Ikja nga shpella; Një syzim i natyrës njerëzore nëpërmjet gjuhës dhe mendimit

Refleksion nëpërmjet “The Stuff of Thought” (Lënda e mendimit), të Steven Pinkerit/ Të vetëdijshëm jemi për gabimet prej një mendjeje krijuese. Mendja jonë krijuese është e aftë të rrëfejë një ngjarje në mënyra të ndryshme, nga kënde të ndryshme shikimi. (dhe mendjet krijuese nuk janë përherë racionale, madje as detyrimisht të sigurta dhe të qëndrueshme). Po a nuk i detyrohemi sot në zhvillimet tona këtyre mendjeve krijuese, që në mos e paçin shpikur të vërtetën, të paktën kanë kërkuar diç të re në domenin e fantazmave që i rrinë pas shpine?

Se qenia njerëzore nuk mund ta durojë gjatë realitetin…T. S. Eliot

Nga Dr. Brikena Smajli – Njerëzit janë mësuar të ndërtojnë “politika” të caktuara për të prezantuar veten përballë tjetrit, të tjerëve. Madje, ata vihen në siklet kur arsyetimi i tyre nuk është vënë në vijë. Nëse një bisedë e argumentuar kësisoj merr si kundërpërgjigje një vijimësi shenjash të deshifrueshme si: mosbesim, mërzi, indiferentizëm, ai ose ajo, do të ndryshojnë strategji të të dhënit, duke modifikuar në një çast të sekondës edhe pritshmëritë, prandaj edhe komunikimi njerëzor paraqitet dinamik, ashtu siç është dinamik e ndërveprues vetë mendimi njerëzor.

Vëmendja ndaj këtij lloj komunikimi vjen prej një arsyeje të thjeshtë njerëzore: ndjeshmërisë që njeriu ka ndaj publikut, tjetrit të tjerëve. Rezultati nuk është megjithatë gjithmonë një përafrim i ekuilibruar mendimesh. Nga yshtja e dëshirës përvëluese për sukses, njeriu i kapërcen më shpejt se sa duhet hendeqet që i dalin përpara, mes vetes dhe tjetrit, vetes dhe të tjerëve, për t’u bërë disi më tepër tjetri se vetja. Hipokrizia dhe tabuja, kanë vend këtu, ata ruajnë kështu një marrëdhënie që vështirë të quhet ndërnjerëzore, në sferën e shkëmbimit të ideve. Po le ta shohim pak komunikimin në një rrafsh global.

Çdo kthim i kokës prapa – një katarsis – është njëkohësisht edhe përpjekja e njeriut për të inventarizuar natyrën njerëzore, proces i cili përjetohet me njëfarë frike, për oqeanin e madh të mendimit, dhe të ideve me të cilat përballet. “Cila është hapësira e njëmendtë e mendimit njerëzor?”, “Po a është njeriu i dënuar të zgjedhë mendimet e tij të mendueshme, ndjenjat e ndjeshme, lëvizjet e tij të mundshme në lojën e jetës, nga një menu e shkurtër mundësish?” (S. Pinker, 2008, 265)

Ky ankth që përbluan larpamësinë e njeriut, të sjell ndër mend për të satën herë alegorinë e famshme të shpellës së Platonit për të burgosurit në shpellë. Shpella vetë është një lloj teatri, në të cilin pritëset janë të ngulura thellë në tokë, për të krijuar një hapësirë në formë shkalle, kokat e trupat e të burgosurve janë të lidhur me zinxhirë në mënyrë që të duken vetëm muret e pasme, dhe një zjarr është i vendosur në pjesën më të lartë të shpellës, në shpinë të tyre. Pikërisht atje njerëzit varin kukulla që prej zjarrit projektohen në mur me lëvizjet e tyre.

Gjithçka të burgosurit dinë, është ky spektakël hijesh. Nëse do të mbërrijnë ndonjëherë të dalin nga shpella, pamja e objekteve nën dritën e diellit do t’ua verbonte sytë, duke ua shkërbyer me errësirë gjithëdijen e tyre. Një interpretim i alegorisë së shpellës, marrë nga këndvështrimi evolucionist, do të na shtynte të mendonim se organizmat ndryshojnë tiparet e tyre në përgjigje të nevojës (vetë nevoja, është ky agjent që prin drejt përmbushjes së një qëllimi), madje edhe të burgosurit këtu do të zhvilloheshin në sajë të një pengese të re që u del përpara. (dritës së diellit, për rastin në fjalë) Ky ndryshim, mund të jetë radikal dhe i përhershëm i thelbit të qenies.

Mirëpo e kemi vëmendjen tonë tek lidhja e mendimit/ mendimeve, ndjenjave dhe marrëdhëniet shoqërore me përdorimin e gjuhës. Në këtë mes “E rëndësishme, – shkruan Umberto Eco, – nuk është të studiosh si funksionon gjuha, kur thotë të vërtetën – është një dritë e ndezur në atë dhomë – por kur gënjen – është një fantazmë pas shpinës tënde. Aty pikërisht gjuha krijon botëra, në vend që t’i reflektojë.” (Doppiozero, Intervistë e Umberto Ecos, Marco Belpoliti-t)

Tani, a janë hijet të projektuara në murin e shpellës, pikat përfytyruese ku është e bllokuar mendja jonë? Pikat e nyjëtimeve të reja të asaj forme përfytyrimi a kanë mbetur pra tek kjo qasje e parë me të jashtmen? Mënyra jonë e të menduarit dhe të interpretuarit, për rrjedhojë të këndit tonë të të vështruarit, tërësisë së dijeve tona, si përvojë që vëmë në punë në një çast të sekondës, na ndihmon në interpretimet tona, por kjo na bën të mendojmë trurin tonë si makineri e shenjuese konceptesh dhe të vetëdijshme për gabimet në këto interpretime.

Të vetëdijshëm jemi për gabimet prej një mendjeje krijuese. Mendja jonë krijuese është e aftë të rrëfejë një ngjarje në mënyra të ndryshme, nga kënde të ndryshme shikimi. (dhe mendjet krijuese nuk janë përherë racionale, madje as detyrimisht të sigurta dhe të qendrueshme). Po a nuk i detyrohemi sot në zhvillimet tona këtyre mendjeve krijuese, që në mos e paçin shpikur të vërtetën, të paktën kanë kërkuar diç të re në domenin e fantazmave që i rrinë pas shpine? Vetë rrjedha e veprimit tonë – komunikim duke përfillur tjetrin dhe duke u përafruar me tjetrin, sjell për pasojë modifikim të mendimit të pastër, prej të cilit vetëdija i hapet gjithëdijes me nyjëtime mendimesh të panumërta. Në këtë pikë, lipset të zgjedhim një kënd vështrimi, duke shpërfillur e mënjanuar variantet e tjera.

Një tjetër arsye është se vetë konceptet tona, edhe pse të dobishme, të mjaftueshme për krijimin e mjeteve të përditshme të bashkëpunimit, janë shtyrë fort të merren me botën e re konceptuale që shkenca dhe shoqëria na kanë bërë të jetojmë. Një modifikim i ri hyn në punë. Shumësia e imazheve dhe shumësia e mjeteve tona të komunikimit, ka deformuar natyrshmërinë e të menduarit, e ka ngatërruar atë. Njerëzit janë të prirur të mendojnë për një entitet holistik, duke e bërë kështu, ata ngatërrojnë dallimet statistikore mes grupeve me epërsi absolute të njërit mbi tjetrin. Termi unik, i përveçuar dhe origjinal është vlera e pasurisë materiale që bartim. Po a e rrokim këtë me njëmendësinë e vërtetë në gjuhë dhe në mendim?

Koncepti tjetër gabues i përfytyrimeve tona të gabuara, ka të bëjë me kohën. Si qenie të zhytur në kohë, i përfytyrojmë objektet a sendet të zhytur në kohë gjithashtu, dhe vetëm për një vend e vetëm për një kohë. Kjo bën që të përjetojmë një përshtjellim në lidhje me rregullat e reja të mediave dixhitale. Vetë lëvizja konceptohet si e mundësuar nga një impuls i transferuar nga një antagonist në një antagonist tjetër, duke bërë që të keqkuptojmë edhe fizikën elementare. Nga përvoja megjithatë e dimë se kalimi i lumit për në bregun matanë, nuk është kurrsesi një lëvizje drejtvizore.

Ne nuk mbërrijmë dot atje në pikën që kishim parë e synuar nga bregu matanë. Bota nuk është një hapësirë e rrafshët në të cilën pikëzohen bëmat tona të përditshme. Kur flasim për mendimin dhe gjuhën lëvizja edhe nuk duhet menduar drejtvizore, pikërisht këtu hyjnë në punë aftësitë tona përfytyruese, koordinatat e vendndodhjes së të cilës ne i kemi të shenjuara në gjuhë me: nën, sipër, poshtë, lart, në, ndër, para, prapa…

Mirëpo, analogjia dhe përafrimi apo edhe paralelizmi, mund të na sugjerojnë që sjellja e topave të bilardos, përplasjet e ngjitjet, lëvizja e tyre, janë përkues për një kuptim më të mirë të shkaqeve që mundësojnë “lëvizjen” brenda trurit, prej këndej, edhe për një shqyrtim më të përimtuar të strukturave qarkore e shkakësore të botës.

Ashtu si konceptet natyrore të botës fizike, konceptet natyrore të botës shoqërore mund të mashtrojnë mendjet që i strehojnë, mendja lipset të shtyhet më tej. Përvoja e ushqyer nga instinktet, në sjelljen me të tjerët mund të na kenë shërbyer në jetën tonë, në lagje a qytet, por nuk na vlen detyrimisht njësoj në shoqërinë moderne e të globalizmit. Një këndvështrim i ngushtë është rrezik i përhershëm i jetës sonë të përditshme. Lipset ta përfytyrojmë njeriun dhe mendjen e tij gjithmonë në lëvizje.

Ndonëse gjuha ekspozon muret e shpellës sonë, ajo gjithashtu na tregon se si mund të dalim nga shpella, të paktën pjesërisht. Në fund të fundit, njerëzit i bëjnë një shikim të shpejtë të botës së dielltë të realitetit dhe përballen me dobësitë. A nuk kemi mundësuar zhvillimin, qoftë edhe të mendjes sonë nga ky pranim? Dhe mendja njerëzore ka mjetet për të shkuar përtej disa përsëritjeve që shfaqen vazhdimisht në murin e shpellës. Në të vërtetë, gjuha ofron dritaren më të qartë se si mund t’i kapërcejmë kufizimet tona njohëse dhe emocionale. Dalja e parë është një metaforë konceptuale…Sepse metaforat nuk janë veç trope letrare, por mund të përkapin qasje më të thella në rrjetën e së përditshmes dhe njerëzit i përdorin jo vetëm për të folur por edhe për të arsyetuar.(Pinker, 2008, 269)

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤