Hashim Thaçi: Asnjëherë më parë në histori shqiptarët nuk kanë patur pozicion më të mirë politik

Sot ndihem i privilegjuar që në vigjilje të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në vitin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti, – nga Universiteti juaj, Universiteti Europian i Tiranës – nderohem me titullin Doctor Honoris Causa.

Ky titull nderi vjen nga një Universitet i cili po bën emër të mirë gjithnjë e më shumë me të arritura akademike dhe shkencore, duke i ngritur standardet e studimeve të botës shqiptare në rang europian dhe atë botëror.

Në kuadër të transformimeve pozitive të shoqërisë shqiptare, e cila synon të bëhet pjesë e integrimeve euroatlantike, edhe fusha e edukimit dhe kërkimeve shkencore ballafaqohet me konkurrencën e nivelit global.

Me kuptimin e plotë të fjalës e themi faktin që Universiteti Europian i Tiranës në botën akademike shqiptare është bërë model i aplikimit të metodave moderne të hulumtimit dhe arritjes së rezultateve shkencore, veçanërisht në shkencat sociale.

Pasnesër Kosova feston 10-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Para ardhjes së këtij akti madhor, që kurorëzoi ëndrrën tonë shekullore, qëndron një histori e pasur, tragjike dhe heroike njëkohësisht.

Është fat i madh që populli shqiptar që nga koha e Motit të Madh, që nga epoka e Gjergj Kastriotit – orientimin politik dhe kulturor e pati të qartë, nga Perëndimi, nga Oksidenti.

Meqë jemi në një tempull të dijes së lartë akademike, nuk kemi si të mos e theksojmë rëndësinë që rilindësit tanë në Kongresin e Manastirit 110 vjet më parë aprovuan alfabetin latin, duke dëshmuar orientimin e qartë gjeopolitik, kulturor dhe shpirtëror të botës shqiptare drejt Perëndimit.

Ky orientim bëri që në fund të shekullit të njëzetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës të marrë mbështetje nga bota perëndimore, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga shtetet e BE-së dhe nga aleanca më e fuqishme ushtarake e botës – NATO.

Duke patur këtë synim, sot shqiptarët kanë shënuar të arritura historike.

Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.

Sot Shqipëria është anëtar i aleancës veri-atlantike, i NATO-s.

Shqiptarët në Maqedoni po avancojnë të drejtat e tyre gjithnjë e më shumë.

Shqiptarët në Mal të Zi janë një faktor konstruktiv në forcimin e një shtetit fqinj, mik i përbashkët i Kosovës dhe i Shqipërisë.

Asnjëherë më parë në histori shqiptarët nuk kanë pasur pozicion më të mirë politik.

Jemi krenar që si popull, pavarësisht kufijve, jemi bërë faktor paqeje dhe stabiliteti.

Nga një popull që ka vuajtur gjatë për liri dhe pavarësi, paqja, pajtimi, solidarizimi dhe bashkëjetesa me të tjerët, janë vlera që rrezatojnë humanizëm dhe civilizim.

Me që ky titull nderi ndodhi në prag të ditës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më lejoni që telegrafikisht të flas për disa rezultate të shtetit tonë të ri.

Pavarësinë e Kosovës e kanë pranuar 115 shtete, në mesin e tyre edhe shtetet më të rëndësishme të Perëndimit dhe të Europës.

Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konfirmoi të drejtën tonë për të qenë shtet.

Në vitin 2012 përfunduam periudhën e mbikëqyrjes së pavarësisë.

Në vitin 2013 kemi nënshkruar Marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke hapur kështu udhë për integrimin e plotë të Veriut të vendit në sistemin politik dhe juridik të Kosovës.

Në vitin 2015 nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) -në me Bashkimin Europian.

Demokracia në Kosovë ka lëshuar rrënjë të thella dhe ne tani jemi në gjendje t’i mbajmë zgjedhjet e lira vetë, si ato për pushtetin qendror, ashtu edhe ato për pushtetin lokal, të cilat janë shembull për rajonin.

Kemi krijuar institucione të qëndrueshme në të gjitha nivelet.

Shërbimin inteligjent, policinë dhe doganën nga më të mirat në rajon.

Ndërkaq, Forca e Sigurisë së Kosovës, një institucion i shkëlqyeshëm, së shpejti do të marrë detyrat dhe misionin e një ushtrie të mirëfilltë moderne.

Kemi shënuar në vazhdimësi një zhvillim ekonomik që është më i larti në këtë pjesë të Europës.

Kosova merr pjesë në të gjitha garat sportive në botë.

Sportistët valëvitin me krenari flamurin e Kosovës në të katër anët e rruzullit tokësor.

Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e parë të artë olimpike dy vjet më parë në Olimpiadën e Rios.

Kosova i ka dhënë Europës dhe botës këngëtare të famshme, ka bërë filma artistikë të çmuar në gjithë botën.

Lista e arritjeve dhe e sukseseve në shtetin e Kosovës dhe të shtetit të Kosovës, është shumë e gjatë.

Kjo na bën të gjithëve krenarë.

*Fjala e mbajtur të enjten me rastin e dhënies së Titullit Doctor Honoris Causa nga Universiteti Europian i Tiranës

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤