Kodikët e Beratit, në Librarinë Digjitale Botërore

Kopje digjitale të Kodikëve të Beratit u publikuan në Librarinë Digjitale Botërore të Librarisë së Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kodiku u digjitalizua tërësisht në muajt nëntor-dhjetor 2016 nga Arkivi Qendror Shtetëror në kuadër të bashkëpunimit mes AQSH dhe Librarisë së Kongresit. Kodiku i Purpurt i Beratit (Codex Beratinus 1) është një dorëshkrim mjaft i rëndësishëm, i shkruar në shekullin VI p.e.s.

Kopje digjitale të Kodikëve të Beratit u publikuan në Librarinë Digjitale Botërore të Librarisë së Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kodiku u digjitalizua tërësisht në muajt nëntor-dhjetor 2016 nga Arkivi Qendror Shtetëror në kuadër të bashkëpunimit mes AQSH dhe Librarisë së Kongresit. Ardit Bido, drejtori i Arkivit në intervistën për Zërin e Amerikës, ka folur për këtë projekt në kuadër të vitit të Skënderbeut si dhe për projektet e tjera që janë planifikuar: “Në vitin mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut ne e nisëm fatmirësisht në Uashington me një promovim ndërkombëtar të pasurisë sonë dokumentare, duke promovuar në Librarinë e Kongresit publikimin e Kodikëve të Beratit. Është thjesht aktiviteti i parë në kuadrin e këtij viti, i cili do të pasohet me shumë aktivitete të tjera, së pari me Javën e Arkivave të Hapura ku do të shihen proceset e punës në Arkivin Qendror Shtetëror”.

Kodiku i Purpurt i Beratit (Codex Beratinus 1) është një dorëshkrim mjaft i rëndësishëm, i shkruar në shekullin VI p.e.s. Ai është dokumenti më i hershëm i gjendur në Shqipëri, është listuar në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO dhe ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit. Gjithsej ka 190 fletë, të shkruara me shkronja të derdhura në argjend. Bukurshkrimi është i veçantë ndërsa germat janë të mëdha (majuscule). Ai përmban dy ungjij: sipas Mateut dhe sipas Markut. Lënda e dorëshkrimit është pergamenë në ngjyrë të kuqe të thellë (purpurt) prej nga ka marrë edhe emrin. Pjesë të tjera të rëndësishme të kodikut janë të derdhura në ar. Kapaku i dorëshkrimit është më i vonshëm se vepra, ai është metalik dhe me zbukurime skenash biblike.

“Kodikët e Beratit janë pasuria më e madhe e trashëgimisë sonë kulturore, një dokument që vjen që nga shekulli VI dhe i ka mbijetuar shekujve, duke u ruajtur me kujdesin më të madh fillimisht në Berat dhe më vonë Arkivin Qendror Shtetëror dhe përbën një tregues të pasurisë Kombëtare Kulturore Shqiptare. Në këtë kuptim digjitalizimi i tyre dhe publikimi në Librarinë Digjitale Botërore të Librarisë së Kongresit është një ndër promovimet më të mira që mund t’i bëjmë trashëgimisë sonë kulturore”, ka thënë Bido.

Ndërkohë janë rreth 500 milionë dokumente në Arkiv që pritet të hyjnë në sistemin e digjitalizimit, dhe pritet që në një vit mund të arrihet digjitalizimi i rreth 2.5 milionë dokumenteve. Drejtori i AQSH ka bërë me dije se në total janë 600 mijë dokumente të skanuara në një proces 10-vjeçar. Ndërsa, sa i përket pyetjes mbi vendruatjen dhe buxhetin që ka Arkivi, Bido ndër të tjera tha: “Është momenti për të dhënë lajmin e mirë sepse tashmë kaloi buxheti në Kuvendin e Shqipërisë.

Për herë të parë shteti shqiptar po i kthen sytë nga arkivat, në thelbin e vet: në vendruajtje. Vendruajtjet arkivore aktualisht janë në një gjendje të mjerueshme. Buxheti i ofruar bën të mundur ndërtimin e një godine tërësisht të re. Është një projekt i cili shkon diku te 2 milionë dollarë në tërësinë e vet, për të strehuar dokumentet të cilat deri sot janë ruajtur në dy ish-kazerma ushtarake në gjendje tërësisht të mjerueshme, me të cilën ne do të dalim nëpërmjet këtij projekti madhor”.

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤