Maks Velo ; Arti i madh i Europës dhe prapambetja 500 vjeçare në Shqipëri

View Gallery
7 Photos
Maks Velo ; Arti i madh i Europës dhe prapambetja 500 vjeçare në Shqipëri
IMG_8183

Maks Velo ; Arti i madh i Europës dhe prapambetja 500 vjeçare në Shqipëri
IMG_8167

Maks Velo ; Arti i madh i Europës dhe prapambetja 500 vjeçare në Shqipëri
IMG_8168

Maks Velo ; Arti i madh i Europës dhe prapambetja 500 vjeçare në Shqipëri
22472569_10213753834780691_435723141_n

Maks Velo ; Arti i madh i Europës dhe prapambetja 500 vjeçare në Shqipëri
22497806_10213753842220877_695718591_n

Maks Velo ; Arti i madh i Europës dhe prapambetja 500 vjeçare në Shqipëri
22471471_10213753843220902_2142034209_n

Maks Velo ; Arti i madh i Europës dhe prapambetja 500 vjeçare në Shqipëri
22471742_10213753831020597_1739020889_n

 

Shoqëria shqiptare është 500 vjet pas Europës, mendon Maks Velo, kur flitet për artin.  Këtë të fundit e konsideron  pasurinë më të madhe. 

Pas botimit të librit të tij të fundit “Skulptura e Realizmit socialist në Shqipëri”, artisti flet sesi u dënua për skulpturat e tij moderniste, sjell një panoramë të monumenteve në Shqipëri gjashtë regjimit komunist dhe si kundërpeshë ka vendosur disa prej emrave më të mëdhenj të skulpturës europiane .

 

 Foto:Jetmir Duraku

Intervistoi:Suadela Balliu

Ishte një ngasje e vjetër, thuajse 12–vjeçare, sa herë që hynte në atelietë, muzetë, ekspozitat e skulptorëve më të mëdhenj të shekullit XX , për të sjellë një pasqyrë të këtij arti perëndimor në shqip. Prej dymbëdhjetë vitesh, vizatonte, bënte skica në fletë të bardha formati, duke tërhequr kështu edhe vëmendjen e vizitorëve apo të personave përgjegjës nëpër këto ambiente ekspozimi se kush ishte ai dhe përse i shërbenin këto skica që i hidhte me aq lehtësi, pa u ndalur, më këmbë përballë veprës së artit. Por vitin e shkuar kjo dëshirë u kthye në një detyrim për ta sjellë më në fund librin. Ndërsa kalonte pushimet dimërore në Paris, teksa kundronte për të disatën herë vepra të skulptorëve të dashur dhe të admiruar, do të arrinte të kishte edhe materialet e plota për botimin. Do të kthehej në Tiranë me qindra skica të reja dhe, duke sjellë artin skulpturor modern të Perëndimit do ta vinte përballë skulpturës që krijohej në Shqipëri, në po ato vite…

“Në burg mendoja se metoda e Realizmit socialist ish një farë spitali ku ideologjia marksiste i operonte dhe iu hiqte nervin artistik shkrimtarëve, piktorëve dhe skulptorëve. Ashtu si spitali i burgut ishte spitali i Realizmit Socialist”, shkruan Velo në këtë libër, i cili është botuar vetëm pak ditë më parë nga shtëpia botuese “Onufri”. Një botim luksoz, që sjell informacione të vlefshme për artdashësit, por edhe për ata që duan ta njohin më shumë artin figurativ të Realizimit Socialist dhe më specifikisht skulpturën.

 

Ke 12 vjet që mendon të sjellësh këtë botim, “Skulptura e Realizmit socialist në Shqipëri”. Cila ishte ngasja që të çoi të bëje një punë voluminoze duke sjellë thuajse krejt panoramën e skulpturës së periudhës së komunizmit në një libër?

Dua të di gjithçka dhe sidomos ato që i kam përjetuar. Pastaj është edhe një detyrë shoqërore, njerëzore, prej artisti. Artisti i vërtetë duhet të jetë universal. Skulptura është sinteza e arteve figurative, kështu që do ish patjetër në vëmendjen time.

Sot e ke sjellë me syrin analitik e kritik, edhe me një distancë të konsiderueshme kohore, por duhet thënë që ti ke qenë i përfshirë në këtë art gjatë atyre viteve, kur edhe të dënuan për këtë. Si po zhvillohej arti i skulpturës përpara se regjimi të niste të përdorte dorën e hekurt të censurës e ta kthente në propagandë?

Skulptura, si gjithë artet, filloi vonë në Shqipëri, bile më vonë se piktura, dhe kjo është e kuptueshme, në kohën e sundimit Otoman nuk mund të ngriheshin vepra të tilla.

Kështu që Çlirimi i vendit e gjeti Shqipërinë me katër apo pesë  monumente të Paskalit. Në fillimet e saj Partia akoma nuk i kish të qarta as për vete se çfarë do u kërkonte artistëve. Dora e hekurt filloi pas vitit 1960.

Në ato regjime diktatoriale çdo gjë varet nga Diktatori, ai vendos gjithçka. Ai vendoste edhe për veprat monumentale. Sot kjo gjë shihet qartë në Kore.

Të ndalemi pak te figura e njeriut në skulpturë. Ti thua në librin tënd që paradoksalisht, sa më të varfër të ishin njerëzit në art figurat e njerëzve të thjeshtë mitizoheshin, visheshin me tipare heronjsh. A mendon se e pati ndikimin në shpëlarjen e trurit te masat kjo lloj skulpture apo njerëzit e dinin se ishte një gënjeshtër e madhe?

Jo njerëzit nuk kuptonin gjë, bile as artistët vetë. Shqipëria ish një vend shumë i varfër, pa kulturë. Arti është një gjë superiore, kërkon shtete me tradita kulturore. Ne nuk kishim.

Sigurisht që ndihmoi në shpëlarjen e trurit. Edhe sot kur shoh filmat e Kinostudios unë prekem dhe e kam të vështirë, megjithëse e di që janë gënjeshtra. Arti është një magji, dhe magjistari mund të influencojë për mirë apo për keq. Shumë pak e dinin që ish një gënjeshtër e madhe.

Në një tjetër intervistë ke përmendur se në Akademinë e Arteve dikur kishte modele që pozonin nudo për studentët e pikturës dhe skulpturës. Si u zhduk nudoja ? Ç’u bë me ato punime studentësh e artistësh deri në atë kohë?

Po një pjesë e atyre studimeve janë në arkivin e Akademisë. Por një nudo studim nuk është një vepër arti. Tani modelet pozojnë prapë.

Nga sensualja te gruaja heroinë; nënë, motër, punëtore, luftëtare. A e vrau ky portretizim artin e skulpturës? A mundën skulptorët të sillnin një frymë moderniste teksa gdhendin dhe portretizonin “gruan komuniste”? A i përngjante ajo sishoqeve europiane? A mbetën më elementë të vërtetë prej gruaje në këto skulptura?

Janë edhe sot, aty janë në arkivin e Galerisë Kombëtare. Skulpturat e femrave në vendet Socialiste ndryshonin krejt nga bustet apo skulpturat femërore europiane, këtë e sjell qartazi në libër. Asnjëri nuk kish tentacionin e nudove, Paçoja që bëri një cikël, e detyruan ti thyente vetë.

Nga ato që ke përshkruar në librin tënd dhe ke fotografuar gjithashtu, a ka ndonjë figurë femërore, që megjithë censurën dhe propagandën ka arritur të përçojë bukurinë dhe sensualitetin femëror?

Sigurisht ka ndonjë portret, po kjo është shumë pak. Pa qenë nudoja në art gruaja nuk është femër.

Si kundërpeshë e këtij libri vijnë skulptorët dhe kryeveprat e artit perëndimor që në mënyrë ironike janë zhvilluar pothuaj në të njëjtën periudhë me artin e realizmit socialist. Ke sjellë emrat më të njohur të skulpturës botërore, por kush mbetet i parapëlqyeri yt dhe me cilat vepra je kënaqur më shumë ndërsa i ke vizatuar në muzetë apo ekspozitat?

Moor, Giacometti, dhe Zadkine.

Si mendon se do të zhvillohej arti shqiptar nëse do të kishte pasur të njëjtën liri me Perëndimin? A mendon se do të kishte skulptorë shqiptarë që do të kishin bërë emër siç bënë artistët rusë që emigruan në Paris?

Jo është e pamundur, arti i madh do traditë. Pastaj gjithë artet shkojnë paralel. Rusët kanë shkrimtarë gjenialë, kompozitorë gjenialë dhe piktorë e skulptorë gjenialë si Chagall apo Zadkine.

Nëse nuk do të kishin dënuar dhe burgosur në Spaç, si e mendon se do e zhvilloje skulpturën tënde? Megjithëse ti e ke sjellë pas viteve ’90 për publikun, por si do të qe ajo e krijuar dhe zhvilluar gjatë asaj periudhe?

Besoj se do ish një skulpturë strukturaliste si “Dhia” që ish me bakër të rrahur te hotel “Drini” ,të cilën e shkatërruan.

I mbetesh mendimit se skulptura e realizmit socialist ishte e vdekur për shkak se nuk kishte përfshirë nudon në të? A mendon se arti është i destinuar të vdesë pa magjinë e nudos dhe veçanërisht të gruas?

Jo , nuk është kaq e thjeshtë sa e përcaktoni ju. Po,  nudoja  është fryma e artit. Është si t’i zësh gojën një njeriu; sa mund të jetojë?

A jemi ne si shoqëri të vonuar në artet në përgjithësi dhe skulpturën në veçanti? Ç’do të thotë skulptura në hierarkinë e arteve dhe çfarë impakti ka ajo në zhvillimet shoqërore? A është i gjithë arti i vonuar në Shqipëri pak fals, siç edhe ke shkruar në librin tënd të fundit?

Ne jemi shoqëri e vonuar me të paktën 500 vjet. Arti i madh u zhvillua vetëm në Europë ( se në Amerikë, është vetëm në këto 200 vitet e fundit). Të kuptohemi,  unë po bisedoj për periudhën mbas mesjetës. Ish Krishterimi, Bizanti dhe sidomos Reforma e Luterit që mbushi 500 vjet, të cilat i dhanë frymë artit, i dhanë lirinë. Ata popuj,  artin e kanë gjënë më të shenjtë se e kuptojnë që arti është ndryshe nga puna e zakonshme, është një dhunti që vjen rrallë. Artistët e mëdhenj, vijnë rrallë në jetën e një kombi. Po ata kombe dinë t’i dallojnë, t’i vlerësojnë, t’i admirojnë. Arti është pasuria më e madhe.

 

 

 

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤