Krist Lleshi; Me këmbë në tokë për t’u përballur me realitetin

View Gallery
3 Photos
Krist Lleshi; Me këmbë në tokë për t’u përballur me realitetin
IMG_2384

Krist Lleshi; Me këmbë në tokë për t’u përballur me realitetin
IMG_2363

Krist Lleshi; Me këmbë në tokë për t’u përballur me realitetin
IMG_2360

Është e vërtetë, jam nga ata njerëz që përpiqen të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe t’i bëj ballë realitetit me të cilin përplasem çdo ditë. Në një treg të tillë, ku ka shumë artistë, por pak punë artistike, nuk është e lehtë të ecësh përpara

 

Sezonin e ri, teatri “Migjeni” në Shkodër e çel me “Tartufin” e Molierit. Regjisori Kushtrim Bekteshi ka vendosur t’i transportojë ngjarjet dhe personazhet prej shekullit të 17 –të në kohët tona…“Karakteri që unë luaj është ai i Elmirës, zonjës së shtëpisë. Situatat e ndryshme në të cilat Elmira përballet në vepër e prezantojnë atë me publikun si një grua të fortë, dinake, guximtare, kokëfortë. Për të mbrojtur familjen dhe dinjitetin e saj ajo është e gatshme t’i bëjë ballë çdo lloj vështirësie. Elmira i ka të gjitha cilësitë karakteriale për t’u konsideruar një “grua e hekurt”” – kështu e sheh rolin e saj të ri Krist Lleshi, e cila debutimin në teatër e pati disa muaj më parë me rolin e Jill Mason në dramën “Equus” .

“Përsa i përket Jill-it, ndaj të njëjtin afeksion dhe dashuri që kisha për këtë personazh që ditën e parë që u njohëm. Por e kam lënë pas tashmë për të nisur një proces të ri pune” – shton, duke zbuluar se vera ka qenë e angazhuar , ku me të mbyllur shfaqjen e fundit në Teatrin Kombëtar , fill në korrik u bë pjesë e projektit të ri të teatrit “Migjeni”.

Por për ata që e kanë menduar se fama mediatike që ajo dhe kolegët e saj morën në të parën shfaqje që interpretuan si profesionistë, do ua hapte rrugët lehtë e shumë regjisorë do i kërkonin t’i kishin në kastën e aktorëve për shfaqje të reja, Kristi buzëqesh e të thotë se nuk ka qenë aspak ashtu. Megjithëse artistët shpesh notojnë në ujëra idealiste dhe fama – sidomos kur vjen edhe menjëhershëm – është eliksir, për Kristin duket se sensi praktik vjen i pari.

“Është e vërtetë, jam nga ata njerëz që përpiqen të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe t’i bëj ballë realitetit me të cilin përplasem çdo ditë. Në një treg të tillë, ku ka shumë artistë, por pak punë artistike, nuk është e lehtë të ecësh përpara. Ajo që jep, është në disbalancë me feedback-un që merr. Unë i referohem gjithmonë aktorëve të skenave ndërkombëtare për të përfituar sa më shumë njohuri mbi profesionin tim dhe me sa kam kuptuar, sensi praktik, nuk është më një opsion, por një zgjedhje e detyrueshme”. Sa për famën dhe suksesin, Kristi i sheh si rezultat i punës. Ose të paktën kështu duhet të ishte. “50% e popullsisë shqiptare, konsiderohen të famshëm, pasi fama sot vjen si rezultat i një budallallëku apo skandali dhe jo si shpërblim i një pune kolosale”.Për ata që u morën gjatë edhe më zhveshjen e saj topless, së bashku me aktorin Igli Zarka, Kristi sqaron se nuk ishte aktorja që zhvesh por personazh, që Peter Shaffer krijoi në letër dhe ajo i dha jetë në skenë. “Dashuri mund të bëhet dhe me rroba veshur, por jo në tekstin e Shaffer-it”. Të dalët nudo në skenë ishte një pyetje që regjisori Dino Mustafiç e parashtroi që në audicion. “Një artist është reflektimi i shoqërisë ku ai bën pjesë dhe në një shoqëri ku komplekset dhe tabutë janë të shumta, misioni yt si artist është t’i çlirosh këta individë dhe t’i rrisësh besimin dhe sigurinë për ta pranuar veten siç janë, për ta parë të vërtetën në sy. Kur ky proces reflektimi, funksionon në publik, misioni yt përfundon me sukses”.

Eksperiencën me regjisorin boshnjak, Mustafiç, e ka parë si rritje profesionale. “Ishte një punë e bërë me mund dhe dashuri nga i gjithë kasti i aktorëve, por në fund ato që të mbeten në mendje janë ditët e punës dhe jo ato të shfaqjeve. Po, ishte roli im i parë në Teatër Kombëtar dhe jam e lumtur që u ngjita në atë skenë me një rol si ai i Jill, në një kryevepër si teksti i Peter Shaffer, “Equus””, thotë Kristi, ndërsa ngjitjen në skenë për herë të parë, në krah të pedagogëve të saj , e quan fat. “Unë pata fat që interpretimin tim të parë në Teatër Kombëtar ta kisha krah pedagogëve të mi. Edhe ky ishte një proces mësimor i një forme tjetër, ku të dy palët, ndjeheshin të barabartë përballë njëri-tjetrit” – thotë ajo, e lumtur që të parin rol në teatër e fitoi nëpërmjet një audicioni ku pati mundësi të shpaloste talentin e saj dhe të hynte në lëkurën e personazhit.

“Sa mirë do të ishte sikur çdo fitore apo humbje të vinte si rezultat i një audicioni, ku koncepti “mik” të mos ekzistonte dhe çdo përzgjedhje të vlerësohej në bazë të aftësive dhe talentit që ke”.

Për Kristin dhe kolegët e saj kjo shfaqje ishte edhe përtej arritjes personale. “Ne i dhamë shpresë të rinjve si puna jonë, që mund ta prekin atë apo çfarëdolloj skene, pa pasur frikën e përballjes” .

Ndaj, pavarësisht skenës apo shfaqjes, përkushtimi që ajo bën rreth rolit dhe veprës është gjithnjë i njëjri. “Ti nuk e di asnjëherë nëse shfaqja do jetë dështim apo sukses dhe nuk merresh as me pritshmëritë e publikut, por punon fort t’i përafrohesh atyre. Puna dhe përkushtimi duhet të jetë i njëjtë për çdo personazh dhe veprën ku ti luan. Aktori duhet të ndjekë çdo audicion, ky është kusht! Pasi të fitosh, është në dorën tënde të vendosësh të jesh pjesë e projektit ose jo. Kjo varet nga kërkesat që ke ti ndaj vetes si profesionist”.Edhe ajo si dy kolegët, Igli dhe Ermiri me të cilët ka ndarë auditorët, sapo ka përfunduar ciklin e pesë viteve studim në Universitetin e Arteve. “Kanë qenë vite përkushtimi, investimi maksimal dhe dijesh të përfituara nga profesori im, të cilit i jam mirënjohëse pafund. Nuk mund të kisha kurs më të mirë, qoftë në aspektin profesional, ashtu edhe në atë shoqëror. Kemi qenë si një ekip që nuk njihte humbje, me në krye, trajnerin tonë artistik, profesorin Timo Flloko” – kështu i kujton ajo vitet e formimit, ndërsa nuk është penduar për zgjedhjen që ka bërë, qysh kur ishte në vit të tretë gjimnaz. “Në vitin e tretë të gjimnazit isha vënë mes dy zgjedhjeve që nuk kishin lidhje me njëra -tjetrën. Shkolla ku unë do studioja, Juridiku, ishte sugjerim i familjes sime, ndërsa ajo që unë doja të bëja ishte aktrimi. Në fund vendosa të dëgjoja dëshirat dhe instinktin tim. Bëra një kurs aktrimi, ku të them të vërtetën dyshimet dhe frikërat më ndiqnin çdo ditë. U paraqita në konkurs dhe besimi në vete ishte më i madh sesa zhgënjimi që mund të pësoja. Fitova!”Një tjetër fitore ishte edhe ajo e debutimit me sukses në rolin e parë, edhe pse kontratat me Teatrin Kombëtar ishin të përkohshme , aq sa kalendari i shfaqjeve të “Equus”. “Të mos qenit pjesë e një institucioni, të jep liri për të vendosur ti vetë, pjesë e kujt projekti do të jesh, pa pasur detyrime si mbrojtjen e rrogës apo element të tjerë burokratikë, por jo lirinë për të dhënë maksimumin tënd. Po hipe në skenë, në rast se ke sado pak ego profesionale, maksimumi yt,100% yt, duhet të jetë i padiskutueshëm”.

Për të arritur maksimumin e studion karakterin në detaje, për ta bërë pjesë të vetes.

“Kontakti i parë me tekstin është shumë i rëndësishëm dhe leximit të tij unë nuk i ndahem asnjëherë, pasi çdo ditë është plotësim i një puzzle. Arti i aktrimit është art i transformimit, nga vetja në karakter. i referohem gjithmonë këtij koncepti dhe për të kuptuar karakterin që duhet të interpretoj, e vendos veten në rrethanat e tij, deri në limitet e profesionit. Diskutimet janë të vlefshme dhe frytdhënëse kur ke përballë një individ që ndan të njëjtat aspirata profesionale me ty” – përfundon ajo, ndërsa është me sytë nga roli i Elmirës, tek “Tartufi” që i vjen publikut shkodran këtë shtator i përshtatur në ditët e sotme. Sa për projekte të ardhshme, nga kinemaja apo teatri, thotë se është gati t’i përgjigjet çdo lloj thirrjeje ftuese, qoftë në skenë apo sheshxhirim.

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤