Leximet e Mirelës

Lëvizja Kombëtare për Lexim/ Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro në një rrëfim mbi leximin… Kohët kur lexonte fshehurazi librat e ndaluar dhe sugjerimet për lexim nga fëmijët tek 40-50-vjeçarët

Në tetëvjeçare i kujtohet se hidhte në ditar fjalitë e bukura që i gjente nëpër libra. Me to ndërtonte përfytyrimin e saj për botën…Sot Ministre e Kulturës, Mirela Kumbaro e ka kthyer leximin gati në një sfidë, për ti rikthyer librit lexuesin e humbur. Prej një muaji ajo është vënë në krye të Lëvizjes Kombëtare për Lexim, një nismë e cila synon të konkretizohet me hapa të tjera konkrete përsa i përket politikave mbi librin. Më poshtë Kumbaro vjen në një intervistë mbi këtë nismë por dhe kohët e saj të leximit…

Në një kohë krize për librin, ju jeni vënë në krye të një lëvizjeje me përmasa kombëtare siç është Lëvizja Kombëtare për Lexim. Cilat janë sfidat e kësaj Lëvizjeje?

Sfida është shtimi i lexuesve. Shumë e vështirë për t’u arritur në pak kohë, kur kemi fjetur për gati tri dekada: kemi folur, diskutuar, jemi përplasur e kemi duartrokitur për shumë ide e ngjarje në këto tri dekada, por pak ose aspak kemi folur për emergjencën e kulturimit, edukimit përmes librit të brezit të ri.

Është trajtuar gjithnjë si një konstatim, si qaravitje, si një e keqe me të cilin jemi të detyruar të bashkëjetojmë dhe ta pranojmë, pa asnjë masë konkrete, a thua se dikush tjetër duhet të vijë dhe me një shkop magjik na bën të gdhihemi befas lexues të përkushtuar, ndërsa brezat digjen njëri pas tjetrit duke humbur dëshirën por edhe aftësinë për të lexuar.

Lëvizja nënkupton ndërgjegjësim masiv, të një populli të tërë që duhet ta marrim seriozisht dhe duhet të shqetësohemi e të veprojmë për të rikthyer fëmijët tanë te libri, si i vetmi burim i dijes së qëndrueshme.

Prandaj e kemi quajtur “Lëvizje” dhe kemi parashikuar ta shtrijmë gati gjatë gjithë vitit. Si e tillë kërkon përfshirjen dhe ndihmesën e të gjithëve: prindër, mësues, personalitete të vendit, medias, institucioneve qendrore dhe vendore. Të gjithë me sa munden dhe si munden të bëjnë diçka për të ndryshuar gjendjen e për të shpresuar se do të rrisim fëmijë më të lexuar për një të ardhme më të mirë.

Keni zgjedhur të çoni leximet tek fëmijët.. Metaforikisht kjo është një zgjedhje e bukur. Por sa produktivitet do të sjellë një lëvizje kur një nga kritikat që bëhet shpesh është që mungojnë politikat e forta që do ta bënin librin pjesë më të fortë të edukimit që në nivelet e para të arsimimit?

Thelbi i lëvizjes do të jenë pikërisht hartimi i politikave të duhura për edukimin e brezit të ri, se nuk i e ngjall dot dëshirën për lexim kur personaliteti është formuar tashmë pa librin si mënyrë jetese: kështu lëvizja jonë, përmes bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit, synon bashkërendimin e punës për të mundësuar ndërhyrjen edhe gjatë procesit mësimor për ngulitjen e kulturës së leximit.

Janë zgjedhur 12 shkolla pilot në të gjithë vendin, shkolla periferike, ku përveç pasurimit të bibliotekave të shkollave, do të synohet trajnimi i mësuesve për të përçuar sa më mirë dëshirën për leximin, hapjen e shkollave për prani të autorëve, përkthyesve, njerëzve të letrave në orë të caktuara letrare, leximin ndoshta edhe me “detyrim” për çerek ore çdo ditë të premte, aq sa për të ndezur dëshirën për një vijueshmëri të leximit në fundjavë. Kjo do të bëjë të mundur praninë fizike të librit në çantat e fëmijëve, dëshirën për të shkëmbyer libra, për të diskutuar në shkollë për librat, me qëllimin e ndezjes së dëshirës për lexime.

Lëvizja synon gjithashtu të bëjë shembull gjyshet dhe prindërit që u lexojnë fëmijëve në shtëpi. Në kopshtet e zgjedhura si model do të zhvillohen lexime të përjavshme nga gjyshërit e fëmijëve. Lidhja gjyshe-fëmijë ka rezultuar gjithnjë e suksesshme në edukimin e vlerave afatgjata. Hapat konkretë që do të ndërmarrë Ministria e Kulturës kanë të bëjnë me nxitjen e kryebashkiakëve për t’u angazhuar në mbështetjen e bibliotekave publike me një fond të përvitshëm, si dhe të Ministrisë së Arsimit për pasurimin e bibliotekave shkollore. Njëkohësisht jemi në proces edhe për ndërhyrje ligjore për përmirësimin e klimës së librit në tërësi.

Cili është hapi tjetër që do të pasojë këtë Lëvizje Kombëtare për Lexim?

Hapat konkretë kanë të bëjnë pikërisht me ndërhyrjet ligjore: synimi për heqjen e tatimit mbi librin si në hyrje ashtu dhe në dalje, heqjen e procedurës së prokurimit në blerjen e librave nga bibliotekat publike, si dhe ngritjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit që do të mundësojë shtimin e burimeve financiare dhe njerëzore në dispozicion të politikave të librit.

Ju jeni një ndër ministret më jetëgjatë të Kulturës në historinë e këtij institucioni. Cilat kanë qenë raportet që ju keni pasur me botën e librit institucionalisht dhe çfarë ka ndryshuar në politikat tuaja me këtë botë?

Jetëgjatësia si ministër më ka dhënë mundësinë të shoh sa e madhe është gropa e krijuar në 3 dekada në këtë lëmë, por edhe të ndërtojmë programe që s’duhet të jenë flakë kashte, por sistem. Nismat e para në këtë ministri kanë nisur nga libri: vëmendjen ndaj përkthyesve, përmes krijimit të Fondit të Përkthimit që në pesë vite ka sjellë përkthime shumë cilësore dhe ka bërë që të vlerësohet kontributi i madh që përkthyesit japin në pasurimin dhe lëvrimin e gjuhës shqipe në një vend ku 90% e botimeve janë përkthime. Gjithashtu u hap edhe Fondi i përkthimeve nga gjuha shqipe për një mbështetje dhe njohje më të mirë të letërsisë shqipe jashtë vendit. Është mbështetur gjithashtu shkrimtari shqiptar përmes Fondit të procesit letrar, si dhe mbështetja e mundësisë për prani në panaire dhe rezidenca jashtë vendit. Është i treti vit gjithashtu që Ministria e Kulturës ndërmerr fushatën “Takohemi për një libër” të kthyer tashmë në një lëvizje gjithëpërfshirëse.

Rënia e leximeve po i bën shoqëritë më të brishta e më të rrezikuara, shprehen analistët. Në fakt sa e thellë është humbja e vendeve me demokraci të brishtë si e jona nga mungesa e leximit?

E gjykoj një nga humbjet më të mëdha. E kam shumë seriozisht kur them se është emergjencë kombëtare, sepse brezi që do drejtojë së shpejti vendin do e vuajë rëndë mungesë, kulturimi të këtyre dekadave.

Një vend me një ekonomi të dobët si vendi ynë, mund të investojë shumë në edukimin e qytetarëve të saj për të shpresuar në të ardhmen edhe në një ekonomi më të mirë. Leximi nuk është thjesht një kënaqësi, është mbi të gjitha një mundësi për të rritur qytetarë të mirë që dinë të nxjerrin veten dhe vendin nga vështirësitë dhe ta orientojnë drejt zhvillimit dhe qytetërimit. Është mjet lufte kundër kriminalitetit dhe ndihmë për përfshirje sociale.

Përsa i përket leximeve shqip, si e sheh rritjen e letërsisë shqipe dhe autorëve shqiptar?

E shikoj në rrugë të mbarë. Kemi shkrimtarë shumë të mirë për të cilët së pari duhet të mendojnë botuesit për t’i promovuar edhe jashtë vendit. Jam e bindur se shumë prej tyre do të mund të përktheheshin dhe të qarkullonin denjësisht edhe në tregun europian e botëror. Edhe gjatë fushatës sonë të leximit kemi vënë në qendër të vëmendjes autorin shqiptar, si në bisedat nëpër shkolla dhe klube leximi, ashtu edhe në dhurimin e librave. Rritja cilësisht e letërsisë shqipe do të jetë një tjetër ndihmesë në shtimin e lexuesit sepse, në çdo vend të botës, është autori që i flet drejtpërdrejtë lexuesit të tij ai që zgjon më tepër interes. Përsa i përket politikave mbështetëse ndaj autorëve, përpos Fondit të Procesit Krijues dhe Çmimeve Kombëtare, rezidencat që i ofrohen autorit shqiptar përmes rrjetit TRADUKI apo institucioneve të tjera të huaja që bashkëpunojnë me Ministrinë e Kulturës si Art Kontakt i Austrisë apo ProHelvetia e Zvicrës, janë një ndihmëse shumë e mirë për mbështetje të procesit krijues të shkrimtarëve. Besoj shumë se kjo ndihmesë do të vijë në rritje.

Në fund të jetës ti do të jesh ajo çfarë ke lexuar, shprehej Italo Calvino…?

Në fund të jetës do të jem një njeri me pengje të mëdha që lexova aq pak nga aq shumë libra të jashtëzakonshëm të shkruar deri në atë vit që do jetoj, dhe me një zili të madhe që nuk do të njoh librat fantastikë që do të shkruhen kur të mos jem më.

I kujtoni leximet e para. Çfarë roli patën këto lexime në atë çfarë do të zgjidhje në jetë?

Revista “Yllkat”, libri vizatimor “Dadani dhe Kakami” i Ernesto Veizit, romani i parë “Ariu Artist” i Gaqo Bushakës, dhe “Aventurat e Gozhdës”, edhe përrallat ruse që m’i lexonte im atë duke m’i përkthyer në kohë reale.

Në shkollën tetëvjeçare kisha qejf të mbaja ditare me fjalitë e shprehjet më të bukura që lexoja… gjynah që s’i kam ruajtur.

Çfarë roli patën…?

Po ç’të them, qysh nga ajo kohë vetëm me libra jam marrë, me libra kam punuar, me libra kam jetuar, libra u kam mësuar studentëve, me libra kam ushqyer fëmijët…

Si kanë ndryshuar mënyrat e leximit me vite tek ju?

Deri në kohën e shkollës, përfshi dhe universitetin i lexoja nga 2-3 herë librat që më pëlqenin shumë, ndoshta ngaqë edhe s’kishim shumë zgjedhje; në Universitet lexoja dhe libra të ndaluar, i lexoja natën e fshehurazi prindërve. Falë profesorit francez në vitin e fundit të Universitetit që përkon edhe me fundin e regjimit, nisa të ndërtoja bibliotekën time të vogël me librat “e ndaluar” që m’i sillte ai fshehurazi. S’ishin gjë tjetër veçse Beaudelaire, Rimbaud, Proust, Sartre, Camus… I adhuroja ato libra deri në fetishizim se me dukej se kisha një pasuri që tjetër kush nuk e kishte. Kam nostalgji për emocionin që provoja kur i prekja.

Më vonë kur fillova punë në Universitet, kisha dy nivele leximi, atë profesional me shënime, shumë shënime nëpër faqet e librave, dhe leximin për kënaqësi të leximit, kryesisht gjatë pushimeve, ku shënoja duke thyer cepat e faqeve, si shenjë të pasazheve të parapëlqyera.

Më tej u shtua shumë volumi i leximeve studimore, historike, politike e filozofike.

Ndërsa tashmë, leximet për kënaqësi janë koha që ia vjedh vetes në atë fare pak kohë që vetja ka për mua. Leximet ligjore dhe administrative te detyruara për ministrin zënë mbi 90% të kohës. Por do të bëj durim se e përkohshme është.

Cilat janë dy libra lexime që ia rekomandon lexuesit të vogël?

Si njeri konservator që jam me veten, nuk e ndryshoj Princin e Vogël, por do shtoj edhe dy tituj që i kam zbuluar me fëmijët e mi “Harry Potter” dhe “Historia pa mbarim”. Ndërsa prindërve do t’u sugjeroja fort që t’u lexonin fëmijëve tregimet e Mitrush Kutelit.

Po të rinjve lexuesit pas të 20-tave çfarë do i rekomandoje?

Të #TakohenPërNjëLibër, cilin libër të duan, veç t’i kthehen Leximit.

E di qe mund të duket e çuditshme, po prapë do këshilloja Princin e Vogël; patjeter “Kronikë në gur”; do sugjeroja librin e fundit të Tom Kukes “Gurët e vetmisë”; librat e Gazmend Kapllanit ku na bën mirë të shohim vetveten; letërsinë e Javier Marias ku latiniteti është në një harmoni befasuese me modernitetin; për pushime të mirë janë edhe librat e Isabelle Alliendes shijojnë dhe edukojnë, por duhet lexuar edhe “Edukimi i ndjenjave” i Gustave Flaubert si një gur themeli, duhet ky!

40-50 vjeçarëve të sotëm çfarë do u rekomandoje?

Murakami është një autor që nuk duhen pritur të 50-at për ta lexuar, besoj unë. Philip Roth nuk duhet lënë pa lexuar gjithashtu. Khaled Hosseini është një autor që u flet shumë edhe 30 vjeçarëve edhe atyre që arritën 50-at.

Dhe “Stambolli” i Orhan Pamukut mbetet një zgjedhje e dashur e imja, por pa zëvendësuar “Shakanë” e Milan Kunderës

Këto janë që më pëlqejnë mua, po kjo s’do të thotë asgjë për këdo tjetër, se shijet janë shumë personale, sidomos kur ke kaluar të 40-at.

Ka lexime tek të cilat ktheheni shpesh? Cilët janë ato?

Nuk i rikthehem dy herë letërsisë artistike, asaj historike apo studimore po. “Kujtimet” e Ekrem Vlorës qe nuk të mundojnë në lexim si dhe librat monografikë të Ilir Ikonomit, si një tundim që kërkon rrënjët i mbaj afër. Librat me ese të Umberto Eco-s i mbaj afër gjithaq ndonëse nuk kam kohë t’i hap aq shpesh sa do të doja.

Dhe në fund: torturë janë këto pyetje ku duhet t’i lidhësh duart vetes me pak tituj a autorë, duket sikur bën një mëkat të madh duke mos përmendur shumë të tjerë tituj të dashur.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤