“Letër Dylqinës”, historia e një libri jo të zakonshëm

Nga Bajram Karabolli
Lexuesi i mirë kurrë nuk i harron autorët e mëdhenjtë të kryeveprave të letërsisë botërore. Kryepersonazhet e këtyre kryeveprave i janë bërë aq të afërm e të dashur sa, falë forcës rrëfyese të krijuesve të tyre, ka ndarë me ta gëzime e hidhërime, ka përjetuar bashkë me ta gjithë ndeshtrashat e tyre.

Po kurrë nuk i ka shkuar ndërmend t’u shkruajë letër atyre apo autorëve të tyre dhe aq më pak të marrë letra prej tyre. Këtë e ka bërë Agim Baçi, me librin e veçantë “Letër Dylqinjës”. Është vërtet një gjetje e rrallë. Nëse këta autorë do të ishin gjallë, me siguri do të mrekulloheshin dhe do ta përgëzonin Agim Baçin për këtë gjë kaq të bukur. Po ç’them dhe unë. Me siguri ata janë mrekulluar dhe e kanë përgëzuar autorin e këtij libri.

Libri ka dy vjet që ka dalë në dritë, por, si gjithë librat e mirë, kurrë nuk reshtet së lexuari e së shijuari.

AGIM BAÇI

LETËR DYLQINJËS
(Fragment ose një letërkëmbim)

LETËR TOLSTOIT PËR ANA KARENINËN

Fort i nderuar shkëlqesi i letrave!

Lutem, pranoni prej meje këtë kërkesë, të ruajtur prej kohësh brenda gjithë qenies sime, e që tashmë, e shtrirë mbi letrën e bardhë, kërkon nga ju një përgjigje. Duke besuar se letra ime do të përputhet me dyshimin që kam patur gjithnjë, se ju ka mbetur peng hedhja e Ana Kareninës në shinat e trenit, lutem, ju përgjërohem, të di prej jush, nëse keni menduar një zgjidhje tjetër për heroinën tuaj.
Në mos qofsha gabuar në ndjesitë e mia, pasi lexova për herë të parë rrëfimin tuaj drejtuar publikut, ku pohonit se nuk e shpëtonit dot Anën nga shinat e trenit, unë kam besuar se ju po konfirmonit pikërisht këtë dyzim të madh mbi fatin e Anës sonë. (Më lejo të thëm “Anës sonë” pasi tashmë ajo është më shumë e jona që kemi lundruar mbi fatin e saj).

Megjithatë, lejomëni, t’jua prek sërish këtë çështje, e t’ju pyes: Përse Anës i rezervuat atë fund? Duket sikur nuk e meritonte as ajo e as dashuria e saj. Nuk mundet ta ndëshkojmë dikë prej dashurisë. Sepse ata që dashurojnë mbajnë gjallë botën. Janë motorr i pashtershëm. A mos vallë përmes hedhjes së Anës në shinat e trenit ju trembët ata që dashurojnë? Jo, unë nuk dua ta besoj këtë kurrsesi.
Ndaj, lutem shkëlqesi i rrëfenjave, të më jepni një shenjë se keni marë letrën time, e në dhëntë Zoti, edhe të kem prej jush një përgjigje!

Me përunjësi
Agim….

I dashur Agim!

Ana nuk do të ndalej në rrugëtimin e saj dashuror veçse me vdekje. Vetëm vdekja ishte e vetmja dashuri pa asnjë dyzim. Sepse Ana ishte brenda imagjinatës. Dhe imagjinatën e një gruaje mund ta mundin vetëm dy gjëra: Burri dhe Vdekja. I pari mund të bëhet ndalesë në emër të jetës. E dyta është fundi i së paarritshmes në këtë botë që njohim.

Miku im. Shumë burra gabojnë, pasi mendojnë se duhet të jenë zotër të trupit të gruas. Këtu gabojnë miku im. Një burrë i zgjuar duhet të gjeje rrugët të jetë padron i imagjinatës së saj – i vetmi kufi i vërtetë për të zotëruar një grua.

Gratë nuk ndalen së imagjinuari. Duan gjithnjë të kenë diçka që i tërheq. E kërkojnë tek burri në krah. Bëjnë gjithçka, deri në momentin që nuk besojnë se e kanë pushtuar malin përballë tyre. Por nëse ata mendojnë se s’kanë ç’zbulojnë më tek një burrë, nisin shpërfilljen e përditshme ndaj dashurisë së tyre. Dhe zbritja nis si një ortek, që merr me vete gjithçka. Ndaj një burrë duhet të dijë të kthehet për gruan e tij në një mal, ku majën e di veç ai, duke bërë gruan të mendojë se është gjithnjë në ngjitje.
Ju, i dashur Agim, më thoni se ata që dashurojnë janë motori i botës.

Po, e vërtetë, por ndonjëherë janë motori mbi zhguallin e breshkës, që është vërtetë shumë i fortë, por që nuk vrapon dot. E duke i kërkuar për të nxituar më shumë se sa ka hapin e vet, mund të rrëzohet nga çasti në çast.

Unë kurrë nuk mund të isha kundër dashurisë. Por unë jam për të kërkuar brenda vetes të kuptojmë se kë dhe kur dashurojmë. Por duhet t’u përgjigjemi edhe disa pyetjeve të tjera të rëndësishme: A duhet që në emër të ndërtimit të botës sonë të shembim botën e dikujt? A duhet që të besojmë se, ajo që ne arrijmë është më e rëndësishmja? Pikërisht për këto pyetje, më shumë se ndjenja hyn në punë ajo që unë do ta quqja “logjika e domosdoshme e njeriut”.

Është pikërisht ajo aftësi, që mban gjallë botën, duke e frenuar njeriun edhe në kufijtë e ndjenjës më sublime, sepse jeta ka ligjet e veta, ku dashuria është vërtet motorri më i rëndësishëm, por është edhe një motorr që duhet të dimë jo vetëm se kur na është ndezur por edhe si ta zotërojmë atë që të na çojë atje ku duhet.

Gjithmonë mendoj se, një shkak që e lashë Anën të hidhej në shina ishte për faktin se ajo duhet të prekte dashurinë e fundit dhe të mbetej në atë rrugë, ndërkohë që burrat rreth saj duhet të kuptonin se vdekja ka fuqinë e vet, duke të të rrëmbyer ndonjëherë përpara se të mbyllen sytë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤