Henri Çili: Ka ardhur koha për diferencim mes pronësisë dhe administrimit. Ligji i arsimit të lartë nuk po zbatohet - Madame

Henri Çili: Ka ardhur koha për diferencim mes pronësisë dhe administrimit. Ligji i arsimit të lartë nuk po zbatohet

Pas një menaxhimi thuajse pa ndërprerje në pozicionin e administratorit të Universitetit Europian të Tiranës, Henri Çili ka zgjedhur ta delegojë këtë detyrë duke respektuar kështu edhe ligjin e ri të arsimit të lartë. Ai është i mendimit se ky është momenti i një ndarjeje mes pronësisë dhe administrimit. Si pronar i UET, ai zbulon se do të vijojë të japë kontributin në sektorin e arsimit privat për zhvillimin e mëtejshëm të tij.

Në vitin e pesëmbëdhjetë të sektorit privat në Shqipëri ka ardhur koha që institucionet arsimore private, për vetë delikatesën që kanë, për vetë përgjegjësinë e madhe që kanë, për vetë etikën e lartë që kërkojnë, të administrohen jashtë pronësisë nga vetë akademikët. Ligji kërkon që CV-ja e administratorit të institucionit të arsimit të lartë të jetë një ekonomist ose jurist me përvojë të paktën 7-vjeçare.

Zoti Çili, ju jeni një nga themeluesit e Universitetit Europian të Tiranës dhe administrator i tij, së fundmi në media keni lajmëruar që nuk do të jeni më administrator i UET-it, pse?

Jo vetëm për shkak të një logjike biznesi, si pronar i Universitetit Europian të Tiranës kam vendosur thjesht të respektoj ligjin, i cili e kërkon. Me mbylljen e vitit financiar 2017 dhe në vijim të Ligjit të Arsimit të Lartë dhe statutit të ri të UET-it kam emëruar administratorin e ri të Universitetit Europian të Tiranës sipas kritereve që kërkon ligji, i cili e ka në mënyrë taksative nevojën që CV-ja e administratorit të institucionit të arsimit të lartë të jetë një ekonomist ose jurist me përvojë të paktën 7-vjeçare. Por jo vetëm kaq, edhe si logjikë pronësie pas një menaxhimi thuajse pa ndërprerje në pozicionin e administratorit, duke qenë aksioner mazhoritar dhe pastaj aksioner i plotë i kompanisë që ka në pronësi Universitetin Europian të Tiranës, mendoj që ka ardhur momenti për një diferencim jo thjesht se e kërkon ligji, por ka ardhur koha për një diferencim midis pronësisë dhe administrimit dhe jam shumë i lumtur që, një nga pjesëtarët e ekipit të UET, ish -zv.Rektor i universitetit, ish-shefi i Departamentit të Financës, ish-drejtor i Shkollës Doktorale, Prof. Asoc. Dr. Arbi Agalliu, ekonomist me përvojë në sistemin bankar, në sistemin akademik dhe në menaxhim ka jo vetëm vlerësimin tim, por edhe të stafit drejtues të Universitetit Europian të Tiranës për të administruar universitetin. Unë them që në vitin e pesëmbëdhjetë të sektorit privat në Shqipëri ka ardhur koha që institucionet arsimore private, për vetë delikatesën që kanë, për vetë përgjegjësinë e madhe që kanë, për vetë etikën e lartë që kërkojnë, të administrohen jashtë pronësisë nga vetë akademikët. Rasti i lumtur është që, vetë Agalliu është njëkohësisht koleg sepse është pjesë e stafit prej shtatë vjetësh, por njëkohësisht ka aftësi të larta menaxheriale.

Çfarë do të thotë ky moment në jetën e Universitetit Europian të Tiranës?

Universiteti Europian i Tiranës futet në vitin e tij të dymbëdhjetë dhe në tërësi kompania e krijuar gati dymbëdhjetë vjet më parë me qëllim thelbësor sipërmarrjen në arsim, ka nevojë të diferencojë institucionin e Universitetit Europian të Tiranës nga logjika tjetër e pronësisë apo e sipërmarrjes. Besoj se ia kemi dalë që, gjatë këtyre viteve të ndërtojmë një ndërmarrje të suksesshme nga pikëpamja ekonomike dhe njëkohësisht të ndërtojmë një institucion prestigjioz nga pikëpamja e standardeve akademike, e konfirmuar tashmë nga dy akreditime institucionale dhe ky i fundit fully met nga akreditimi i agjencisë britanike. Angazhimi i pronarëve, të cilët në rastin e UET-it vinin nga bota akademike –siç ishim në fillim me kolegët Nurellari, Kajsiu, Hasimja të cilët u larguan më pas drejt projekteve të tjera personale dhe profesionale –ishte një sukses që arriti të ndërtojë një model të universitetit privat në Shqipëri.

Deri në fillim të viteve 2000, kur Gramoz Pashko themeloi universitetin e parë në vitin 2002, ne kishim një traditë puniste universitare, një traditë të parazitizmit universitar, ku menaxhimi thuajse nuk ekzistonte, ku buxhetet ishin të siguruar, ku të ardhurat nga trafiku i influencave politike, nepotike, shkëmbimi i favoreve ishte ligj bazë i ndërtimit të sistemit universitar sovjetik shqiptar siç është kudo në ish-hapësirën komuniste dhe në tranzicion, ku inercia puniste vazhdon të jetë ende shumë e fuqishme dhe dominante. Ne arritëm të ndërtonim njëkohësisht një projekt prestigjioz nga pikëpamja e etikës, por edhe eficient nga pikëpamja ekonomike. Kujtoj që, Universiteti Europian i Tiranës, në fazën e tij të parë prej gati 10 vitesh, duke filluar nga viti i tretë, ka një ecuri dhe një qëndrueshmëri ekonomike mjaft të mirë, një turn over të rendit përafërsisht me 6 milionë euro në mënyrë të pandërprerë, në të cilat ai ka investuar dhe është përpjekur shumë në zhvillimin e institucionit, kurrikulave, formulave, etj. Ka ardhur koha që i gjithë ky sistem i ngritur –dhe besoj kështu ka ndodhur dhe me shumë universitete të tjera private ose të pavarura, nga të cilët do të dalloja së paku rreth dhjetë universitete ose institucione të arsimit të lartë – t’ia ketë vlejtur si një kontribut i madh për shoqërinë shqiptare.

Jo më kot logjika e Reformës Universitare ‘Rama’ kërkon ta shkëpusë administrimin nga pronësia, duke vënë kritere shumë të forta për mënyrën e administrimit të universiteteve që i ngjan sa më shumë atyre organizmave që ne shohim në hapësirën anglo-saksone, sigurisht me specifikat shumë të vogla shqiptare. Përfundimisht me administrimin e ri, Universiteti Europian i Tiranës jo vetëm plotëson një kriter ligjor, por kapërcen me sukses një fazë të re të zhvillimit të tij ku e presin sfida të reja siç është shndërrimi i tij nga një universitet nish me disa degë kryesisht në shkenca sociale dhe humane, në universitet universal ku do të jenë pothuajse të gjitha degët dhe profilet sipas një mënyre të re, detyrë me të cilën do të merrem posaçërisht si pronësi dhe bashkëthemelues i UET së bashku me Presidentin e universitetit, Prof. Dr. Adrian Civici dhe me Bordin Drejtues, duke i dhënë universitetit një profil të ri drejt së ardhmes dhe duke optimizuar kontekstin shqiptar, një formulë të universitetit të madh universal por njëkohësisht pa çeduar në cilësi.

Pse tani ky moment?

Kishte ardhur koha… Para pesë vjetësh ne kemi shpallur tre Jo-të e Universitetit Europian të Tiranës: Jo degëve të reja; Jo filiale në rrethe; Jo studime part-time. Edhe pse këto mund të ishin të gjitha fitimprurëse, ne vendosëm që pas një akreditimi të rëndësishëm ndërkombëtar dhe pas këtij certifikimi me parimin “shumë mirë” ne të shkojmë drejt formulës së re dhe bashkë me diskutimin me stafin dhe personelin akademik ne duam të ndërtojmë një universitet të së ardhmes, i cili do të ketë të gjitha disiplinat, të jetë i karakterit universal dhe të jetë njëkohësisht pa humbur asgjë në cilësi madje duke e rritur atë.

Ju thoni që ky ishte një hap ligjor, si e gjykoni zbatimin e ligjit të arsimit të lartë në tërësi?

Në fakt, zbatimi i Ligjit të Arsimit të Lartë në Shqipëri ndodhet në një pikë absurde dhe ky është viti i fundit ku përfundon faza trevjeçare e tranzicionit që parashikonte ligji dhe ligji duhet të jetë totalisht i zbatuar në fund të këtij viti. Periudha e gradualitetit përfundon këtë vit. Ne sot jemi në një situatë paradoksale ku sistemi privat e ka zbatuar ligjin 100% dhe sistemi shtetëror e ka zbatuar ligjin 0.1 %. Sidoqoftë le të kemi vullnetin e mirë dhe të shkojmë përpara. Kryeministri Edi Rama e ka shprehur qartësisht dhe e ka investuar fort këtë reformë. Ajo ka qenë një nga format markuese të mandatit të tij të parë që i dha atij fitoren. Besoj po ashtu se vazhdimi i mandatit të ministres Lindita Nikolla, ministrja e reformës në arsimin e lartë, është një avantazh për ta çuar këtë proces deri në fund. Do të ishte një përgjegjësi historike e ninistres Nikolla dhe kryeministrit Rama sikur ky proces të mos përfundonte, edhe pse kundërshtitë janë shumë të forta. Unë po them me përgjegjësi të plotë, që përmban gati 90% të sistemit dhe ishte objekt i vërtetë i reformës sepse universiteti privat aty ka qenë gjithmonë dhe është inspektuar, kontrolluar, akredituar, licencuar sipas kritereve ligjore. Gjendja është absolutisht katastrofike. Vazhdon e njëjta kulturë puniste, vazhdon i njëjti sistem i nepotizmit, i ryshfetit, i blerjes së votave dhe i perceptimit të studentëve të cilët janë nën shantazh për blerje provimesh, për fiktivitet dhe për të gjitha gjërat e tjera. Të gjitha sëmundjet e universitetit shtetëror vazhdojnë ndërkohë që gradualisht, me kalimin e kohës, shumica dërrmuese e sëmundjeve të universitetit privat në Shqipëri ose janë përmirësuar ose janë korrigjuar plotësisht me anë të dy proceseve: procesit të verifikimit të ligjshmërisë me mbylljen e institucioneve jo korrekte ligjërisht dhe me akreditimin britanik. Pas përfundimit të këtij procesi, sektori privat ka një avantazh të jashtëzakonshëm me sektorin shtetëror dhe ku dukshëm sektori shtetëror është në një pozitë katastrofisht të dobët.

Forcat inerciale në shoqërinë shqiptare janë shumë të mëdha dhe inercinë e dimë që ka marrë më qafë shumë prej fazave të historisë së njerëzimit. Unë i bëj personalisht thirrjekryeministrit dhe Ministres së Arsimit ta çojnë deri fund zbatimin e reformës sepse në fazën e saj finale kjo mund të komprometojë gjithçka. Ende nuk ka ndryshuar asgjë në universitetin shtetëror, është i njëjti sistem rekrutimesh personeli, është i njëjti sistem i menaxhimit, është i njëjti sistem i tarifave, është i njëjti sistem i degëve kuturu ose i mbajtjes së degëve dhe lëndëve jo eficiente, është i njëjti sistem i papërgjegjshmërisë dhe mungesës së llogaridhënies, është i njëjti sistem i mbingopjes së degëve për të cilat shoqëria nuk ka asnjë interes dhe që mund të paguhen vetë nga përdoruesit apo përftuesit e arsimit të lartë siç është rasti i ekonomikut, juridikut, apo degë të kësaj natyre dhe i zhbërjes dhe uljes ndjeshëm mjeteve financiare dhe nivelit së degëve me interes të jashtëzakonshëm kombëtar për zhvillimin strategjik të vendit apo janë të dijeve sokratike. Sot, ne kemi ende studentët më të dobët në matematikë kur duhet të kemi të kundërtën, sot ne kemi studentët më të dobët bujqësi apo në gjeologji kur duhet të kemi të kundërtën, sot ne kemi studime pothuajse falas për profesione të tilla si mjekësia, ekonomiku, juridiku të cilat janë profesione të cilat e nxjerrin shumë shpejt veten në treg për të cilat tregu është i mbingopur. Është krim të harxhohen para publike për këto degë dhe për shtresa që nuk kanë nevojë dhe po ashtu është krim që të lësh pa cilësi dhe jashtë vëmendjes degë për të cilat ka nevojë zhvillimi kombëtar. Ky është dhe sensi i reformës; nxjerrja në pah e kostos së vërtetë të studimeve në universitetin shtetëror, rregullimi i tregut sipas parimit një kut një masë nëpërmjet instrumenteve dhe përpilimit të letrës së prioriteteve –e cila është një instrument i ligjit e ku qeveria thotë se i dedikon paratë degëve të caktuara ose sipas kritereve dhe prioriteteve që ajo ka dhe lë në lojën e lirë të tregut të gjitha degët e tjera –ndërtimi i sistemit të bursave për studentët e mirë të shtresave në nevojë apo degët e mbrojtura dhe të prioritetit rajonal, janë absolutisht instrumente për t’u zbatuar.

Po ashtu, koncepti bazë i reformës që përpiqet të krijojë një konkurrencë mes sistemeve është ai që çalon më shumë, ai nuk është prekur fare. Ne sot kemi të njëjtën statusquo, përkatësisht 85% në sistemin shtetëror dhe 15% në sistemin privat. Ekonomistët kanë një koncept që lidhet me asimetrinë, në një treg apo në një sektor ku asimetria e aktorëve është e plotë ky treg nuk është konkurrues e për pasojë nuk është në favor të studentit, nuk është në favor të klientit, nuk është favor të konsumatorit, pra të qytetarit. Ky sistem nuk ndihmon as siç duhet tregun e punës me burime cilësore dhe harxhon paranë publike krejtësisht kot aty ku nuk duhet dhe nuk e çon aty ku duhet. Debati për Reformën e Arsimit të lartë po futet në vitin e pestë dhe është faza finale kur ajo duhet të zbatohet ose politikisht të braktiset, ndryshe ajo bëhet politikisht një reformë e votuar dhe një pjesë e sukseseve të kësaj qeverie për të cilën ajo i ka marrë kostot shumë të mëdha elektorale në pamje të parë, por për të cilat elektorati i konfirmoi më 25 qershor. Këtë vit ne festojmë 15 vjetorin e sektorit të arsimit të lartë privat dhe kjo është një fitore historike për Shqipërinë. Kurrë Shqipëria nuk ka pasur një gjendje më të mirë të botës intelektive, një alternativë me sektorin privat në këto 15 vjet, kurrë burimet njerëzore nuk janë zhvilluar dhe nuk janë elaboruar të hapura ndaj monopolizmit, punizmit, nepotizmit dhe tarafit të universiteteve shtetërore. Kurrë përtëritja e elitave universitare nuk ka qenë më e mirë sesa këta15 vjet. Shikoni jetën publike dhe dominimin e saj nga elemente dhe burime njerëzore, studime, lajme nga sektori privat, gjë që nuk ka qenë asnjëherë në historinë e Shqipërisë. Personalisht jam i privilegjuar që kam kontribuar në këtë sektor në këtë pozitë dhe do vazhdoj si pronar i Universitetit Europian të Tiranës të kontribuoj në një pozitë tjetër për ta zhvilluar dhe çuar më tej këtë sektor dhe bashkë me kolegët e tjerë sipërmarrës në arsim në zhvillimin e sektorit të arsimit privat nëpërmjet shoqatës së sipërmarrësve që kemi krijuar për zhvillimin e sektorit të arsimit privat në Shqipëri./Panorama

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤