin

që i heq poshtë; pastaj i vjen radha

spatës, që, me disa të rëna fort,

ia copton rrotat qerres triumfale…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤