George H. W. Bush

Nga Massimo Gaggi
NEW YORK 1966: presidenti Lyndon Johnson arrin në Houston për të mbështetur kandidatin demokrat të Texasit që kërkon t’i marrë vendin në Kongres George H. W. Bushit, deputetit republikan në fuqi. Bushi dërgoi gjithë personelin e zyrës së tij zgjedhore për të duartrokitur presidentin që kishte ardhur ta sulmonte. Një anekdotë e vogël që thotë shumë se sa është ndryshuar në pak dhjetëvjeçarë politika amerikane: stil e brendi. Nuk është e rastit që një personazh, i cili më parë se të fitonte presidencën, kishte qenë një pronar i pasur nafte, shefi i CIA-s në vitet që e majta shikonte shërbimet e fshehta me armiqësi, dhe zëvendës i Reagan-it të adhuruar nga e djathta më konservatore, në çastin e vdekjes merr nderime më të ngrohta nga demokratët se sa nga republikanët.

Barack Obama qan “atdhetarin dhe shërbyesin e përunjur të Shtetit, të cilit i detyrojmë një mirënjohje të pakufishme”, ndërsa është i ngrohtë edhe lavdërimi i Bill Clintonit (i cili e mundi në 1992 mbas një fushate të ashpër zgjedhore), ai i Al Gore-t e të tjerë drejtuesve demokratë. Natyrisht edhe republikanët i bëjnë nderimet presidentit të tyre, por në mënyrë më të thatë. Donald Trump ka vendosur të marrë pjesë në funeralin e tij dhe ka lëshuar një komunikatë në të cilën nderon shtetarin mbasi e ka lavdëruar në tuitet e para për dhuntitë e tij njerëzore dhe lidhjet e tij me familjen.

Me gjasë është një pasqyrim i ndryshkut që ishte ndërmjet dy presidentëve: Trump-i i arritur në Shtëpinë e Bardhë duke kriminalizuar drejtimin e vjetër të mishëruar, djathtas, pikërisht nga familja Bush. Dhe Georgi plak që, megjithëse në një stil shumë të matur, nuk mungonte të bënte të përbirohej përçmimi i tij për mënyrën e vrazhdë të të bërit politikë të Trump-it që një herë, duke braktisur urtësinë tradicionale, e përcaktoi madje si një mitdhënës.

Në një karrierë publike, të zgjatur në gati 70 vite, presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara, i vdekur në moshën 94 vjeç, ka qenë protagonist i një Amerike tashmë të fshirë: ajo në të cilën politikanët , të djathtë e të majtë, bashkëndanin të njëjtat vlera, kishin një etikë të përbashkët. Madje ishin t’aftë të flijoheshin, jo vetëm me fjalë, për Vendin e tyre. Ishin mësuar të qeverisnin duke mbajtur gjithmonë në vëmendjen e duhur kompetencën dhe urtësinë.

Ishte një kushtim që Bushi tregoi që nga vitet e rinisë: bir i një senatori të Conecticut, i rritur në kamje e gati për të hyrë në universitetet më të çmuara të Amerikës, 18 vjeç braktisi gjithçka, mbas sulmit japonez të Pearl Harbor-it, për t’u rekrutuar në Marinë. Qe piloti i ri i US Navy. U dekorua si hero i luftës mbasi u rrëzua me aeroplanin e tij më 1944.

Mbas mbarimit të luftës u diplomua në Yale e pastaj u shpërngul në Texas, ku në moshën 40-vjeçare ishte një milioner i naftës. Por politika e tërhiqte më shumë se sa biznesi: dy mandate në Kongres, pastaj role diplomatikë si ambasadori i ShBA në OKB e më pas në Kinë, pastaj shef i CIA-s. Mbas viteve përkrah Reagan-it si zëvendës i tij, zgjedhja president më 1988. Në Shtëpinë e Bardhë qëndroi vetëm për një mandat, por në vite tejet të ngjeshura për politikën e jashtme amerikane e botërore: sot kujtohet mbi të gjitha për Luftën e Gjirit të vitit 1991 që e pa protagonist absolut, por George H. W. Në Shtëpinë e Bardhë ka mbyllur erën e “Luftës së Ftohtë” e ka mbarështuar me urtësi stinën e rënies së Murit të Berlinit e të shkërmoqjes së BRSS, deri në ribashkimin e dy gjermanive. Ka dhënë një ndihmesë të rëndësishme në çarmatimin me Traktatin për pakësimin e armëve strategjike më 1991.

Mbas mësymjes së Kuvajtit nga ana e Irakut Bushi i vjetër diti të ndërtojë një bashkëlidhje shumë të gjerë, pothuajse planetare, kundër Sadam Hysejnit. Ajo e janarit 1991 qe një luftë rrufe. Por mbas çlirimit të Kuvajtit dhe shkatërrimit të ushtrisë irakene, presidenti amerikan e ndaloi marshimin para se t’arrinte në Bagdad. Mos shfronësimi i diktatorit iraken në atë kohë ngjalli mjaft dyshime. Ai e shpjegoi me vullnetin për të mos krijuar një fuqi pushtimi të përhershme: nëse do të kishin pushtuar kryeqytetin amerikanëve do t’u duhej të qeverisnin Irakun. Atë e bëri 12 vjet më vonë i biri George i riu, i 43-ti president amerikan, me përfundime shkatërrimtare, që së mbrami, u kanë kthyer dinjitet zgjedhjeve politike të një presidenti, sot i konsideruar një drejtues i madh i politikës së jashtme të SHBA.

Me gjithë sukseset e tij ndërkombëtare, Bushi i vjetër i humbi zgjedhjet e vitit 1992, i tradhtuar nga kriza ekonomike e brendshme dhe nga qëndrimi i tij, i perceptuar nga njerëzia si shumë i ftohtë dhe aristokratik. Duke u marrë me qytetarë që ndjeheshin të varfëruar, i ngushëllonte me mesazhe të shkurtra e të ngrira. U mund nga një guvernator i panjohur i Arkansasit, që dinte të arrinte zemrën e njerëzisë: “Ndjej vuajtjen tuaj”. Deri në ngërdheshjen e njohur: “It’s the economy, stupid”. Kështu kanguri i vogël Klinton zuri vendin e drejtuesit të fundit të brezit të luftës botërore.

“Corriere della Sera”, 2 dhjetor 2018/Përktheu: Eugjen Merlika

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤