Ilira Elbasani: Çelësi për sukses? Të bësh atë që di të bësh më mirë

Ish-studentja e Universitetit Europian të Tiranës tregon sesi pas studimeve të para në shtet, gjeti në këtë universitet atë që i kish munguar; orientimin e duhur ndaj nevojave të tregut dhe gjetjen e fushës ku kishte edhe më shumë prirje. Pas investimit në dije, sot ka kompaninë e saj dhe ka një këshillë për të gjithë të rinjtë; të kesh sukses duhet të bësh atë që di të bësh më mirë dhe të mos reshtësh kurrë nga të mësuarit

Pasi u diplomua në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë për gjuhë angleze në Universitetin e Tiranës e ndjeu se dijet e marra nuk ishin të mjaftueshme, të paktën jo aq sa do të kishte dashur ajo. “Ardhur nga një sfond familjar akademik ku babai profesor e autor librash, motra akademike e studente ekselence, mamaja ekonomiste, u rrita me dashuri të madhe për librin e dijen. Ndërkohë ndieja një paplotësim në njohuri sidomos në raport me dijet në marrëdhënie ndërkombëtare, njohuri diplomatike e historike”, rrëfen Ilira Elbasani, ndërsa zbulon arsyet që e shtynë t’iu drejtohej edhe njëherë dyerve të universitetit për studime të dyta.

“Në atë kohë pikërisht sapo kisha përjetuar dhe eksperiencën e parë të punës në administratë shtetërore e cila më shtyu të investoj në studime të tjera për të dalë nga mediokriteti që ekzistonte rëndom në administratë”.

Një mendim ishte të largohej jashtë vendit për të studiuar në ndonjë universitet të Europës, por ishte një intervistë televizive atëkohë e katër themeluesve të Universitetit Europian të Tiranës që e bëri t’i largohej ky mendim e t’i vinte një tjetër. “Pa hezitim shkova në UET ku më priti Profesor Ermali (Hasimja), i cili në krye të herës mendoi se po aplikoja për punë, kur pa CV –në dhe diplomën. U regjistrova për Marrëdhënie Ndërkombëtare me bindjen se po bëja një investim për veten e të ardhmen time”.

Bindja e parë nuk e braktisi më, sepse siç rrëfen ajo në UET gjeti një mjedis motivues akademik, dije praktike dhe nxitëse. “Ndryshe nga ç’ishim mësuar me variantin shkruaj e transmetoj gjithë tekstin mësimor”, shton ajo.

Thotë se aty mësoi të ishte origjinale e krijuese në lëndë si Shkrimi akademik dhe esetë tanimë kishin krejt formë tjetër, ndryshe nga ato të mëparshmet që më shumë i ngjanin hartimeve. “Veçoj këtu mësues të nderuar si Tonin Gjuraj për përfitimet nga shkrimi akademik, Adri Nurellarin për mendimin kritik, Ermalin për qasjen dhe mendjehapjen ndaj elementeve të komunikimit, Ariel Ben Amos profesorin e shkrimit të eseve, Henri Çilin për qasjen praktike ndaj elementeve të qeverisjes, politikës, profesorët Fatos Tarifa, Ferit Duka, Ksenofon Krisafi e Romeo Gurakuqi për sistemimin dhe betonimin e dijeve në historinë shqiptare e botërore. Qasja ndaj filozofisë ishte krejt unike dhe e veçantë dedikuar kjo profesor Elvis Hoxhës ku merrje dije dhe frymëzim që të lexoje dhe më shumë libra përtej kurrikulës”, kujton Ira.

Për të si ish-studente, pjesë e rrjetit Alumni në UET, mësimdhënia dhe filozofia është ajo që bën diferencën në një mjedis akademik.

“Kombinimi mes profesorëve të shkëlqyer dhe programi i duhur nën një liri akademike pa cenuar as studentin e pedagogun është çelësi i suksesit. Mund të them me bindje se eksperienca në UET i tejkaloi pritshmëritë e mia për thjesht një zgjerim dijesh. Ajo rezultoi si një qasje ndryshe ndaj dijes: me mendjehapje, jashtë kornizave dhe në thelb me përfitim dijesh të konsoliduara. Çfarë bënte diferencë është se del nga ambienti akademik i frymëzuar për më shumë thellim në dije”.

Pasi doli nga dyert e universitetit e dinte se dijet e saj ishin pasuruar dhe kjo ishte një armë e fortë tashmë për të konkurruar pa drojë në tregun e punës.

Dëshira e saj për dije, edhe pse tashmë i ka dy diploma universitare, nuk resht dhe do të kishte dashur të vijonte të ndiqte cikle të tjera, nëse do të kishte pasur pak më shumë kohë.

“Për hir të së vërtetës nuk ka luks më të madh se të qëndrosh në një ambient të mirëfilltë akademik, do të doja të kisha qëndruar më gjatë por puna me dinamikat e saj të impenjon tepër bashkë me hapësirën familjare sidomos kur bëhesh nënë me fëmijë sa koha fizike është e pamjaftueshme për të gjitha. Studentët i kam zili që kanë kohë me pash të qëndrojnë e përftojnë sa më shumë në ambiente të tilla”.

Koha në universitet, rrëfen se i ka shërbyet jo vetëm për të marrë dije, por edhe për të përfituar një rrjet njohjesh. “Njohje që më kanë rezultuar të paçmuara sot ku mund t’i drejtohem në çdo moment për një mendje a sugjerim të mençur a zgjidhje për një sfidë pune që mund të përballem”.

Nisur nga përvoja e saj, thotë se UET është i orientuar në mënyrë perfekte ndaj nevojave të tregut duke orientuar dhe studentët më së miri në fushat ku ata janë më të prirur. “Çelësi për sukses është të bësh atë që ti di të bësh më mirë dhe të mos reshtësh kurrë së marri dije e mësuari!”, është e mendimit Ira, e cila i këshillon maturantët dhe të gjithë ata që do të donin të ndiqnin studimet në UET të marrin më të mirën nga pedagogët dhe mjedisi, të mos i neglizhojnë këshillat nga stafi profesional që është gjithnjë aty për t’i ndihmuar të gjejnë fushën ku i kanë të kanalizuara prirjet e tyre.

“Nga eksperienca jam ndjerë më e përfaqësuar në studimet në universitetin privat, pra në UET. Jashtë vendit nuk kam pasur kurajën të largohem nga familjarët e miqtë për aq kohë të gjatë vetëm për trajnime të shkurtra” –pranon ajo, ndërsa zbulon se pas 10 viteve karrierë profesionale dhe shumë viteve investim akademik mendoi se kishte ardhur koha të krijonte një sipërmarrje vetjake, një kompani përkthimi në shumë gjuhë.

“We Translate Albania është e strukturuar dhe e mirorientuar ndaj klientëve dhe tregut që synojmë, duke bashkëpunuar me korporata prestigjioze vendase si Balfin, Agna, Tirana Business Park, Dhoma e tregtisë e Industrisë, Ministria e Turizmit, Shoqata Shqiptare e Bankave, Credins Bank, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Albania Leasing, Damiani & Partners, Council of Europe, GIZ, DIHA, Advantage Austria, Ernst and Young, LingPerfect llc etj.” – zbulon Ira, e bindur se në 2006-ën, kur iu drejtua dyerve të Universitetit Europian të Tiranës për të kënaqur dëshirën e saj për dije, bëri zgjedhjen më të mirë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤