Marilyn dhe përbindëshat e saj

image

Marilyn Monroe mbetet një mister. Por, një arkiv  sensacional me shënime ditari, poezi  dhe letra shkruar nga vetë ajo, synon të shkojë përtej legjendave.

Abuzimi seksual, dhimbjet gjatë seancave të gjata të psikoterapisë, tradhtia e bashkëshortit të tretë, Arthur Miller, frika e çmendurisë së trashëguar prej së ëmës…janë rrëfimet e reja të aktores, që do të bëjnë shumë shpejt xhiron e botës

 

Ajo ishte gjithnjë vonë për mësim, zakonisht mbërrinte pak përpara se të mbyllnin dyert. Mësuesi tregohej strikt për të mos lejuar  askënd të hyjë në mes të ndonjë ushtrimi e për më tepër, në mes të një skene. Duke rrëshqitur tinëz brenda,  pa grim, me flokët e shndritshëm të fshehur nën një shall, përpiqej të mos binte në sy.

Zakonisht zinte vend në fund të një prej dhomave të errëta në Studiot Malin, në rrugën 46, mu në mes të distriktit të teatrit. Kur ngrinte dorën për të folur, e bënte me një zë të mekët. Nuk donte të tërhiqte vemëndjen, por ishte e vështirë që studentët e tjerë të mos e dinin se ylli më i famshëm i kinemasë në të gjithë botën ishte në klasën e tyre të aktrimit.

Disa blloqe më tutje, mbi Teatrin e Shtetit ‘Loew’,  në rrugën 45 dhe në Broadway, ishte Marylin-a tjetër: ajo që të gjithë e njihnin, 16 metra e gjatë, në atë billboard-in që reklamonte filmin e Billy Wilders-it “Mërzia shtatë vjeçare”, (The Seven Year Itch), era sensuale nga grila e metrosë,  që e bëri fustanin e saj të valëzohej deri në ijët dhe fytyrën e saj një shpërthim gëzimi.

Një ditë, kur ishte radha e saj për të bërë një ushtrim aktrimi, e fokusuar në kujtesën e shqisave, Marylin  u ngrit në këmbë dhe u kthye nga audienca e përbërë nga një grup i vogël studentësh. Iu kërkua të kujtonte një moment të jetës së saj, të sillte ndër mend rrobat që kishte veshur, të evokonte pamjet dhe aromat e asaj kujtese. Ajo përshkroi sesi ishte ndier, ndërsa ndodhej  vetëm në një dhomë, vite më parë, kur një burrë, pa emër, ishte futur brenda. Papritur, mësuesi i aktrimit e qortoi: “Mos e bëj këtë! Na thuaj vetëm se çfarë dëgjove, mos na trego si u ndjeve”.  Marylin  nisi të qajë.

A ishte kjo Marylin Monroe-ja  e vërtetë: një grua 29-vjeçare e pasigurt dhe e drojtur?

Një arkiv i jashtëzakonshëm i poemave, shënimeve, recetave dhe ditarit të saj, ka dalë  në dritë për t’u zhytur thellë në psiken dhe jetën e saj private.

Jim3

Marylin Monroe, atëherë Norma Jean në dasmën e saj me James Dougherty.

Këto fakte hedhin dritë, mes të tjerash, në udhëtimin e saj hera-herës dërrmues përmes psikanalizës, në tri martesat e saj me marinsin mercenar James Dougherty, lojtarin e Yankee Joe DiMaggio dhe dramaturgun  Arthur Miller, si  dhe misterin që rrethon vdekjen e saj tragjike, në moshën 36-vjeçare.

Marilyn e ka lënë këtë arkiv, me gjithë ndikimet personale  të  mësuesit të aktrimit Lee Strasberg, por u desh një dekadë që prona e saj të sistemohej. Strasberg vdiq në shkurt të vitit 1982, duke jetuar 20 vjet më gjatë se studentja e tij më e famshme dhe në tetor  të vitit 1999, bashkëshortja e tij e tretë, vejusha Anna Mizrahi Strasberg, nxori në ankand shumë nga sendet e Marylin-it, duke fituar më shumë se 13.4 milionë dollarë.

Disa vite pasi trashëgoi koleksionin, Anna Strasberg gjeti dy kuti që përmbanin arkivin aktual dhe vendosi  që përmbajtja të botohej këtë vjeshtë në të gjithë botën. Në Shtetet e Bashkuara si  “Fragmente: Poezi, shënime intime, letra nga Farrar, Straus dhe Giroux”. Arkivi është një zbulim sensacional për biografët e Marylin-it dhe për fansat e saj, që ende duan të shpëtojnë nga njolla e vetëvrasjes, nga akuzat dhe vulgaritetet, nga avokatët me ide të gabuara dhe shtrembërimet e shkruara për të gjatë viteve. Tani, më në fund, kemi një pamje të pafiltruar të mendjes së saj.

T,V, and Films, 16th January 1954, San Francisco, USA, Legendary Hollywood Film actress Marilyn Monroe prepares to kiss her husband former US Baseball player Joe DiMaggio after their wedding  (Photo by Popperfoto/Getty Images)
Marylin dhe Joe Di Maggio. 

Ç’është më e rëndësishmja, ky arkiv shumë i thellë, zbulon një grua në kërkim të vetes, që kalon  për herë të parë përvojën e mundimshme të psikanalizës dhe nxitjen e Strasberg-ut.

Aktorët kyçë që përfshihen janë Strasberg-u, tre psikiatrit: dr. Margaret Hohenberg, Dr. Marianne Kris dhe Dr. Ralph Greenson, si dhe bashkëshorti i saj i tretë Arthur Miller, për të cilin shprehet se e donte me mish e me shpirt,  pavarsisht se kohët e fundit ndihej e tradhtuar prej tij.

Këto poezi, mendime, ëndrra dhe letërkëmbime prekin frikën e saj të madhe se mos zhgënjente  të tjerët, vonesën kronike dhe tri nga  traumat e mëdha të jetës së saj të shkurtër. Një, e varrosur në të kaluarën dhe dy,  që u zhvilluan disa vite pasi nisi të studionte me Strasberg-un. Por, gjithashtu, zbulojnë rritjen e saj si artiste dhe grua.

miller-monroe

Arthur Miller dhe Marylin Monroe

***

Nisi të merrte leksione private me mësuesin e shquar të aktrimit Lee Strasberg, në mars të vitit 1955, e shtyrë nga regjisori i teatrit dhe filmit Elia Kazan, me të cilin kishte një lidhje të fshehtë. “Kazan thoshte se unë isha vajza më gazmore që kishte njohur”,  i shkruante analistit të saj dr. Ralph Greenson, në të fundmen e ndoshta më të rëndësishmen letër të gjetur në këtë arkiv, “besomëni, ai kishte njohur shumë. Ai më deshi për një vit dhe njëherë, një natë kur isha shumë në ankth, më përkundi derisa më zuri gjumi. Më sugjeroi gjithashtu, të shkoja në analizë dhe më vonë deshi të punoja me mësuesin e tij, Lee Strasberg.”

Ajo jetonte në hotelin ‘Gladstone’ në rrugën 52 , në Park Avenue, kur nisi të punonte me Strasberg-un dhe nisi psikanalizën, e cila ishte striktmërisht për leksionet në studion e aktorëve. E themeluar më 1947-ën nga Kazan dhe regjisorët Cheryl Crawford dhe Robert Lewis, ishte tempulli i shenjtë i metodës: ushtrime aktrimi dhe skene, që fokusoheshin në kujtesën e shqisave, duke qëmtuar momente private nga jeta e aktorit. Gjatë fundit të viteve ’40 mesit të  viteve ’50 e ’60, ‘Studioja e Aktorëve’ ishte laboratori më i nderuar i aktorëve të skenës në Amerikë.

Strasberg, i lindur më 1901-in  në Austro-Hungari dhe i rritur në Manahattan, ishte një gjeni në analizimin e performancës së aktorit dhe shpesh mbikëqyrës i ashpër e i ftohtë. Për Marilyn-in , e cila u rrit duke lëvizur nga një familje birësuese tek tjetra, pa  ditur kush ishte i ati, ai u bë një figurë e dashur atërore, autokratike dhe edukuese, ndaj  pranimi i tij  për t’i dhënë leksione privatisht i rriti vetëbesimin.  E  trajnoi për të përmirësuar aktrimin dhe e shndërroi nga një yll kinemaje në një artiste të vërtetë.

3884b672c5b9adb2055af9e2f753080d

Lee Strasberg dhe Marylin Monroe.

***

Në një dokument të shtypur,  prej 5 faqe e gjysmë, Marylin sheh pas në martesën e saj të hershme me James Dougherty, një burrë inteligjent dhe tërheqës, pesë vite më i madh se ajo.

Ata u martuan më 19 qershor të vitit 1942,  kur ishte vetëm 16 vjeçe. Në këtë dokument ajo përshkruan ndjenjat e vetmisë dhe pasigurisë,  në atë nxitim të miratuar bashkimi, që më shumë se dashuri ishte një mënyrë për ta mbajtur Marylin-in(atëherë Norma Jeane Baker) jashtë jetimores,  kur kujdestarët e saj të kohës Grace and Erwin “Doc” Goddard, u larguan nga Kalifornia. (Kishte zëra se Grace donte ta largonte Norma Jean-in nga syri shumë vlerësues i të shoqit).  Praktikisht, Marilyn nuk ishte jetime duke qenë se e ëma, Gladys Monroe Baker, jetoi më gjatë se e bija e famshme. Por,  për shkak se ajo ishte skizofrene  që  i kalonte vitet brenda e jashtë spitaleve psikiatrike, Marylin ishte virtualisht e braktisur, e rritur nga shumë familje  birësuese dhe nga Grace Goddard, një mikeshë e ngushtë e së ëmës. Prej pothuaj dy vitesh,  Marylin kishte “parkuar” në jetimore. Dougherty-t i pëlqeu ideja  të shpëtonte  një vajzë të ndrojtur e simpatike, që la shkollën për t’u martuar me të. Jo për çudi, bashkimi dështoi dhe ata u divorcuan më 13 shtator të vitit 1946.

enhanced-11637-1398966463-1“Marrëdhënia ime me të, ishte e pasigurt që natën e parë që kalova vetëm me të”- shkruante ajo në memuaren e gjatë e të padatuar, disi të hapërdarë, të asaj martese, ndoshta e shkruar me dorë pasi kishte kaluar në analizë dhe më vonë i shtypur nga asistenti i saj personal May Reis. Arkivistët sugjerojnë se është shkruar kur Norma Jean ishte 17 vjeçe dhe ende e martuar me Dougherty-n.

Kujtimet nga ajo martesë vërtiten  rreth frikës  se Dougherty  kishte preferuar një ish- të dashur, ndoshta Doris Ingram, Miss Santa Barbara, që i ngjizi ndjenjën  e pavlefshmërisë dhe brishtësisë ndaj burrave.

“Duke e gjetur veten jashtë mundësive/  u ngritën ndjenjat e mira të para/  që nuk ishin zemërate/ por një mpirje, dhimbje  nga refuzimi / dhe lëndim  deri në shkatërrimin/  e një lloj imazhi idealistik të  dashurisë së vërtetë”.

Impulsi i parë asokohe ishte i një poshtërimi,  nënshtrimi, vetmie ndaj plotësuesit mashkull. Të gjitha këto mendime dhe shkrime bëjnë të më dridhen duart…

 

                                                                                             ***

tumblr_mdc4tcYf5G1rrnekqo1_500Të përfshirë në këtë arkiv janë disa bllokë  të zinj kujtimesh- ditarët e hollë me bordura lëkurë,  të preferuar asokohe nga shkrimtarët. Më i hershmi nis me fjalët:  “Vetëm!!!!! Jam gjithmonë vetëm,  pavarësisht gjithçkaje”.

Marilyn, mesa duket,  nisi t’i regjistrojë mendimet e saj, rreth vitit 1951. Dy vite më parë, pa asnjë kacidhe dhe e dëshpëruar kishte pozuar nudo për fotografin Tom Kelley, për një seri kalendari. Pasi nënshkroi një kontratë me ‘Fox’, në dhjetor të vitit 1950,  e pasi fotot e kalendarit dolën në dritë, e shmangu kriticizmin duke thënë se e kishte pranuar punën sepse:  “Isha e uritur”. Publiku e fali. Ajo posedonte një cilësi që dukej se shkrepte fantazi shpëtimi tek burrat dhe gratë e ngjashme, edhe më parë se detajet e trishtueshme të fëmijërisë së saj të ishin bëtë tërësisht të njohura. E dinte se të paraqiste veten si  jetime,  zgjonte mëshirë dhe dhembshuri.

Gjatë Krishtlindjeve të vitit 1954,  jetonte në Nju Jork. Ishte shfaqur në filmat: “Niagara” dhe “Zotërinjtë pëlqejnë biondet”- ku perfeksionoi karakterin e saj të dallueshëm: bionden e brishtë, “budallaqe” e  seksuale, si dhe tek “Si të martohesh me një milioner”.  Pas kësaj, fama e Monroe-s ishte aq e madhe saqë zëvendësoi në popullaritet vajzën e fundit pinup të Luftës së Dytë Botërore,  Betty Grable, e cila pak kohë më pas i la asaj Fox-in dhe gardërobën më të madhe në trashëgim.

Në janar të atij viti, ndërsa  argëtonte  trupat ushtarake  në Kore dhe filmoi “Mërzia shtatë vjeçare”, u martua me Joe DiMaggi-n. Por, billboardi i famshëm e mërziti puritanin e  Yankee-ve dhe të dy nënshkruan divorcin në tetor, vetëm nëntë muaj pas. Duke marrë zemër nga Strasberg-u, nisi të takonte dr. Margaret Hohenberg,  shpesh edhe pesë herë në javë, fillimisht në dhomat e saj,  në hotelin ‘Gladstone’ e  më pas në zyrën e doktoreshës. Strasberg-u besonte  fort se Marylin kishte nevojë të çlironte pavetëdij en dhe rrugën  përmes një fëmijërie të trazuar. Gjithçka në shërbim të artit të saj. Mes seancave me Strasberg-un dhe dr. Hohenberg, nisi të regjistrojë disa nga ato kujtimet shpurritëse,  përfshirë edhe incidentin shkatërrues të një abuzimi seksual.  I përshkruan rreth 1955-ës, në një bllok shënimesh, italian, faqet e të cilit janë të vizuara, me numra në ngjyrë jeshile. Ky kujtim del i plotë, me pasojën poshtëruese, ndëshkimin nga tetoja e saj Ida Martin, një e krishtërë ungjillore shumë e rreptë,  e paguar nga Grace Goddard që të kujdesej  për Norma Jean-in për disa muaj nga 1937-a  në 1938-ën. (Të ketë qenë ky ushtrim shqisash që e bëri të qante në klasën e aktrimit të Strasberg-ut?).

marilyn-and-her-booksMarilyn,  shkruante:

Ida- i jam bindur ende asaj/  Nuk është vetëm e dëmshme/ për mua të bëj kështu, por e pabesueshme, sepse jeta nis nga tani e tutje

dhe më vonë:

duke punuar (duke bërë detyrat që i kam vënë vetes). Në skenë-nuk do të ndëshkohem për të, apo të fshikullohem,

të jem e kërcënuar, apo të mos më duan/ apo të dërgohem në ferr për t’u djegur me njerëzit e këqij/  duke ndier se edhe unë jam e keqe. Të kem frikë nga (gjenitalet) qenia ime/  apo të turpërohem/ e  ekspozuar ndaj të njohurit e  të parit/ E kështu/  të turpërohem nga ndjenjat e mia.  

 

***

Në prill të vitit 1955, lëvizi nga Gladstone në një suitë  me tri dhoma në katin e 27-të  të Waldorf-Astoria, ku  nisi të hedhë disa nga kujtimet dhe ëndrrat e saj në letrat e bukura të shkrimit të hotelit,  në stilin  Art Deco. Në një lloj poemë/prozë që derdhet nga ndërgjegja, ajo ritregon makthe në të cilat Strasberg-u e operon me asistimin e  dr. Hohenberg-ut:

Kirurgu më delikat-Strasberg  që po më hap ndërsa unë nuk e vras mendjen/  meqenëse Dr.H më ka parapërgatitur/ më ka dhënë anestezi dhe ka diagnostikuar rastin/ dhe është dakord me atë që do të bëhet/ një operacion/ për të sjellë veten sërish në jetë

dhe për të më kuruar nga kjo sëmundje e tmerrshme,  sado e vështirë të jetë.

Pjesa më terrorizuese e ëndrrës është se çfarë gjejnë kirurgët kur e hapin.  

Aty nuk kishte asgjë / Strasberg/  është thellësisht i zhgënjyer/  por edhe akademikisht i çuditur që  kishte bërë një gabim të tillë./  Ai mendoi se do të kishte aq shumë/  më shumë sesa e kishte ëndërruar të mundshme…/ por nuk kishte absolutisht asgjë/ i mungonin  të gjitha organet  ndijore të një qenie njerëzore/  e vetmja gjë që doli ishte tallash i prerë aq hollë/  si një kukull e rreckosur/ dhe tallashi derdhet në të gjithë dyshemenë dhe në  tavolinë/ dhe dr.H është në mëdyshje, sepse papritur, kupton se ky është një rast i një lloji të ri./  Pacienti…që ekziston në boshllëk të plotë,  ëndrrat e Strasbergut dhe shpresat për teatër u rrëzuan.

Ëndrra e dr.H dhe shpresat/  kura  permanente psikiatrike janë dorëzuar/ Arthur/ i është i zhgënjyer/ e ka lëshuar veten.

Një nga shqetësimet  e saj më të mëdha- se mos zhgënjente  ata që kishte për zemër- shfaqet këtu. Arthur-it,  të cilit i referohet, me siguri është Arthur Miller. E kishte njohur vite më parë, në Hollivud, përmes Kazan-it. Marilyn-a u riprezantua me dramaturgun e njohur në shtëpinë e producentit Charles Feldman. Feldman kishte prodhuar “Mërzia shtatë vjeçare”,  një sukses i madh dhe ajo  u rikthye në Hollivud, në vitin 1956,  për të punuar në  “Bus Stop” (Stacion autobusi), të regjisorit Josh Logan. Ajo u godit menjëherë nga autori, fitues i çmimit Pulitzer,  i librave si: “Gjithë bijtë e mi”, “Vdekja e shitësit”, “The crucible” dhe “Pamje nga ura”, i cili atë kohë ishte ende i martuar me gruan e tij të parë,  Mary Slattery. Miller-i  posedonte ato tipare  që ajo admironte më së shumti: arritje intelektuale e artistike, seriozitet të madh.

531034694Ata u martuan në një ceremoni civile më 29 qershor, 1956 dhe Marylin u konvertua në judaizëm. Dy ditë më vonë, Lee Strasberg mori rolin e të atit, duke e dorëzuar nusen në një dasmë intime judeje. Në fillim ajo ishte marrëzisht e lumtur, ishte zhvendosur në Nju Jork me bashkëshortin në apartamentin e saj të bardhë në “2 Sutton Place”, në të cilin ishte shpërngulur pasi kishte lënë Waldorf-Astoria-n, e më vonë në “444 East 57th Street”, në një apartament me një dhomë ndenjje-bibliotekë, e kompletuar me oxhak dhe piano. Në ditarin e gjelbër e të gdhendur, italian, shkruante:

 Jam shumë në merak për të mbrojtur Arthur-in/, E dua se ai është i vetmi person/ qenie njerëzore që e kam njohur/ që mund ta dua jo vetëm si burrë ndaj të cilit jam e joshur praktikisht jashtë shqisave të mia/ por ai është i vetmi person…/ të cilit  i besoj aq sa vetes sime/ – sepse kur i besoj vetes (rreth disa gjërave) i bëj gjërat plotësisht.

Ndoshta ata ishin më të lumtur në verën e vitit 1957, të zhvendosur në një shtëpi me qira në Amagansett, në Long Island,  ku notonin dhe bënin shëtitje gjatë bregut. Ajo dukej veçanërisht rrëzëllitëse në fotografitë e asaj epoke, kur hyri lumturisht në botën e Miller-it, si për shembull, teksa ishin të pranishëm në një drekë zyrtare të shtruar nga novelisti Carson McCullers për shkrimtarin Isak Dinesen. Marilyn  ishte e gëzuar dhe mendjemprehtë mes kësaj shoqërie, duke e  përmbajtur lehtësisht veten – gjallëria dhe pafajësia e saj, Dinesen-it i sillte ndër mend këlyshin e një luani të egër. Ajo u bë mike me shkrimtarin Truman Capote dhe njohu disa nga heronjtë e saj të letërsisë, si:  poeti Carl Sandburg dhe novelisti Saul Bellow, me të cilët darkoi në hotelin  ‘Ambasador’ në premierën e filmit “Disave u pëlqen e nxehtë”, në Çikago. Bellow u mahnit pas saj. Disa fotografi të hershme të Marylin-it, ato që pëlqente veçanërisht,  e shfaqnin duke lexuar. Eve Arnold e fotografoi për revistën “Esquire” në një shesh lojërash në Amagansett, duke lexuar “Uliksi”-n  e James Joyce-t. Alfred Eisenstaedt e fotografoi për revistën “Life” në shtëpi, të veshur me pantallona të gjera të bardha dhe kanotierë të zezë, kruspull  në kanapenë e saj, duke lexuar, përballë një rafti librash ( biblioteka e saj personale, e cila do të rritej deri në 400 vëllime). Në një fotografi tjetër, është mbi një krevat duke lexuar poezitë e Heinrich Heine-s. Nëse disa fotografë mendonin se ishte argëtuese ta vininn  të pozonte më të famshmen, epshndjellësen bionde budallaqe me një libër: James Joyce dhe Heinrich Heine, për të nuk ishte shaka! Në këta ditarë e poezi të sapozbuluara, Marylin  zbulon një grua të re, për të cilën të shkruarit dhe poezia ishin litar shpëtimi, ishin rrugët për të zbuluar veten. Librat ishin një strehë dhe shoqëri gjatë orëve të pagjumësisë.

 

***

marilyn-monroe-in-black-wallpaper

Në një dorëshkrim me poema të ëmbla e prekëse,  të përfshira në këtë arkivë, Marilyn, ende në zjarrin e parë të dashurisë për Miller-in, duke imagjinuar si mund të kishte qenë djalë i ri, shkroi një poemë:

Dashuria ime, fle krah meje/ në dritë të zbehtë- shoh nofullën e tij burrërore që i jep udhë/ dhe goja e djalërisë së tij kthehet me butësi më të butë  ndjeshmëria e tij drithërohet në palëvizshmëri/  sytë e tij mund të kenë parë mrekullisht nga guvat e djalit të vogël/ kur gjërat që nuk kuptonte/-i harronte. 

Poema më pas bëhet e errët, një parandjenjë e keqe, sesi mund të mbaronte martesa:

Por, a do të duket kështu kur të ketë vdekur?Oh!  fakti i padurueshëm,  i pashmangshëm/  Ndoshta më shpejt do të doja që dashuria e tij të vdiste/ se vetë ai.

Pasi udhëtuan të dy drejt Anglisë, për katër muaj,  për xhirimet e filmit “Princi dhe Showgirl-i” me Laurence Olivier, punët nisën të thartoheshin. Lëvizën në një çiflig të quajtur ‘Parkside House’, në Surrey, jashtë Londrës, që ishte një idil. Po prodhonte një film me regji dhe protagonizëm të  një prej aktorëve më të respektuar të brezit të tij dhe po jetonte në një shtëpi të madhe fshati me burrin që donte më shumë. Nuk ishte ndier më e përmbushur dhe e përligjur si artiste, derisa… një zbulim i rastësishëm i minoi vetëbesimin dhe besimin tek bashkëshorti. Në shtëpinë ‘Parkside House’ hasi një shënim ditari të Miller-it, në të cilin ai ankohej se ishte  “i zhgënjyer” nga ajo dhe ndonjëherë ndihej i turpëruar prej saj përpara miqve.

Marilyn-a  u shkatërrua. Frika e saj më  e madhe – ajo e zhgënjimit të njerëzve që donte – u vërtetua. Tradhtia e tij konfirmoi atë që e terrorizonte  thellë. “Të jesh me të vërtetë gruaja e dikujt, të cilin e njeh prej një jete, kurrë nuk mund të duash tjetër, me të vërtetë”, shkruane në një tjetër kujtim në hyrje të ditarit.

Pas këtij zbulimi, Marilyn-it  iu duk shumë e vështirë  të punonte, saqë fluturoi tek dr. Hohenberg, në Nju Jork. Kishte probleme me gjumin, i transmetuar tek hapet per gjumë. Në shtëpinë “Parkside House”, ajo  shkruante një natë, pasi Milleri kishte rënë në shtrat:

Në ekranin e errësirës pis vijnë/ rishfaqen/ format e përbindëshave/ shoqëruesit e mi të palëkundur…dhe bota  fle ,

 Ah, paqe kam nevojë për ty/ qoftë edhe për një përbindësh paqësor.

Në verën e vitit 1957, çifti bleu një shtëpi fshati në Roxbury, Connecticut, pranë vendit kur Miller kishte jetuar me gruan e parë. Çdo dashuri që kishte mbetur dukej se shkonte jashtë martesës. Megjithatë ajo e kishte shoqëruar të shoqin në Washington, D.C., në pranverë dhe qëndroi krah tij, ndërsa ai u përball me komitetin  që e akuzoi për qëndrim anti-amerikan, duke refuzuar emërimin e ish-anëtarëve të Partisë Komuniste. Shumë besojnë se popullariteti i Monroe-s e shpëtoi nga shkatërrimi i gjuetisë së shtrigave të HUAC-it, që futën në listën e zezë shumë njerëz të show-biznesit dhe u shkatërruan jetën. Atë dimër, Miller punoi në përshtatjen e një prej historive të shkurtra për ekran “Mospërshtatjet”, ndërsa Marylin  ishte e mbërthyer nga  ndjenjat e zhgënjimit dhe humbjes:

MarilynMonroe4Duke nisur nga nesër do të kujdesem për veten/sepse është e vetmja gjë që kam me të vërtetë/ dhe siç e shoh tani/ e vetmja gjë që edhe kam pasur./  Roxbury/ u përpoqa të imagjinoja pranverën gjithë dimrit/ është këtu dhe ende ndihem e pashpresë.

Mendoj se e urrej, sepse nuk ka më dashuri këtu… Në çdo pranverë jeshilja (e panjave të lashta) është shumë e mprehtë/ megjithëse delikatesa në format e tyre është e ëmbël dhe e pasigurt/ bëj një luftë të mirë në erë- duke u dridhur gjatë ndërkohë…/ mendoj se jam shumë e vetmuar/ mendja ime kërcen./ Shoh veten në pasqyrë tani, vetullat e rrudhura/ nëse anohem,  më afër do të shoh çfarë nuk dua të di/ tension, trishtim, zhgënjim, trishtimi im ëshë i kryqëzuar/ sytë e topitur, faqet e flashkëta me kapilarët që ngjajnë si lumenjtë në harta/ flokët që shtrihen si gjarpërinjtë/ Goja më bën më të trishtuarën, pranë syve të mi pajetë…/ Kur dikush dëshiron të qëndrojë vetëm,  ashtu si thotë  dashuria ime (Arthur-i)/  tregon se  të tjerët duhet të sprapsen.

 

                                                                                        ***

026-milton-h-greene-theredlistMë 1958-ën, Marilyn  u kthye në Los Anxhelos për të filluar punën me filmin “Disave u pëlqen e nxehtë”,  që pavarësisht vonesës së saj kronike dhe vështirësive të tjera në sheshxhirim, do të dilte komedia e saj më e madhe e më e suksesshme. Ajo nisi të regjistrojë mendimet dhe poemat në një bllok shënimesh të lidhur me spirale metali. Poezi që morën një kthesë të errët. Këtu është një fragment i tillë, i shkruar nën titullin ironik: “Pas një viti analizash”

Ndihmë, ndihmë, ndihmë / E ndiej jetën të më afrohet/  kur e vetmja gjë që dua është të vdes./ Ulërimë – ti nis dhe përfundon në ajër/ po ku është mesi?

Marilyn  e la dr. Hohenberg-un  në pranverën e  vitit 1957, pasi pushoi nga puna Milton Greene-in  nga kompania e saj e produksionit. (Greene ishte gjithashtu pacient i Dr. Hohenberg-ut.) Ajo nisi analizat me një psikiatër tjetër, Dr. Marianne Kris, një grua vjeneze që u miratua nga Strasberg. Marilyn do të mbetej pacientja e Dr. Kris-it deri në vitin 1961. Ajo vazhdoi të shkruante kujtimet dhe fragmentet e auto-analizës për t’ia treguar psikoterapistes së re. Një shënim i tillë ishte shkruar dy ditë pas ditëlindjes së dhjetë të vajzës së Miller-it, Jane, nga martesa e tij e parë.

Marilyn  ishte bërë shumë e afërt me Jane-in dhe vëllain Bobby-n. Ndoshta, duke menduar për thjeshtrën, i shkrepi ky kujtim i shkurtër për mamanë, izolimi i së cilës në një spital mendor e çoi atë drejt frikës se edhe ajo do të përfundonte e mbyllur në atë institucion.

Kujtoj, disi, sesi/ mamaja përpiqej gjithnjë të më nxirrte jashtë/ duke qenë se mendonte se nuk isha shumë aventuriere./  Ajo donte madje të tregoja mizori/ edhe kundrejt gruas./ Kjo në adoleshencën time/ Në këmbim i tregova asaj se i isha besnike.

Më 1960-ën , Marilyn qëndroi në Hollivud për të luajtur në filmin “Le të bëjmë dashuri” me aktorin francez, rrëmbyes zemrash, Yves Montand. Duke u ndier e përjashtuar prej dashurisë dhe vlerësimit të bashkëshortit, pati një lidhje të fshehtë me aktorin, duke ushqyer çmendurinë e shtypit. Me rekomandimin e dr.Kris-it,  ajo nisi analizat në Los Anxhelos me dr. Ralph Greenson-in, një psikiatër i spikatur dhe analist strikt i teorisë së Frojdit,  i cili kishte trajtuar shumë të famshëm mes tyre: Judy Garland, Frank Sinatra dhe pianisti Oscar Levant.

167674Ashtu siç kishte bërë edhe me Strasberg-ët,  ajo u bë një lloj vajze surrogat për Greenson-in.  Ndonjëherë ai e merrte në shtëpinë e tij, si pjesë e një terapie jo ortodokse  ose ndoshta, se edhe ai ishte magjepsur pas saj. E shihte çdo ditë, ndonjëherë në seksione të gjata prej 5 orësh. Trajtimi, shpesh i quajtur terapia e adoptimit, është shumë i zhvlerësuar sot.

Miller -i përfundoi skenarin e tij për “The Misfits”, me rolin kryesor të një gruaje të re të lënduar, e cila bie në dashuri me një burrë shumë më të madh në moshë, i bazuar, jo për t’u çuditur, tek Marylin.

Në korrik të 1960-ës, xhirimet nisën në shkretëtirën e Nevadës, nën regjinë e John Huston-it me Marilyn-ën, Clark Gable-in, Montgomery Clift, Thelma Ritter dhe Eli Wallach në role kryesore. Miller-i ishte në sheshxhirim, duke parë të shoqen, e cila kishte nisur të shpleksej nën të nxehtin zhuritës. Në sheshxhirim ai njohu dhe ra në dashuri me arkivuesen e  fotografive të filmit, Inge Morath, e cila do të bëhej gruaja e tij e tretë. Më 11 nëntor të 1960-ës, ndarja e Marilyn-ës dhe Arthur Miller-it u lajmërua në shtyp. Tre muaj më vonë, sërish në Nju Jork, e dërrmuar emocionalisht  nën kujdesin e dr.Kris-it, Marylin-a u shtrua në pavijonin psikiatrik të Payne Whitney-it. Ajo që supozohej të ishte kurë e rekomanduar pushimi për aktoren shumë të lodhur e të pagjumë, u kthyen tri ditët më pikëlluese të jetës së saj. Kris-i  e shoqëroi në spitalin me tulla të bardha, me pamje nga East River në rrugën 68, të Nju Jork-ut. E kopsitur me një pallto gëzofi dhe nën emrin Faye Miller, ajo nënshkroi letrat për t’u pranuar,  por shumë shpejt kuptoi se po e shoqëronin jo në një dhomë ku mund të pushonte,  por në një pavijon të kyçur psikiatrik.  Sa më shumë dëneste dhe lutej ta nxirrnin jashtë, duke u përplasur në dyert e çelikut, aq më shumë stafi psikiatrik besonte se ajo ishte vërtetë e sëmurë. E kërcënuan me këmishën e forcës dhe i morën rrobat e kuletën. E detyruan me forcë të lahej dhe i veshën rrobat e spitalit.

Më 1 dhe 2 mars të vitit 1961, Marylin i shkroi një letër të jashtëzakonshme,  prej 6 faqesh,  dr.Greeson-it, duke e përshkruar kështu përvojën e hidhur. “Nuk pati aspak dhembshuri në Payne Whitney. Pati efekt shumë të keq. Më pyetën pasi më futën në një qeli (e kam fjalën  për blloqe çimentoje e gjithçka tjetër) për pacientët shumë të shqetësuar depresivë. Përveç kësaj, ndjeva se isha në një lloj burgu për një krim që nuk e kisha bërë. Çnjerëzoren këtu e gjej arkaike…gjithçka është nën dryna e çelësa…dyert kanë dritare,  kështu pacientët mund të jenë të dukshëm gjatë gjithë kohës, gjithashtu dhuna dhe shenjat nga  pacientët e dikurshëm janë ende në mure”.

 Një psikiatër hyri dhe i bëri një ekzaminim fizik,  përfshirë ekzaminimin e gjoksit për gjëndra. Ajo kundërshtoi, duke i thënë se e kishte  bërë një vizitë të plotë më pak se një muaj më parë, por kjo nuk e frenoi atë. Pasi ishte e paaftë të bënte një telefonatë, u ndje e burgosur dhe iu kthye trajnimit të aktorëve për të gjetur një rrugëdalje:

“E mora idenë nga një film që e kisha bërë dikur,  “Mos e merr mundimin të trokasësh”, i shkruante Greeson-it-(një film i hershëm në të cilin luante një dado të trazuar adoleshente).

“Ngrita një karrige të lehtë dhe e përplasa…në xham, qëllimisht. U desh gjithë ajo përplasje për të marrë qoftë edhe një copë të vogël xhami. Kështu,  ika me xhamin që e mbaja në dorë dhe u ula pa bërë zhurmë në shtrat, duke pritur që të vinte një prej tyre. Ata erdhën  dhe u thashë: “Nëse doni të më trajtoni si të çmendur, atëherë dhe unë do të sillem si e tillë”.

 I kërcënoi se do të lëndonte veten me xham nëse nuk e linin të dilte, por të priste veten ishte “gjëja më e largët në mendje në atë moment.  Siç  e dini Dr.Greeson, unë  jam aktore dhe kurrë nuk do ta shenjoja apo gjymtoja veten qëllimisht. Jam aq mendjemadhe. E kujtoni kur u përpoqa të vrisja veten?  E  bëra me shumë kujdes me dhjetë seconial-ë dhe dhjetë tuonal-ë dhe i gëlltita me ndjesi çlirimi. Kështu  u ndjeva atë kohë”.

marilynmonroe_samshawphotoshoot_2_sep-1957_10

Kur refuzoi të bashkëpunonte me stafin, “dy burra trupmëdhenj dhe dy gra të fuqishme” e ngritën që të katërt dhe e mbajtën në ashensor për në katin e shtatë të spitalit.

“Mund të them që të paktën kishin mirësjelljen të më mbanin me fytyrë poshtë…kështu që qava pa bërë zhurmë gjatë gjithë rrugës”, shkruante ajo. E urdhëruan të bënte një banjë tjetër, e dyta që kur kishte ardhur. Atëherë erdhi administratori për ta pyetur. “Ai më tha se isha një grua shumë, shumë e sëmurë dhe se kam qenë e tillë prej shumë e shumë vitesh”.

Dr. Kris, i cila i pat premtuar se do ta takonte të nesërmen  pas shtrimit, nuk u duk, por  as Lee Strasberg e as e shoqja, Paula, së cilës i shkroi më në fund, nuk mundën ta nxirrnin,  duke qenë se nuk ishin familjarë.  Ishte Joe di Maggie që e shpëtoi, duke dalë mbi kundërshtimet e mjekëve dhe infermierëve dhe e largoi nga pavijoni. (Ai dhe Marylin-a patën një farë ripajtimi atë Krishtlindje, kur Di Maggio i dërgoi një pyll me jargavanë).

 

Duhet theksuar se letra  drejtuar ish-psikiatrit të saj, Greeson, ishte e vetmja prej pak letrave që kishin parë dritën më parë. Është cituar pothuajse në tërësinë e saj, në biografinë e Marylin Monroe-së, të vitit 1993, shkruar nga Donald Spoto. Spoto thotë se e ka marrë nga prona e May Reis-it – asistenti personal nga viti 1950 deri në vdekjen e saj – i cili e kishte shtypur letrën dhe kishte ruajtur një kopje. Megjithatë, është mbresëlënëse të lexosh faksimilen e këtij dokumenti të parë shumë më vonë dhe të vëresh disa nga elementet e lënë jashtë nga libri i Spoto-s, si një “post scriptum” intrigues, që thotë:

“Dikush,  që kur përmend emrin e tij ti rrudh mustaqet dhe sheh lart nga tavani. Gjeje kush?! Ai ka qenë (në mënyrë sekrete) një mik shumë i dashur. E di që nuk do ta  besosh këtë, por duhet të më besosh me instiktet e mia. Ishte një lloj hedhjeje  në fluturim. Nuk e kisha bërë kurrë më parë,  por tani po.  Ai është asfare egoist në shtrat. Nga Yves [Montand] nuk kam dëgjuar fare – por nuk ligshtohem,  duke qenë se kam  kujtesë të fortë, delikate e të mrekullueshme. Gati po lotoj”.

Në nëntor të vitit 1961, Marilyn  njohu John F. Kennedy-n  në Santa Monica, në shtëpinë e aktorit Peter Lawford, kunati i presidentit. Një vit më pas, në shkurt, ajo bleu shtëpinë e parë në lagjen elegante Brentwood. Nisi të fimonte filmin e saj të fundit,  “Diçka duhet dhënë” me regji të George Cukor-it, në prill të vitit 1962. Imazhet e famshme nga filmi i papërfunduar, ku Marylin-a del e zhveshur dhe pa drojë nga një pishinë , e tregonin në formë dhe rrëzëllitëse, në majë të lojës së saj. Vonesa e saj kronike dhe mungesat në sheshxhirim, diçka që nuk ia kuroi as vetë Strasberg-u,  bënë të përjashtohej nga filmi, i cili nuk u përfundua. Katër muaj më vonë, më 5 gusht të vitit 1962, ajo do të gjendej e vdekur nga një mbidozë hapesh në shtëpinë e saj në Brentwood; një vetëvrasje në dukje.

Me gjithë zbulimet e papritura të këtij arkivi që do të botohet së shpejti, misteri i thellë i vdekjes së saj mbetet ende i tillë. Për ata që besojnë se vdekja e Marylin-it ishte vërtetë vetëvrasje, ka shumë indicie të brishtësisë së saj emocionale dhe përshkrime të përpjekjeve të mëparshme për vetëvrasje. “Oh! Paula”, i shkruante ajo në një shënim të padatuar Paula Strasberg-ut, “Sa do të  doja ta dija se pse kam kaq ankth. Mendoj se ndoshta jam e çmendur siç ishin  të gjithë anëtarët e tjerë të familjes sime.  Kur  isha e sëmurë,  isha e sigurtë se isha. Jam shumë e kënaqur që je me mua këtu”.

marilyn-monroe-1277Për ata që besojnë se ajo vdiq nga një mbidozë aksidentale, duke përzier hapet e rekomanduara me alkool, arkivi përmban prova të optimizmit të saj, ndjenjat se kishte nisur të mbështetej tek vetja dhe se do t’i zgjidhte problemet e saj përmes punës dhe planeve të mundshme me natyrë biznesi për të ardhmen. Për teoricienët konspirativë që kanë dyshuar gjithnjë në një krim, ka një shënim intrigues ndaj efektit se Marylin mund të mos i besonte dhe ndoshta i frikësohej kunatit të John Kennedy-it, Peter Lawford, i cili ishte personi i fundit që foli në telefon me të. Në ditarin e gdhendur, në ngjyrë jeshile, që ndoshta daton rreth 1956-ës, ajo e kishte varur plot frikë këtë shënim, në listën e njerëzve që donte dhe besonte:

Ndjesia e dhunës, që kam së fundmi, /duke pasur frikë nga Peter-i/  ai mund të më lëndojë, të më helmojë, etj.

 Pse/ shikimi i çuditshëm në sytë e tij/ sjellja e çuditshme, në fakt tani e di/ pse ka qenë këtu për kaq shumë kohë

 sepse kam nevojë të jem e frikësuar/ dhe asgjë në të vërtetë në marrëdhëniet e mia personale (dhe marrëveshjet)

së fundmi nuk  më kanë frikësuar/ me  përjashtim  të tij/ ndihesha vërtet e shqetësuar me të në kohë të ndryshme / arsyeja e vërtetë pse kisha frikë nga ai/ është sepse besoj se ai është homoseksual/ jo në mënyrën sesi e dua, e respektoj dhe admiroj (Jack-un)

 i cili, ndiej se ndjen që unë kam talent dhe nuk do të ishte xheloz për mua/ sepse unë nuk do mundesha vërtet të doja të isha unë,

 ndërsa  Peter/ i dëshiron të jetë grua/ dhe do të donte të ishte unë -mendoj.

Jack-u  ka shumë gjasa të jetë Jack Cole, koreografi dhe balerini i cili u bë mik dhe e trajnoi Marylin-in, në filmin “Zotërinjtë preferojnë biondet” dhe “Nuk ka biznes si Show biznesi”.

Nëse ky arkiv nuk zgjidh enigmën e vdekjes së saj, shkon më thellë se asnjëherë më parë në misterin e jetës së saj.

Përktheu: Suadela Balliu

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤