Jetë paralele: Negociatat për reformën dhe për dështimin e saj, dmth qeveritë

Alfred LelaNga Alfred Lela

Negociatat për reformën në drejtësi nuk janë vetëm. U bëjnë shoqni prej dy ditësh edhe ato që në një gjuhë më informale të së përditshmes quhen pazare. Kryeministri Rama për shembull dje ka takuar Shpëtim Idrizin, që sipas burimeve të rezervuara mund të kthehet aty ku e ka nisur, te doganat. Sigurisht, jo vetë se tashmë ai është ‘lider’, por nëpërmjet një ‘çami’ mbarëkombëtar.

Përpjekja dhe podi i triumfit lidhet me numrin 71, i cili është maja e artë që mundëson një qeveri kalimtare që e çon vendin në zgjedhje të reja ose të parakohshme. Kryeministri i ka mjetet më të shumta e më të forta për t’ia arritur kësaj. Nëse kthehemi mbrapa një mandat, kujtesës i vjen qeveria “Berisha 3” pas ikjes së LSI nga koalicioni në prill 2013. Me anë të Kastriot Islamit, Asllan Dogjanit e Govalin Kadelit, Berisha mbajti në këmbë një qeveri që e çoi vendin drejt zgjedhjeve të verës së po atij viti. Ku edhe humbi.

Opozita e sotme kërkon bash të kundërtën: një qeveri teknike që përgatit zgjedhje të parakohshme në kushtet e një mosbesimi total ndaj Ramës. (A thua se opozita e 2013-s ishte në mirëbesim me shumicën e kohës).

Kuzhina politike që përgatit 71-shin që mban në këmbë një qeveri “Rama” kërkon megjithatë shumë më tepër negociatë, pazar, durim dhe shpenzim se sa Berisha i 2013. Të paktën trefishin. Socialistët janë më të brishtë në numra dhe u duhen përveç PDIU edhe Vangjel Dule, por sidomos Ben Blushi me të hatërmbeturit e tjerë të PS Dade, Hafizi, Tom Doshi, Kosta e ndonjë tjetër. Ben Blushi sidomos është një fatpërcaktues sa për veten aq edhe për një qeveri të mundshme ‘e gjitha socialiste’. A do të bëhet me Rilindjen ai që u shfaq vetëm socialist prej muajsh me radhë? A do të ndryshojë Rilindja duke u bërë socialiste, apo Blushi duke u bërë rilindas? Cili do të jetë koncesioni i Ramës dhe cila kërkesa e Blushit? A vlen ai trashëgiminë e PS apo vetëm një ministri dhe një premtim më afatgjatë?

Një Blush e ka edhe ana tjetër. Eduard Selami, ish-kryetari i PD që iku në Amerikë pasi e përzunë nga partia, ka gjasa të kthehet sërish në atë që me sa duket ishte i vetmi atdhe jolëndues për të. Ai ka kaluar një herë në breg të atij lumi, kështu që më e lehtë do t’i jetë udha. Nëse Selami voton pro reformës kundër vendimit të partisë së vet a është ai ‘kolonë’ që mban në këmbë edhe qeverinë socialiste që del nga ky big bang politik? Mes një ikjeje të dytë dhe një shansi të dytë për hakmarrjen e herës së parë, Selami, thuajse një kristian i butësisë dhe mëshirës, ka për të zgjedhur të parën. Çfarë do të bënte Jezusi në vend të tij?

Edi Ramës do i duhet edhe vota e të ‘dyshuarve të zakonshëm’, Tom Doshi dhe Armando Prenga. Paradoksale do jetë sidomos thirrja nën armë e këtij të fundit. Jo aq për Ramën se sa për sponsorët e reformës, amerikanët. Donald Lu ka qenë vokali më i lartë në fushatën e dekriminalizimit. Duket se jemi në situatën kur një fushatë ka dalë kundër tjetrës. Kush është Donald Lu në fund të fundit. Sidomos para Abraham Linkolnit, i cili thuhet se për të arritur në kalimin e ligjit që shfuqizonte skllavërinë në Amerikë, iu desh të bënte trafik votash.  Cili nga ata politikanë të lartë nuk ka përpunuar vota (mjete) për të arritur qëllime politike (zgjedhje presidentësh, mbajtje qeverish në këmbë etj.) le të hedhë votën (gurin) e parë kundër Reformës në Drejtësi. Gjasat janë që shkelësit më të mëdhenj ta bëjnë.

Ka, si gjithmonë, një përpjekje për një qeveri të dytë edhe nga aksi Basha-Meta. Negociatat do bëhen me thuajse të njëjtët aktorë, por ‘partnerëve’ të kërkuar do t’iu mungojnë dy gjëra: shpërblimet dhe një shkelje syri nga euroamerikanët. Nëse Reforma nuk kalon, skenari i një qeverie kalimtare me shumë gjasa mund të shkruhet në zyrën e kryeministrit. Edhe sot publiku dhe media do të jetojnë me hijet e këtyre jetëve paralele. Çka duken si negociata për Reformën, janë thjesht pazare për qeveritë.

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤