Kryesore

Helidon Haliti: Piktori në kërkim të fëmijërisë






               Publikuar në : 09:30 - 24/02/16 |
mapo.al

Helidon Haliti… e cila nuk ka humbur. Jeton brenda artistit, evokuar në imazhet që hedh në telajo si një epokë e mbushur me legjenda, ëndrra, e ku çdo imagjinatë kthehet në realitet… përmes penelit, ngjyrave dhe simboleve përmes së cilave piktori flet vizualisht. Helidon Haliti në një rrëfim të gjatë, që e çon në Lushnjën e fillimviteve ’80 , Beratin e Liceut Artistik, ’90-ën e trazuar të Akademisë së Arteve, 12 vitet në Greqi dhe rikthimin në Shqipëri, për të ndërtuar një karrierë në art, si një tablo e madhe ku firmoset Haliti


Nga Suadela Balliu

Foto: Florion Goga / Mapo Images

Studioja e tij, një apartament me hapësirë prej më shumë se 100 metrash katrorë, muret e të cilit janë mbushur me tablo të të gjitha përmasave, i ngjet më shumë një galerie arti, ose tempullit të një koleksionisti, për nga rregulli që është munduar të vendosë dhe dyshemeja prej parketi të drunjtë, që shkëlqen në mungesën e qoftë edhe një pike bojë… derisa ai çel portën e universit kaotik, ku piktori është krijuesi dhe ngjyrat, që duke u përzierë, shkrirë, përplasur, ndeshur e dashuruar nuancë pas nuance, janë mjeti që bën të prekshme imagjinatën gjithnjë në revan për t’i kapërcyer kufijtë në kërkim të horizonteve të reja që vijnë në shpërthime ngjyrash, mbi shtëpiza me çati, guaska, dhi e kuaj, dema, gjela në shpërfaqjen e krenarisë, varka prej letre, rosakë … Janë e gjithë fëmijëria, që te Helidon Haliti nuk ka humbur.

“Pasurinë e fëmijërisë e kthej në art. Ende pikturoj fëmijërinë” –rrëfen Helidon Haliti, ndërsa bën një prezantim të mjedisit të punës, penelave me bojën ende të patharë, bojërat e vajit të përziera mbi një fletë të madhe të bardhë dhe pëlhura me përmasat e një njeriu mbi kavaletë, që presin të marrin formën e fundme nga duart e piktorit.

Haliti është cilësuar si piktor i ngjyrave të gjalla, me fuqinë për të mbërthyer menjëhershëm sytë e kundruesit e për ta thëthirë gjatë në lojën e formave dhe nuancave.

Një nga tiparet dalluese të pikturës së tij, Haliti pranon se është edhe thjeshtësia e të shprehurit të mendimit. “Jam i parimit që një pikturë të të mbërthejë shpejt e të të mbajë sa më gjatë aty” – vijon ai, ndërsa e quan takimin me telajon si një përballje me të pandërgjegjshmen.

Këtë të fundit e has në elemente, simbole, objekte që shfaqen në pikturën e Halitit, një prej tyre, ndoshta më ngulmuese, krahas dhisë që është bërë marka dalluese e artistit, është edhe shtëpiza me çati, që herë e gjen më vete, herë mbyllur në guaskë, herë mbi shpinën e një dhie apo të një kali… “Nëse do i hyja një interpretimi disi psikanalitik, do ta quaja shtëpinë që pikturoj shfaqjen e një lloji pasigurie…” –zbulon Haliti, i cili shton se së fundi ka kuptuar se mundet t’i interpretojë dhe analizojë pikturat e veta, kur bëhet fjalë për një shkëputje në kohë, ato të realizuara disa vjet më parë.

Nëse do të zgjidhte një fjalë që do të ishte e barasvlershmja e gjuhës pamore, do të ishte spontaniteti. Të tillë e kanë quajtur piktorin, kritikët e artit, ndërsa pikturën e tij spontane.

Më shumë sesa mendimi, rëndësi për Halitin ka ndjenja. “Piktura është shpirt” – është i bindjes Haliti, ndaj edhe si e tillë ai nuk ka dëshirë t’i japë dimensionet e njohshme prej shqisave njerëzore dhe realitetit fizik. “Po t’i vësh re pikturat e mia janë njëdimensionale, pa dritëhije”, Marrëdhënien që ka me ngjyrat – ku thuajse e shmang të zezën – e quan instinktive. “Nuk është aq paqësore jeta ime sa ngjyrat që përdor!” – detajon Haliti, ndërsa rrëfen se me vitet piktori ndjen më shumë, mendon më shumë dhe vuan më shumë…

Historia e tij me pikturën, zë fill në vitin 1981, në qytetin e Lushnjës , ku mësues të parë kishte të atin, piktorin dhe poetin Faslli Haliti.

“Im atë nuk donte që unë të merresha me pikturë, pasi më quante asistematik” – kujton ai, e ndoshta ishte kjo mungesë e rregullit, që i vishnin veçanti pikturës së tij.

Më 1982–shin, regjistrohet në Liceun Artistik të Beratit.

“Atje pata një problem të vogël me sytë, por pasi kaloi, nuk kam pushuar më kurrë së punuari” – rrëfen Helidoni, ndërsa sjell ndërmend duke e cituar një postulat të të atit. “‘Suksesin duhet ta shoqërosh me punë, ndërsa dështimin duhet ta kalosh me punë!’ Ndoshta e kaloj më lehtë dështimin, sepse punoj shumë”.

Edhe gjatë viteve të diktaturës, ku gjithçka dukej skematike, Haliti rrëfen se ka qenë gjithnjë në kërkim të së veçantës . “Nuk mbaj mend ndonjë ndrydhje në pikturën time” – thotë ai.

Më ’86-n konkurron në Akademinë e Arteve, por nuk fiton. Provon sërish një vit më vonë … edhe një vit më vonë, por pa sukses.

“Ishte kjo koha që kam punuar shumë. Kam ekspozuar punime në ekspozita kolektive, vetjake, kam marrë pjesë në koloni arti. E para koloni arti, ka qenë në vitin 1988 në Berat. Ekspozova përballë piktorëve të mëdhenj dhe një nga pikturat e mia u zgjodh ndër dhjetë punimet më të mira.

Megjithatë, koha kur pa se piktura e tij mund t’i kapërcente kufijtë – edhe ata fizikë të shtetit më të izoluar të Europës – ishte viti 1986, kur udhëtoi në Oslo të Norvegjisë si pjesëmarrës i

në Bienalen e Akuarelit, ku edhe u vlerësua.

Akuareli është teknika së cilës i është përkushtuar i gjithi viteve të fundit e jo vetëm si piktor por edhe si organizator i Bienales Ndërkombëtare të Akuarelit në Shqipëri – edicioni i parë i së cilës mori jetë pak muaj më parë e që solli në Tiranë rreth 200 artistë nga 50 shtete të botës.

Nuk është fanatik i vajit në pëlhurë, porse edhe i ujit që krijon lojëra delikate mes bojërave dhe letrës. Një prej peizazheve të tij në akuarel, është përzgjedhur si poster për Bienalen e Akuarelit në Kinë. Loja me ngjyrat e ka bërë të krijojë një violë, të pagëzuar si viola e Halitit.

Me bojërat e ujit dhe karrigen e tij, që duket si ajo e regjisorëve të Hollivudit, vendoset përballë bukurisë së natyrës dhe hedh emocionet e tij që kanë brishtësinë e letrës dhe forcën e ujit që zbut ngjyrat duke krijuar të reja…

“Lëviz shumë, shoh shumë, kërkoj shumë dhe shprehem shumë. Materiali i grumbulluar duhet konvertuar patjetër në art” –thotë Haliti duke shtuar se në akuarel pikturon shije, aroma, emocion. “Me pak fjalë pikturoj atë çfarë unë jam”, zbulon ai.

Viti 1989 shënoi më në fund, pas tri përpjekjesh, pranimin  si student i Akademisë së Arteve të bukura, dega Pikturë , e megjithatë ai e di mirë se nuk ishte kjo shkollë që e bëri piktor. “Akademia ishte më shumë një status, por nuk shërbeu për të formuar si piktor apo për të më gjetur punë”.

Ishin vitet e pasigurta dhe të vështira të tranzicionit që po kalonte vendi. Një diktaturë që po jepte shpirt dhe një popull që kërkonte të thyente vargonj. Erërat e para të ndryshimit trokitën në auditorët e universiteteve. “Tranzicioni na rrëmbeu edhe ne të Arteve. Jam pjesë e çdo çasti historik të ndodhur në vend në atë periudhë. Qysh prej refleksioneve të para nga pedagogët tanë, Edi Rama dhe Ardian Klosi, greva e urisë e deri te rënia e bustit, kam qenë aty” – kujton Haliti.

Shqipëria pas rënies së bustit, dukej edhe më e pasigurt. Askush nuk ishte i përgatitur për një të ardhme që nuk dihej ç’do sillte me vete. Hapja e dyerve të ambasadave, e bëri popullin të kërkonte mirëqenien dhe lirinë e munguar jashtë kufijve.

Edhe Helidon Haliti vendos të ikë jashtë, duke zgjedhur Greqinë. “Ishte një brez i tërë që u largua”.

Vështirësitë e përshtatjes me një vend të huaj duket se i kaloi shpejt me punë.

Në vitin 1996, ishte pjesë e një grupi piktorësh shqiptarë që çelën ekspozitë në Greqi. “Ishte për të rikujtuar se ishim artistë”.

Ajo çka nisi t’i mungonte pas 12 vitesh qëndrim në vendin fqinj, nuk ishte puna as tregu për të shitur pikturat që shiteshin thuajse pa u tharë ende mirë boja.

“Ndieja se kisha lënë të papërmbushur ëndrrën e fëmijërisë: Të bëhesha artist.  “Greqia si një vend me kulturë dhe art të zhvilluar, ishte e tejngopur me artistë, ndaj edhe nuk u linte hapësira të huajve. Tregu ishte i lehtë, karriera… e vështirë”.

Më 2005–ën vendosi njëmend të kthehej. “Atë që më mungonte në Greqi, vendosa ta kërkoja në vendin tim. Doja të kisha më shumë liri dhe të bëja karrierë si piktor. Pastaj tim bir nuk doja ta shpija të mësonte në shkollat greke. Doja të mësonte shqip. Ishte edhe një kohë që mendoja të lija vepra, emrin tim, firmën time” – shprehet Haliti, duke shtuar se pas kthimit në thuajse njëmbëdhjetë vjet, Shqipëria i ka dhënë thuajse gjithçka dhe të gjitha këto –pranon ai, pa kushte. Jetën, mëdyshjet, trishtimet e njeriut në emigracion, i ka përkthyer në disa cikle piktorike gjatë karrierës së tij.

Sa i përket sasisë por edhe cilësisë, thotë se prej 2005–ës në Shqipëri ka punuar më shumë. Nuk është nga ata që i numëron apo mban një inventar mbi punimet e realizuara prej dorës së tij –edhe pse ka realizuar një sërë katalogësh me piktura – por aty për aty mund të përllogariste mes vizatimeve, akuarelit dhe atyre të realizuara në vaj e teknikë mikse, mund të ishin rreth një mijë vepra.

I suksesshëm në artin e tij, pikturat e Halitit janë ekspozuar gjerë brenda dhe jashtë vendit, si: Greqi, Francë, Monako, Kosovë, Spanjë etj., dhe shumë tablo që mbajnë firmën e tij janë sot në pronësinë e koleksionistëve, një prej tyre “Muzeu Mezuraj”, por edhe shumë të tjerë të huaj.  Disa syresh janë shndërruar në kopertina librash, Haliti numëron rreth njëqind të tilla.

“Ekspozitën e fundit e kam hapur më 2012–ën. Ka kaluar ca kohë, në fakt! Më duket se

nuk jam ende gati për një ekspozitë të re, por jo se nuk e kam menduar. Kam pak kohë që e mendoj. Por do të më duhej të paktën një periudhë prej një viti e gjysmë të shkëputesha nga çdo aktivitet tjetër”- pranon Haliti, ndërsa rrëfen se këtë kohë artin e bën dhe e jeton vetëm për veten, gjë që bie pak ndesh me natyrën e tij, që siç e ravijëzon ai nuk është aspak e mbyllur por me një dëshirë për t’u ekspozuar. “Jam ekzibicionist nga natyra, nuk dua privatësi, dua të ekspozohem”.

Sa i përket objektit që tërheq syrin e piktorit, mesazhit që kërkon të përçojë, stilit dhe teknikës së përdorur dhe transformimeve të pikturës në kohë, ai përgjigjet se në thelb ajo çka pikturon është … vetvetja. “Esencialisht pikturoj veten. Edhe kur është shtëpi, dhi, gjeldeti… jam unë!” – pohon Haliti, i cili zbulon se tendenca në ciklet e ardhshme të pikturave, do të jetë figura e njeriut. E pat realizuar një cikël portretesh, si edhe nudosh në periudhën 2005-2008 dhe ka ndërmend t’i rikthehet, duke nisur të pikturojë portretet e njerëzve më të dashur, pjesëtarëve të familjes.

Por për momentin, mjeti që ka zgjedhur të shprehë atë çka ndjen, që për Halitin përkthehet në instinkt, spontanitet dhe emocion, është akuareli. Kur del nga studioja, kur braktis kaosin e ngjizjes së koncepteve vizuale, i drejtohet natyrës… jo për t’u shkrirë në të, por për të sjellë natyrën e parë përmes ngjyrave të tij. E pranon që e ka pak të vështirë t’i dorëzohet asnjë muze, qoftë ajo aq e fuqishme dhe madhështore si natyra. “Nuk e di sa kohë do të vazhdoj, por po më pëlqen të pikturoj në akuarel” -përfundon ai, me bindjen se gjithnjë do i kthehet fëmijërisë dhe legjendave të saj, në një rrugëtim të gjatë, te kujtimet e fjetura dhe ato çka duken të humbura, por që peneli dhe pushteti i ngjyrave i gjen gjithmonë…

*Ky artikull u shkrua në kuadër të Projektit “Udha e Shkronjave”, iniciuar nga Qendra UET dhe Fondacioni MAPO

Helidon1 Helidon2 Helidon3 Helidon4 Helidon6



Pas