Kalemaj: Vendimet e Ramës, sjellje “shvejkiane” me nota të forta populizmi

Analisti Ilir Kalemaj bën një radiografi të vendimeve të tetorit të Ramës

Z.Kalemaj, Edi Rama është njohur prej vitesh si njeri antikomformist, që paralelisht ka jetuar (me koshiencën e tij), një jetë prej anarkisti…Megjithatë ai gëzon popullaritet te njerëzit aq sa atij i kanë besuar një mandat të dytë qeverisës. Pyetja që lind është se çfarë ka ndodhur me Ramën pas 5 vitesh që drejton vendin? Vetëm brenda një muaji, ai i ka shpallur luftë veseve, si mbyllje bastesh dhe lotarish, ka paralajmëruar një nismë të re kundër pijeve alkoolike (për ata nën 18 vjeç), si dhe do t’i përcjellë opinionit publik një iniciative ligjore që lidhet me “vetërregullimin” e fjalës së lirë… A keni një koment për këto lëvizje të befasishme të Ramës?

Edi Rama është pushtetmbajtësi më jetëgjatë i këtij vendi i emëruar fillimisht ministër Kulture në 1998-ën, mandej i zgjedhur kryebashkiak në 2000-shin dhe i rizgjedhur dhe dy herë të tjera përpara se të bënte nja dy vite sabatike si kryetar i opozitës dhe të rikthehej si kryeofiqar i vendit në 2013-ën. Sot 5 vjet më pas, ndjen që graviteti i pushtetit po i shkakton kostot e para serioze, pasi tepsia për vete ka dhe detyrimin e xhevap-dhënies po vetë. Erozioni në elektorat nuk mund kurrsesi të përmbushej me dajret e turit veror të llogari-dhënies me regji nga lart dhe rëndimi i situatës kriminale në vend kërkonte zhvendosjen e projektorëve diku tjetër. Ndaj nevoja për rishpikjen e vetes dhe forcës politike që drejton në vjeshtën e parakohshme të patriarkut.

Lufta ndaj pikave të basteve dhe kazinove si një premtim i pambajtur i 5 viteve më parë kur filloi “Fundi i Marrëzisë” duket më tepër si një akt klientelist apo i ndërmarrë emocionalisht sesa realisht i studiuar, ndonëse i mirëpritur nga segmente të gjera të popullatës. Pavarësisht kësaj, “Prohibicioni” edhe historikisht, edhe krahasueshmërisht, ka dështuar si një politikë publike edhe në vende ku vullneti politik ka qenë ku e ku më sipëror se te ne.

Nisma kundër pijeve alkoolike për adoleshentët deri 18 vjeç duke i shtuar asaj si qershi mbi tortë dhe pijet energjike dhe me gaz, është një legjislacion social mjaft i guximshëm që mbart risqet e veta, ndaj dhe vendet më të zhvilluara sot janë matur dhjetë herë dhe kanë prerë një herë në këtë drejtim, ndërsa te ne zhvillime të tilla ndodhin overnight, me “urdhër të peshkut” dhe natyrisht mandej nuk implementohen.

Këto dy shashka politike, patën si bashkëshoqëruese edhe të tretën, e censurës mbi fjalën e lirë, e mveshur me një term Orëellian si “paketa antishpifje” që nuk është gjë tjetër, veç përpjekje për të intimiduar jo vetëm opozitën, por edhe pak zërat e lirë kundër pushtetit që çdo shoqëri demokratike duhet t’í ruajë si sytë e ballit. Përpjekjet për të mbyllur gojën kundërshtarëve politikë me gjoba të dhëna nga një gjyqësor nën presion nuk i shërbejnë demokracisë dhe të drejtës së fjalës e cila në kushtetutën tonë dhe të vendeve demokratike liberale sot në botë është e barasvlershme me lirinë e jetës dhe shenjtërinë e pronës private.

A mendoni se vendimet e tetorit të Ramës, po merren pas një qeverisje të gjatë (pra që nuk i bënte dot gjatë mandatit të parë), apo rrethanat politike, akuzat me përgjime dhe ngjarje që e cenuan mazhorancën me timon të vetëm, e çuan atë në një ridimensionim të vendimeve sa të debatueshme aq edhe populiste…?

Vendimet politike të tetorit revolucionar të Ramës mbartin sa rrezikun e rritjes së autoritarizmit dhe arrogancës së pushtetit nga njëra anë, aq edhe një sjellje “shvejkiane” me nota të forta populizmi që me dritëshkurtësinë e tyre veç politika zhvillimore nuk mund të prodhojnë.

Në vend që të ketë një fokus në përgatitjen e kuadrit ligjor dhe ngritjes së kapaciteteve teknike për të hapur kapitujt e negociatave me BE-në, duke marrë seriozisht procesin aktual të screen-ingut, apo të përmbushjes funksionale të arkitekturës së sistemit në drejtësi ku SPAK dhe Byroja e Hetimit janë ende larg krijimit, KLGJ dhe KLP ende larg konstituimit dhe Gjykata e Lartë dhe Kushtetuese aktualisht të paralizuara dhe jashtë funksionit, qeveria ka zgjedhur të merret “me mustaqet e Çelos”.

Insistimi i pabesueshëm dhe interesimi për ta kthyer Teatrin Kombëtar në një gërmadhë për të tjetërsuar pronën publike përmes akteve klienteliste është një shenjë tjetër e miopisë politike të një mazhorance arrogante dhe të kapur nga interesa okultë.

Si kryetimonieri i qeverisë, Rama i ka marrë përsipër vetë nismat e bashkë me to edhe risqet. Çfarë impakti mendoni se do të kenë në popull këto vendime për qeverisjen e tij, kur testi i parë janë zgjedhjet vendore të vitit që vjen?

Rama, partia dhe qeveria janë shkrirë pak a shumë në një, duke marrë atributet për sukseset e propaganduara por edhe kostot e konsumimit të pushtetit. Natyrisht i adhuruar nga pasuesit dhe demonizuar nga armiqtë politikë. I konsideruar “enfant terrible” i tranzicionit shqiptar por edhe rrufjan politik që ta shet sapunin për djathë.

I quajtur artisti që mahniti Parisin por edhe ish-mësuesi i vizatimit që përfundoi thonj paprerë brigjeve të Senës përpara se të katapultohej në krye të institucionit të dytë më të fuqishëm politik në vend dhe të mbështetej hapur nga dyshja Nano-Meta të cilët investuan te ky rishtar që nuk zhgënjeu por provoi dhe ia doli t’í tejkalonte sponsorët e tij politikë.

Është gjithsesi vështirë të parashikosh se si do jetë fati i mbramë i zgjedhjeve lokale, nëse koalicioni me shumicë numerike i opozitës do arrijë të thyejë bastione të forta të zgjedhjeve të kaluara si Durrësi apo Elbasani, do arrijë të ruajë bashkitë aktuale apo do të pësojë disfatën e radhës nga një pushtet që ka në dorë edhe grurin (të fortët), edhe arrën (thasët e miellit).

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤