Maks Velo: Kur pikturoja nudo në vitin 1963

Për Velon, që e ka lëvruar si në pikturë ashtu edhe në skulpturë, nudoja është shikimi, adhurimi, analizimi, meditimi mbi trupin femëror. Është tentacioni për të kuptuar përsosmërinë.

Është shkalla estetike me të cilën matim të gjitha  format e tjera natyrale apo artificiale. Edhe një  arkitekturë vjen nga një nudo, edhe  forma e një avioni vjen nga një nudo…

Dhe kur e thotë një arkitekt, duhet besuar. Por nuk ndalet me kaq. E sheh si kureshtje për të njohur thellësitë dhe misteret e botës, po aq sa edhe muzikaliteti i gjithësisë. E për ta përmbledhur kuptimin e vërtetë që ka nudoja, e quan gravitacion të artit 

Kur keni nisur të pikturoni nudo për herë të parë?

Në Vitin 1963, atëherë u hap Instituti i Artit, në rrugën  e Kavajës.

Shkoja kur vendoseshin nudot, mbi pod, në mbrëmje. Aty njoha Edison Gjergon.

Studentët diplomantë ose për një kompozim kishin të drejtë të merrnin modelin jashtë orarit. Ndonjëri bënte dhe seks, i paguante Instituti. Po femër të zhveshur kisha parë edhe më parë.

Sa e vështirë ishte të lëvronit  nudon gjatë regjimit diktatorial dhe si e arritët t’i fshihnit?

Por bisedojmë për NUDO. Ka shumë ndryshim. Nudizmi është ceremoniali i adhurimit të trupit femëror. Atëherë nudoja bëhej vetëm në Akademinë e Arteve, nuk kish atelie private siç ka në Europë, ku ti paguan dhe mund të shkosh të vizatosh. As sot nuk ka. Ato quhen Akademi Vizatimi. Dhe sot e kam të vështirë ose të pamundur të gjej model që të më pozojë.

Nuk kisha ku i fshihja, ishin vizatime me flomastër, ose pastele, ose me tempera. I morën të gjitha, i dogjën në kaldajën e gjykatës.

Si ka ndryshuar perceptimi individual dhe artistik për nudon gjatë viteve ?

Perceptimi nuk ndërron,  ndërrojnë teknikat apo këndvështrimi.

Suadela, të kuptohemi , nudoja nuk është femra me të cilën bëjmë seks. Është shumë më tepër. Nudoja është shikimi, adhurimi, analizimi, meditimi mbi trupin femëror. Është tentacioni për të kuptuar përsosmërinë. Është shkalla estetike me të cilën matim të gjitha  format e tjera natyrale apo artificiale. Edhe një  arkitekturë vjen nga një nudo, edhe  forma e një avioni vjen nga një nudo. Është kurioziteti për të njohur botën në thellësi. Është muzikaliteti i çdo pjese, i së tërës.

Cilët artistë të kanë impresionuar më shumë në pikturën e nudos?

Janë shumë…pafund, po unë do marr vetëm ata të epokës moderne: Dega, Picasso, Maillol, Modigliani,Gogen, Matisse, Schiele, Klimt, Moor, Pascin,  etj.

Keni  realizuar jo shumë kohë më parë një ekspozitë, ku nudoja femërore ishte shumëpranishme jo vetë në pikturë, por edhe skulpturë. Cilës  periudhë të karrierës i përkisnin? Ajo çka godiste ishin kontrastet e ngjyrave, por edhe format e kolme femërore, që sikur evokonin pak  perënditë  antike e pagane të fertilitetit. Estetikisht, kanë qenë këto forma me të cilat keni dashur ta përcillni  perceptimin për bukurinë femërore? Cili është mesazhi apo filozofia që përcillni në seritë e nudove ?

Motivet kanë lindur që në 1964-ën. Ishte si një shpërthim i nëndheshëm,  i pavetëdijshëm, si një çarje primitive… U ktheva në një njeri i shpellave. Unë mesazhe nuk jap dot,  as është ky qëllimi. Nëse një artist arrin atë që kërkon, ky është një mesazh i të gjithëve. Është nudoja  që jep mesazhin nëpërmjet meje. Kur punoj nudo, jam një i hipnotizuar në përgjithësi. Në fakt është femra ajo që e provon burrin dhe jo anasjelltas. Është një mashtrim që natyra u ka bërë meshkujve, që i ka bërë të besojnë se janë superiorë. Kam punuar me vizatime me vaj apo Bronz.

Në vizatimet dhe tablotë me vaj jam realist, në maketet me bronz abstragoj.

Sapo keni përfunduar një libër ku trajtoni  Skulpturën gjatë Realizmit Socialist duke e krahasuar me atë europiane, të së njëjtës periudhë,  ku thoni se një nga pikat kyçe të  dështimit të skulpturës shqiptare gjatë kësaj periudhe ka ardhur për shkak të mungesës së nudos. Si ka qenë ajo epokë për artet figurative dhe si vinte i paraqitur trupi femëror?

Gjatë 45 viteve në tërë ekspozitat nuk u ekspozua asnjë nudo. Në tërë territorin e Shqipërisë nuk ka asnjë skulpturë nudo të ngritur ato 45 vjet. Ka torse greke apo romake,  por jo socialiste.

Kur bëj këtë pohim dua të them se artistët nuk ishin të lirë.

Të bësh vetëm heronj me partizanë, punëtorë, fshatarë dhe ushtarë, nuk mund të bësh art të pastër. Ai ish një teatër i ngurtësuar.

Pra, me pak fjalë, nëse artit i mungon misteri i trupit të zhveshur femëror, është i destinuar të vdesë?

Jo nuk vdes, por dështon. Dhe dështimi në art është më keq se vdekja. Asnjë artist nga Kampi Socialist nuk futet në Historinë e suksesit të artit të shekullit të XX-të. Mungesa e nudos ish mallkimi.

Po pas ndryshimit të regjimit,  a ka pasur një lëshim të arteve figurative drejt nudos, për të plotësuar atë mungesë apo ende mungon thelbësisht nudoja në kontekstin shqiptar?

Sigurisht është lëvruar pak , por pa sukses. Arti kërkon vazhdimësi. Ne fatkeqësisht kemi pasur ndërprerje të gjata. Njëherë 500-vjeçari Osman, si një çadër i ngritur në mes të Ballkanit, me një kazan me hallvë. Pastaj Komunizmi si çadër e Realizmit Socialist pa nudo. Gjëja më e vështirë për një komb është të rikuperosh ADN-në e humbur në udhëkryqet e historisë. Dhe ADN-në artistike. Kjo që bëjmë është “me sikur ”, ose “ do bëjmë si ata “perëndimorët”.

Na pëlqen të përjetojmë historinë e të tjerëve, edhe në art. Po nuk e kalove vetë Golgotën,  nuk e ke mbajtur kryqin mbi shpinë.

Ajo çka vihet re në këto kohë është prania e nudos në fotografi, shpesh edhe gati pornografi. Me futjen e fotografisë në artet figurative, ku ndodh dallimi i madh i pikturës e skulpturës me këtë të fundit? Çfarë mëton të përcjellë njëra e çfarë  tjetra?

Janë krejtësisht të ndryshme, Lucien Frojd ka bërë një kryevepër me një model shumë të shëndoshë. Piktura është filozofia e imazhit të botës. Fotoja është imazhi i reklamës.

Sa tablo nudoje keni në koleksionin  e pikturave? Por artdashësit, të pasionuarit pas pikturës, sa të dhënë  janë në blerjen e një nudoje?

Kam 12 me vaj. Artdashësit nuk i kanë blerë. A do vish të blesh ndonjë për Çilin?

Mendon se nudoja do i rezistojë gjithnjë kohërave e do të mbetet një nga magjepsjet kryesore të artistëve ?

Sigurisht , sa të ekzistojë njeriu dhe sa njeriu të jetë artist. Nuk kanë nga venë, nudoja është gravitacioni i artit.

*Intervistoi Suadela Balliu për  revistën Madame Mapo

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤