Ikën Gëzim Qendro, ideatori i ekspozitave më tronditëse “Homo Socialisticus”, “Post Eva” por edhe “Onufri”…

Pas një sëmundjeje të rëndë, ndërron jetë në moshën 60-vjeçare Gëzim Qendro; një nga studiuesit më të përkorë të artit pamor shqiptar, që dha perspektivën institucionale në hapjen drejt botës si në drejtimin e Galerisë, por dhe në themelimin e ekspozitës “Onufri”; në vendin që ndërtoi për herë të parë bibliotekën me literaturë bashkëkohore, sot do të bëhen homazhet e lamtumirës

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është dhënë fillimisht nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ndërsa është konfirmuar nga familjarët se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm.

Ai ishte një nga emrat më të rëndësishëm të studimit e kritikës së artit figurativ duke lënë trashëgimi vepra historike, sidomos punime mbi periudhën e realizmit socialist.

I vendosur në krye të Galerisë Kombëtare të Arteve në një periudhë të vështirë, pas kaosit të ’97, po ashtu kur edhe tregu i artit pamor ende nuk kishte bërë ndarjen nga realizmi socialist, Qendro thyen kornizat dhe ndan mendimet për të krijuar një perspektivë moderne në studimin e arteve pamore. Pavarësisht polemikave dhe mendësisë së izolimit, Qendro ishte i pari që nxori nga magazinat fondin e realizmit socialist, duke ngritur ekspozitën permanente, me mundësinë e studimit të tij.

Përpjekja konkrete e kësaj është hapja e institucionit që po drejtonte ku gjatë kësaj kohe kuron ekspozitat më tronditëse për publikun deri sot si Surrealizmi socialist”, “Homo Socialisticus” dhe “Post Eva”. Pa kaluar ende në periudhën e tij më të artë, që lidhen me studimet themeltare për artet figurave, Qendro bëhet iniciatori i hapjes së ekspozitës ndërkombëtare “Onufri” që ende mbijeton, pavarësisht kakofonisë së krijuar nga vullnetet politike të çdo ministri që ka ardhur në krye të Kulturës.

Në edicionin e 15-të, Qendro rikthehet në krye të Onufrit, në cilësinë e kryetarit të jurisë, kur kjo ekspozitë kishte shënuar kulmin e krizës së saj, edhe pse tashmë është e pajisur me status, e funksionon si një institucion. Besojmë se kemi fjalët e fundit të Qendros, për gazetën MAPO, në ekzistencën e Onufrit duke u shprehur se: “Besoj se ka vend të diskutohet ekzistenca e ‘Onufrit’, pasi nuk shoh ndonjë ekspozitë të organizuar çdo vit nga shteti që ka dinjitetin e saj. Janë 21 vjet, bashkë me këtë edicion, që do të thotë se është tashmë një traditë dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të mos e shkatërruar këtë. Ky është një institucion brenda një institucioni.

Sidomos kur mendoj se me marrjen e statusit ndërkombëtar është nga mundësitë e vetme dhe shumë të pakta për artistët shqiptarë për t’u ballafaquar. Nga ana tjetër e me mundësitë që kemi pasur gjithmonë ka qenë monologu ynë i vazhdueshëm në artet pamore. Më kujtohet për shembull ‘Onufri’ i ’98-ës, kur për herë të parë kjo ekspozitë solli edhe kuratorin si praktikë artistike. Mendoj se ka disa merita që po të hiqej, po të prishej të lihej mënjanë do të humbitnim. Pra, historia e artit postmodern shqiptar është e lidhur me Onufrin. Emra të mëdhenj shumë të njohur për herë të parë i ka sjellë Onufri. Në këtë hapësirë mendoj se nuk duhet të mendojmë më, nëse duhet apo jo. Unë nuk mora pjesë në diskutimin që u bë në Ministri për të thënë që mua më duket pa vend, apo që të vij e të diskutojmë duhet apo nuk duhet Onufri.

Jam shumë i kënaqur që u kthye përsëri dhe shpresoj që diskutimi të jetë apo mos të jetë, është krejt i panevojshëm e duhet lënë mënjanë”. Qendro ishte nismëtar edhe i krijimit të bibliotekës së Galerisë Kombëtare, i vetmi vend që furnizon me literaturë bashkëkohore, ku nesër në 10:00 do të kryhen homazhet si një amanet i të ndjerit, i cili do të përcillet më pas në varrezat e Tufinës.

I angazhuar totalisht në fushën e studimeve, përveç përkthimeve utilitare për teoritë dhe historinë e artit, Qendro është autor i tri monografive për artin dhe artistët shqiptarë si “Arkeologjia e Mëngjesit”, “Heronjtë janë të uritur”, “Surrealizmi socialist” (l’Harmattan) dhe “Kinostudio – Shqipëria e vjetër”, studimi më i fundit i Gëzim Qendros, i cili solli për herë të parë një nga fenomenet arkitekturore më të përfolura, në heshtje, lidhur me godinën e ish-Kinostudios, pas surrealizmit socialist që është marrë me pikturën, duke gjetur gjurmë të rrëfimeve fetare në artin dhe rrëfimin socialist.

Ndërsa lajmin e hidhur e ka dhënë që në orët e para të ditës së djeshme, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro përmes postimit në rrjetin social duke u shprehur: “Trishtim i madh! Vendosi të largohet sot prej nesh, pas një sëmundje të rëndë dhe shume para kohe, një nga më të mirët, më profesionistët e më të mençurit e Artit dhe të Mendjes, kritiku dhe historiani i estetikës dhe artit, drejtori që bëri kthesën në Galerinë Kombëtare të Arteve, Gëzim Qendro. Le vepra shumë të mira mik! Por edhe na le një boshllëk të madh njerëzor e miqsor siç vetëm fisnikët munden. Je i pazevendesueshëm! Lamtumire!”.

Gëzim Qendro për “Onufrin”:

“Nuk duhen lëshuar sinjale të tilla që një institucion si Onufri të vihet në diskutim, nëse të bëhet apo jo! Tradita nuk prishet, Venecia ka mbi 100 vjet dhe askush nuk ka folur. Ky është një sinjal për gjitha institucionet përgjegjëse të kulturës, të cilat duhet patjetër çfarë janë krijuar tradita, festivale mbi dhjetë vjet, nuk duhen prishur, për asnjë arsye. Onufri është një nga këto organizime artistike.”

Çfarë thanë për studiuesin

Erzen Shkololli: “Kemi humbur një profesionist të vlefshëm, njohës dhe kritik të artit te çmuar, por mbi të gjitha një mik të veçantë”.

Artan Shkreli: “Lamtumirë mik i përkorë! prape ky sens zbrazetie sot… ikja kësaj bote e të paqtit dhe të diturit Gëzim Qendro…Kujtimet e fundit më të i kisha në konsultat për termat specifike dhe domethëniet semiotike të simbolikes së “arkitektures sovjetike” me të cilën ai merrej kësaj here; dëgjesat kërshërore në kuturisjet e tij në domene të dyshimta interpretuese si dhe insistimi për t’i parë bashkë “shenjat që flisnin vetë” (sidomos ne godinën e Kinostudios, që asokohe i drejtoja rehabilitimin dhe rifunksionalizimin)…Pas daljes së librit, e pashë fare rrallë. I qofshin të lehta lëndina e moti!”

Botuesi “Dituria”, Petrit Ymeri: “U nda nga jeta Gëzim Qendro, miku dhe bashkëpunëtori ynë i afërt, gjithmonë i palodhur, i qeshur dhe i gatshëm për një këshillë të vyer, njeriu i ditur, plot plane për të ardhmen. La një kujtim të mrekullueshëm dhe vepra që nuk do të harrohen. Një shok i rrallë, një studjues i niveleve të larta, një pedagog i dashur. Do t’i mungojë familjes së tij të shtrenjtë, por do të na mungojë shumë edhe neve, miqve të tij.”

Përkthyesja Diana Kastrati: “Ishte në atë grusht njerëzish që elita e shoqërisë prodhon. Studiues i mirëfilltë, perëndimor në forma mentis e, mbi të gjitha, njeri i përkorë në dukje dhe i thellë në përmbajtje, i heshtur elokuent i thelbit të tij. Humbje e dhimbshme për familjen, por edhe për të gjithë ne.”

Natasha Lako: “Shqiptarët sot kanë humbur para kohë Gëzim Qendron, një studiues skrupuloz dhe të jashtëzakonshëm, një njeri dhe një shok për të gjithë, një artist të talentuar të arteve pamore dhe mbi të gjitha, si rrallë kush, një njeri mendje hapur që eksploron atje ku një njeriu të zakonshëm nuk mund t’i shkoje mendja, një shkencëtar i gjuhës vizive, një hulumtues dhe një mendimtar, i cili nuk e dinte se po bënte edhe shoqërinë shqiptare më të mençur… E kam njohur në fillim në Kinostudio, të heshtur dhe të qetë, gati me një vëmendje sublime, veti që e çoi drejt kërkimeve dhe zbulimeve të cilat brenda blatimit botëror kanë me aq vonese edhe një sy dhe një këndvështrim prej shqiptarësh…Stoik, mbrojtës dhe shprehës i një kulture, që ne nuk dimë ta shfaqim. Do të vazhdojë të na mësojë të depërtojmë, të zbulojmë dhe të shfaqim hollësitë më të vogla dhe më të zakonshme që i japin vlerë jetës dhe na bëjnë që ta duam”.

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤