Kultura

Flonja Kodheli: Çdo rol më çon një hap përpara







               Publikuar në : 08:04 - 23/02/15 |
mapo.al

flonja kodheli“Ne nuk ishim thjesht në Berlinale, por mbi të gjitha në garën zyrtare të Festivalit. Sigurisht që unë si aktore të kem rolin e bashkëprotagonistes në një film që bën pjesë pra në këtë garë kaq të rëndësishme, e konsideroj si një pikë të fortë në karrierën time modeste. Dhe natyrisht shpresoj që të më ndihmojë për të ardhmen. Sepse tani më e rëndësishme është e ardhmja”. Aktorja zbulon emocionet e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, ku tërhoqi menjëherë vëmendje, punën për portretizimin e Lilës, rolin që luan në filmin “Burrnesha” dhe projektet që vijnë fill pas suksesit.


Intervistoi: Suadela Balliu

 

Nëse e pyet sesi ndihet nga një pianiste që karrierën e kishte ngritur diku larg dhe në vendin e saj të lindjes ruante një profil më të heshtur dhe të fshehur nga vëmendja mediatike, ajo të përgjigjet e  habitur. “Low profile në Shqipëri! Kur erdha në Tiranë për audicionin e filmit ‘Bota’, unë kisha 10 vjet pa ardhur. Kështu që do të ishte më e saktë sikur të thoni që nuk kisha asnjë lloj profili në Shqipëri”, – thotë Flonja, ndërsa që pas filmit “Bota”  ku ajo ishte protagoniste, prozhektorët janë kthyer drejt saj. Filmi “Burrnesha”, që e sheh si bashkë protagoniste ka përforcuar statusin e saj si ylli më i ri i kinematografisë shqiptare, që nuk ka kaluar pa marrë vëmendjen edhe të profesionistëve të fushës por edhe gazetarëve të huaj në Berlin, ku pak ditë më parë, bashkë me regjisoren dhe një pjesë të kastës së aktorëve, përfaqësoi vendin dhe filmin në konkurrim.

Tapeti i kuq, blicet fotografike dhe intervistat e shumta nuk e kanë dehur aspak me eliksirin e famës, ndërsa ajo ngulmon se ka mbetur e njëjta Flonjë.

“Për punën e “yllit” nuk e di. Ne familjarisht nuk kemi pasur marrëdhënie shumë të mira me yllin. Por për momentin jam gjithnjë Flonja. Sapo hëngra darkë me babin dhe e pyeta çfarë shihte përballë tij, ‘vajzën time të uritur përpara pjatës’, më tha” – tregon ajo duke qeshur.

Pak ditë pasi është kthyer nga kryeqyteti gjerman, Flonja zbulon emocionet nga “Berlinale Palast”, komentet pozitive pas premierës së filmit, por edhe punën në sheshxhirim për të hyrë në lëkurën e Lilës, vajzës malësore që ajo portretizon. Megjithëse rrëmbehet nga entuziazmi i rrëfimit, tregohet e kujdesshme të mos ia zbulojë të gjitha sekretet filmit, të paktën jo përpara se të shfaqet në kinematë shqiptare- ku për publikun vendas “Burrnesha” do të vijë në muajin prill. Flet për profesionalizmin e regjisores Bispuri, marrëdhënien e veçantë me kastën e aktorëve, ndërsa ndan edhe disa këndvështrime të saj mbi lirinë e gruas dhe feminilitetin.

Duket se nuk do e ndalë hovin pas këtij filmi. E pret një tjetër audicion për një film të ri, por pa iu ndarë pianos…

A mund të na tregosh diçka më shumë rreth emocioneve të tapetit të kuq, pjesëmarrjes në një Festival Ndërkombëtar Filmi, ku “Burrnesha” dhe kasta e aktorëve, duhet thënë që e pati vëmendjen. Si e përjetove? Lexova diku që të pranishëm ishin edhe prindërit e tu…

Në fakt ishte e gjithë dita e mbushur me emocione. Paradite kishim konferencën e shtypit ku u ballafaquam direkt me pyetjet e gazetarëve dhe pasdite premiera e filmit. Sigurisht kalimi në tapetin e kuq do të mbetet një moment shumë i veçantë në jetën time. Kisha shumë emocione përpara se të arrinim te tapeti kuq, por kur u ndodha përpara fotografëve duhej thjesht të “luaja me këtë moment”. Unë do të thosha që çka më ka emocionuar më shumë është kur hymë në sallën e “Berlinale Palast” pas kalimit në tapetin e kuq. Salla ishte totalisht në errësirë, spektatorët të ulur na prisnin duke duartrokitur, një ndriçim na shoqëronte vetëm ne, delegacionin, deri sa u ulëm. Ndoshta pikërisht ai moment më emocionoi akoma më shumë, sepse prindërit ishin diku në sallë. Thosha që në atë moment, po të kishin krahë, me siguri do të fluturonin nga gëzimi kur u përmend emri im. Për mua, ato pak sekonda do të mbeten në kujtesën time përgjithmonë.

Për ty si aktore, çfarë peshe kishte Berlinale?

Ne nuk ishim thjesht në Berlinale, por mbi të gjitha në garën zyrtare të Festivalit. Sigurisht që unë si aktore, të kem rolin e bashkëprotagonistes në një film që bën pjesë pra në këtë garë kaq të rëndësishme, e konsideroj si një pikë të fortë në karrierën time modeste. Dhe natyrisht shpresoj që të më ndihmojë për të ardhmen. Sepse tani, më e rëndësishme është e ardhmja.

A ishte ky rol dhe ky film një rritje profesionale për ty?

Çdo rol më çon një hap më përpara, me sfida të reja dhe madje, sipas prindërve që më kanë parë në disa role, po më thonë që me punën që kam bërë me Lilën (personazhi im tek “Burrnesha” ) shohin një aktore më të pjekur.

Skenari është vlerësuar për origjinalitetin, madje lexova një kritikë para disa ditësh, që e quante fenomenin e virgjëreshave të betuara shije ekzotike shqiptare. Çfarë dije rreth kësaj tradite të vjetër shqiptare përpara filmit? A ndryshoi diçka në perceptimin tënd për fenomenin?

Ah! Atëherë unë nuk do të thosha që tema e “burrneshës” është parë si një temë ekzotike. Do të isha kurioze të lexoja artikullin në fjalë. Unë konstatova që njerëzit ishin shumë të intriguar sesi një femër, për të jetuar e lirë preferon të jetojë si burrë. Në film flitet për lirinë dhe identitetin e femrës. Më duket mjaft universale si temë dhe aspak ekzotike. Cili është vendi i femrës në 2015, qoftë në  Shqipëri, Amerikë, Itali, Francë ? Ne rastin e filmit tonë, kemi dy femra që duan të jenë të lira. Njërës (Hana luajtur nga Alba Rohëacher) i duket ndoshta më e lehtë të jetojë si burrë në ato male, kurse vajza tjetër (Lila që luaj unë) largohet nga Shqipëria, pa e kthyer kokën mbrapsht. Jetoj jashtë prej vitesh dhe kisha dëgjuar shumë, shumë pak për burrneshat, por nuk e kisha kuptuar thelbin e vërtetë të burrneshës. Dhe ende kam pikëpyetjet e mia. Por ç’rëndësi ka perceptimi…nëse është i saktë apo jo?! E bukura është që kjo zgjidhje jetese frymëzon një shkrimtare, më pas një regjisore dhe ky fenomen kaq magjepsës dhe i dhimbshëm merr plotësisht vlerën e vet në botën e një artisti.

A mund të na flasësh pak rreth punës që të është dashur të bësh për t’u futur në rolin e Lilës?

Ishte një punë shumë interesante. Një nga aspektet që unë dua shumë në këtë profesion është kërkimi i personazhit. Të luaja një vajzë që jeton në mal nuk ishte e lehtë. Një sfidë më vete për mua dhe shpresoj t’ia kem arritur. Me Laurën, (regjisorja) kemi folur pa fund për background-in e Lilës. Kemi ndërtuar së bashku personazhin e Lilës që të vogël. Laura është shumë kërkuese dhe nuk lejon asgjë të kalojë rastësisht. Kur xhironin vajzat (Drenica dhe Dajana Selimaj) që na luanin ne, të vogla, isha e pranishme gjatë gjithë kohës, sepse doja të shihja Lilën e vogël se çfarë kalonte. Marrëdhënien e saj me Hanën, që e vogël. Gjithashtu theksi verior ishte një pike e rëndësishme. Jam me fat që unë flas shkodranishten dhe më ka ndihmuar shumë, por gjithsesi theksi verior është më ndryshe. Kam regjistruar batutat nga një banore në Valbonë dhe kam punuar me regjistrimet çdo ditë. Do të thosha që edhe aspekti fizik ishte ndoshta më i rëndësishmi ne këtë film, ndaj dhe e dija që duhej sa më shpejt të gjeja ecjen e Lilës. Nuk gjenim këpucët e duhura, por në momentin kur kostumografja e filmit ( Grazia Colombini ) më solli çizmet… shpëtova! Pra, ky ishte sekreti. Çizmet. Hahaha! Jo, vërtet që në këtë film kostumet na kanë ndihmuar tejmase për t’u futur në lëkurën e personazheve. Vajzat e kostumeve, (Grazia Colombini Manu Naçarati dhe Stela Laknori) kanë bërë një pune të mrekullueshme.

Si ishte të punoje me një kastë të përzier aktorësh, shqiptarë dhe të huaj?

Mund të them që përzierja e aktoreve ishte pasuria dhe origjinaliteti i sheshit tonë të xhirimeve. Të gjithë profesionistë absolutë. Një kënaqësi shumë e madhe të punosh e rrethuar me aktorë të një niveli të lartë aktorial. Ishim vërtet me fat që e kishim njëri-tjetrin. Edhe sot ne vazhdojmë të jemi shumë të lidhur të gjithë së bashku me Alba-n, Iliren dhe Luanin. Ishte eksperiencë shumë, shumë e bukur. Kemi folur të gjitha gjuhët e botës midis nesh, por profesionalizmi ishte gjuha jonë e përbashkët, aty ku secili e dinte vendin e vet dhe punën që duhej të bënte! Do të rifilloja të punoja me secilin prej tyre që nesër.

Është një film që flet më shumë për botën jashtë apo edhe për Shqipërinë? A mendon, duke e parë nga jashtë realitetin shqiptar, se gratë dhe vajzat në Shqipëri kanë nevojë të zbulojnë feminilitetin e ndrydhur, si pasojë e një shoqërie me nota maskiliste?

E preka pak a shumë këtë temë më sipër. Shpesh ka ndodhur të perceptoj një marrëdhënie të çuditshme të femrave me pamjen e tyre, ku liria dhe emancipimi i femrës është interpretuar në pamjen e jashtme, në limitet e ekzibicionizmit. Të lënë përshtypjen se duan të tregojnë me çdo kusht që janë të lira dhe në harmoni me feminilitetin e tyre. Nuk e di, por nganjëherë kam përshtypjen që sa më shumë të duash të dëshmosh diçka, aq më shumë ajo “diçka” nuk është ende e vërtetë  dhe thjesht po mundohesh më shumë të bindësh vetveten. Por është interesant si proces, sepse këtu lidhet edhe filmi ynë. Trupi është elementi kryesor në film. Dhe sesi trupi në një farë pike do të çlirohet dhe të jetojë. Por si filmi ynë, ashtu edhe në jetë, liria e vërtetë, pranimi i feminilitetit vjen pas një rrugëtimi, kërkimi të gjatë dhe nganjëherë edhe fort i dhimbshëm.

Pas suksesit të “Bota” një tjetër sukses i afërt për ty me “Burrnesha”, a ka ndonjë mëdyshje deri tani mes pianos dhe aktrimit?

Mëdyshje? Unë? Ç‘është kjo pyetje?J. Realisht nuk kam pasur kurrë mëdyshje. Përkundrazi, jam shumë e lumtur që kam mundësi të shprehem nëpërmjet muzikës dhe aktrimit.

Si ndihesh nga një profesioniste me “low profile” në Shqipëri, në një periudhë të shkurtër të shndërrohesh në yllin më të ri të kinematografisë shqiptare? E ndjen pushtetin e ekranit të madh? E kishe menduar një famë që vinte në këtë rrugë për ty?

Low profile në Shqipëri ? Në momentin që erdha në Tiranë për audicionin e filmit “Bota”, unë kisha 10 vjet pa ardhur. Kështu që do të ishte më e saktë sikur të thoni që nuk kisha asnjë lloj profili në Shqipëri. Për punën e “yllit” nuk e di. Ne familjarisht nuk kemi pasur marrëdhënie shumë të mira me yllin. Por për momentin jam gjithnjë Flonja. Sapo hëngra darkë me babin dhe e pyeta çfarë shihte përballë tij, “vajzën time të uritur përpara pjatës”, më tha.

Pas emocioneve të Berlinales i je rikthyer pianos, muzikës apo një sheshxhirimi tjetër?

Pas Berlinales kam fjetur shumë. Po marr veten dalëngadalë. Nesër kam një audicion. Mezi pres t’i rikthehem pianos dhe jeta vazhdon aty ku e lashë përpara tapetit të kuq.



CLOSE
CLOSE
Pas