Kryesore

Karriera: Si të shfrytëzoni çdo minutë të ditës suaj






               Publikuar në : 09:14 - 14/01/19 |
mapo.al

Njerëzit që planifikojnë gjithçka, nuk i lënë të tjerët t’u thonë se çfarë duhet të bëjnë. Bëjnë planet e tyre dhe i thonë botës që të përshtaten me programin. Më poshtë janë disa strategji për ta shfrytëzuar sa më mirë kohën tuaj sipas Forbes


Nëse planifikimi i çdo minute të ditës suaj ju duket i bezdisshëm, mendoni këtë gjë: nuk mund të flisni për planifikim nëse ia lini gjithçka në dorë rastësisë.

Ndërkohë që disa njerëz parapëlqejnë të lënë hapësira bosh në agjendën e tyre, unë i planifikoj ditët e mia në mënyrën më të saktë të mundshme për të marrë maksimumin në çdo orë. Dhe, nuk jam i vetmi. Ka një arsye se pse klasifikimi ‘Best of 2018’ i Apple përfshin një sërë aplikacionesh të krijuara për t’u ardhur në ndihmë njerëzve “për të mësuar, për të krijuar e për të realizuar”.

Mund të duket kontradiktore që kjo tendencë, siç e tregon popullariteti i aplikacioneve Calm dhe Headspace, shfaqet edhe në klasifikimin e Apple. Ditët e mia të programuara në detaj mund të jenë sfiduese, por jo sepse jam i mbingarkuar. Përkundrazi, planifikimi më bën të ndihem më i lirë, pasi më ndihmon të kem më shumë kohë për të bërë gjëra.

John Hall në një artikull për revistën Forbes  jep këshillat e tij për gjithë ata që duan të jenë sa më efikasë.

Planifikoni agjendën

Planifikimi i ditëve të mia do të thotë që unë, dhe jo rrethanat, më imponojnë se si ta përdor kohën. Agjenda është mjaft fleksibël, aq sa të heq prizën, por mjaft strikte, duke më siguruar se nuk do të gjendem kurrë para dilemës “më pas” – apo të pyes veten se kur do të bëj gjërat që kanë më shumë rëndësi.

Ajit Nawalkha, autor i librit “Live Big: The Entrepreneur’s Guide to Passion, Practicality, and Purpose”, i këshillon njerëzit që të mos ta përdorin kohën në mënyrë të pavullnetshme. Për shkak të faktorëve të jashtëm është e lehtë të shpërqendrohemi nga objektivat që i kemi vënë vetes. Nawalkha këshillon që të planifikojmë gjithçka në mënyrë të qëllimshme, për të kryer sa më shumë punë brenda një dite. “Jeta ime ka të bëjë me atë që dua të arrij: rezultatin final. Nuk është një numër i rastësishëm në fushën e orës”.

Njerëzit që planifikojnë gjithçka, nuk i lënë të tjerët t’u thonë se çfarë duhet të bëjnë. Bëjnë planet e tyre dhe i thonë botës që të përshtaten me programin. Më poshtë janë disa strategji për ta shfrytëzuar sa më mirë kohën tuaj.

1-Rishqyrtoni listën e punëve për të bërë

Urgjente dhe e rëndësishme nuk janë e njëjta gjë. Vetëm se diçka kërkohet që të kryhet më parë, nuk do të thotë që është më e rëndësishme se detyra të tjera që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me suksesin tim. Kur ishim duke testuar agjendën në fazën Alpha, u gjenda para faktit të rishqyrtoja çdo punë që kisha programuar. Doja të analizoja se si e shfrytëzoja kohën time e të vlerësoja nëse ajo kohë do të ishte më e dobishme nëse ia kushtoja një tjetër kërkimi.

Leximi dhe përgjigjja e email-ve kërkonin shumë kohë, por nuk kishin shumë rëndësi në tërësi. Pasi kuptova se si të përdorja kohën, përzgjodha detyrat që meritonin më shumë vëmendje duke i ndarë nga ato që duhet t’i delegoja, t’i eliminoja ose t’i kryeja në një orë të ditës kur nuk kisha punë më të rëndësishme.

2-Përcaktoni prioritetet

Edhe pse kam një agjendë rigoroze, nuk përqendrohem vetëm te puna. Të jetosh një jetë të lumtur është më e rëndësishme se çfarëdo projekti, kështu që i kushtoj shumë kohë familjes, miqve, hobeve, çlodhjes. Në të njëjtën kohë, puna nuk duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Një studim i fundit shpjegon se njerëzit më të lumtur janë ata që gjejnë kënaqësi në punë e tyre. Për këtë sigurohem që punët në agjendë të jenë në linjë me objektivat e mi.

3.Riprogramoni agjendën tuaj

Çdo ditë përpiqem të krijoj një agjendë që ka në fokus përparësitë e mia. “To do list” përshin të gjithë detyrat dhe mbledhjet, por edhe ushtrime, reflektime dhe kohë me familjen. Në fillim përballem me gjërat më të vështira, në mënyrë që ta kaloj pjesën tjetër të ditës pa ngarkesën e stresit mbi shpatulla. Askush prej nesh nuk mund ta çlirojë veten nga kufizimet e kohës, por sigurisht mund ta shfrytëzojmë në maksimum kohën që kemi në dispozicion. Duke administruar kohën si për jetën profesionale si për jetën personale – dhe duke ruajtur një ekuilibër që siguron shumë hapësirë për të dyja – jo vetëm që ndihem më i realizuar, por jam i sigurt se do të bëhem një version më i mirë i vetes.


Etiketa: , , ,

Pas