Julian Deda: Habitati im natyral është komedia

Nuk ka dyshime që të gjithë e njohim Julian Dedën dhe të gjithë kemi qeshur me batutat e tij. Djali i artistit të madh shkodran të komedisë, Zef Dedës, është një figurë shumë e dashur për publikun dhe këtë e ka arritur falë punës dhe përkushtimit ndaj profesionit të tij. Ka një karrierë shumë të pasur, numëron qindra role në skena teatri dhe spektaklesh. E kemi përqafuar humorin e tij në ‘Portokalli’ dhe sot na shoqëron çdo të shtunë nga ekrani i televizionit ‘Klan’ nën logon e ‘Duplex’.

Ke lindur në një familje artistësh, ndaj se nga e ke trashëguar humorin është e kuptueshme. Por a ka qenë familja, promotori kryesor i karrierës suaj si aktor?

Është e vërtetë që jam rritur në një familje që jetën e saj e ka patur të lidhur ngushtë me artin, sidomos me teatrin, ku unë kam shkuar që i vogël bashkë me babanë. Më pëlqente të ndiqja provat, të luanim shah kur ai ishte dezhurn dhe normalisht u brumosa me këtë atmosferë, me dhomat e zhveshjes, me skenën, me sallën, me teatrin në tërësinë e vetë. Pastaj vjen një moment që del në pah kjo lloj brumosje dhe unë ndoqa shkollën për aktrim. Arsyeja nuk ka qenë vetëm kjo pa diskutim. Prindërit nuk kanë qenë kurrë invadentë tek unë për të më imponuar, e aq më tepër lidhur me profesionin. Një arsye ishte edhe mbështetja që më kanë dhënë kolegët e babait, Bardh Smaja dhe Merita Smaja, të cilët më kanë motivuar më tepër për të ndjekur këtë rrugë. Isha krejtësisht i lirë kur vendosa të bëhesha aktor dhe nuk jam penduar kurrë për këtë.

Shkodrën e njohim si djep të kulturës dhe artit. Sa i përkrahu ky qytet hapat e parë drejt profesionit tuaj?

Pa diskutim, Shkodra është një vend i mbushur me art, kulturë, sport, duke përjashtuar vitet e fundit që ajo ka patur një grafik jo të mirë në raport me historinë e saj në sensin artistik dhe sportiv të problemit. Shkodra ndikon te njeriu dhe sidomos tek ai që është rritur aty. Ndikon si qytet, si atmosferë, si kulturë, si imazh, si histori dhe të gjitha këto janë pjesë e jetës, ndaj nuk mund të them se ku ka vepruar më shumë e ku më pak. Vetë të qenët nga Shkodra ndikon në formimin e një personi në raport me profesionin e tij, veçanërisht kur është artist apo sportist. Pavarësisht se unë arsimin tim e kam kryer në Tiranë, pra kam kaluar një pjesë të mirë të viteve këtu, thjesht të qenët nga Shkodra ku njerëzit tregojnë barsoleta, ku njerëzit këndojnë dhe kanë qejf të gëzojnë dhe të kalojnë bukur edhe kur janë të mërzitur, mund të ketë ndikuar pozitivisht në profesionin që unë kam.

Studimet i keni kryer në Akademinë e Arteve për dramë me rezultate të shkëlqyera. Pse sot ju shohim si aktor humori?

Akademinë e Arteve e kam kryer për aktrim, pra aty jam brumosur si aktor, pastaj ndarja mes zhanreve, dramë, komedi, nuk përcaktohet në shkollë, por këtë e bën qenia jote, talenti yt apo ajo që ti shpërfaq gjatë procesit mësimor. Nuk ka një metodologji të saktë për të të përcaktuar si aktor drame, komedie apo tragjedie. Shpesh është edhe çështje personale apo zgjedhje mbi të dhënat psiko-fizike që ti ke. Unë besoj se habitati im natyral është komedia, humori edhe për shkak të temperamentit tim, si njeri me energji pozitive, detajist dhe që gjërave ju hyn vertikalisht dhe jo horizontalisht. Por kjo nuk do të thotë që një aktor humori nuk mund të luajë dramë apo tragjedi, madje pak më të vështirë e ka aktori i dramës të luajë komedi. Por për mua aktori është aktor dhe duhet t’i bëjë të gjitha.

Ndër qindra role të luajtura cilin veçoni si atë ku keni gjetur veten ose jeni lidhur më shumë shpirtërisht?

Nuk mund të ndaj realisht se cilin rol kam më përzemër sepse i kam luajtur të gjitha me shumë dëshirë, por sigurisht këtë ndarje mund ta bëjë shumë mirë publiku, i cili na ka ndjekur, ka pëlqyer ose jo, na ka bërë kritika apo komplimenta. Por nëse do të uleshim dhe të shohim gjithë rolet e mia si një shirit filmik, do e shohim se unë do jepja po të njëjtën përgjigje dhe nuk do më vinte mirë t’i veçoja pasi do të ndieja djersën time dhe punën për ta realizuar atë. Por sigurisht ka disa role që mund të më identifikojnë si: ‘Polici’, ‘I burgosuri’, ‘Kamerieri’ etj…, të cilat sot publiku i njeh.

Julian Deda mbahet mend ende nga publiku si pjesë e grupit ‘Shbëlsh’. Sa përfitoi Juli si aktor i kastit të ‘Portokalli’ në formimin artistik?

Është normale dhe shumë organike që të mbahet mend grupi ‘Shbëlsh’ sepse ajo është për mua katërshja më e mirë e humorit shqiptar në të gjithë parametrat. Unë, Ermali dhe dy Gentat kemi lëvizur në vorbullën e grupit ‘The Shbëlsh’ dhe unë e kujtoj me shumë respekt atë kohë dhe atë grup. Pjesëmarrja në Portokalli ka qenë një lloj shkolle shumë e mirë për të dalë pastaj në jetën artistike dhe realisht çdo njeri që ka qenë pjesë e Portokalli, ka arritur të krijojë sot diçka të vetën. Çdo spektakël humori që sot është konkurrent i ‘Portokalli’ ka derivuar nga aktorët që kanë qenë aty. Normalisht edhe puna pas ‘Portokalli’, bëhet akoma më domethënëse për secilin prej nesh dhe kjo sigurisht është një ‘next level’ që ne duhet ta justifikojmë edhe te publiku.

Cila është gjëja më e bukur që mbani mend nga ‘Apartamenti 2xl’?

Nga ‘Apartamenti 2XL’ unë mbaj mend shumë gjëra të bukura, ai është një copëz e mirë jete, rreth 1/3 e jetës time në 10 vjet ‘Apartament’. Por nuk po më mungon shumë sepse ‘Duplex’ është një vazhdim i atij formati, ndërsa ajo që bën dallimin është puna në ‘Vizion Plus’. Ruaj kujtimet më të mira për atë televizion, atë staf dhe bashkëpunimin atje, ku nuk kemi pasur asnjë moment të keq, siç nuk kemi dhe as nuk do të kemi këtu. Pavarësisht nervozizmit të momentit, 99% e asaj eksperience flet pozitivisht.

Si erdhi ideja e programit ‘Duplex’ dhe pse pikërisht në televizionin Klan?
‘Duplex’ është një emërtim tjetër i të njëjtit format, përjashtuar ndonjë skenë të vogël ndryshe. Por ishte e nevojshme të bëhej një refresh i emrit dhe erdhëm pikërisht në Klan pasi duhet ta pranojmë se Klan sot është televizioni më i ndjekur në Shqipëri dhe duke pasur parasysh audiencën e madhe dhe pompozitetin e merituar të këtij televizioni nuk mund të mos pranonim ofertën e bërë nga drejtuesi, z. Aleksandër Frangaj. Për mua është një rikthim i bukur, pasi para 10 vjetësh kam punuar tek ‘E Diela Shqiptare’ bashkë me Ardit Gjebrean. Për mua Klan është televizioni më i lirë ku ti mund të ushtrosh profesionin tënd me të gjitha forcat që ke. Jemi në ‘Klan’ sepse është Klan.

Çfarë raporti keni me kolegët tuaj të ‘Duplex’ që edhe ndryshimin e televizionit e bëtë së bashku dhe vazhdoni të performoni së bashku? A është ky raport njësoj edhe pas skene?

Raporti me kolegët është i shkëlqyer dhe kjo është diçka që e kam thënë dhe e them sepse po të mos ishte i tillë nuk do të punonim më bashkë. Ne kemi lëvizur si trupë sepse jemi të pandarë, secili ka vendin e vet në atë trupë, mendimet e veta që i respektohen. Ndodh edhe të shamatohemi, por mbaron aty dhe kur dalim nuk ka ndodhur asgjë sepse gjithçka është në kuadrin e punës dhe të mirës së saj. Kemi gati 8 vite bashkë dhe jemi bërë si një familje, ku ka baballarë, motra, vëllezër, gra, burra, halla, daja, teze, sepse i kemi kaluar të gjitha në sensin edhe aktorial edhe personal. Ne ndihemi si një shtëpi edhe në vendin tonë të punës. Kjo është një trupë me të cilën të ka lezet shpirti të punosh, pasi unë kam punuar edhe me trupa të tjera ku mbahej hatër me njëri-tjetrin për çështje pune. Këtu puna vazhdon shkëlqyer ndërsa marrëdhënia edhe më shkëlqyer.

Ermal Mamaqi zbuloi gjatë takimit të tij me studentët e UET se ju dhe Gentian Zenelaj nuk keni të njëjtën shoqëri siç ishim mësuar të shihnim. Çfarë ishte më e fortë se vitet tuaja të miqësisë?

Këtë përgjigje e kam dhënë disa herë dhe nuk mendoj se ka vlerë t’i kthehem. Jemi shumë mirë kështu siç jemi. Marrëdhënien me kolegët e mi dhe Ermal Mamaqin e kam perfekte.

Si është Julian Deda në një ditë normale? A gjen kohë për familjen, impenjimet dhe dëshirat?

Julian Deda në një ditë normale është normal dhe atë që më njohin e dinë këtë. I vetmi impenjim i imi jashtë familjes është puna dhe aq kohë sa më lejon ajo të merrem më familjen, aq merrem dhe unë. Përpiqem të jem afër saj në çdo rrethanë pa cenuar punën dhe të gjej një balancë mes të dyjave. Puna jonë nuk ka orare të sakta dhe vazhdon edhe përmes telefonit, shkëmbimeve të ideve etj. Por gjithsesi nuk mendoj se i ka munguar babai fëmijëve dhe bashkëshorti gruas time. Unë jam një njeri që nuk e ndaj qejfin tim nga ai i familjes sepse jam shumë i lidhur me të ashtu si edhe me punën.

Cili është projekti aktual që keni në duar krahas të shtunave në ‘Klan’?

Ajo që duhet theksuar është se gjatë ‘Duplexit’ nuk marr përsipër impenjime të tjera pasi i përkushtohem atij totalisht. E vetmja gjë me të cilën merrem tjetër janë reklamat, spotet publicitare apo kontratat e ndryshme, festat.

A vazhdoni ta doni akoma PD edhe pse pa dr. Berishën?

Unë jam anëtar i ‘Partisë Demokratike’ dhe nuk e fsheh këtë, por kam shprehur hapur bindjet e mia edhe pse dikush mund ta quajë gabim. Unë nuk e quaj të tillë, sepse jemi njerëz të lirë. ‘Partia Demokratike’ është një aset kombëtar, një vlerë e historisë të këtij vendi. Pavarësisht se mund të ketë patur gabimet e veta, ka patur edhe të mirat e veta gjatë drejtimit të saj. Kjo nuk do të thotë që nuk e respektoj palën tjetër, pasi padyshim edhe e majta është një aset kombëtar me të mirat dhe gabimet e veta.

Historia e PD është pashmangshmërisht e lidhur me figurën e dr. Berishës, kështu që është apo jo dr. Berisha në krye të saj, ai është aty sepse është lider historik dhe akoma historia e PD nuk mund të shihet pavarësisht historisë të vetë kësaj figure.

Për sa i përket performancës aktuale të Partisë Demokratike, kam edhe unë rezervat e mia, të cilat i kam shprehur publikisht. Së pari, problemi i situatës është keqqeverisja dhe së dyti, gabimi i opozitës është që nuk po bën aq sa duhet për ta ndaluar këtë. Gjithsesi mendoj se PD është një parti vlerash dhe duhet respektuar si e tillë.

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤