Mes antikuarëve të Artur Gorishtit

IMG_7312

I vendosur tashmë mes Kanadasë, Italisë dhe Shqipërisë, Gorishti ka shumë çfarë të rrëfejë, jo thjesht si përvojë dhe kulturë vendesh e gjeografish të ndryshme. Sapo ka përfunduar xhirimet e filmit të tij të parë si regjisor, ndërsa po përgatitet të fillojë xhirimet edhe për një tjetër.

Mund të thuhet se është një artist në kuptimin e plotë të fjalës. Nga ata, që nuk mjaftohen me formën e të shprehurit dhe provojnë “të udhëtojnë” në shumë fusha, varësisht nga ajo çfarë duan të thonë dhe thelbit. Pas pikturës, ‘plotësimit’ të kësaj të fundit përmes fotografisë, provës me të shkruarin si shkrimtar i mirëfilltë apo skenarist, aktrimit prej shumë vitesh dhe regjisë, Artur Gorishti rishfaqet edhe si koleksionist. Së fundi, artisti i ka shtuar Tiranës një hapësirë të re artistike, një galeri, të vendosur diku te rruga “Myslym Shyri” dhe të quajtur “New Gallery”, ku ekspozon antikuarë, një pjesë e mirë e të cilave janë objekte të mbledhura dhe ruajtur me fanatizëm dhe dashuri prej atij vetë nëpër vite. I vendosur tashmë mes Kanadasë, Italisë dhe Shqipërisë, Gorishti ka shumë çfarë të rrëfejë, jo thjesht si përvojë dhe kulturë vendesh e gjeografish të ndryshme. Sapo ka përfunduar xhirimet e filmit të tij të parë si regjisor, ndërsa po përgatitet të fillojë xhirimet edhe për një tjetër. Ndërsa, përsa i përket privates, veten e koncepton thjesht, ashtu siç artistët e vërtetë duhet të jenë, “njeri i lirë”.


IMG_5807
Aktor, piktor, fotograf, shkrimtar, së fundi regjisor dhe tani edhe koleksionist. Si qëndrojnë së bashku këto pasione për Artur Gorishtin?

Unë s’jam fotograf. Fotografia artistike futet në artin vizual dhe fjala fotograf, se si më tingëllon. Jo se nuk e vlerësoj, e respektoj këtë gjë, por tek unë, fotografia ime ka më tepër lidhje me artin vizual. Doja që nga fotografia të kaloja në pikturë, kështu që çdo fotografi që është bërë, është bërë më shumë për të plotësuar pikturën apo instalacionet.
Ndërsa përsa i përket galerisë, “New Gallery”, që akoma nuk është hapur, mund të them se vetëm rilindi. Ju e mbani mend, që kam pasur në bllok një galeri, “Antique Gallery”. Nëntë vjet më parë, kur u largova për në Montreal, i mbylla të gjitha, ashtu ngushtë-ngushtë në apartament dhe tani, meqenëse mu krijua mundësia dhe pata mbështetje nga dy miqtë e mi, që do ta ndjekin si koncept e që janë profesionistë, thashë po e hapim prapë. Nuk mendoj për shitjen apo për promovime në këtë moment. Por ndihem mirë. Kjo galeri është pak më e madhe se ajo e mëparshmja. Ajo ishte më intime, më enigmatike, ashtu siç ishte, “underground”. Kurse kjo ka një veçanti tjetër. Ka dritaret e mëdha, përmes të cilave shikon edhe pemët dhe është më natyral si ambient, më familjar. Të gjitha objektet që ishin konservuar, i mblodha tani pas nëntë vjetësh, i lëviza prapë dhe i solla këtu.

Pse ky pasion për objektet e vjetra në kohë?

Ky është pasion për atë se si është ndërtuar njeriu. Me çfarë njohim jetët e artistëve, artistët janë të lidhur me të vjetrën, me antiken, sepse mendoj janë objekte që flasin, që inspirojnë. Për faktin që mbajnë me vete një histori dhe ato nuk janë një jetë e dokumentuar, por janë si qenie që flasin, gjëra të gjalla. Pra, ka të bëjë me natyrën e kërkimit, të zbulimit dhe të të kapurit të gjërave. Antika më duket një gjë e tillë, që fillon nëpër ato labirinte, derisa të kërkosh dhe të gjesh atë që ka vlerë.


IMG_7284
Në koleksionin tuaj të antikuarëve, a ka objekte të veçanta, të cilat i keni më për zemër, apo që kanë histori të veçanta për tu rrëfyer?

Në përgjithësi nuk nisem fare nga ana financiare, si shumë njerëz, që kanë për zemër një objekt që të jep shumë para. Nuk më intereson fare. Madje, nëse shes ndonjë gjë, më shumë mërzitem se sa gëzohem. Por në kuptimin e asaj, se nga se nisem unë për të ndjerë dhe thënë se është i veçantë një objekt, unë nisem nga forma, nga historia që ka. Në koleksionin tim kam disa peshore. Një prej tyre duket më shumë si gijotinë apo në një moment tjetër duket si Kali i Trojës. Një tjetër objekt i veçantë për mua është një mulli kafeje, që është shumë interesant dhe e kam mbajtur në shtëpi, sepse ka një formë industriale, i vjetër, por që të krijon përshtypjen e një objekti si ata të Da Vinçit, me ingranazhet, me atë krahun e gjatë. Ato që kam për zemër, nuk kanë shumë vlerë në kuptimin e fitimit, se sa nga ajo që më tërheq, forma, kolori. Sëndukët, po ashtu, më tërheqin shumë, për faktin se kanë një histori. Janë ato që quhen arka martese dhe shumë nga ato kanë edhe të shkruar emrat e çiftit të martuar dhe kanë një vend për fotografi.


IMG_7282
A e keni studiuar tregun e antikuarëve dhe galerive të këtij lloji? Keni një klientelë të caktuar që e synoni?

Nuk e kam studiuar tregun. Çuditërisht nuk dua ta bëj. Por kënaqem më shumë kur vijnë vizitorë artistë. Madje më pyesin: keni filluar të shisni? -Jo. Nuk kemi filluar të shesim akoma. Por klientela besoj se do të krijohet vetvetiu.

Së fundi ju keni provuar të shfaqeni edhe si regjisor. Si kanë ndikuar shprehjet e tjera artistike në këtë prezantim?

Të gjitha këto në esencë kanë lidhje me fjalën Art. Kjo është ajo që i lidh bashkë të gjitha në një. Dhe si rrjedhim, kanë ndikim në artin që i bashkon këto dhe quhet arti i kinemasë. Nëse gjen formulën, nuk ka pse mundohesh kaq shumë. Nuk ke pse të kesh frikë kur shkruan, duke pasur parasysh që ky është imazh filmik. Nuk ke frikë të pikturosh, kur po ashtu është imazh filmik.

Keni përfunduar së xhiruari filmin tuaj të parë si regjisor. Mund të rrëfeni më tepër për këtë film?

E dëgjoj shpesh edhe nga miq, që më thonë se, nuk është mirë që nuk e promovoj. Por rëndësi ka, besoj, të bësh mirë punën dhe vetë gjërat marrin jetë. Çdo vepër do kohën e vet të shtrohet, t’i vijë momenti. Nuk më pëlqen kur dikush e kalon masën e intervistave, fjalëve të mira për punën e tij, sepse akoma nuk e di nëse ia vlen dhe nëse është pjekur aq shumë. Kur ti mat pulsin dhe e kupton që puna jote ka një lloj vlere, atëherë mund të marrësh kurajën dhe ke të drejtën tënde morale, që të flasësh për punën.

Atëherë, është ende herët për të folur? Nuk ia keni matur pulsin filmit tuaj?

Filmi ka mbaruar. Është realizim i 2015-ës, 15 minuta i gjatë dhe është krijuar mbi tregimin e parë të librit tim,“Dyert”. Në libër, tregimi është titulluar “Peshkimi i parë”, ndërsa në film e kemi kthyer titullin në “Frymë” (Breath). Është historia e një fëmije të vogël, një histori ëndërr, që është një koncentrat i gjithë jetës, vdekjes, gëzimit dhe fëmija kupton jetën brenda një nate. Është surreale si histori, por njëkohësisht vjen nga jeta. Me këtë film do të marr pjesë në festivalin ndërkombëtar të filmit, Tirana International Film Festival në Tiranë, (TIFF) në Nëntor, në seksionin ndërkombëtar. Atje do të jetë edhe premiera e filmit, që do ta organizojë “Digitalb”, meqenëse është pjesë e produksionit bashkë me një produksion të Kanadasë.

Në film interpretoni edhe vetë?

Në film luan një fëmijë, një aktor i shkëlqyer, edhe pse luan për herë të parë në një film. Quhet Andi Shaska. Ai interpreton rolin e djalit tim, ndërsa unë luaj babain.

IMG_7309

Sa ju ka ndihmuar pjesa e të qenit aktor në punën si regjisor?

Mendoj, jo vetëm për regjinë, por edhe për aktrimin apo pikturën, duhet momenti i duhur për të krijuar. Pavarësisht se kam filluar shpejt, thosha: duhet kohë. Aq më shumë për regjinë. Mendoj se tani erdhi momenti. Kisha njëfarë sigurie, nga fakti që kisha parë më parë gabimet e të tjerëve, sukseset e të tjerëve, çfarë duhet marrë dhe çfarë duhet lënë. Për mua, në këto momente nuk ka gjë më të bukur se sa të luaj dhe nuk do ta lë kurrë aktrimin, por kam shumë gëzim dhe ndjehem komod edhe si regjisor.

Mendoni për filma të tjerë, pse jo, film të metrazhit të gjatë?

Po. Tani kam mbaruar një skenar të gjatë. Ndërkohë që kam edhe një skenar për film të shkurtër dhe jam gati për të filluar xhirimet.

Nëse mund të flisni, çfarë trajtojnë këta filma? Mund të zbuloni më tepër për historinë apo skenarin e tyre?

Skenari i shkurtër, të cilin nuk e kam vënë në libër (sepse unë kisha disa tregime për në libër dhe zgjodha vetëm pesë), titullohet “Kurth”. Është vetëm me një personazh, të cilin do ta luaj vetë. Është i së njëjtës natyrë me të parin dhe është krejt simbolik. Simbolikja, sipas meje, del nëpërmjet të qenit korrekt me jetën dhe pa lëvizur asnjë fije nga ajo që ne jetojmë. Nuk mund të bëhet simbolike një gjë, duke pasur në mendje që ta bësh të tillë.

Po për skenarin e gjatë?

Skenari më mori kohë, por e kam mbaruar. Është herët për të folur, por është temë e ditës në Shqipëri.

Keni shumë vite përvojë artistike dhe jetësore. Nga gjithë kjo përvojë, mund të thoni se cilët kanë qenë momentet apo njerëzit, që ka ndikuar më tepër në atë që jeni sot?

Unë nuk di të flas as për momente të saktë e as për persona të saktë, që kanë ndikuar në jetën time. Gjithë atributin, nëse kam “sukses”, ia atribuoj asaj që më ka sjellë jeta përpara. Nuk më pëlqen të kem një idhull dhe të ndjek idhullin tim.

Keni qenë aktiv vazhdimisht edhe si aktor, edhe në produksione të huaj. Cili është roli i fundit, ku jeni shfaqur e që vetë ju e keni për zemër?

Nw “Fox TV UK”, në Londër, në Angli ka vetëm pak ditë që është dhënë premierë filmi “The Fixer”, ku unë luaj një rol. Është film aksion. Unë kam rolin e dikujt që quhet Monroe, pjesë e një grupi terrorist, që vepron në botë. “Aksidentet”, gjithë terrorin që krijojnë, këta e krijojnë, duke i mbuluar veprimet si gjoja “aksidente”. Unë jam një ndër ata, që bëjnë këto “aksidente”, që krijojnë panik. Personazhi është shumë interesant dhe regjisori Peter Howitt është vërtet regjisor i mirë.

Nëse ktheheni pas në kohë, tek rolet që keni realizuar në Shqipëri dhe me aktorë shqiptarë, çfarë do të veçonit?

Sigurisht që kam respekt të madh për pedagogët, kolegët e mi, aktorë e artistë, si: Vangjush Furxhi, Birçe Hasko, Timo Flloko, Agim Qirjaqi etj.

Po përsa u përket aktoreve femra?

Kam luajtur me shumë aktore dhe nuk di kë të veçoj. Me të gjitha jam ndier shumë mirë.

Megjithatë, besoj, keni histori për të kujtuar nga loja me to, duke pasur parasysh edhe kohën, kur loja mes aktorëve, për më tepër një burri e një gruaje, nuk mund të ishte shumë e lirshme?

Nuk di ç’të them. Kur kam qenë 21 vjeç kam luajtur “Dora e ngrohtë” me Dhurata Kasmin. Ajo është puna e parë dhe kam impresione të veçanta. Aty është pikënisja. Mbaj mend se kur kishim një dialog të dy, u prekëm dhe u emocionuam. Dhe Çashku tha: ‘Nuk dua të prekeni kaq shumë. Nuk dua lot.’

Po sot, si e sheh skenën artistike, filmin në veçanti dhe aktorët?

Faktikisht kam vetëm dy muaj që jam në Shqipëri. Kam qenë dhe vjet për filmin “Bota”, por unë më tepër jam në lëvizje, iki e vij.

Te filmi “Bota”, filmi i përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në çmimet “Oscar” të këtij viti, ju kishit një nga rolet kryesore të filmit, Benin dhe ishit i rrethuar nga aktore femra. Si do ta përcaktonit lojën e tyre, nëse e krahasoni me vitet para ’90-ës?

Nuk mendoj se jam unë ai që duhet të jap përcaktime, se jam vetë aktor, jam vetë në lojë. Por mendoj që nga e kaluara duhet marrë diçka, që bëheshin gjërat pak më ngadalë, në kuptimin që merreshin më thellë. Por dihet, që bota sot është më komerciale dhe gjërat bëhen pak më shpejt.

Sa e gjeni veten te karakteri i Benit? Mendoni se Beni personifikon natyrën e mashkullit shqiptar?

Kam dëgjuar nga regjisorja që thotë se, Beni personifikon të riun apo shqiptarin e sotëm. Unë nuk e shoh veten shumë te Beni të them të drejtën, nuk e di pse. Nuk shoh ndonjë afrim, reminishencë të gjërave që unë bëj në jetë, me atë që është Beni atje. Unë thjesht bëra atë që donte regjisorja në këtë film.

Mund të zbuloni diçka për jetën private apo raportet intime?

Unë jam njeri i lirë, nuk kam ndonjë lidhje për momentin. Jam njeri i lirë.

FullSizeRender

loading...
No Comments Yet

Comments are closed

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤