Libri i dashurisë i Preç Zogajt

Pas suksesit të botimit të parë, MapoEdition hedh sërish në treg përmbledhjen poetike “In Love” me autor Preç Zogaj

Nga Alda Bardhyli
Ka vdekur mbrëmë në spital Dario Belleza, i mjeri

Pesëdhjetë vjet po i mbushte, po i zbrazte a si t’ju them.

Dhjetë vjet më parë ju shpif se në botën tjetër

s’do të kishin të njëjtën fytyrë,

as ai, as e dashura e tij

dhe prandaj s’do të njiheshin në përjetësi.

Ndërsa në kafenetë e Romës miqtë e Dario Bellezës, poetit kontrovers që u shua mbrëmjen e marsit të vitit 1996, fiknin pareshtur cigaret, në Tiranën me shirat e lehtë të pranverës, trishtimi i kësaj ikjeje do të lexohej në fytyrën e një poeti. Ai ishte Preç Zogaj. Do donte që atë mbrëmje të ishte në Romë, e ti bashkohej botës kulturore të këtij vendi që kishte mbërritur në atë qytet, për ti dhënë lamtumirën një burri jo të zakonshëm. Katër muaj më vonë në studion e tij, Zogaj do të hidhte në letër një nga poezitë më të ndjera kushtuar Bellezës (poezinë e mësipërme). Një homazh për një nga figurat themeltore të modernitetit në poezinë italiane, një poeti që deshi deri në fund pa kushte dhe iu dorëzua më pas fatalitetit të dashurisë. Një poezi (pjesë e librit “In Love”) e cila tregon dhe një bashkëkohësi të mendimit shqip, pikërisht në prag të një viti jo të lehtë që do të pasonte më pas. Një bashkëkohës i tij, Zogaj sjell në këtë poezi një histori të Bellezës, bashkë me tensionin e një jete jo të zakonshme e kërkimin e pafund të një tingulli që e gjente vetëm në vargje. Por portreti i poetit nuk do të ishte i plotë pa të dashurën, e frikën e përbotshme të ndarjes se mos në botën e pafundme ku do të shkonte nuk do të ndeshte më fytyrën e saj. Në rrugët e Tiranës ku endej ato kohë, poeti përsëriste mendimet e Bellezës që i orvateshin në mëndje ditët e fundit në spital: A do të kishin të njëjtën fytyrë?

Po përtej kësaj poezie ka diçka tjetër që e lidh Zogajn me Bellezën. Është kërkimi i dashurisë, si një gjendje që përsoset nga një varg në tjetrin, përmes një stili shpesh të pazakonshëm, i cili si në një prozë të shkurtër tregon se ky kërkim do të jetë i përjetshëm. Përfaqësues i një kulture që e ka nisur herët këtë kërkim, Belleza do të kulmonte në vitin 1982 me “Librin e dashurisë”, një libër që do ta veçonte atë menjëherë si një zë i rëndësishëm i poezisë së re italiane. Në një kohë kur mendohej se koha e romantizmit kishte mbaruar Belleza vinte që në titull si një kundërvënie ndaj një kritike që kërkonte ta ndante poezinë nga kërkimi i saj më thelbësor, dëshira ndaj tjetrit. Gati 22 vjet nga koha kur shkroi poezinë kushtuar Bellezës, Preç Zogaj erdhi për lexuesin me vëllimin poetik “In love”, një përmbledhje me 100 poezi kushtuar dashurisë. Në një histori letërsie ku vargjet e dashurisë kanë qenë gjithnjë jo në vëmendjen e kritikës, për vetë historinë tonë letrare nën soc-realizëm, botimi i këtij libri nga Mapoedition ishte një ngjarje. 100 poezi dashurie vinin një 100 gur smeraldi që shpërndahen në shtresëzimin e një letërsie, për të mbushur hapësirën e saj të ftohtë shekullore. Nuk është vetë tematika e munguar por dhe moderniteti që mbartin që e bëjnë këtë libër të ndjehet në çdo faqe. Ashtu si Belleza, poezitë e Zogajt nuk kanë vetëm ndjesinë por dhe historinë. Ndërsa humbet në vargje në mendjen tende orvaten silueta takimesh, pritjesh, ndarjesh, malli, dëshire, ikjeje… Gjithë orët shpesh torturuese të dashurisë rrokullisen njëra pas tjetrës në librin që duket sikur nuk do të mbarojë. Poeti nuk do të fshehë asgjë.

Me të rënë mbrëmja mblidhet si mjellmë,

Ka shumë frikë, shumë dhimbje në sy.

Unë e kuptoj: me një bishë të egër

kufizohet vetmia e gruas sime.

Vargjet e mësipërme janë marrë nga poezia “Vetmia e saj”. Asnjë piktor nuk do të mund ta vizatonte kaq mirë portretin e një gruaje të vetmuar. Zogaj ka arritur të zbërthejë trupin e kësaj vetmie, si një gjendje universale që nuk është vetëm në shtëpinë që ai e ravijëzon aq bukur. Gruaja që ai tregon shndërrohet në mijëra gra. Më poshtë ai shkruan “Vetmia e zbrazur, vetmia vetmitare e gruas sime /në vitin në vazhdim/ vizitohet natën nga pemë të përgjakura/dhera të rroposur, det i rënë përmbys”.

Pemët e përgjakura në prehrin e një gruaje janë ndoshta metafora më e bukur e therëse njëkohësisht për të treguar boshin që ka pushtuar një grua, një shtëpi. Zogaj di ti futet dhembjes në zemrën e saj dhe të shoh qartë ngjyrat me të cilat ajo shfaqet. E në një rrëfim dashurie ai di ta zbulojë atë, ta marr nga terri për të treguar se ku mund të të çojë dëshpërimi. E teksa ndalesh tek një tjetër poezi e tij “Kjo dashuri” kupton se nuk mund të jetë asnjëherë i lehtë një libër dashurie. Ashtu si Pessoa shprehej (një tjetër poet ky i cituar nga Zogaj në këtë libër) “shoqëritë duhet të kenë frikë nga librat e dashurisë”.

Kjo dashuri që kam për ty

më zvogëlon dhe më tret,

më bën sa një sy

Mjaftojnë këto vargje për të parë një tjetër dimension të poezisë së Zogajt si poet i mendimit. Një siluetë mashkullore tretet në vegimin tënd, për tu shndërruar i gjithi sa një sy. Syri që sheh botën, vështrimi i qelqtë që hapet e bëhet i pafund tek ty teksa je i pushtuar nga dashuria. Ndoshta poeti e sheh zvogëlimin tek përulja, kjo ndjesi njerëzore që sa vjen e shohim më rrallë në shoqërinë e sotme, e cila ashtu si në Italinë e viteve 80-të, nuk i quan bashkëkohore temat e dashurisë. Interpretimet janë të ndryshme dhe kjo është një cilësi që përsoset nga një varg në tjetrin tek Zogaj, por ajo çfarë është e patjetërsueshme është ndjesia që të pushton teksa lexon këto poezi.

Kërkimi i tij është gruaja. Ajo është personazhi kryesor që e deh dhe i krijon dhimbje poetit. Ajo është muza dhe stina e tij. Tek ajo ai adreson pyetjet që ia drejton botës, përmes saj ai flet universalisht, përmes saj ai kërkon të njohë veten.

O grua, pyetjet mbaruan.

Ikja prej tyre

i shtohet ikjes prej diellit.

Në historinë tonë letrare kanë munguar rrëfime kaq intime e të thella, që të kujtojnë takimet për kohë që shpesh nuk duam t’ia kujtojmë vetes. Pas suksesit që libri pati në botimin e parë, Mapoedition do ta ri sjellin në një botim më cilësor që mund ta gjeni në ditët e Panairit të Librit të 21 të librit në stendën e UET PRESS ku dhe vetë autori do të jetë për të dhënë autografe.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤