Goscinny & Sempé, rrëfimi: Si u krijua libri “Nikolasi i vogël”

“Nikolasi i vogël është rezultat i një takimi. Goscinny nuk do ta kishte krijuar kurrë pa mua, por më e kryesorja është se unë s’do ta kisha bërë kurrë pa të.” -Jean-Jacques Sempé

Për herë të parë, nis në shqip botimi i serisë së letërsisë për fëmijë “Nikolasi i vogël”, nga botimet “Mediaprint”; Së pari kanë ardhur dy botime nga 14 libra që ka seria, të përkthyer nga Adriana Koxha;

Janë dy autorë të famshëm francezë, njëri shkrimtari, dhe tjetri ilustrues, të cilët prej 30 vitesh botojnë e ribotojnë me sukses librin, duke u kthyer në një nga leximet më të rekomanduara nëpër shkolla; janë tekste humoristike, me situatë gazmore të destinuar për lexuesit siç janë fëmijët.

Më poshtë një intervistë me dy autorët si e krijuan serinë e Nikolasit të vogël:

Si lindi “Nikolasi i vogël”?

Goscinny: Sempé vizatonte skica humoristike me personazh Nikolasin e vogël në një gazetë belge, ndaj iu propozua ta përdorte personazhin në tregime të ilustruara.

Meqë ai nuk shkruante tregime, kjo gjë m’u kërkua mua. Më pëlqeu ideja dhe krijuam tridhjetë faqe me Nikolasin e vogël, që pati një sukses të jashtëzakonshëm në Belgjikë.

Pastaj, një ditë prej ditësh na u kërkua të bënim një faqe në një gazetë lokale kushtuar ditës së Pashkëve.

Tema mund të ishte cilado, ndaj, pasi u mendova, i propozova Sempé ta risillnim Nikolasin e vogël, në tregime të ilustruara, me një stil origjinal, ku personazhet do të rrëfenin me gjuhë fëmijërore….

Jean-Jacques Sempé: Goscinny erdhi me një tekst ku një fëmijë, Nikolasi, rrëfente jetën e tij me shokët që kishin emra të çuditshëm: Ryfys, Alcest, Maks, Anjan, Kloter… kujdestari kishte nofkën “Pufka”.

Dhe ja ku nisi: Rene e kishte gjetur formulën.

Goscinny: Faqja u botua nga Sud-Ouest Dimanche në numrin kushtuar ditës së Pashkëve.

Suksesi ishte aq i madh sa na u kërkua të vazhdonim. Më duhet ta them se çdo javë, përgjatë tetë viteve, kemi bërë një punë të jashtëzakonshme!

Mosha e Nikolasit të vogël?

Goscinny: Mosha është e papërcaktuar. Ajo ndryshon në varësi të tregimeve; ta themi që është midis 6 dhe 11 vjeç, por vura re se Nikolasi është më i rritur në shkollë sesa në shtëpi.

Si mund të përfytyrohen me aq saktësi reagimet e një djali të vogël?

Goscinny: Nuk është e vështirë, mjaft të sjellësh në mendje kujtime e pastaj të vëzhgosh pakëz rreth vetes. Kam kuptuar një gjë që ma ka lehtësuar punën: në ditët e sotme fëmijët nuk ndryshojnë shumë nga fëmijët e kohës sime.

Ata kanë pothuajse të njëjtat shqetësime, duan pak a shumë të njëjtat gjëra, u pëlqen të luajnë lojëra. U pëlqen gjithnjë të hanë akullore, çokollata dhe karamele..

Çfarë ju zbavit në këtë histori?

Goscinny: Padyshim gjuha, Nikolasi që tregon ngjarjen; e rrëfen njëlloj sikur do ta rrëfente një fëmijë.

Kur isha i vogël ma kishte shumë ënda t’i bëja të tjerët për të qeshur; shumë shpejt ndërtova teknikën e fjalës së një fëmije.

Nuk pendohem që tallem me nxënësit e mirë, edhe pse unë vetë kam qenë i pari i klasës. Megjithatë, për mendimin tim, tipa si Anjani e kanë më të vështirë për t’ia dalë mbanë në jetë.

Vrasim mendjen se çfarë e bën të suksesshëm Nikolasin e vogël. Mos vallë fakti se ai ngjason me çdo fëmijë që njohim, me tanët në veçanti?

Goscinny: Nikolasi i vogël është një fëmijë i zakonshëm: llupës, sherrxhi, i pëlqen të luajë futboll, i pëlqen të zbavitet… Por është edhe shumë i sjellshëm, nuk është fëmijë i prapë.

A ka ndonjë model? Nuk mund të jetë krejtësisht imagjinar!

Goscinny: Është më shumë fëmija siç e përfytyrojmë Sempe dhe unë, siç do të donim ne ta shihnim. Është tipi i fëmijëve që ne duam.

Sempé thotë se fëmija duhet t’i gjuajë diçkaje që të quhet fëmijë i zakonshëm. T’i bjerë topit apo ndonjë kutie konservash.

Ama Nikolasi i vogël ngërthen shumë personazhe njëherësh…

Po për skicat? Nga se u frymëzuat?

Jean-Jacques Sempé: Nikolasi është prototipi, por më i rëndësishëm është grupi i fëmijëve.

Tok me shokët e tij të vegjël, Nikolasi ngjason me të gjithë fëmijët që unë vizatoj zakonisht apo në mënyrën se si unë i përfytyroj fëmijët.

A identifikoheni ju me Nikolasin e vogël?

Goscinny: Në një kuptim, po. S’kam qenë ndonjëherë gaztor, as kaubojs, kemi qenë fëmijë, si Sempé, ashtu edhe unë.

Këto tregime lindën prej kujtimeve të tij, por edhe prej kujtimeve të mia nga Argjentina, më tepër ndjesi sesa kujtime… aroma e simiteve me çokollatë kur dilnim nga shkolla, atmosfera e pushimit të madh, tërë ai gëlim fëminor që edhe Sempé e kuptoi aq mirë.

Jean-Jacques Sempé: Doja t’i mbushja mendjen vetes sime se mund të kisha qenë çunaku që skicoja. Edhe unë do të doja të kisha përjetuar atë çka përjetojnë këta fëmijë… Ata janë kaq të lumtur….

A simbolizon Nikolasi i vogël fëmijërinë? Tuajën?

Jean-Jacques Sempé: Universi i Nikolasit të vogël është një botë ideale. Fëmija që Goscinny dhe unë do të kishin dashur të kishim.

Falë talentit të madh të Goscinny u arrit krijimi i një bote fëmijësh që të gjithë e ëndërrojnë. Në jetën e Nikolasit nuk ka kurrë dramë.

A është një libër për fëmijë?

Goscinny: Kur me Sempé krijuam Nikolasin e vogël, nuk menduam posaçërisht për fëmijët apo për të rriturit, thjesht e krijuam të tillë…

Jemi të mendimit se fëmijët gjejnë vetveten tek Nikolasi, ndërsa prindërit gjejnë si fëmijët e tyre, ashtu edhe kujtimet veta të fëmijërisë.

Kur përpiqemi të krijojmë diçka gazmore, vështirë të përcaktojmë se nga cila moshë deri në cilën moshë do të qeshim.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤