Helidon Haliti: Do të doja të skllavërohesha nga një grua

Që pastaj ta shndërronte në një cjap, prej plasteline, lehtësisht i përpunueshëm  prej duarve të kujt e robëron…Piktori nuk i largohet figurës së famshme të pikturës së tij, cjapit,  e po ashtu ëndrrave. Ato që e kanë shoqëruar në dashuri dhe në art, aq pandashëm sa edhe gruan e fton të shohë të njëjtën ëndërr me të…

0-1

Picture 1 of 3

 

E mbani mend dashurinë e parë? Kur ka ndodhur? Ku është ajo?

Po ,sigurisht që  e mbaj mend. Kam qenë  në  gjumë dhe ende e shoh atë ëndërr kaq vite rresht.

Po të fundit, apo e para është edhe e fundit?

Të fundit? Cilën nga të fundit?  Pasi në  mes moshë që  ndodhem,  dashuritë janë shumëfishuar dhe përgjigja mund të  jetë  evazive. Unë ende shoh të  njëjtën ëndërr…

Çfarë kanë biondet që brunet s’e kanë?

Biondet superojnë  me histori barsoletash më  shume sesa brunet, por për mua kanë një dimension të të menduarit më horizontal dhe me më pak kufi, pra më  duken më mendjehapura.

Kur dëgjoni është ‘një grua e mirë’ çfarë u vjen në mend? Një grua, e kuruar apo e duruar?

Të gjitha bashkë  e bëjnë një grua të mirë;  e kuruar, e dashuruar, e lirshme atje ku duhet. Pra,  dashnore e mrekullueshme në krevat dhe bashkëshorte në kuzhinë dhe sallon, e duruar atje ku duhet dhe ekspresive aq sa duhet. Gjithçka me masë është perfekte..

Ç’do të thotë për një burrë “dashuria kalon nga stomaku?

Shprehje pak e çuditshme dhe prek pak vulgaren, për mua. Dashuria është thjesht Alkimi e përsosur dhe nuk vjen era salcë…

Martesa, zgjedhje apo zgjidhje?

Martesa është një ndërthurje e dashurisë me pasigurinë dhe kur alkimia e këtyre të dyjave prishet, thyhet përjetësisht edhe kompromisi i domosdoshëm, që shpeshherë e ka kryer funksionin e tij.

Tradhtia, pashmangshmëri e natyrshme apo devijim i paparashikueshëm?

Tradhtia është një term me perceptim personal. Nëse   flasim për tradhti seksuale shpeshherë nuk është esenciale dhe kryesisht ndodh nga mashkulli, gruaja tradhton esencialisht dhe përfundimisht.

Divorci, stacion apo ndërprerje e dhimbshme?

Nuk e njoh si fenomen. Për mua nuk ka ndarje por një ndryshim trajte, nga një formë në një tjetër.

Kur dëgjoni fjalën ‘grua’, cili është asosacioni i parë: Ajo apo Nëna?

Kur dëgjoj fjalën grua, më vjen ndërmend gruaja. Nëna ka një emër thelbësisht unik.

Sikur gruaja të ishte një këngë, cila do të ishte ajo?

Do ishte një këngë ende e pashkruar, por që  e këndojmë tërë jetën brenda vetes dhe nuk e nxjerrim kurrë me zë, si të kishim  frikë se do na e këndonin edhe të  tjerët…

Dhurata e fundit që keni bërë për një grua?

Mbas një udhëtimi në  Indi i solla mamasë bashkëshortes dhe dy kolegeve të mia dhurata të ndryshme në ngjyrë,  material dhe përmasa.

Aventura, ka emrin grua apo shkon përtej saj?

Një pjesë e aventurës janë gratë por jo gruaja. Shpesh flitet për “PO aventurës”,  pasi ajo shijon dhe “Jo dashurisë” pasi ajo plagos. Shije qe s’e kam provuar në  këtë sens, madje as në  artin tim nuk ka aventurë; ka përralla dhe ëndrra, ende…

Kur i thoni një gruaje që e doni?

Sa herë që kam pasiguri maksimale e ndjej të  nevojshme t’ia  them. Sa here kam siguri të  tepruar e dua,  por nuk ia them.

Emma Bovary, heroinë apo viktimë? (Flober shkroi në hyrje të romanit të vet: ‘Zonja Bovari jam unë”. A je ti një ‘zonja Bovari?’)

Te çdo mashkull fshihet një grua dhe anasjelltas. Te çdo prostitutë fshihet një zonjë, por jo një zotëri. Unë nuk kam ndërmend të  pi helmin, ai tretet ngadalë tek ne të gjithë deri sa vdes bashke me trupin tonë.

Lady Macbeth, fatalitet apo shans në jetën e një burri? Ose e thënë ndryshe, Lady Macbeth ose gruaja që të shtyn drejt pushtetit apo suksesit absolut, çfarë i bën një burri?

Të gjitha gratë dinë  të shfrytëzojnë mahnitshëm dobësitë e tyre,  shpesh edhe aftësitë e tyre, por dështimet janë më  të mëdha se sa sukseset.  Kur huazojnë forcën e një mashkulli për të arritur qëllimet e tyre janë të papërmbajtshme dhe aty suksesi vjen në harmoni të plotë  me dështimin.

Po t’ju ndodhte të binit në dashuri me një prostitutë, do të vepronit si Richard Gere tek “Pretty Woman”? A do të braktisnit një biznes, karrierën, një betejë për një dashuri?

Për shembull,  meqë jam piktor mund të merrnit impresionistët dhe e shumta mund të prisja veshin si Van Gogh, por unë i përkas realizmit magjik dhe kam ndërmend te vdes me të dy veshët. Prostitutë është një profesion dhe unë nuk mund të  bie në dashuri me një profesion, as ta braktis atë…

Më mirë një shef apo një shefe?

Më mirë  një profesion i lirë dhe mundësisht të dëgjosh zërin e zogjve ne peizazh dhe të  erës, sesa zërin tënd ndërkohë që  bërtet për të dhënë urdhra. Do të  doja gjithsesi të  skllavërohesha nga një grua dhe të  më  shndërronte ne një Cjap prej plasteline, lehtësisht të përpunueshme, por nuk do me plotësohet ndonjëherë kjo “dëshire” pasi metali, nuk shndërrohet, thjesht ndërron trajte, kthehet  i lëngshëm, pa formë…

Bota ndryshohet para apo pas martese? Po një burrë?

Pyetje pak shabllon për mua, pasi unë nuk jam martuar por kam krijuar familje dhe dy fëmijë të mrekullueshëm, pra nuk kam ber formalitete që të ndjej ndryshimin.

Çfarë konsideroni seksi te një grua?

Seksi në  pamje atë që  konsiderojnë të gjithë meshkujt, më tej duhet provuar duke pasur   frikën e zhgënjimit. Mund të mos lidhet zëri me shijen dhe figurën.

Nëse do t’i bënit një gruaje një pyetje të vetme, cila do të ishte?

A do të donte të shihnim të njëjtën ëndërr, atë të cilën unë e shoh mbi 30 vjet?

Mendoni se gratë bëjnë shumë pyetje?

Gratë janë shumë  të  mençura;  dinë shumë mirë kur pyesin dhe zakonisht përgjigje marrin nga heshtja.

 

 

 

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤