Ku mbeti dashuria për kartolinat që kishim dikur?

Dikur në një kohë, kur vinin festat e fundvitit urimet për njerëzit e dashur trokisnin derë në derë.

4-1

Picture 1 of 4

Dhe nga të gjitha festat e pritura të cilat përcilleshin me buzëqeshje e dhurata të bukura, urimi më i mirë ishte ai që të vinte i shkruar në një moment të papritur, nga dora e postierit. Atëbotë dyqanet, kioskat e libraritë, mbusheshin me kartolina shumëngjyrëshe të punuara në format më të mira.

Disa prej tyre të punuara me dorë, e disa të tjera të qëndisura me urime për festat, por që të gjitha të stampuara me dedikim të thellë e të menduar.

Ishte ky një ritual i përvitshëm që akoma nuk njihte botën e teknologjisë moderne, postën elektronike, që më vonë do të bëhej shkaktar, që urimet e shkruar ti kujtojmë me nostalgji.

Sot, ka akoma të tillë ndonëse të paktë që ngarendin librarive e postave për ta gëzuar njerëzit e zemrës, pasi të tillët nuk përfillin dimensionet elektronike, ku urimet qëndrojnë si në ajër dhe nuk janë të prekshme.

Dikur, jo shumë kohë më parë, posta që të vinte në derë në prag të festës ishte tregues i përkushtimit të dërguesit e zemërmbushës për marrësin, për të cilin një kartolinë e tillë gjithmonë do të ishte e papritur madje edhe në një kohë të pritshme.

Dhe vet fakti që një urim kishte kaluar dorë me dorë, për të mbërritur deri tek ti, duke kaluar male, dete, dhe kufij të ftohtë, ia shtonte edhe më shumë hijeshinë e rëndësinë vargjeve të shkruara në letër.

Se ne, nuk jemi bërë akoma përfundimisht elektronik, na ngushëllon vetëm fakti, që po arrijmë ta ndjejmë mungesën e përkushtimit dhe dashurisë së shprehur në letër në prag festash, ndonëse me kohë po e lemë pas, pa e vërejtur fare se në fund përfundojmë vetëm me një dolli dhe me një “ Gëzuar!!!”

Dikur letrat dhe kartolinat na kanë bashkuar, sepse përmes tyre kemi marrë porosi të ndryshme: dashuri, brengë, mall, e nostalgji të sinqertë, për më të dashurit e zemrës, dëshira për suksese, shëndet apo qoftë edhe vetëm një informatë se ku gjendeshin atëkohë të dashurit tanë.

Vallë a do të thotë kjo, se me kalimin e kohës në aspekte tjera të komunikimit kemi harruar edhe të shkruajmë, kemi harruar të themi maksimumin e ndjenjave dhe dëshirave në minimumin e fjalëve, kemi harruar të shkruajmë fjalë me peshë, fjalë që shkruhen e thuhen vetëm një herë në jetë, dhe mbesin tërë jetën si dëshmi e asaj se dikur kemi qenë të gjallë, se dikur kemi frymuar bashkë dhe kemi pasur ëndrra për të nesërmen, për të ardhmen, që sigurisht se do ta vulosnin periudhën, apo kohën kur kemi jetuar dhe kemi dashur dikur?!!

Dikur para dy dekadave në shekullin e kaluar, janë përkujtuar datat e rëndësishme , dhe pjesa më e bukur për Vitin e Ri ka qenë shopingu (blerja) pas kartolinave në stendat e vendosura të qytetit, ku varësisht nga afërsia është përzgjedhur edhe kartolina. I çuditshëm ishte fakti, kur vetëm nga një shkrim varej se çfarë do të bëhej më tej me ty dhe gjëja më e rëndësishme ishte që të marrësh sa më shumë kartolina, të cilat janë ruajtur me dashuri me vite të tëra, nëpër sirtarë ani pse shumë herë mbuloheshin nga pluhuri i kohës.

Ndërsa sot është krejt ndryshe, pasi në mënyrë të ftohtë të gjitha mesazhet shkojnë përmes celularëve, dhe postës elektronike, duke shtegtuar kështu cep mbi cep, deri në fund të botës. E shihni e gjitha ka ndryshuar aq shpejtë dhe tmerrshëm , saqë mjerisht nuk është më ajo ngrohtësia që të krijonte një kartolinë dikur.

Dhe krejt papritur duke shëtitur rrugës të kryeqytetit takova disa të rinj, të cilëve nuk i kujtohej fare, se kur kishin shkruar letër për herë të fundit.

“Për herë të fundit kujt i keni shkruar letër e pyeta një vajzë rreth të 20-tave e cila nga pamja e saj e buzëqeshur, dukej kureshtare të fliste për dashurinë ndaj kartolinave dhe letrave të shkruara me dorë.

Ajo më shikoi çuditshëm duke më thënë se kjo ishte një pyetje e vështirë për vendin ku jetojmë, pasi që shumicës së njerëzve nuk iu kujtohet tashmë se kur kanë shkruar një urim të fundit.

“ Po kush shkruan letra e kartolina tani në këtë kohë? Asnjëri pasi bota e teknologjisë moderne, fatkeqësisht ka pushtuar botën shpirtërore dhe dashurinë e vargjeve në letër, që dikur ishin të pavdekshme. T’ju them të drejtën unë i dua kartolinat, i dua urimet në letra dhe jetojë me to, pasi të gjitha pamjet me borë, peizazhet me dimër dhe me kaproj të ngrirë, ma kujtojnë fëmijërinë time. Por të tjerët ma zënë për të madhe, sepse për ta elektronikja është shumë më e shpejtë, sesa postieri me çantë mbi supe”, më tha vajza buzagaz, duke ikur kështu bashkë me gjurmët e kohës, kartolinave dhe dëshirave. /D.B

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤