Linda Shomo, gruaja që na e bën jetën të thjeshtë

IMG_7084

Teknologjia është arma e saj e fortë dhe pikërisht gjuha kompjuterike e shndërroi më pas në një grua biznesi duke themeluar kompaninë “Easy Pay” një kompani shërbimesh elektronike që na i bën pagesat e faturave fare të thjeshta me një klikim. Cila është Linda Shomo, e vlerësuar me çmimin “Gruaja e Vitit”…

Ajo është një grua e suksesshme në fushën e biznesit pasi kompania që ka themeluar, tashmë në pesë vjetorin e saj, ka hyrë në brazda të mbara. Jo vetëm e njohur për shërbimet që ofron, por “Easy Pay” tashmë i numëron edhe disa klientë të mëdhenj e të rëndësishëm siç është OSHEE, UKT apo sistemi i Policisë , pagesat e faturave dhe të gjobave tashmë janë një procedurë shumë e thjeshtë e që kryhet me një klikim në telefon.
Ka qenë vokacioni i parë, informatika , që e ka çuar Linda Shomon të themelojë këtë kompani që, për nga eksperienca në treg e nga arritjet, është vlerësuar me çmimin “Bleta e Artë” nga Qeveria Shqiptare në fushën e Teknologjisë së Informacionit, ndërsa Lindën “Gruan e Vitit 2014 ” në ndarjen e Çmimeve “ICT Awards” në maj të 2015-ës.
E nis rrëfimin qysh nga hapat e parë, në vitet e largëta 1988, atëherë kur si nxënëse që e kishte mbyllur shkollën e mesme me medalje ari kishte privilegjin të zgjidhte vetë degën e studimeve (në një kohë kur të studiuarit për të gjithë të rinjtë ishte një luks shpesh i paarritshëm).

Capture

Megjithëse mund të përfytyrohen ata kompjuterët e mëdhenj e të rëndë, në sistemin MS DOS ( Windows ende nuk ishte shpikur) e një degë pak e njohur për Shqipërinë, të 25 të përzgjedhurit në këtë Fakultet e kishin sigurinë se do të kishin një të ardhme të sigurt nga ana profesionale.

“Ishte degë e privilegjuar krahasuar me të tjerat. Nuk diskutohej se do të gjenim punë kollaj, Të gjithë studentët erdhën të përzgjedhur në këtë degë. Pavarësisht se nuk e dinim se ç ‘revolucion na priste edhe ne, por e dinim se ishte degë e kohës” –shprehet ajo e ndërsa rrëfen se ka 20 vite në fushën e Teknologjisë së Informacionit ( një sektor ku është krijuar perceptimi se vetëm meshkujt janë të suksesshëm e shumë pak femra operojnë në të ) , kupton se është nga ata shembuj që arritjet dhe suksesi nuk vijnë vetëm me t’i dëshiruar. Puna e fortë, këmbëngulja dhe nuhatja për risitë e mosdorëzimi përpara vështirësive janë përbërësit e suksesit, sipas Lindës.
“Kam ndjekur të gjitha shkallët që ndjek një individ në këtë fushë; nga specialist i thjeshtë, programiste në vitet e para në Institutin e Informatikës, më pas në Fondacionin ‘Soros’ në Sektorin e IT-së, e më pas në vitin 1999 kalova në sistemin financiar, në sektorin e IT-së”, rrëfen Linda, duke shtuar se kohën më të madhe e ka kaluar në sistemin financiar . Duke qenë pranë sektorit të pagesave me formimin e saj në Teknologjitë e Informacionit, duke ndjekur tendencat botërore në këto fusha, vendosi të provonte veten në themelimin e një biznesi që do të kishte në qendër pagesat elektronike. “Ishte diçka që i mungonte tregut shqiptar e mendova se një ditë apo një tjetër do të hyjnë edhe këtu këto lloj pagesash, thashë pse të mos e bënim” , thotë ajo duke iu referuar edhe ekipit të saj, të rinj të talentuar në fushën e IT-së dhe Marketingut, të cilët Linda i ka rekrutuar vetë në aktivitete të ndryshme si konkurse informatike, startup weekends, etj.

IMG_7088

Gjatë rrugëtimit me biznesin, i cili rritet njëherazi me të si menaxhere dhe me stafin, ka pasur edhe nga ata që e kanë parë me mosbesim kur tha se do të hapte një kompani e për më tepër në një fushë të padëgjuar më parë për tregun shqiptar, si pagesat elektronike.
“Vështirësia është dyfish; e para e një biznesi të ri dhe vështirësia tjetër ka qenë përballja me inovacionin. Nuk ishte një biznes me traditë dhe nuk dije ç’të priste. Ne jemi të parët institucion financiar i licencuar për të bërë pagesa të tilla. U rritëm me kompaninë; na dalin çdo ditë gjëra të reja dhe përshtatemi me risitë e vështirësitë. Bashkë me mua u rrit edhe stafi. Ky është një treg që kërkon shumë pasion dhe shumë dedikim. Duke qenë inovacion kemi kërkuar të rinj të talentuar dhe me pasion”.
Në një botë mashkullore të të bërit biznes ajo pohon se e ka ndjerë vështirësinë që mund të hasin gratë sipërmarrëse. Këtë vetëm në biznes e jo në profesionin e IT-së.
“Kam hasur vështirësi por nuk ka qenë barrierë, u mësuam me këtë fakt kur ishim studentë dhe e trajtonim veten njësoj si djemtë dhe nuk e shihnim ndryshe. Kur je në biznes ndjehet më shumë, sepse menaxhohet më shumë nga meshkujt. Akoma ka frymë maskuliste, por duke qenë 20 vite në këtë treg nuk e kam ndjerë, sepse ata njohin figurën dhe jo gjininë dhe kur flasin me mua flasin me eksperiencën time. Por ka raste që ndjehet. Persona që nuk i njeh e nuk të njohin nisen me paragjykime, por me pak punë ndryshohen”.
Tani që puna menaxheriale si Drejtore Ekzekutive e “Easy Pay” i merr thuajse të gjithë kohën, ia ndjen mungesën profesionit të IT-së. “Mundohem t’i mbaj lidhjet, por kur flasim e me brezin e ri të IT-së them nuk jam më, sepse jam shkëputur dhe teknologjia avancon shumë shpejt, por duke pasur sfondin i kuptoj, i ndjek me pasion dhe i jap stafit drejtimin strategjik” .
Pasioni e ka bërë t’i përkushtohet e gjitha punës dhe momentet kur lëkundet janë vetëm kur vë në peshore kohën që rrëmben nga familja. “Kur sheh sesa kohë të ngelet për familjen , fëmijët, kur rriten e ti nuk i ndjek dot sa duhet me shkollën, aktivitetet, lojërat …dhe thua: kush janë prioritet e mia në jetë?. Sigurisht që familja është në radhë të parë, nuk diskutohet. Shpesh bëhet objekt reflektimi çfarë duhet të bëj në këto momente dhe tërhiqem nga koha që i kushtoj punës, por është pasioni në mes që nuk të lë mbrapa. Duke qenë shërbime online, je gjithë kohës online, prandaj të kushtëzon në kohën që i jep familjes, je me telefon, kompjuter…Shpesh më ndodh kur vajza më flet dhe e sheh në sytë që nuk e kam mendjen dhe më thotë: “A do më thuash pak se çfarë të thashë?!” –tregon ,duke shtuar se fëmijët janë mësuar me ritmet e saj dhe shpesh bëhen pjesë e diskutimeve mbi punën, mbi aplikacionet apo shërbimet e reja që “Easy Pay” ofron.
Me sukseset që ka arritur në pesë vite, mendon ta zgjerojë kompaninë edhe në vendet e rajonit ku këto lloj shërbimesh ende nuk ofrohen. Ajo bën një parashikim dhe thotë se në pesë vite gjithçka do të sillet rreth një telefoni celular. Klienti është aty duke pritur për t’i thjeshtësuar jetën…
Paguaj lehtë!

IMG_7099

Vrulli dhe intensiteti i aktiviteteve që kryejmë gjate ditës duket se sa vjen dhe shtohet. Kjo na bën që jo gjithmonë të na dalë koha për të bërë gjërat që duam e që kemi planifikuar. Shpesh për këtë na vjen në ndihmë teknologjia. Aplikacioni EasyPay, i cili mban të njëjtin emër me kompaninë që e ka krijuar. I pari aplikacion në Shqipëri i krijuar për pagesat online direkt nga celulari .Mjaft të shkarkoni aplikacionin në ‘playstore’ ose ‘appstore’ dhe më pas të bëni regjistrimin si klient, të mbushni llogarinë me kartë krediti apo debiti dhe vetëm një klik do ju shpëtojë nga pritjet dhe radhët e gjata që kaloni kur paguani faturat. Tashmë EasyPay ju ofron mundësinë te paguani faturat e energjisë elektrike, faturat e ujit të pijshëm, gjobat e makinës, të riabonoheni në platformën ‘Digitalb’ dhe të paguani faturat e telefonit e shumë shërbime të tjera. Mund të paguani me ‘EasyPay’ pa pritur asnjë minute në radhe por direkt nga smartphone kudo që ndodheni; në det, mal, zyrë, kafe, nga shtëpia juaj apo e gjyshes (madje dhe asaj mund t’ia paguani faturat 😉 ). ‘EasyPay’ jep mundësinë që në çdo kohë të kontrollojmë faturat apo nëse kemi gjoba të reja në sistem dhe jo vetëm kaq, por edhe na njofton në kohë reale sapo del fatura e radhës, pa pritur të na e sjellë postieri. Menjëherë pasi kryeni pagesën , detyrimi fshihet në kohë reale nga sistemi i OSHEE, UKT apo nga sistemi i Policisë në rastin e gjobave. Jeta bëhet më e thjeshtë me Easypay dhe paguan vetëm me një klik.

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤