Jonida Vokshi; Albania’s sweetheart

View Gallery
4 Photos
Jonida Vokshi; Albania’s sweetheart
img_1147

Jonida Vokshi; Albania’s sweetheart
img_1228-edit

Jonida Vokshi; Albania’s sweetheart
img_1238-edit

Jonida Vokshi; Albania’s sweetheart
img_1185-edit

 

E bukur, e talentuar, një prej figurave  më të dashura televizive, aktore e kinemasë dhe e serialeve televizivë, imazh reklamash…Por jo vetëm.

Së fundi me një rol të ri  në teatër dhe një biznes të vetin.

Jonida Vokshi rrëfen përvojat e saj të reja, jetën para dhe pas kamerave, famën dhe  buzëqeshjen që e bën një nga personazhet më të dashur të shqiptarëve…

 

Nga Suadela Balliu
Foto:Jetmir Duraku
Hari & Make Up: Ana Dervishi
Veshjet:BSB
 
E veshur me një fustan dantellë në nuanca nude deri në fund të këmbeve që e bën të evokojë bukurinë klasike të femrave të antikitetit helen dhe një model flokësh me gërsheta të mbledhura në chignon e të ndara në mënyrë simetrike në gjashtë të tillë që të sjellin ndërmend heroinat e filmave të animuara japonezë, e megjithatë tipare te saj të theksuara, sytë e mëdhenj të kafenjtë, vetullat e harkuara dhe buzët e plota e bëjnë një bukuri krejtësisht shqiptare… pa lënë mënjanë markën e pangatërrueshme  me të cilën e ka bërë të dallueshme personalitetin e saj publik, buzëqeshjen e shpenguar  që e bën të duket si një çupëlinë.

“Buzëqeshjen, buzëqeshjen! që e ke një milionë  dollarëshe” e këshillon grimierja e saj Ana, ndërsa asiston në shërbimin fotografik për revistën Madame “Jo më kot është shpallur Miss Buzëqeshja!” , shton mamaja e Jonidës, ndërsa ajo vetë , teksa pozon në mjediset e bar “Yo-Yo” , të cilin e ka hapur prej pak muajsh, ka vendosur vijë ndryshe kësaj here; sensuale, me vështrim të thellë dhe serioz.

Megjithatë është pikërisht  ajo çiltërsi që i lexohet në portret përpos bukurisë që e bën një prej personazheve më të dashur ndër shqiptarët, aq sa mund të pagëzohet si “Albania’s Sweetheart”.

E bukur, e këndshme, e dashur  e që të gjithë e pëlqejnë…qysh kur ajo vendosi të dalë në publik.

Ishte një dalje në një prej edicioneve të festivalit muzikor  “Top Fest” debutimi i saj në botën e televizionit. Megjithëse me muzikën e të kënduarit i mbylli shpejt hesapet, duke e kuptuar se nuk ishte vokacioni i saj, artit nuk iu shkëput as edhe një ditë.

…Këto ditë i tejkalojnë edhe parashikimet e axhendave të saj zakonisht të mbushura me angazhime, mes programit “Thurje” në Digitalb, serialeve komike apo edhe menaxhimit të barit. Janë 39 hapa çdo fundjavë , të cilat i kryen me saktësinë e një britaniku…

Bëhet fjalë për komedinë  “39 Hapat”  , vënë në skenë nga regjisori Qëndrim Rijani, në skenën e Teatrit “Metropol” , ku Jonida interpreton në krah të aktorëve Neritan Liçaj, Florian Agalliu dhe Donald Shehu. Një lojë e teatrit brenda teatrit,  një vepër e Patrik Barlow, përshtatje e romanit të John Buchan dhe filmit të  Alfred Hitchcock realizuar në vitin 1935.

Në “39 hapat” një burrë ka një jetë të mërzitshme, takohet me një grua me dialekt gjuhësor të theksuar (Annabella Schmidt). Ajo pretendon se ka zbuluar një komplot për të vjedhur sekrete të ushtrisë britanike, zbatuar nga një njeri i cili është kreu i një organizate spiunazhi të quajtur “39 Hapat”. Janë katër aktorë që interpretojnë rreth 130 role. Jonida brenda dy orëve të shfaqjes i duhet të kalojë nga agjentja sekrete Anabella Schmidt, te fshatarja naive Margaritë dhe zonjusha e ngurtë Pamela. “Nuk kisha punuar më parë me Qëndrimin. Ai më kish parë kur kisha luajtur, më ftoi, lexova tekstin, më pëlqeu dhe rashë dakord” – rrëfen Jonida, ndërsa brenda një  viti ky është roli i dytë në Teatër. Në sezonin e kaluar ajo erdhi në petkat e Katerinës, një vajzë në dukje ekscentrike me një jetë ekstravagante, që i pëlqen të shijojë të gjitha lukset e jetës  në dramën britnike “Kujtesa e Ujit” vënë në skenë nga Rozi Kostani në Teatrin Kombëtar. Në krah të aktoreve Olta Daku dhe Violeta Trebicka, dy motrat e saj në skenë të  që takohen pas  jë kohe të gjatë në funeralin e së ëmës, shpaloset dhe jeta mjerane e më të voglës së familjes, së cilës i ka munguar vëmendja duke shpalosur brengat e saj ekzistenciale. Frika e saj më e madhe është të mbetet vetëm, sidomos kur flitet për marrëdhëniet me meshkujt. Rikthimi jo vetëm në shtëpinë ku janë rritur, por edhen ë kujtimet e fëmijërisë sjell ndërmend tëhuajësimin e marrëdhënieve familjare.

Reagimi i publikut jo vetme për veprën në tërësi por edhe për aftësitë aktoriale të  aktores së re ishin pozitive. Ngarkuar me paragjykimet stereotipike  të një vajze të bukur që ishin mësuar ta shihnin shpesh në televizion si imazh i platformës “Digitalb” apo edhe “Supersport”  loja e saj aktoriale , teksa interpretonte  30 –vjeçaren Katerinë do të habiste  për mirë.

Rikthimi në teatër duket si një kthim në shtëpi pas një mungese të gjatë. E diplomuar në regji teatri, Jonida i kishte  munguar skenës gjatë për shkak të angazhimeve të tjera, të lidhura kryesisht me televizionin.

Të pakta janë shfaqjet e saj në teatër. Si regjisore ishte tema e diplomës, një monodramë , e titulluar “Hotline” të cilën Jonida ia besoi aktores Valbona Imami .

Një rikthim në regji -zhanër  për të cilin është diplomuar dhe ka ngulmuar shumë edhe pse të shumtë ishin ata që i thoshin të zgjidhte aktrimin , apo prindërit që e shihnin të bijën në një nga ato profesionet me të ardhme të sigurt, larg artit- e ka në dëshirat e saj, por ende nuk ndihet gati t’i përkushtohet konkretisht. “Një regjisore mund ta bëjë aktoren, por e kundërta nuk ndodh. Për më tepër ne kemi bërë mjeshtëri aktori në shkollë

“Kam shumë pjesë që më pëlqejnë, që i sjell ndërmend për t‘i vënë në skenë. Por ende nuk mendoj se jam gati. Duke qenë natyrë perfeksioniste do të doja që të mos mungonte edhe detaji më i vogël. Mendoj se duhet të prej ende”, rrëfen ajo.

Edhe shfaqjet në teatër si aktore i ka të rralla. Roli i parë në Teatër, pas përfundimit të Akademisë, ishte ai në komedinë “Të çmendur pas parave”. Më pas erdhi “Klubi i të divorcuarave” me regji të Inis Gjonit.

Pastaj karriera e saj mori tjetër udhë duke u angazhuar jo vetëm në emisione televizive apo imazh i platformave si “Digitalb” apo “Supersport” , por një tjetër shteg i hapur ishte ai i kinemasë. Madje të parin rol e pati qysh kur ishte  studente e vitit të dytë në Akademinë e Arteve, në filmin “Shenjtorja”,   të regjisorit Pirro Milkani dhe telefilmin e Ylli Pepos “Dhimbja e dashurisë”.

Me kinemanë, sheshxhirimet , por edhe procesin post-produksion është njohur shumë herët. Qysh kur vajzë e vogël ndiqte të atin, i cili punonte në Kinostudion “Shqipëria e Re”. I ndiqte me jo vetëm me kureshtjen e një fëmije, por edhe me ëndjen se një ditë ajo do të kalonte nga ajo rrëmuja pas kuintave, drejt e në sheshxhirim, me tabelën “Ciak” përpara syve. E kështu ndodhi. “Kaloja ditë të tërë në sheshxhirime, pastaj fundjavave shkonim gjithmonë në teatër”. “Madje edhe më vonë kur isha pak më e rritur, vazhdova të shkoja në Kinostudio, pasi mamaja e një shoqes sime ishte rrobaqepëse aty”.  Madje kujton me nostalgji edhe kinemanë e vogël ku shiheshin filmat në proces post-produksioni, “Aty ku është sot Akademia Marubi”- sjell ndërmend Jonida.

Një tjetër projekt filmik ishte “7 ditë” , një film i regjisorit Erion Bubullima dhe një produksion i Genc Përmetit . Pas premierës, Jonida do ta quante një shtysë të madhe, por edhe një përgjegjësi për projekte të ardhshme.

Një tjetër projekt që e bëri të famshme dhe të dashur për publikun shqiptar jo vetëm brenda territorit , por edhe për atë të Kosovës, ishte seriali komik “O sa mirë”  në rolin e Elizabetës.  Një përvojë 3 –vjeçare  që i ka dhënë shumë,  po aq edhe rrugëtimi  i përjavshëm nga Tirana  në Prishtinë. “Për t’u angazhuar në  teatër m’u desh të hiqja dorë nga seriali “O Sa mirë”. Kam një përvojë të bukur. Njerëzit që të njihnin, të ndalonin në rrugë e të flisnin më shumë dashuri. Por mendoj se e mbylla ciklin aty” –tregon  Jonida.

Por një tjetër projekt televiziv e rrëmbeu menjëherë. Ishte seriali “Skënderbeg”, një prodhim i Digitalb ,  i cili po transmetohet këto kohë në këtë platformë televizive,   ku Jonida është një prej aktoreve.

E sigurisht çdo javë i duhet të jetë në xhirimet e emisionit “Thurje”, në rolin e moderatores. Por edhe për disa javë do të shijojë tre rolet në “ 39 hapat”  në “Metropol,  ku puna e lodhshme e çdo mbrëmjeje shpërblehet nga duartrokitjet e publikut. “Janë ato për të cilat punon çdo aktor”- thotë Jonida, edhe pse vetë ka preferuar të jetë aktore e jashtme dhe të angazhohet  vetëm kur e godasin disa elementë “vepra, roli dhe sigurisht pagesa” , edhe pse këtë e rendit të fundit, duke mos i dhënë shumë rëndësi.

Megjithëse me dy role të reja në teatër ku interpretimi i saj është lëvduar, kjo nuk do të thotë se Jonida do të lërë gjithçka e do të përfshihet më intensivisht në teatër. Nuk i humbet kurrë lidhjet me teatrin, as me miqtë e saj regjisorë e aktorë e madje dëshiron fort që të jetë më aktive në regjinë  e teatrit, që është edhe dashuria e saj. Do e bëjë kurdoherë, kur t’i ofrohet një rol që do e bëjë për vete qysh në leximin e parë.

“Televizioni më pëlqen, por nuk ka asgjë që të më joshë më tepër se dega për të cilën jam diplomuar. Regjia është pasioni im më i madh dhe profesioni i vetëm, tek i cili unë shoh veten time. Nuk do e ndërroja me asgjë tjetër” – thotë ajo.

Jeta intensive mes programeve televizive, sheshxhirimeve apo skenave të teatrit pak i lënë kohë  për argëtime, siç do të ishte jeta e natës. Por së fundi e ka zgjidhur. Ka hapur një bar të sajin, të cilin e ka pagëzuar “Yo-Yo” një emër që përveçse të kujton atë lodrën e këndshme me një rrotull dhe fill, është  edhe një emër që të kujton të sajin, apo ashtu siç miqtë e thërrasin me dashamirësi. “Por në fakt  ka edhe një tjetër sekret. Unë kur mohoj diçka, nuk them kurrë “Jo”, vetëm njëherë, por e shoqëroj edhe me një tjetër “ Jo, jo!”, qesh ajo. Bari i këndshëm tashmë është kthyer në një pikë takimi për artistë, të cilët me kolegen e tyre si mikpritëse ndihen si në shtëpi dhe të lirë për të diskutuar gjithë ç’ka të bëjë me artin.

Ndërsa pozon për fotografin duke ndërruar jo vetëm veshjet, por edhe karakteret  bashkë me to, si të ishte në një skenë teatri, di t’u buzëqeshë përzemërsisht edhe miqve e klientëve që ndalen në paraditen me diell në   barin e saj.

Por ata që duan ta shohin Jonidën ndryshe, jo vetëm në moderatoren e emisionit “Thurrje”, imazhit të “Digitalb”, aktores së serialeve,  e gjejnë në teatrin “Metropol” edhe për dy javë të tjera. Por sido që të shndërrohet, do të mbetet vajza e dashur që ua ka rrëmbyer  përgjithnjë zemrat shqiptarëve…

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤