Kamela Islamaj: Kur mërzitem, ulem në piano

E kemi dëgjuar emrin e saj nga spektakli “Ethet e së premtes mbrëma”, na ka shoqëruar gjatë mbrëmjeve në ‘Top Show’ ku performonte si pjesë e bandit të këtij programi dhe sot e shohim si një nga këngëtaret më të mira të ‘live-it’ në Shqipëri. Kamela Islamaj dallon për talentin dhe potencën e zërit, grintën dhe stilin me të cilin mund ta identifikojmë lehtë. Por si u bë vajza e vogël nga qyteti i serenatave, një personazh i dashur për publikun? Pyetjeve tona lidhur me rrugëtimin në muzikë dhe planeve të ardhshme, ajo u është përgjigjur kështu:

Edukimi juaj muzikor ka filluar që në moshë të hershme me mësimet e pianos. A ishte muzika atëherë një pasion i Kamelës apo me kohën u kthye në një të tillë?

Muzika ka qenë gjithmonë zgjedhja ime e parë. Unë vendosa vetë që të ndiqja studimet për piano (në moshën 6-vjeçare), sepse prindërit e kishin me mëdyshje, për shkak të vështirësisë. Por unë shkova, bëra konkursin, fitova, madje shkova personalisht te drejtori dhe i kërkova specifikisht: ‘Unë dua pianon’.

Çfarë kujtimesh ruani nga aktivitetet artistike ku keni marrë pjesë që e vogël në qytetin e Korçës?

Kam kujtime shumë të bukura. Në moshën 9-vjeçare unë dhe disa miq të mitë formuam grupin “Engjëjt e vegjël”. Fituam festivalin e fëmijëve. S’kishte gëzim më të madh. Mbaj mend orët e gjata dhe të palodhshme të provave. Mbaj mend dëshirën e madhe që kisha të dëgjohesha, të lija shenjë, mbi të gjitha të këndoja me zë të lartë.

Keni qenë pjesëmarrëse në ‘Festivalin e 50-të të Këngës’ në RTSH, ‘Festivalin e Jazz-it’ në Shkodër, evente muzikore ku keni shkëlqyer. Pse nuk e shohim më Kamelën të ngjitet në skena festivalesh?

Në fakt unë vazhdoj të marr pjesë në shumë aktivitete, por që nuk kanë të njëjtin mediatizim si festivalet. Nëpër festivale nuk jam ngjitur sepse nuk kam pasur ndonjë material që më ka çmendur.

Ju dalloheni për një vokal shumë unik, potencial të madh dhe stil. Cila është arsyeja përse ju nuk po realizoni videoklipe edhe pas kaq vitesh eksperiencë në muzikë?

U bë një kohë relativisht e gjatë që unë nuk kam prodhuar asgjë. Jam duke punuar shumë fort për albumin tim të parë. Shpresoj që në fillim të vitit të kem konkluduar diçka. Shumë shpejt filloj xhirimet për 2 video, të shkëputura, por nga albumi për të cilin po punoj. Vendosa t’i bëj gjërat me qetësi, se fundja tregu është plot me këngë dhe performanca të reja.

Çfarë mendimi keni për muzikën shqiptare që dëgjojmë çdo ditë? A ju duket edhe juve komerciale dhe e ekzagjeruar?

Më thënë të drejtën, tregu ka vend për të gjithë. Nuk jam një fanse shumë e madhe e disa këngëve apo këngëtarëve, por në fund të ditës vithet i tund kur dëgjoj një nga këto beat-e kështu që kënga e ka kryer misionin.

Vitet e fundit jeni angazhuar fuqishëm si mentore te ‘The Voice of Albania’ dhe puna juaj kolosale është e dukshme në rezultatet e konkurrentëve. Çfarë pëlqeni më te ky kompeticion dhe pozicioni që ju keni aty?

Unë kam qenë pjesë e “The Voice” që ditën e parë. Është format shumë interesant. Mua më ka pëlqyer gjithmonë mësuesia. Merr shumë nga entuziazmi, dëshira, pasioni i këtyre të rinjve dhe fëmijëve (respektivisht për ‘The Voice kids’). Mua më frymëzon dhe më mban me këmbë në tokë.

Cilat janë planet tuaja të ardhshme për karrierën? A është arena ndërkombëtare pjesë e tyre?

Planet e mia për të ardhmen i preka pak më herët. Për sa i përket tregut ndërkombëtar, do të më pëlqente shumë. Sigurisht që çdo artist do donte ta shihte veten në skenat më të mëdha krah artistëve më me emër, por për momentin do përfundoj këtë projekt që kam filluar dhe pastaj ndoshta do mendoj më ‘globally’.

Krahas muzikës, cilat janë pasionet e fshehura të Kamela Islamajt?

Pasionet e mia, uh janë shumë. Së fundmi (këta 2-3 vjet) jam dashuruar me gatimin, sidomos që kur vura telat në dhëmbë. Gatimi është një dashuri më vete. Nuk di të bëj pjata tradicionale shqiptare, por di të kënaq njerëzit që vijnë shpesh për darka në shtëpinë tonë.

A ka patur ndonjëherë momente dobësie kur keni menduar se ndoshta muzika nuk është rruga që duhet të ndiqnit?

Momente dobësie ka dhe ka patur shpesh, por me atë mërzi ulesh në piano dhe rikujton edhe njëherë për çfarë e ke filluar këtë rrugë, dhe unë e kam filluar sepse më bën të ndihem vetja dhe më jep një ndjesi lehtësie.

Çfarë ju motivon më tepër në fillim të çdo dite?

Unë e nis ditën me shumë ritëm, se përndryshe plogështohem. E filloj ditën në palestër, për të marrë energjitë e para dhe mëngjes për mëngjes jam ‘a ray of sunshine’.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤