Jurgen Sieckmeyer, Udhëtim rreth botës që nis nga Tirana!

Sieckmeyer/ Selbstporträt

Kur e pyet përse vendosi ta quajë Shqipërinë miqësore, përgjigjet se kjo ka qenë përshtypja e parë fare që vendi dhe njerëzit i kanë lënë, përshtypje që nuk është venitur, porse vetëm përforcuar.

Maijdan, Kiev, Ukraine

Jurgen Sieckmeyer, fotografi gjerman me karrierë dyzetvjeçare, rrëfen botën e parë prej fokusit të aparatit; nga raportimet në sheshet e luftës, vdekjet, varfëria, mjerimi, te bukuritë natyrore, kulturat, traditat e historitë, jeta e qetë e çdo dite e njerëzve të zakonshëm. Ndër vendet e fotografuar prej tij është edhe Shqipëria, së cilës i ka kushtuar një libër, titulluar “Shqipëria miqësore”, sepse e tillë ka qenë dhe mbetet për të, sa herë rikthehet. Jurgen Sieckmeyer zbulon edhe jetën pas lentes së aparatit dhe sesi ia bën ta ketë Tiranën fizikisht me vete, edhe kur largohet prej këtej…

Nga Suadela Balliu

Tirana, Albania, Skenderbeg monument

Ai është nga ata vizitorë që Tiranën e merr me vete, edhe kur avioni sapo e ka ulur në tokën e tij… Jo në fjalitë lajkatare apo ato të lëshuara thjesht për mirësjellje për bukuritë natyrore apo mikpritjen e vendësve, as në formën e një suveniri të Kullës së Sahatit apo ndonjë tjetër objekt simbol të kryeqytetit apo ndonjë fanellë e kuqe me shqiponjë të zezë. Jo, Tirana udhëton me të, kudo ku ai udhëton. Kështu ka pagëzuar qenushen e tij, të cilën e gjeti përpara shtatë viteve në oborrin e hotel “Rogner” , kur ajo ishte vetëm një këlysh i porsalindur. E qysh prej asaj dite janë të pandarë.
Në Tiranë erdhi për herë të parë në vitin 2004, së bashku me një grup studentësh të arteve nga Berlini. Ishte koha kur Jurgen Sieckmeyer sapo qe shkëputur nga njëzet e pesë vite karrierë si reporter lufte dhe pat vendosur që kurrë më në jetën e tij nuk do të përjetësonte në fokusin e aparatit qytete që rrënoheshin nga bombardime, njerëz të plagosur apo të tjerë që jepnin shpirt m’u përpara këmbëve të tij. “Më kishte ardhur në majë të hundës me këtë. Thashë: Mjaft!” – rrëfen Sieckmeyer–i, duke shtuar se ky vendim do të ndryshonte krejt fushëpamjen e tij për botën. Kishte plot gjëra të bukura për të fotografuar dhe ai pikërisht këtë do të bënte. Bashkë me Doris-in, shoqen e tij të pandashme të jetës dhe aventurave, do i kushtoheshin realizimit të albumeve fotografikë në zbulim të bukurive natyrore dhe kulturave të ndryshme të botës.
“I pari që realizuam ishte një libër për Bullgarinë. Nga kjo përvojë kam kuptuar se sa më shumë i kam njohur vendet, aq më shumë më janë rrëzuar stereotipat dhe paragjykimet. Në Sofje për shembull zbulova se sa shumë populli bullgar e do artin dhe kulturën. Vetëm në një rrugë të qytetit ka pesëmbëdhjetë teatro dhe e bukura është që biletat janë gjithnjë të shitura”.
Pas Bullgarisë e kërkuan të realizonte një projekt të ngjashëm në Rumani, e më pas në Kroaci, Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Maqedoni, Kosovë e Shqipëri.
Ideja për të realizuar një album me fotografi, por edhe për ta njohur më thellë kulturën e vendit që e pat vizituar njëherë, e bëri të kthehej. Ishin plot nëntë muaj rrugëtim në të gjithë vendin, nga skaji më i thellë i veriut e deri te vija e fundme e jugut. Janë me qindra fshatrat që Sieckmeyer ka vizituar e me dhjetëra mijëra çastet e shkrepura me aparatet e tij, që në udhëtime si këto preferon t’i ketë gjithnjë dy për t’u siguruar të mos humbasë asgjë , të shumtë janë portretet që ka mbërthyer në kujtesën e tij e po aq edhe ata që ka zhvilluar në dhomën e errët të larjes. Ai është i huaji që e njeh Shqipërinë shumë herë më mirë sesa ne, vendësit. E këtu modestia nuk do të bënte punë. “Në veri, vendi që dua më shumë është Thethi. Po ashtu më pëlqen edhe Saranda e Butrinti në jug” –thotë Sieckmeyer, por kjo nuk është klisheja e çdo turisti, sepse itineraret e tij, kilometrat e përshkruara me orë të tëra me automobil, i ka të dokumentuara në një libër të rëndë, me kapakë të trashë mbi të cilin shkruhet “Shqipëria Miqësore” e brenda të cilit janë përmbledhur në tri gjuhë; shqip, anglisht e gjermanisht historia, gjeografia, tradita, kultura dhe informacione praktike të një vendi në Ballkanin Perëndimor , botuar nga prestigjiozja gjermane “Seltmann+Söhne”, shoqëruar me fotografi nga peizazhe mbresëlënëse, por edhe momente nga jeta e përditshme e njerëzve të këtij vendi, shkrepur me mjeshtëri nga një fotograf që i numëron më shumë se dyzet vjet në këtë profesion.
Nëse në vende të tjera kanë qenë organizata qeveritare apo përfaqësi diplomatike që kanë kërkuar shërbimet e Doris dhe Jurgen Sieckmeyer, në Shqipëri ishte dëshira e tij që e solli për ta realizuar këtë projekt, të cilit iu kthye edhe njëherë vitin e kaluar.

Doris Sieckmeyer, 2015

“Pas shtatë vitesh pashë që Shqipëria kishte ndryshuar, nuk ishte më ajo që kisha parë dhe mendova të realizoja disa fotografi të reja që t’i përfshija në album” -tregon Jurgen-i pa e fshehur sikletin për të përzgjedhur nga mijëra fotografi të shkrepura në disa dhjetëra që do të hynin në albumin e riparë, që përveçse në Gjermani ata që duan të kenë një guidë gjithëpërfshirëse të Shqipërisë, e gjejnë në librarinë “Adrion”, tregon Sieckmeyer–i.
Të shumtë janë njerëzit, të njohur pak të njohur e krejt të panjohur që e falënderojnë çiftin Sieckmeyer për ndihmën e madhe që u kanë dhënë me librin “Shqipëria miqësore”.

Buchtitel 2nd edition

Përveç përcjelljes së bukurive natyrore, historisë e kulturës, Sieckmeyer–i ka përfshirë hotele, restorante, bujtina të vogla, ushqime tradicionale.
“Ka shumë që shkruajnë duke falënderuar në faqen zyrtare të shtëpisë botuese dhe jam i lumtur që kam mundur të ndihmojë njerëz që kanë dashur ta vizitojnë Shqipërinë dhe e kanë vizituar”. Kur e pyet përse vendosi ta quajë Shqipërinë miqësore, përgjigjet se kjo ka qenë përshtypja e parë fare që vendi dhe njerëzit i kanë lënë, përshtypje që nuk është venitur, porse vetëm përforcuar. “Kur isha në Përmet, njëherë pata një problem shëndetësor dhe nuk mund të udhëtoja. Vendësit ishin shumë të sjellshëm, më thanë të qëndroja aty, të flija në hotel pa paguar asgjë dhe disa herë më pyetën sesi mund të më ndihmonin dhe u ofruan të më shoqëronin deri në Tiranë. Njerëzit këtu janë vërtet të sjellshëm, nuk e bëjnë për hir të formalitetit apo etiketës. Këtë lloj gatishmërie miqësore nuk e gjen dot në vende si Austria, Zvicra apo Gjermania. Edhe pse mund të duket e çuditshme në fillim, mësohesh shpesh dhe e vlerëson mikpritjen dhe vullnetin për të të ndihmuar pa marrë asgjë në këmbim” –thotë Jurgen-i, pa harruar të përmendë se nëse të bie rruga në Përmet nuk mund të largohesh pa vizituar ujërat termale, që sipas tij janë mrekulli e natyrës. “Mund të lahesh edhe tani në dimër, sepse ujërat janë të ngrohta”, thotë ai, ndërsa shton se të gjitha fotografitë që ka realizuar dhe i ka përmbledhur në libër nuk e fshehin këndvështrimin miqësor të fotografit.
Pas Shqipërisë, realizoi një libër me fotografi shoqëruar me tekste plot informacion për Kosovën. “Këtë libër, përfaqësi diplomatike të Kosovës, e përdorin si një libër prezantues për vendin e tyre” –thotë Sieckmeyer rreth albumit të cilin e ka titulluar “Kosova Newborn”.
Nëse do të kishte diçka që do e karakterizonte Sieckmeyer-in, një burrë 72–vjeçar me një energji që do të habiste e turpëronte edhe ata që kanë gjysmën e moshës së tij, është lëvizja.
Megjithëse rezidenca e tij e përhershme është shtëpia pranë lumit dhe parkut në Berlin, ku shëtit Tiranën, qenin e tij, rrallë i ndodh të qëndrojë gjatë. “E dua aromën e shtëpisë, ku ndihesh rehat, por pas dy javësh ndiej nevojën të udhëtoj” –rrëfen Jurgen–i , që në jetën e tij ka udhëtuar jo pak, duke i rënë kryq e tërthor botës, nga Amerika e Veriut, në Amazonë e pyjet e dendura të Amerikës Latine, ku ka takuar e është mahnitur me popullsinë indigjene. Afrikën e ka njohur jo vetëm nga bukuritë mahnitëse të savanës e shkretëtirave, por edhe luftës. “Kam qenë në Angola, bashkë me Doris-in gjatë Luftës Civile. Udhëtimi i parashikuar për një javë, u bë tri, pasi një sulm hodhi në erë aeroportin dhe u bë e pamundur të ktheheshim. Fati a rastësia e deshi që ne të mbeteshim nga ana e rebelëve” –rrëfen Jurgen-i.
Momente ku ka menduar se nuk do të kthehej i gjallë në Gjermani ka pasur disa, të cilat i sjell ndërmend duke i rrëfyer qetë tashmë që kanë kaluar kohë. Pas Angolës ishte një episod në Liban dhe sesi mbeti brenda rrënojave të hotelit pasi u hodh në erë. “Ishim disa persona të mbetur aty brenda dhe vendosëm të ndiznim cigare. E di që duket i çuditshëm një gjest i tillë, kur mendon se je duke vdekur dhe ajri mungon, por thamë se ca minuta më pak e ca më shumë nuk bënin ndonjë diferencë të madhe, kështu që vendosëm të tymosnim. Por fati e deshi që ekipet e shpëtimit të gërmonin në rrënoja dhe na nxorën të gjallë” .
Vdekjen t’i kalojë në supe, në kuptimin e fjalëpërfjalshëm e ka ndjerë në Gjeorgji, gjatë konfliktit të armatosur ruso-gjeorgjian. “Unë isha i armatosur me dy aparatet e mia fotografike më të cilat po fiksoja momente nga lufta. Më kishin caktuar nga qeveria gjeorgjiane një ushtar për sigurinë time. Unë kam një nuhatje të jashtëzakonshme kur vjen puna te rreziqet dhe në moment ushtarit që më rrinte ngjitur i kërkova të largohej pak metra, sepse më pengonte të punoja. Pas pak sekondash atë e goditën me një plumb dhe humbi jetën”, kujton Jurgen-i.
Edhe pse ka hequr dorë nga raportimi në sheshe lufte ku ka qenë shpesh i pranishëm qëkur punonte si korrespodent për të përditshme gjermane, si: “Der Spiegel” etj., u gjet në një atmosferë lufte pak kohë më parë në Ukrainë. E kishin kërkuar për të realizuar një libër me fotografi në këtë vend, por që siç rrëfen Jurgen-i mbeti një projekt i papërfunduar për shkak se ishte e pamundur të realizohej në gjendjen që është Ukraina, një shtet të cilin ai e quan vërtet të pasur me kulturë.
Ka udhëtuar në Japoni, shtet i cili i duket si i zbritur nga një tjetër planet për shkak të zhvillimit ekonomik e teknologjik, në Kinë gjithashtu ka realizuar një sërë projektesh që lidheshin me fotografimin e jetës kulturore në teatro. I ka shkelur të gjithë kontinentet, por thotë se ka ende shumë për të parë. “Ende nuk kam qenë në Tibet, për shembull” rrëfen ai.
Kur e patën pyetur dikur se në cilin vend do kish dashur të jetonte, përgjigjej se kur të plakej, kur të mos kishte më fuqinë dhe energjinë për të udhëtuar do të zgjidhte t’i kalonte ditët në Ekuador. “Por ende udhëtoj, që do të thotë se ende nuk jam plakur” , thotë duke qeshur burri flokëbardhë.
Nëse njerëzit preferojnë të ndiejnë tokën në këmbë për t’u ndjerë gjallë, Sieckmeyer duhet të jetë patjetër në sediljen e një avioni për ta ndjerë adrenalinën që i fal jeta.
Shpesh nga të udhëtuarit e shumtë, tregon me shaka se i ngatërrohen pamjet. “Një mëngjes u zgjova dhe i thashë Doris-it: Në cilin hotel jemi, në cilin shtet? Ajo më thotë: Jemi në shtëpinë tonë. Njëherë tjetër, kur po ktheheshim në shtëpi, shoh nga dritarja e avionit dhe krejt i përhumbur i them: Ua Doris, këtu qenka si në Gjermani! “Po, në Gjermani jemi!” – ma pret ajo”, thotë duke qeshur, ndërsa sjell ndërmend edhe një tjetër rast, në një hotel të Parisit. “Udhëtova me makinë nga Vjena drejt Parisit dhe në mëngjes e kisha humbur fare. Nuk e dija se ku ndodhesha. Telefonoj recepsionin dhe më përgjigjet një vajzë. I them: Zonjushë nuk jam i dehur e as i çmendur, por të lutem a mund të më thoni ku ndodhem sepse nuk arrij dot ta kujtoj”.
E quan veten me fat që ka gjetur një shoqe jete si Doris, me të cilën jo vetëm realizon projektet profesionale por edhe ndan pasionin për udhëtimet e fotografinë.
Dashurinë për të mbërthyer në aparat çaste, kujtime, portrete e peizazhe e zbuloi kur ishte dhjetë vjeçar. “Vura një kamera të vogël në një raketë letre, të cilën e kisha lidhur me fishekzjarr dhe e hodha brenda dritares për të fiksuar reagimin që do të kishte te prindërit” – kujton duke qeshur. Por u deshën edhe ca vite edhe një eksperiencë krejt e ndryshme për t’u ritakuar me fotografinë. “Në familjen time ka pasur shumë mjekë. Edhe unë ndoqa traditën, studiova Mjekësi, u diplomova dhe punova për tre vjet në një spital në Amsterdam. Asokohe shoqërohesha me një studente të Arteve dhe nga ajo u njoha shumë me komunitetin artistik dhe një moment vendosa se mjekësia nuk ishte ajo çka do doja të bëja. Lashë punën, u regjistrova në Fakultetin e Arteve, studiova, u diplomova dhe më pas nisa të punoja si fotograf”, thotë ai, profesion nga i cili nuk do të heqë dorë kurrë.
Me Amsterdamin ka lidhje të hershme e të forta, si një vend që strehoi familjen e tij gjatë Holokaustit në Gjermani. Sieckmeyer-i lindi në mes të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1943 nga dy prindër hebrenj, të cilët rrëfen ai, u vranë në kampet e shfarosjes. Të afërm të familjes e birësuan dhe megjithë tmerret që kishin kaluar, vendosën të riktheheshin për ta rinisur jetën në Berlin. Aty ku ai do të kthehet pasi Doris-i, e shoqja e cila e ka lënë Tiranën pak ditë më herët, bashkë me Tiranën e tyre katërputroshe, për të vënë në skenë një pjesë teatri, të cilën Jurgen-i nuk do ta humbiste për asgjë në botë. “Vendi juaj është i bukur” – thotë pa mëdyshje Jurgen-i dhe thënë nga një njeri që ka parë shumë nga kjo botë, ky pohim bëhet referencë.
Zbulon se do të rikthehet së shpejti, për të realizuar një album vetëm për Tiranën, qytet të cilin e do shumë dhe ia njeh rrugët kryesore e rrugicat, hotelet luksoze, por edhe ato më pak luksoze por të ngrohtë e të rehatshëm, restorantet me ushqim të shijshëm e pak të kushtueshëm, baret dhe klubet e natës, ku streha e preferuar e tij, e Doris-it dhe Tiranës mbetet “Hemingway”, ku ka realizuar edhe disa fotografi.

Lin, Lake Ohrid

Butrint Lake, Albania

Ziegen bei Dhermi

Lin, Lake Ohrid

Saranda

the north, Theti

Albania, Girokaster

Sauk, Tirana Albanie

Durres, Port Durres

Port Durres, Albania

Durres

Tirana-Sauk, Albania, lake

Berat, Albania

Berat, Albania, Castle

road near Permet, Albania

bridge near Permet, Albania

Tirana, Albania, nightlife

Doris + Tirana Sieckmeyer

E derisa të kthehet në Tiranë për projektin e radhës, këtë të fundit, e ka me vete, sa herë i thërret qenit të tij, e cila i përgjigjet me një lehje entuziaste lajmit se i duhet të udhëtojë sërish drejt një vendi të ri…

*Ky artikull u shkrua në kuadër të Projektit “Udha e Shkronjave”, iniciuar nga Qendra UET dhe Fondacioni MAPO

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤