Holta Heba: Dhunë! Por ndaj Kujt!

 

Holta-Heba

Dhuna ndaj grave është pjesë e një mjerimi të madh të shoqërisë sonë, e cila ka humbur çdo sens gjykimi dhe vlere. Heba shkruan se dhunuesit dëshmojnë pafuqinë e tyre për të bërë gjëra të tjera dhe për të kuptuar se ata vetë kanë lindur nga një nënë.

Në vorbullën e plot halleve që i duhet të përballojë një grua sot, shtohet dhe një lebeti: dhuna. Po mor zotëri, po! Halle dhe nga ato që të lënë pa gjumë sepse gruaja duhet të mendojë: a dalin paratë për të mbyllur muajin, a janë të mbathur mirë fëmijët, a e kanë barkun të mbushur dhe a janë mjaftueshëm të qetë për të përjetuar moshën e tyre? Halle nga ato që i përjetojnë vetëm gratë se fundja-fundit në një familje normale ku babai e mbështet familjen ekonomikisht nuk i hyn detajeve, që për të, janë vetëm detyrë dhe punë e gruas. Të mos përmendim këtu rastet kur një grua e vetme në familje, e cila vetë burrë e vetë grua duhet edhe të sigurojë paratë e mjaftueshme për të gjitha nevojat e fëmijëve dhe familjes.

62AA0890-4357-4585-9E7E-6EA978ED0AEC_mw1024_mh1024_s

Nuk po flasim për gra që Zoti i ka hedhur në anën ku jeta është fushë me lule dhe ku mund të gjejnë kohë dhe para mjaftueshëm për të qenë gjithnjë të kuruara deri në detaj. Nuk po flasim për gra që kanë kaq shumë kohë dhe të ardhura për të qenë gjithnjë në një hap me modën më të fundit. Nuk po iu hymë statistikave se sa për qind e grave në Shqipëri e kanë këtë luksin e të jetuarit “trendy”, sepse normal që shifrat do të ishin skandaloze. Po flasim për shumicën e grave dhe kjo shumicë është përherë në përpjekje për të bërë më të mirën me aq sa mundet për familjen e saj. Të ndalemi për një çast dhe gjithçkaje që përmendëm më sipër t’u shtojmë dhe fenomenin “dhunim”. Dhunë nga bashkëshorti po përse? Ndoshta ngaqë bashkëshorti është shumë i mërzitur sepse nuk ka një punë të mirë apo nuk siguron dot të ardhura mjaftueshëm për të bërë një jetë të mirë. Ndoshta ngaqë bashkëshorti është tepër xheloz për bashkëshorten nisur nga e ashtuquajtura dashuri e madhe për të. Apo ndoshta ngaqë ish-bashkëshorti nuk është i aftë t’iu përgjigjet detyrimeve të fëmijëve. E çfarë rëndësie ka? Ndalo vetëm për një moment o ti bashkëshorti “trim” që tek e fundit je vetë pjellë e një gruaje. Harrove nënën tënde që nuk mendonte për veten por vetëm për ty që ti të shkëlqeje dhe të ngopeshe vetëm me të mirat e jetës. Mendo vetëm për një çast se sa dhimbje shkakton një fjalë e vetme, apo një ngritje zëri dhe jo më një goditje e jotja kafshërore. E hap krahun dhe shkelmin tënd dhe nuk mendon aspak se kë po dhunon. Po dhunon atë që e kërkuar dhe dashuruar vetë. Po godet atë që të bëri nderi dhe të vuri etiketimin “baba”, të cilin nëse mendohemi thellë-thellë as nuk e meriton. Po qëllon atë që ka qëndruar me net të tëra pa gjumë, duke e gdhirë mbi fëmijët e sëmurë dhe që mundohej të mos dëgjohet e qara e fëmijës me dhimbje nga frika se mos të prishej gjumi ty, pasi ti do të shkoje të nesërmen në punë sërish, për të siguruar para. Po dhunon atë që për ty ishte më e bukura ndër femra dhe për të cilën ti je betuar që në fillim se do ta trajtosh si një princeshë. Po qëllon vajzën e një prindi që e ka rritur me shumë halle e mundime dhe që e ka mësuar se në jetë njeriu edhe sakrifikon. Po sigurisht që sakrifikon por për gjëra që ja vlejnë dhe jo të kthehet në një skllave apo tabelë qitjeje për shfryrjen e nervave të tua vetëm se ty nuk të ecën në jetë.

h-560x300

Dhunë! Por ndaj kujt? Asaj që të besoi dhe të fali veten. Asaj që t’u përkushtua me mish e me shpirt dhe të besoi ty. Asaj që ndoshta se kish besuar që jeta do të ishte kaq e vështirë, por prapë se prapë nuk të kërkoi asnjëherë më shumë sesa i dhe. Asaj që kishte shumë ëndrra por jeta e solli që të sakrifikojë ëndrrat vajzërore dhe të mendojë një jetë të bukur me ty. Po more zotëri, po! Ajo është shumë e zonja dhe mllefi që ti ke vetëm se jeta që kishe ëndërruar nuk të erdhi ashtu si ti doje. Ndërkohë që ti as e ke menduar nëse do të ishe aq i zoti sa të gjitha këto probleme familjare do të mund t’i kishe zgjidhur krejt i vetëm. Ajo është aq e brishtë sa do të mjaftonte vetëm një fjalë për ta qortuar. Ajo di të dëgjojë, ndaj foli me fjalë. E nëse nuk të dëgjon, dije se e kam mendjen te tenxherja e gjellës nëse do t’i mbushet apo jo për ditën e nesërme.

* Pedagoge, Universiteti Europian i Tiranës

DHUNA-KUNDER-GRAVE-640x340

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤