Ilir Kalemaj: Me imazh, Rama mbulon mjaft mirë deficencat thelbësore të pushtetit

Analisti Ilir Kalemaj shpjegon arsyet se pse Rama po ndjek verbin politik të Trump dhe efektin që ajo ka te njerëzit

Në një situatë krejt të ndryshme nga pesë vite më parë kur mori pushtetin, kryeministri Edi Rama ka vendosur që të përdorë pa hesap verbin politik e deri diku edhe strategjitë e Presidentit amerikan Donald Trump. Ashtu si Trump, edhe Rama ka shtuar ndjeshëm tonet nacionaliste (siç ishte rasti i fundit në Pejë) nuk kursen kritikat ndaj medias e politikës, si dhe ka paralajmëruar përdorimin e një teorie të famshme të Trump e ashtuquajtur “Deep State”… Pse Rama po ndjek rrugën “mot a mo” të një presidenti ndaj të cilit me nota euforike, emocionale dhe jo diplomatike uroi që të mos zgjidhej president i SHBA?

Kryeministri Rama është tashmë një politikan i regjur që ka kaluar disa beteja elektorale të vështira dhe shpesh ka triumfuar duke ndërruar strategji në varësi të situatës. Si një njohës i mirë i estetikës së pushtetit dhe përqendrimin te pjesa e imazhit si instrument politik, Rama arrin t’i mbulojë mjaft mirë deficencat thelbësore në pjesën përmbajtësore të ushtrimit të pushtetit. Ndërsa si vëzhgues sipërfaqësor i sistemeve politike, ai arrin të “vjedhë” me saktësi atë që është trend gjetkë dhe e përkthen shqiptarçe duke i dhënë ngjyresa lokale që tingëllojnë të kuptueshme për votuesin mesatar.

Duke qenë një vëzhgues sipërfaqësor i realiteteve politike globale, z. Rama nuk mori kohë të thellohej mbi dialektikën e zgjedhjeve në SHBA apo nuk pati këshilltarët e duhur që t’i shpjegonin kompleksitetin e procesit elektoral atje, por e pa si një mundësi basti të mirë politik mbështetjen e kandidates së establishmentit, znj. Klinton të cilën media kryesore e nxirrte fituese të padiskutuar.

Duke parë zhvillimet e mëpasshme, Rama e shfrytëzoi mjeshtërisht fushatën e z. Trump ndaj establishmentit mediatik në SHBA dhe kopjoi “mot a mo” fushatën ndaj “lajmeve të rreme”, natyrisht duke i dhënë ngjyresat e duhura lokale, p.sh. “kazan” për median, “tepsi” për pushtetin etj. Duke parë suksesin e këtyre metodave përtej Atlantikut, bën sens që pritshmëria të jetë e njëjtë në Shqipëri, ndonëse si z. Rama ashtu dhe z. Trump kanë qenë produkte të mirëfillta të establishmentit mediatik në karrierën e tyre para-politike.

Në një shtet jo të fortë si ne, me një elitë politike të korruptuar, a mendoni se tezat e Edi Ramës po ngjisin bash aty ku i rrinë fort për shtat kësaj shoqërie apatike e populiste?

Mungesa e një kulture politike dhe dobësia institucionale që kanë kushtëzuar transformimin demokratik të Shqipërisë dhe kanë parandaluar konsolidimin demokratik, janë një terren pjellor për populizmin efektiv të Ramës. Për më tepër, kjo e fundit po kombinohet me një kontroll regjimi politik të cilën synon ta konsolidojë akoma më tepër me paketën e propozuar antishpifje. Kjo natyrisht nuk i shkon për shkak dialektikës demokratizuese të vendit dhe kanë rrezikun e rritjes së anomisë apo indiferencës së publikut që në mungesë dhe të katalizatorëve të fortë si aktorët efektivë të shoqërisë civile, mund të rrisë dhe më tepër hendekun llogaridhënës. Kjo natyrisht i shkon për shtat qeverisë, por është në kurriz të të qeverisurve, siç ndodh rëndom kësaj mëhalle.

Ashtu si Trump edhe Edi Rama përdor mjeshtërisht faqet e mediave sociale kryesisht me postime goditëse, tallëse, të diskutueshme ose kundërthënëse, duke tërhequr një angazhim shumë më të madh se çdo gjë tjetër. Sa efekt ka kjo te njerëzit? E shikoni si një strategji të momentit për të mbuluar një problematikë të caktuar apo kjo do të jetë afatgjate, sa kohë që edhe njerëzit pëlqejnë të “ushqehen” në mënyrë simpliste për çka ndodh në vend?

Media sociale është jashtëzakonisht e efektshme në ndërtimin e përfytyrimeve dhe narrativave të caktuara politike, si dhe në teknikat e konfuzionit të lexuesit që aplikohen me mjaft efektshmëri nga “spin doctors” afër Kryeministrit. Natyrisht duke dobësuar njëkohësisht apo të paktën rivalizuar median tradicionale me media kryeministrore si shembulli i ERTV. Kjo e fundit po na shpallet si antitezë e KazanTV-ve që godet nën media rivalët mediatikë dhe shtuar dhe zhurmën e portaleve proqeveritare, krijohet një disonancë konjitive kolektive. Kjo e fundit qëllimisht dhe e orkestruar nga lart pasi konfuzioni u shërben pushtetmbajtësve si mjeti perfekt i zgjatjes së pushtetit politik.

Shumë prej opinionistëve që kanë analizuar figurën e Presidentit amerikan, janë shprehur se vetë Donald Trump synon dita-ditës përmbysje të establishmentit, kthim në vlera nacionaliste, duke bindur një popull të tërë se udhëhiqet nga idetë e tij. Qasja e tij ndaj emigrantëve, apo vetë institucioneve ndërkombëtare (deri dy vjet më parë të padiskutueshme për rolin e tyre) është kthyer tashmë në një lëvizje globale. Eksperienca tregoi se tezat e tij u përshtatën fort në vende të Europës si Itali, Rumani e deri diku edhe në Britaninë e Madhe. Në gjithë këtë vorbull ndryshimesh, ku e shihni Shqipërinë?

Strategjia e Presidentit Trump bazohej pikë së pari, nga një intuitë e fortë e një kandidati tipik apolitik që vinte nga establishmenti financiar dhe që kishte një lidhje të hershme me ulje-ngritjet e saj me establishmentin mediatik në SHBA. Ajo që z. Trump arriti të kuptonte intuitivisht por edhe nëpërmjet strategjistëve të tij mjaft të efektshëm si Steve Bannon që tashmë po drejton një strategji populiste, nacionaliste paneuropiane, ishte se tashmë betejat ideologjike të së tashmes kanë kapërcyer “ylberin” liberal-konservator apo libertarian/progresist dhe janë kryesisht në përplasjen mes “Globalistëve” dhe “Nacionalistëve”.

Këta të fundit shpesh janë quajtur edhe identarianë, populistë, antiglobalistë dhe terma të tjerë që synojnë shkrirjen në një entitet të aktorëve dhe faktorëve që mund të jenë aq të ndryshëm dhe që variojnë nga ekstremi i majtë në të djathtë. Madje kjo ka arritur dhe në “state of art” apo të kthehet në normë qeverisëse në vende si Italia ku radikalët e majtë të Cinque Stelle janë bashkuar me nacionalistët e djathtë të Lega-s për të krijuar një qeveri populiste mjaft të efektshme elektoralisht. Në Britaninë e Madhe kjo amalgamë arriti të impononte agjendën e vetë politike nën parullën e Brexit dhe të krijonte një realitet krejt të ri politik jo vetëm për këtë vend por edhe për vetë BE-në.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤