Martesat me mblesëri, kontrata moderne robërie

Nga Arjan Çuri

Vrasja makabër e gjyqtares Hafizi, është po aq e tmerrshme dhe e dënueshme sa çdo vrasje tjetër pasionante që gjeneron krimi në familje, problem i cili njihet dhe është trajtuar gjerësisht. Fakti që as edhe një gjyqtare nuk arriti të marrë dot mbrojtjen që i nevojitej, as brenda sistemit të cilit ajo i shërbente, dhe që në raste të tjera, të mbrojtjes së gjyqtarëve nga dënimet e korrupsionit, duket sikur funksionon më mirë, është shumë domethënës dhe madje ulëritës për pikën më të ulët që ka arritur drejtësia në vendin tonë.

Por, këto ditë, kjo histori është analizuar nga të gjitha anët, dhe personat kompetentë sigurisht që do të zbardhin, edhe për faktin e ndjeshmërisë publike, çdo detaj dhe shkelje, si edhe emrat e gjyqtarëve që nuk e dënuan sipas ligjit autorin, të cilët në këtë rast, duhen bërë shembull, duke i përjashtuar nga sistemi i drejtësisë, madje duke i çuar edhe për ndjekje penale, për mosdhënie drejtësie, pasi ata janë bashkëfajtorë dhe bashkëvrasës të koleges së tyre, që u kërkonte dëshpërimisht ndihmë.

Të koleges, që edhe në gjallje, ishte e sigurt se fundin e kishte të pashmangshëm, madje as edhe vetë ajo nuk i besonte sistemit të drejtësisë, të cilit i shërbente, duke iu drejtuar, sikundër i drejtohet i rrezikuari Zotit për shpëtim, ambasadorit amerikan, sepse siç thoshte vetë e ndjera: “Nuk kam kujt t’i drejtohem tjetër”. Por duket, se kësaj radhe, as ambasadori amerikan nuk e bëri dot mrekullinë, pasi ai nuk mund të japë dot drejtësi si “Deus ex machina”.

Të vetmen gjë që mund të bënte ambasadori, ishte t’i jepte një vizë për në Amerikë dhe ta hiqte nga ky vend, por këtë gjë, ambasadori mik, nuk mund ta bëjë dot për qindra e qindra gra të tjera, të ndodhura, në të njëjtin rrezik të drejtpërdrejtë. Edhe analiza, që të gjithë e kemi fajin, edhe të gjithë e kemi vrarë nga pak, vlen dhe është e vërtetë, por nuk është se jep ndonjë zgjidhje konkrete që të tilla raste të shmangen në të ardhmen.

Aspekti që do të doja të merrja në shqyrtim, dhe që më bëri përshtypje në këtë histori, ishte pikërisht përpjekja për të gjetur, origjinën e problemit, pra fillimet e tij. Si u njoh viktima me burrin e saj dhe në cilat rrethana dashurore apo mblesërore, vendosi të martohej me të. Nuk është se nga mediat kanë dalë shumë të dhëna për këtë pjesë të historisë, pasi opinioni është njohur shumë me mesin dhe fundin e historisë, dhe shumë pak mund të mendojnë, se është pikërisht fillimi i një historie, ai që paracakton edhe fundin e saj, si me shumë gjasa, besoj të ketë ndodhur edhe në këtë rast.

Kështu, martesa në fjalë, e bërë mes një gruaje të re dhe një burri shumë herë më të madh në moshë, dhe biznesmen me dyqane e tregtar, e rrjedhimisht po edhe me lekë e pasuri e plaçkë, duket sikur ka qenë një lëvizje e pamenduar mirë. Në këtë rast, meqë historia nuk është se është e mbuluar e plotë, mund të arrijmë në përfundimin nga një arsyetim alternativ logjik, se ose prindërit e vajzës e kanë dhënë pëlqimin për këtë martesë, me idenë se po e rregullojnë jetën e saj me një burrë, me të cilin “nuk do t’i mungojë asgjë”, ose vetë e ndjera, si shumë të reja të kohës së sotme, është joshur nga një martesë e tillë, e cila në dukje të paraqitet si shpëtimtare, për hallet e shumta që mund të ketë sot një femër pa mbështetje, por që me kalimin e kohës, kur martesa fillon e konsumohet, dalin një mori problemesh, që lidhen me diferencën e moshës, kulturës, dëshirës për të ecur përpara, e lirisë që kërkohet nga çdo njeri që e do jetën dhe respekton veten, por që këtë liri, si pa dashje e pa e kuptuar e ka sakrifikuar kur ka firmosur “kontratën mblesërore”, që në këtë rast është konsenti personal apo familjar për tregtarin, që e bleu nusen me prikë të madhe e që çmimin e paguar, do ta kërkonte një ditë medoemos.

Por, në të dyja hipotezat, martesa të tilla me mblesëri, që më së shumti duken si pazare të mbyllura mes palëve, me kontrata të tmerrshme varësie, të cilat janë të pashkruara, por robëruese e me vargonj të padukshëm, kanë një maskë patriarkalizmi, por që personalisht, nuk më duket aspak një pasojë e ndonjë qasjeje tradicionale të martesës, pasi dikur, martesat e tilla bëheshin mes njerëzve të të njëjtit rang e sëre, e për këtë kujdeseshin fise të tëra që të mos gabohej. Nëse shihet pak më me kujdes, e më në thellësi, mua më duket, sikur një sistem i ri skllavërie, është themeluar nga modernizmi i epokës ku po jetojmë, ku njerëzit, në lidhjet e çdo niveli dhe dimensioni që krijojnë, mendojnë veç për përfitimin e mundshëm dhe shfrytëzimin e rrethanave dhe situatave, pa menduar aspak se me kontrata të tilla të padukshme, po shesin lirinë e tyre, e rrjedhimisht edhe dinjitetin e shpirtin e tyre.

Sigurisht, që me këtë nuk dua të them, se një gabim i bërë në fillim, nuk mund të rregullohet gjatë rrugës, apo të ngarkoj me faj, ata që dhanë konsentin për këtë martesë, e cila që në fillim i kishte të gjitha gjasat e të dhënat e një martese të ndërtuar mbi baza të dobëta dhe jofunksionale. Kjo qasje e imja, është si një thirrje për këdo që mendon ose njeh persona që mendojnë se mund ta shesin veten shtrenjtë, duke menduar se martesa, apo dedikimi, apo lidhjet emocionale mund të përdoren për rregullime jete e përfitime, ta shqyrtojnë pak më thellë mundësinë, që mbas këtyre marrëveshjeve, mund të fshihen edhe kurthe të rrezikshme.

Jeta nuk është një lojë, martesa nuk është një shaka, lidhjet dashurore nuk mund të bëhen thjesht sa për të shtyrë kohën dhe përmbushur dëshirat trupore, madje edhe krijimi i rretheve shoqërore duhet bërë me shumë kujdes, mbasi nga këto ambiente, mund të dalin pika të mrekullueshme çlirimi dhe lumturie, por edhe burgje të rrezikshme depresioni dhe robërie. Ka njerëz që ushqehen nga lojërat me jetët e të tjerëve, sikundër shumica bien vetë pre e këtyre lojërave.

Në çdo moment, përparësi kryesore duhet të jetë, evidentimi, testimi dhe përzgjedhja e personave, me të cilët ndajmë intimitet dhe sekretet tona më të thella, pasi kjo hapësirë e jona është e shenjtë, dhe çdokush që hyn aty, vjen, ose për të dhënë jetë, nga e vetja, ose për të marrë jetë, nga e jotja. Dhe nëse gjërat nuk funksionojnë mirë, ndodh që jetët e njerëzve që kanë përfshirë njëri-tjetrin në nivele intimiteti (jo thjesht erotik, por universal) të shkatërrohen, dhe në ndonjë rast fatkeq, si ky i fundit, jetë të bukura të ndërpriten dhunshëm në mes, vetëm se kërkojnë lirinë dhe dinjitetin e mohuar.

Është shumë e thjeshtë të lësh njerëz të hyjnë në hapësirën tënde intime: eros, religjion, miqësi, familje, e nivele të thella të koshiencës, por është shumë herë më e vështirë, të nxjerrësh jashtë, vizitorë të padëshiruar, që në të shumtën e rasteve, kanë hyrë në dhomat e hapësirat e intimitetit personal, me lejen tonë, me konsentin tonë, e me kontrata të padukshme, por që mbajnë firmën tonë, e që më pas luajnë me ndjenjat tona më të shenjta, sikur të jenë zotër të Olimpit. Prandaj, desha, që krahas qasjeve profesionale, juridike, sociale dhe politike të kolegëve të mi të nderuar, të parashtroja dhe unë, qasjen time filozofike, mbi rritjen e vigjilencës dhe kujdesin e gjithanshëm, se kujt ia japim vizën që të hyjë në skutat më të thella të shpirtit tonë, që është e vetmja dhuratë që kemi, nga natyra jonë njerëzore, e që kulmohet në shprehi, në dy dimensione të shenjta e të përjetshme, atë të lirisë e të dinjitetit.

E këto nuk duhet të shiten kurrë, e me asnjë çmim, sepse ndodh që i paguan edhe me jetë.

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤