Media

Ilda Bejleri shfaqet për herë të parë si aktore






               Publikuar në : 18:11 - 28/05/18 |
mapo.al

Pak ditë më parë, u shfaq premiera e filmit “Rimetti a noi i nostri debiti” (Na i kthe borxhet), në Kinema Millenium. Filmi është realizuar nën logon e “Netflix”, si produksion shqiptaro-italian. Moderatorja e “Supersport” dhe një nga imazhet e “Digitalb”, pozoi nën logon e “Netflix” dhe e dha këtë lajm pak ditë më parë.


Në foton e postuar në “Instagram”, ajo njoftoi se do të shfaqet këtë herë në një sfidë të re, atë të aktores. Ilda Bejleri është pjesë e filmit “Rimetti a noi i nostri debiti”, me regji të Antonio Morabito, që rrëfen historinë e Guidos (që luhet nga aktori Claudio Santamaria), i cili mundohet të ecë përpara në jetë si të mundet.

Ilda luan rolin e një vajze të bukur në një diskotekë. “Ndihem me fat që jam pjesë e këtij filmi dhe njëkohësisht po e shijoj në maksimum këtë eksperiencë timen të parë si aktore”, shkruajti Ilda në “Instagram”. E pyetur për angazhimin ndryshe në kinema muaj më parë, ajo u përgjigj: “Shumë shpejt do e prezantojmë dhe filmin e ri. Mendoj të shijoj atë eksperiencë të bukur që pata mundësinë të përjetoj me aktorë shumë të njohur në Itali, sepse, për të thënë të vërtetën, ishte diçka fantastike. Hera e parë për mua në një shesh xhirimi, ishte e paharrueshme”, u shpreh Ilda.

Mes aktorëve të njohur italianë si Claudio Santamaria, Marco Giallini, Jerzy Stuhr, përveç Ildës luan dhe një tjetër aktore shqiptare, Flonja Kodheli. “Rimetti a noi i nostri debiti” është filmi i parë italian që shfaqet në “Netflix”.

Ilda Bejleri njihet si gazetare dhe moderatore e emisioneve sportive në “Digitalb”, por edhe si prezantuese ku spikati së fundi me spektaklin “Kthimi i Dallëndysheve”. Pasionin e saj për aktrimin, Ilda e ka shfaqur në realizimin e spoteve publicitare për platformën “Digitalb”, siç ishte ai i transmetuar në prag të 14 shkurtit, ditës së dashurisë.

Prezantuesja e “Supersport”, e krahasuar me spanjollen Sara Carbonero, ka thyer tabu duke guxuar me spote të tilla televizive, që edhe aktoret profesioniste e mendojnë dy herë për ta luajtur ose jo një rol të tillë në kinemanë shqiptare. Të ftuar në premierën e filmit ishin shumë emra të njohur të kinematografisë shqiptare si Mevlan Shanaj, Kastriot Çaushi, Rajmonda Bulku, Petrit Malaj etj.. Filmi u pëlqye shumë nga të pranishmit.

 

<
>
ilda ilda-b t1-1 t2



CLOSE
CLOSE
Pas