“Ligji ‘ushqim’ për mediat, duhet vënë rregull në gazetarinë online”

Mustafa Nano, analist dhe drejtues i emisionit “Provokacija”
Nisma e kryeministrit Edi Rama për të ashpërsuar ligjin ndaj shpifjes ka prekur drejtpërdrejt median në vend. Fillimisht është ideja e regjistrimit të portaleve, një lloj formalizimi i medias. Si e konsideroni këtë fazë fillestare?

Unë nuk kam arsye ta kundërshtoj këtë nismë. Është gjë që e kam kërkuar të bëhet me kohë. Duhet vënë rregull në gazetarinë online. Sepse kështu si është, është e gabuar, është e padobishme, është edhe e rrezikshme. Madje, mendoj se nuk duhet të mjaftohemi veç me regjistrimin e portaleve. Dhe nuk duhet të jetë qeveria që duhet të ndërhyjë, e vetme. Duhet futur në lojë parlamenti. Duhet bërë një ligj që të jetë i plotë e që të synojë disiplinimin e formalizmin e kësaj lloj gazetarie. Mjaft të mendosh komentet që bëhen nga lexues të ndryshëm online poshtë komenteve që publikohen në portale me emër autori, dhe të vjen të kërkosh urgjentisht ndërhyrjen e një autoriteti me synim për ta zhbërë këtë status quo. Këto komente janë një barbari e vërtetë.

Në to ka kryesisht fyerje, të shara, denigrime, shpifje, flitet me gjuhë urrejtjeje, shprehen ide homofobike, raciste etj. etj. Tabela më e kollajtë e qitjes janë gratë, mbi të cilat sulen pa mëshirë lloj-lloj njerëzish të frustruar. Portalet duhen detyruar me ligj që të paguajnë një moderator komentesh. Një dukuri tjetër ka të bëjë me lajmet e raportimet që vidhen prej portaleve të ndryshme. Mjafton që një lajm të botohet në një portal, dhe menjëherë më pas e marrin të gjitha portalet e tjera. Dhe kështu kemi me dhjetëra portale që në fakt janë njësoj. Të gjithë portalet vlejnë sa për një. Duhet penguar kjo gjë. Nuk ka asnjë kuptim. Është absurde. Unë nuk e kuptoj se si nuk ngrenë zërin ato portale që prodhojnë lajme më shumë se të tjerat. Nuk e kuptoj se si rrinë e bëjnë sehir të tjerët, të cilët u vjedhin informacionin që ata vetë janë lodhur për ta sjellë në gjendje të publikueshme.

Sa e prekur është media nëse ky draft i kryeministrit që dënon shpifjen kalon dhe miratohet. A do ketë edhe më shumë një autocensurë nga vetë gazetarët para se të publikojnë shkrime apo materiale komprometuese për qeverinë? Në një përballje gjyqësore “politikan-gazetar”, me këtë drejtësi që aktualisht kemi, kush është më i favorizuari?

Nuk ka nevojë të shqetësohet njeri për dënimin e shpifjeve. Ne nuk duhet të shqetësohemi që qeveria dënon shpifjet. Ne duhet të shqetësohemi kur qeveria bllokon informacionin, kur ajo nuk i përgjigjet kërkesës sonë për transparencë e llogaridhënie, kur ajo ndërton marrëdhënie klienteliste me botuesit, dhe e gjitha kjo bëhet në kurriz të gazetarëve, kur ajo e thur vetë raportimin mbi aktivitete të sajat, dhe pas kësaj ua dërgon redaksive të gazetave apo televizioneve etj. etj. Këto të fundit janë probleme, jo nisma e qeverisë për të dënuar shpifësit.

Kjo nismë e fundit, sikur ta kenë seriozisht, vetëm mirë do t’i bëjë medias. Autocensura, së cilës i trembet ndokush, në fakt nuk do jetë autocensurë. Do të jenë skrupuj profesionalë për të mos shpifur, e për të raportuar kuturu. Gazetaria do të jetë më e mirë. Edhe gazetaria opozitare nuk ka pse të vuajë në këtë mes. Për të diskredituar qeverinë Rama nuk ka nevojë të kërkosh ndihmën e shpifjeve. Kjo qeveri prodhon vazhdimisht skandale. Dhe nëse dikush i vë vetes si qëllim të merret me këto skandale, nuk do të ketë nevojë e kohë për shpifje.

E prandaj, unë nuk e kuptoj këtë alarm mediatik për dënimin e shpifjeve. Duket sikur gazetarët janë duke thënë: “Jo, ju lutemi, mos na hiqni të drejtën të shpifim, ajo është një e drejta jonë themelore, shpifja është misioni ynë, dhe qeveria po e bën këtë për të sulmuar fjalën e lirë, për të asgjësuar masmedian”????!!!!

Përse ky reagim në këtë kohë. Dhe a është një formë për të shkëputur vëmendjen nga disa përgjime, akuza, kundërpërgjime dhe publikime të tjera për të cilat minimalisht ka dyshime për implikimin e zyrtarëve të lartë politik brenda mazhorancës për afera apo lidhje me krimin?

Ky po që është një diskutim për t’u bërë. Unë kam shumë dyshime se është tamam kështu si thoni ju. Nuk besoj se kryeministri ka motivime të mira në këtë aksion. Se nëse do të kishte qenë ndonjë çikë i shqetësuar nga shpifjet, mund të kishte ngritur padi prej kohësh në adresë të atyre që me demek kanë shpifur për të. Asnjë nuk e ka penguar ta bëjë këtë. Edhe sot që po flasim, ka penalitete për shpifësit. Ata mund të çohen në gjykatë në çdo moment.

E dyta gjë që duhet thënë është një pyetje: Si mund t’i besojmë aksionit antishpifje të një qeverie që ka treguar se nuk di të bëjë gjë tjetër, veçse të fshehë të vërtetën? Si mund t’i besojmë Ramës se e ka merak të vërtetën (sepse aksioni antishpifje këtë synon, apo jo: mbrojtjen e të vërtetës) kur ne e dimë mirë se çfarë ka bërë ai për të fshehur disa të vërteta të mëdha të këtyre kohëve, siç është kanabizimi, apo siç është qëndrimi që ai ka mbajtur ndaj disa denoncimeve që janë provuar se nuk janë shpifje, por që në kohën që janë ngritur, janë konsideruar nga kryeministri si shpifje (ju kujtohet metafora e mushkonjave për të përqeshur avionët e drogës?).

E treta, unë kam frikë se kjo është e gjitha një ushqim për mediat. Nuk them se ligji antishpifje nuk ka për t’u çuar fare në parlament (ndonëse nuk e përjashtoj që të kjo nismë të mbetet në niveli e llafeve), por edhe sikur të bëhet një ligj i fortë, nuk besoj se do të ketë ndonjë padi nga ana e ministrave në adresë të gazetarëve apo të intelektualëve publikë apo të politikanëve opozitarë. Ministrat e Ramës janë njerëzit më të trembur në Shqipëri. Dhe gjëja e fundit që mund t’u shkojë në mendje njerëzve të trembur, është të ngrenë padi ndaj “shpifësve”. Jo për gjë, por kështu do të bënin që shumë gazetarë t’i ndiqnin këmba-këmbës në veprimtarinë e tyre. Dhe dihet se ç’mund të dalë në këto rrethana.

Rama ka një prirje për “kurim imazhi” dhe personazh që e njeh mirë komunikimin publik. A mendoni se pikërisht nga opozita dhe media që denoncojnë raste të dyshimta po i “shembet” linja propagandistike?

Unë nuk e kuptoj këtë nam të Ramës si kurator imazhi. Unë nuk ia njoh këtë meritë. Nuk më duket se mënyra e tij e komunikimit me publikun është ndër më të mirat e mundshme. Batutat e tij që u bëjnë përshtypje shumë njerëzve, përfshirë edhe kolegëve tanë, mua më duken banale e të pashijshme. Po kështu, më duket edhe komunikimi në Facebook me friends-at e vet. Po kështu më duket, në mos më keq, sjellja e tij nëpër studiot televizive. Unë nuk arrij ta ndjek dot atë në një debat me gazetarët. Sjellja e tij më duket fyese. Dhe nuk besoj se një sjellje e tillë mund të shkojë si një “gjetje gjeniale” te zgjedhësit e zakonshëm. Por në këtë pikë nuk është i vetmi. Të gjithë politikanët tanë kanë probleme me komunikimin publik. Nuk di se kush i këshillon. Por kam frikë se nuk i këshillon njeri. Nuk ka asgjë të studiuar në këtë komunikim.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤