Fituesi i “Çmimit Kadare”, Virgjil Muçi: Gjithçka që shkruan një shkrimtar është autobiografike

Fituesi i çmimit Kadare, Virgjil Muci në një rrëfim mbi letërsinë…Historia e një brezi shkrimtarësh që nisën të shkruanin nën komunizëm dhe ajo çfarë ndodhi më pas… Raporti i sotëm me soc-realizmin dhe elementi femëror në letra e deri tek kohët e kaluara me Bukowskin…

Letërsia i përket epokës së Romantizmit në jetën e Virgjil Muçit, i cili shpesh zhvendoset prej saj për tu ndalur në disiplina të tjera si përkthimi apo kritika letrare. Më pas është kthimi sërish aty… në orët e padurimit që ti jep një subjekt që për muaj a vite të tëra orvatet në mendjen tënde, duke të shtyrë që një ditë, ti lësh pas çdo gjë duke u ulur në tryezën e punës për të shkruar… VirgjilMuçi fituesi i çmimit Kadare 2018 me veprën “Piramida e shpirtrave” vjen më poshtë në një udhëtim në kohë me letërsinë…

Le ta nisim bisedën nga shprehja e një autori që ju e keni sjellë herët në shqip, Bukowski. Ai shprehet:“Pa letërsi, jeta është një ferr…”

Ndryshe nga personazhi i famshëm i ArthurConanDoyle-t, detektivi i pashoq SherlockHolmes-i, i cili, për të mbërritur në thelbin e gjërave dhe zbuluar të vërtetën rreth një krimi shtinte në punë metodën e skartimit të dukurive të rëndomta e lehtësisht tëhamendësueshme, unë do të veproj duke u nisur nga kahu i kundërt, pra, të zhbijmë atëçka është e qenësishme, në rastin tonëletërsinë dhe, mbasi e kemi kryer këtë veprim, të mbyllim sytë e me fuqinë e imagjinatës të shohim çfarë mbetet paskëtaj: duke huazuar një term nga kritika letrare, do të thoshim një botë prozaike; me fjalë të tjera një realitet ku gjithçka do të kishte vetëm dy ngjyra bardhë e zi. Si me magji do të zhdukeshin, sikur të mos kishin ekzistuar kurrë, ato personazhe që na kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës sonë dhe, në fund të ditës, ngjajnë edhe më të gjallë se shumë krijesa të tjera prej mishi e gjaku, si: Helena, Akili, Edipi, DonKishoti, Hamleti, Makbethi, Ana Karenina, GregorZamza e shumë e shumë të tjerë aq sa lista do të rezultonte pafundësisht e gjatë për t’i renditur të gjithë këtu. Pa dashur ta qortoj Bukowski-n, por ta përcaktoj shprehjen e tij kur thotë se jeta pa letërsi do të ishte njëferr, lypset thënë se sipas konceptit tëBorges-it, i cili na kumton se Bibla nuk është veçse një variant i letërsisëfantastiko-shkencore, atëherë edhe ferri është një sajesë letrare, pra trill i njëdemiurgu, qoftë ky edhe Zoti, kështu që zbrazëtia e krijuar prej mungesës së letrave kishte për të qenë diçka edhe më e makthshme, e papërfytyrueshme edhe për fantazinë më të harlisur. Po e mbyll me shprehjen e një shkrimtari erudit si UmbertoEco-ja, i cili, duke e këshilluar të nipin për peshën e letërsisë, shprehej me këto fjalë: “Në qoftë se ti nuk ke lexuar një roman gjatë gjithë jetës tënde, ke jetuar vetëm jetën tënde, por në qoftë se ke lexuar një sërë syresh atëherë ti ke jetuar edhe shumë jetë të tjera”. Më qartë se kaq, ma do mendja s’mund të bëhet.

Çfarë ju çoi te letërsia. E keni menduar?

Liria. Ideja për të qenë i lirë. Për ta kuptuar më mirëkëtë thënie gjërat duhen vendosur në kontekstin e kohës kur u linda dhe u rrita, pra, një regjimi diktatorial nga më absurdët që ka njohur historia e njerëzimit. Ndryshe nga shumë vende të ish-Lindjes socialiste, e theksoj, të ish-Lindjes, ne nuk njohëm as majin e ‘68-s, as revolucionin seksual, përkundrazi segmenti i lirisë sonë shtrihej nga aksionet e detyruara të ujitjes e hapjes së tarracave deri te zboret ushtarake. Shprehja më e lartë e lirisë në këtë atmosferë mbytëse për një adoleshent mund të ishte vetëm libri; kryeherazi leximi dhe fluturimi mbi krahët e fantazisë dhe, më pas, për disa të tjerë, si puna ime, pasioni për të shkruar dhe për t’i dhënë një dimension të ri asaj që quhet Liri. Kjo ishte një botë ku s’mund të hynte e ta përdhoste kurrkush, madje as gardianët më të egër e fanatikë të regjimit që vigjilonin mbi jetën e gjithkujt prej nesh. Por ja që edhe diktatura mëçnjerëzore e ka të pamundur të kontrollojë gjithçka, sidomos fantazinë, kundërshtarja dhe armikja më e rreptë e të gjithë regjimeve represivë, si në rrafshin familjar ashtu edhe atë shoqëror.

Ju i përkisni atij brezi shkrimtarësh që rininë e kaluan nën komunizëm.Cilët ishin librat që lexonit? Dhe cilët kanë ndikuar më shumë te ju?
Ka qenë një kohë kur uria dhe jo vetëm ajo për libra, ishte jashtëzakonisht e madhe, kështu që për t’iu përgjigjur me dorën në zemër pyetjes suaj më duhet të them që, fillimisht, lexoja gjithçka që më binte në dorë. Këtu lypset pasur parasysh atmosfera kohore, me fjalë të tjera jeta nën një regjim kur gjërat triskoheshin, paradoksalisht, bashkë me mishin e qumështin, edhe librat, filmat e kështu me radhë. Kësodore është e vetëkuptueshme dhe, thënë kështu, mëse normale uria jonë; them jonë, duke pasur parasysh jo thjesht e vetëm veten, por krejt brezin tim që ndante të njëjtin frymëzim kulturor dhe që lidhej pashmangësisht me Perëndimin, letërsinë, filmat dhe artin e tij në përgjithësi. Kam përshtypjen është Çehovi që ka sendërtuar një paradoks me shprehjen: “Duhet lexuar edhe letërsi e keqe për të ditur se si nuk duhet shkruar”, diçka që dikur nuk e kuptoja dhe aq mirë, por më vonë do të më vinte në ndihmë për t’iu shtëmëngurskematizmit tësoc-realizmit dhe për ta kërkuar të bukurën diku tjetër, jashtë realitetit të kohës, temës së madhe, tipikes dhe tipizimit në letërsi, tri ikonave të estetikës zyrtare që, në të vërtetë, ishin anamneza e lëngatës që e vriste letërsinë dhe artin e vërtetë.Të kësaj kohe janë përçapjet për të lexuar drejtpërdrejt autorët në gjuhë të huaj, duke i dhënë një dimension të ri e të pazëvendësueshëm dëshirës për të zgjeruar kufijtë e leximit. Kjo kohë përkon me qëmtimet në Bibliotekën e vjetër Kombëtare, atë që gjendet edhe sot te Rruga e Elbasanit, përballë Institutit tëtë Përndjekurve Politikë, dhe ç’është më e rëndësishme, me zbulimet e emrave të mëdhenj të letrave botërore.

Po gratë shkrimtare? Mund të më përmendni ndonjërën që të ketë pasur ndikim të madh te ju.
Një nga tiparet e diktaturës ishte edhe një frymëmizogjinizmi përsa i përkiste rolit tëfemrës në letërsi e përgjithësisht në lëmë të krijimtarisëartistike, e maskuar kjo gjënë mënyrë perfide me retorikën e emancipimit të gruas nëçdo sektor të jetës së shoqërisë, siç thuhej sipas regjistrit ligjërimor të makinerisë propagandistike. Për ta ilustruar këtë mendim, tani që më pyesni ju, duke u rrekur të sjell ndër mend emrat e grave shkrimtare të huaja që përktheheshin te ne qenë fare të paktë, madje një numër gati i papërfillshëm krahasuar me atë tëshkrimtarëve meshkuj. Kjo frymë mbizotëronte në të gjitha fushat e jetës artistike, pra jo vetëm në letërsi: kam parasysh këtu pikturën, dramën, kinematografinë, studimet e kështu me radhë.

A patët ju një raport tuajin me soc-realizmin?

E di që sot tingëllon tejet pretencioze të thuash jo, as unë, as vepra ime, nuk ka pasur kurrfarë raporti me realizmin socialist. Sidomos kur ky pohim bëhet sot, si dhe duke pasur parasysh qëkarrierën letrare e ke nisur asokohe, duke botuar një ose dy libra, siç ka ngjarë me mua. E vërteta është se kur kthej kryet pas dhe shoh atë krijimtari modeste, bëhet fjalë për një roman historik Shpatat nuk u ndryshkën, dy vëllime me përralla dhe një novelëZhvarrosja e një dashurie, të cilën do ta ribotoja më pas, diku aty nga fundi i viteve nëntëdhjetë, pa kurrfarë qortimi, më vjen për të qeshur me naivizmin e natyrshëm që i përshkon, por as skuqem, as zverdhem, siç mund të ndodhë me shumëkënd kur sheh se çfarë ka shkruar e botuar në atë kohë; kështu që nga ky këndvështrim nuk shoh ndonjë arsye t’i paguaj haraç soc-realizmit dhe as t’iu lyp ndjesë lexuesve, ashtu siç mendoj se duhet të bëjnë shumë kolegë që, pa kurrfarë skrupulli, vazhdojnë fryjnë gjoksin e të ngrefosen me dekoratat (metaforikisht) e metodës së realizmit socialist. Ironia e fatit është se askurrkush nuk ka pasur kurajën ta bëjë një gjest të tillë, ndërkohë që në ish-vendet e tjera të Lindjes, nuk janë të paktë shkrimtarët që kanë dalë para lexuesit me njëmeaculpa për të bërëkatarsisin e nevojshëm dhe vijuar rrugëtimin letrar me ndërgjegje të qetë e të pastër. Lypset thënë se mëkati nuk iu duhet veshur vetëm shkrimtarëve, por edhe regjisorëve, e kështu me radhë.

Ju hyni tek ato personazhe që kanë dashur ta shohin letërsinë në disa kënde, si autor, përkthyes, por edhe si kritik letrar… Çfarë bëri që të mos mbeteshit vetëm në njërin kënd?

Lypset thënë se çdonjëra prej tyre, pra krijimtaria e mirëfilltë, përkthimi dhe kritika letrare përkojnë me faza të caktuara tëkrijimtarisë sime: më shkoqur, në qoftë se do të shkonim e do të huazonim një term nga historia e letërsisë do të thosha se letërsia i përket epokës sëRomantizmit në jetën time, e cila zë fill me adoleshencën dhe vjen deri në një periudhë të caktuar të rinisë, atëherë kur gjithçka identifikohej me krijimtarinë letrare dhe vetëmme atë. Asokohe bota rrotullohej jo qark diellit, por rreth librave e letërsisë. Kohë leximesh të vrullshme dhe të pareshtura (sinqerisht ndiej një nostalgji të jashtëzakonshme), sprovash të palodhura për të shkruar në një makinë shkrimi “Brothers” që ma kishte dërguar ungji i sime mëje nga Amerika dhe trokitjesh tëndrojtura nëpër redaksi gazetash e revistash për të botuar. Orvatje pa sukses, më duhet të pohoj. (Më vjen keq për të rinjtë e sotëm kur shoh se me çfarë lehtësie botojnë sot e gjithë ditën, shpesh me të paguar. Është pak a shumë sikur të bësh seks për herë të parë duke paguar një prostitutë.) Fill paskëtaj vjen periudha e dytë, e përkthimeve, e cila në qoftë se do të vijonim me gjedhin historik përkon me Sentimentalizmin; koha e kuturisjes në lëmë të shqipes dhe të gjuhëve të huaja, kohë eksplorimesh, eksperimentimesh, barabitjesh, anatomish letrare. Çdo shkrimtar i madh i huaj dhe çdo vepër që merrja përsipër ta ktheja në shqipe shëmbëllente me zbulime të mëdha, por edhe dështime e hundëthyerje; sakaq vjen një ditë e zbulon se shqipja ka bukuri të rralla dhe sa më shumë i njeh viset dhe peizazhet e saj aq më fort nis dhe e dashuron; duke huazuar sërish një metaforë nga erotika është si të zhbirosh shtatin e një femre: lugina të mistershme, kodra hirplota, burime me ujëra tëëmbla e pyje fantastike ku hyn e magjepsesh dhe nuk del dot më. Dhe vijmë te periudha e fundit: Kritika, e cila, duke vijuar në të njëjtën vazhdë arsyetimi, përkon me Realizmin Kritik. Analiza, përimtime, zhdrivillime dhe miq të humbur, sa herë që rrekesh të gjykosh me sens kritik për ta dhe veprën e tyre. Në këtë pikë mund të pohoj se gjykimi kritik dhe vetëkritik nuk është ana e fortë për askënd prej nesh dhe, të jem realist, ky nuk është ndonjë defekt që e kanë vetëm shqiptarët. Të gjithë rrudhim buzët dhe na vjen athtë kur na gjykojnë. Tekefundit kjo është natyrshme, e panatyrshme do të ishte të përjetoje kënaqësi nga kritika; të qe kështu kënaqësia do të merrte trajtat e një farëmazohizmi, letrar, sigurisht!Nuk e di se çfarë mund të shprehte më mirë se tri metaforat e mësipërme marrëdhëniet e mia me letërsinë, përkthimet dhe kritikën; dhe këtu nuk kam parasysh vetëm atë letrare, por gjykimin kritik në përgjithësi si një element kartezian.

Njohja vonë me modernitetin çfarë i solli veprës tuaj?

Në shoqërinë e sotme postmoderne kam përshtypjen se kufijtë e modernizmit janëbërëtejet të lëvizshëm dhe, kësodore, e kanë humbur peshën e atë çka mund të këqyret si vlerë e tij. Fjala vjen, një vepër që autori, por edhe kritika, mund ta konsiderojnë diçka tepër moderne, në thelb, ka të ngjarë të jetë një anakronizëm me brirë (mos më kërkoni të sjell shembuj, duke qenë se janë me shumicë në letrat shqipe të kohës), ndërkohë që një vepër e shkruar para dymijë vjetësh dhe, për ta ilustruar këtë gjë, po sjell si shembull vetëm një vepër, Gomarin e artë tëApuleut, një vepër që, fatkeqësisht, nuk e kemi ende të botuar në shqipe, e cila vazhdon të jetë mishërimi i njëmoderniteti të pashoq në sytë e mi, por edhe të shumë studiuesve të letërsisë.

Në romanet tuaj personazhet kthehen nga diku …?

Vëzhgimi juaj është i saktë: personazhet e mi shpesh ndodh tëkthehen nga diku. Kam parasysh këtu turisten e huaj te Zhvarrosja e një dashurieqë rikthehet në Shqipërinë komuniste për të gjetur dashurinë e saj të parë e të madhe, por në vend të dashurisë gjen vdekjen, Doruntinën te Mëkati fillestarqë rikthehet në shtëpinë atërore për tërigjetur dashurinëincestuoze me të vëllain deri te karakteri më i fundit i ngjizur nga unë te romani Piramida e shpirtrave, Mark Mara, i cili, ashtu si një bir plëngprishës, rikthehet në strehën atërore për të gjetur pafajësinë e humbur në botën e madhe, por zbulon një shoqëri tmerrësisht të korruptuar e absurde, e cila, përkundër pritmërisë së tij, e thith në moçalin e saj dhe komprometon gjithçka që ai, në mënyrë naive, kishte pritur e shpresuar se do të gjente për të përftuar katarsisin e domosdoshëm për t’u kacavjerrë jashtë Ferrit e ngjitur në Purgator. Tekefundit i gjithë rrugëtim vajtjeeardhje, madje ngandonjëherë e kthim, është një udhëtim që kuturis e bën edhe vetë autori për arsye nga më të ndryshmet me shpresën e besimin, jo rrallë naiv, për të gjetur diçka që, gjasat janë, të mos ekzistojë veçse në fantazinë e tij.

Sa autobiografike është ajo çfarëju shkruani?

Mendimi im është se gjithçka që shkruan një shkrimtar,pra kam parasysh autorët e veprave fiksionale,në një mënyrë ose një tjetër, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, është autobiografike. E për ta çuar mendimin më tej kjo gjë vlen edhe për ata shkrimtarë që kritika nuk i cilëson domosdoshmërish realistë, duke iu veshur një dimension përtej reales veprës së tyre. Kur them këtë të fundit kam parasysh njëpërimtesë qëMilanKundera i bën veprës së Kafkës në një cikël esesh për romanin europian dhe ndryshe nga shumëkush tjetër qëështë marrëgjerë e gjatë me shkrimtarin pragez të verbit gjerman dhe sheh te vepra e tij një gjykim të regjimeve totalitare e më the e të thashë, duke zbërthyer një pjesë të veprës së tij e shihte atë si fryt e produkt të rebelimit të shkrimtarit ndaj autoritarizmit tëtë atit dhe frymës asfiksuese që mbizotëronte në marrëdhëniet mes atyre të dyve. Ma do mendja qëështë një shembull mëse elokuent dhe që shpjegon pa kurrfarë ekuivoku atë çka dua të them pak më lart për natyrën autobiografike të veprës së një shkrimtari.

Më thoni historinë e një përkthimi. P.sh. si shkuat teFemrat e Bukowski-t?

Duke perifrazuar një shprehje tëPlatonit do të thosha se është libri ai që e zgjedh përkthyesin dhe jo e kundërta. Dua të them ishte Bukowski ai që mbërriti një ditë tek unë dhe jo e kundërta. Dhe ky pikëtakim ndodh një ditë të bukur të vitit 1993, ndërkohë që unë punoja në fondacionin SOROS dhe një mik imi, një profesor amerikan i letrave, me të cilin na ofronte pasioni i përbashkët për librat, më sugjeroi të lexoja një shkrimtar amerikan që vazhdonte ta skandalizonte shoqërinë e vendit nga vinte ende me prozën dhe, veçmasi, poezinë e tij: shkrimtari quhej CharlesBukowski dhe ishte krejt i padëgjuar për mua. Të jem i sinqertë fund e krye e mora me një farë ngurrimi, falë edhe atij dyshimi, mosbesimi dhe, thënë më shkoqur, kufizimi që mund të kishim për gjithkënd që nuk ishte njëHemingway, DosPassos, Steinbeck, ArthurMiller, WilliamFaulkner e kështu me radhë; me një fjalë me atë grup autorësh që ishin alfa dhe omega e letërsisë amerikane për ne. Përshtypja e parë mbasi e lexova: tronditëse si çdo takim tjetër me një artist ikonoklast; mendimi i parë: mbasi më doli dehja dhe u bëra esëll, duhet përkthyer një orë e më parë në shqip; synimi: duhet shqyer e shkapërthyer këmisha e forcës për t’i dhënë shqipes letrare atë frymëmarrje e përmasë kozmike që i takon si çdo instrumenti tjetër në fushën e krijimtarisë; rezultati: sot, pas afro 23 vjetësh nga dita kur pa dritën e botimit – më pëlqen fort kjo klishe frazeologjike e trashëguar nga publicistika e kahershme letrare – kemi në shqipe një vepër që vijon të lexohet me të njëjtën ëndje nga të gjitha moshat.

A e ka ende erotizmi rolin që pati në letërsinë e shek. XX?

Po e them qysh në krye: erotizmi është bashkëshoqërues i letrave qysh nga zanafilla e tyre në qoftë se e marrim të mirëqenë faktin që vepra e parë letrare e të gjitha kohërave Iliada nuk është gjë tjetër veçse një vepër me një elektricitet të jashtëzakonshëm erotik. Ndaj, pa drojë mund të thuhet se nuk mund të ketë letërsi të vërtetë pa erotizëm. E them këtë gjë, duke qenë se nuk jam në gjendje të ndër mend qoftë edhe një vepër të madhe letrare nga antikiteti deri më sot që nuk ka një dimension të qenësishëm erotik. Mbërritur në këtë pikë më vjen keq të konstatoj, atë që të huajt e kanë vërejtur prej kohësh dhe nuk kanë ngurruar ta nxjerrin në pah, madje jo pa një dozë cinizmi, se në letërsinë shqipe erotizmi është një fëmijë i jashtëligjshëm, i cili, edhe pas kaq e kaq vitesh lirie, këqyret disi shtrembër jo vetëm nga autorët, por edhe nga publiku i gjerë. Duke i kërkuar ndjesë lexuesit të këtyre radhëve, jam i shtrënguar t’i rikthehem një përkthimi tim Femrave tëBukowski-t, një libri që iu desh një kohë jo e shkurtër të fitonte qytetarinë në sytë e qytetarëve të Republikës së Letrave, të cilët, për një kohë e këqyrën, ashtu siç burrat e një qyteze provinciale këqyrin një bordello në vendin e tyre: ditën dhe në sytë e botës e nëmin dhe e mallkojnë si diçka perverse e të pamoralshme për t’u dukur sa më të moralshëm në sytë e shoqërisë, ndërsa natën të veshur tebdil e duke u ruajtur prej shoku-shokut shkojnë dhe e vizitojnë tinëzi.

Vetmia e ndihmon letërsinë?

Nuk mund e nuk dua të marr poza dhe tëshprehem e tëthem nëse vetmia i vjen në ndihmë procesit krijues apo jo. Nga gjithë sa kam lexuar e lexoj rreth jetës së shkrimtarëve të ndryshëm, jetëshkrimet e tyre janë një minierë e paçmuar për mua, si dikur në të ri ashtu edhe sot e gjithë ditën, përvojat janë nga më të ndryshmet. Në gjykimin tim, procesi i të shkruarit i ngjan shumë njëcameraobscura-s ku lahet e zhvillohet celuloidi i një filmi dhe më pas përftohet fotografia. Në të kundërt, në dritën e diellit, filmi komprometohet dhe, kësisoj, mund të digjet në mënyrë të pariparueshme e të pakthyeshme. Kështu, besoj, ndodh edhe me procesin e të shkruarit ku vetmia luan të njëjtin funksion që luan edhe dhoma e errët, ai mjedis i nevojshëm për përftimin e veprës letrare, larg syve e veshëve të publikut. Nisur nga ky këndvështrim do të shtoja se vepra letrare ka diçka prej intimitetit të dhomës së gjumit ku shkon e ngjizet krijesa e ardhshme.

A keni një ide bazë, një fjali ose diçka që nxit procesin e krijimit të veprës, kur filloni një dramë, roman apo tregim?
Jo, kurrë, ideja më krijon njëasosacion të shëmtuar me realizmin socialist kur pas gjithçkaje që shkruaje duhet të ekzistonte një ide, madje, siç thuhej atëherë, një temë e madhe: dhe pas kësaj nënkuptoheshin absurditete të atilla si lufta nacionalçlirimtare, klasa punëtore e dokrra tëkësollojshme. Nga ky këndvështrim as një fjali nuk është në gjendje të shkaktojë atë që më pëlqen ta përshkruaj si shkëndijën hyjnore të aktit krijues; fjala vjen, për të qenë sa më konkret, po i drejtohem romanit tim të fundit Piramida e shpirtrave: zanafilla e tij është një metaforë, e cila erdh’ e u ngjiz nga një tjetër vepër letrare Shpirtrat e vdekur të Gogolit. Sot që e risjellnë mendje mënyrën se si e qysh u ngjiz libri, falë pyetjes suaj, e kuptoj se pa atë metaforë ai roman nuk kishte për t’u shkruar kurrsesi.

Pasi keni filluar, e keni të gjithë skemën në mendje apo karakteret dhe intriga ndjekin vazhdën e tyre dhe ju heqin udhën juve, ashtu siç thonë disa romancierë të tjerë? Desha të them qëBalzaku, për shembull, ishte tejet i befasuar dhe i prekur nga vdekja e XhaGorioit, sa hapi dritaren e tij dhe thirri: Le PèreGoriotest mort! Le PèreGoriotest mort! (XhaGorioi vdiq! XhaGorioi vdiq!)

Them, madje ngulmoj, që nuk ekziston një doracak që na mëson se si shkruhet një vepër letrare; çdo mëtim i kundërt është një rrekje për t’u dukur interesant në sytë e të tjerëve dhe, për rrjedhojë, diçka e dëmshme. Kam parasysh këtu që nuk ekziston kurrfarë skeme, duke qenë se te një shkrimtar mund të hasen përvoja më të ndryshme të shkrimit, përvoja që lidhen me një sërë faktorësh, të cilët ndryshojnë nga një punë te tjetra. Mund të ndodhë që ti ta kesh të qartë qysh në krye, ashtu sikurse çapitesh në vijat e bardha me të njëjtën qetësi e siguri se ku do të mbërrish, ashtu siç mund të ndodhë, gjithashtuqë në krye ta kesh këtë ndjesi, por në udhë e sipër ta humbësh fillin dhe të përfundosh në një qorrsokak prej të cilit, medet, edhe mund të mos dalësh kurrë më.

Përsa i përket shembullit tëBalzakut dhe fundit të heroit të tij – shembuj tëkësisojshëm nuk janë të rrallë e të paktë në letrat botërore dhe këtu kam parasysh një sërë shkrimtarësh që, ashtu si Balzaku, nuk kanë ngurruar t’i ndajnë brengat e gëzimet e veta me publikun që e ndiqte gjithë ankth fatin e personazheve, Flaubert-i ishte një syresh – kam përshtypjen që një shkrimtari shqiptar i shkon më për shtat t’i ruajë e mbaj për vete emocionet e tij krijuese, duke qenë se në një shoqëri gati primitive si kjo e jona, e cila edhe kështu i konsideron shkrimtarët e artistët si njerëz të luajtur nga fiqiri, ndërkohë që ndjek e mahnitur të marrët e vërtetë dhe, në këtë pikë, ma do mendja se merret vesh për kë e kam fjalën, çdo gjest i ngjashëm do të merrej si një lajthitje e damkosej keqas.

Si e organizoni kohën? Shkruani rregullisht çdo ditë? PhilipRoth ka thënë se shkruante tetë orë në ditë, treqind e gjashtëdhjetëe pesë ditë në vit. E ndieni të pamundur të shmangni të shkruarit?
Laboratori krijues i shkrimtarëve ka qenë kurdoherë ndër ato procese që më kanë intriguar mësë shumti, duke qenë se, nga ana njerëzore, përmes tij jemi në gjendje të shuajmë deri-diku kërshërinë e pjesës më intime të punës së një shkrimtari; madje ngandonjëherë më ngjan sikur ke vënë syrin te vrima e çelësit dhe vëzhgon atë që po bën tjetri; ndërsa nga ana profesionale, arrin të kuptosh sadokudo diçka nga teknika e të shkruarit. Dhe nga kjo anë, ashtu siç ju përmendni rastin e PhilipRothit, ndoshta shkrimtarit më të shquar amerikan që u nda nga jeta para pak kohësh, veprën e të cilit e njohim fare pak, fjala vjen me Komploti kundër Amerikës ose ndonjë gjë tjetër minore, janë të panumërta përvojat që ofrohen mjaft të kesh dëshirë t’i ndjekësh e lexosh. Fjala vjen Paris Reviewështë një prej atyre revistave që prej shumë e shumë vitesh na sjell përmes intervistash të gjata e mjaft të përimtuara përvoja nga krijimtaria e disa prej shkrimtarëve më të shquar që ka njohur njerëzimi nga shekulli e këndej.

Tek unë procesi i të shkruarit është i përditshëm, ashtu siçështë edhe ai të lexuarit, madje në një farë mënyre janë dy procese që, personalisht, e kam të vështirë, për të mos thënë të pamundur, t’i ndaj prej njëri-tjetrit; figurativisht, janë si dy enë komunikuese që ushqejnë shoqja-shoqen. Por jo në kuptimin e tetë faqeve tëRothit ose një faqeje fiks, as më pak, as më shumë, tëShandorAbait, një tjetër shkrimtar i shkëlqyer hungarez i shekullit të kaluar, fatkeqësisht ende i panjohur te ne, por të atij momenti kur akti i derdhjes në letër vjen e bëhet i domosdoshëm dhe i pashmangshëm si teshtima.

Një rëndësi të veçantë i kushtoj çastit kur e ndërpres të shkruarit, me fjalë të tjera, në atë pikë kur jam në gjendje të vazhdoj atje ku e kam lënë, pa u sorollatur në një rreth vicioz ose të hyj në qorrsokak, duke mos e ndjekur dot fillin e intrigës dhe rrugëtimin e karaktereve të tua. Këtë mësim e kam nga nxjerrë nga Hemingway dhe, lypset të them, se deri më sot më ka shërbyer mjaft mirë.

Nëse dikush ka kohë për të lexuar vetëm një nga librat tuaj, cilin sugjeroni?
Atë që nuk e kam shkruar ende.Bëj shaka. Edhe pse pyetja është e vështirë dhe nga përvoja e nga kontaktet e mia e di se shkrimtarët do t’i bishtnonin me marifet asaj, unë po rrekem të jem i drejtpërdrejtë dhe të përgjigjem: Erotikoni e Satirikoni, një libër që e botova në vitin 2010 dhe që zuri fill gati-gati si një episod anekdotik gjatë kohës që endesha si i shituar në qerthullin e magjepsur të përrallave. Në qoftë se më lejohet të shtije në punë një metaforë them se ishte si molla e Njutonit që vjen e të bie kresë papritur e pakujtuar dhe, sakaq, ti vë re se ke zbuluar diçka që nuk të kishte shkuar kurrë më parë ndër mend. Duke eksploruar botën marramendëse të përrallave vura re se, aty-këtu hasja rrënojat e mrekullueshme të një bote të zhdukur nëterret e misteret kohësh të harruara. Aty zuri fill ajo që sot mund ta quaj arkeologji letrare dhe ashtu si Shlimani shkoi e zbuloi Trojën nisur nga leximi i Eneidës sëVirgjilit, unë u vura të rindërtoj mozaikun e një bote të bjerrë prej grimcave të mbledhura poshtë e përpjetë, e cila, ashtu siç e njohim, nuk i lë gjë mangët as Dekameronit tëBoccaccio-s, as Rrëfimeve tëKentërbërit tëChauser-it. Ja pra, kësisoj doli në dritëErotikoni e Satirikoni, vepra me të cilën mbyllet udhëtimi im shumëvjeçar nënjëbotë të magjepsur ku është e sigurt hyrja, por jo dalja e shpëtimi prej saj.

Çfarë mendoni se ruan e ardhmja për letërsinë? Shumë kritikë janë pesimistë për letërsinë që bëhet sot. A do të vazhdohet të shkruhenpafundësisht romane, ku vetëm pak syresh lënë gjurmë?
Për të mos marrë përsipër rolin e profetit, një petk që s’ma ka ënda ta vesh e të marr përsipër të parathem fatet e një prej mrekullive më të mëdha që ka krijuar mendja e njeriut, siçështë letërsia, më lejoni t’i përgjigjem shkurt pyetjes suaj e të them se, s’ma do mendja që e ardhmja të ketërezervuar ndonjë të papritur për letërsinë nga ajo çka pasur deri më sot. Romane e poezi njerëzimi do të vazhdojë të shkruajë edhe në të ardhmen, madje jo vetëm në këtë planet, por edhe sikur të zhvendoset në një planet tjetër, ashtu siç, siç konstatoni me të drejtë ju, pak romane do të jenë në gjendje të sjellin risi e të lënë gjurmë të pashlyeshme, ashtu siç ka ngjarë edhe në të shkuarën e do të ngjasë edhe në të ardhmen.

A e ka ndryshuar koha te ju qasjen ndaj letërsisë? Si janë raportet?

Kur ke pothuajse një jetë që merresh me letërsi, dhe unë mund ta them këtë gjë (gjithçka tjetër që kam bërë në jetë, diplomacia, gazetaria etj., u ngjajnë më fort flirteve tënjë burri të martuar, i cili, shkon nga shkon, kthehet sërish te bashkëshortja e tij e ligjshme), sheh që krijimtaria letrare është ajo çka mbetet nga gjithçka që ke bërë gjatë gjithë jetës tënde, të tjerat treten e humbasin nëpër sirtarët e burokracisë dhe të harresës njerëzore, për çka nuk qahem, përkundrazi, e quaj diçka normale.

Kam përshtypjen se gjithkush që ka dhuntinë a maninë e të shkruarit (në rastin e parë, shkrimtari e përjeton si një mallkim, në të dytin, personi në fjalë, pra grafomani e përjeton si një orgazëm që s’ka të sosur; nga kjo anë grafomani në sytë e mi është një farë maniaku seksual) ka kurdoherë diçka nëpër duar: një gjë të nisur e të lënë në mes; një vepër së cilës i rikthehet me ndjesinë se, pavarësisht ngaqë dikur ka shkruar fjalën fund, diçka ka mbetur e papërkryer dhe, së fundi, shkrimtari që nis një vepër dhe nuk e nxjerr duarsh pa e përfunduar. Shpesh ndodh që ky klasifikim virtual shkrihet dhe shkrimtari e sheh veten njëherazi në të tria grupet e përmendur.

Kur jeton me të shkruarit, nuk e ke dhe aq luksin të merresh gjatë e me nge me një gjë të caktuar, kësodore, je i shtrënguar të japësh e të marrësh më shumë gjëra njëherësh, së pari, asish që të sigurojnë, thënë në mënyrë të vrazhdë “bukën e gojës”, të cilat kërkojnë Kohë, Nerva e Energji dhe, më pas, në qoftë se të ka mbetur ende ndonjë fije prej KNE-së mund t’i kushtohesh edhe artit.

A nuk është dashuria ajo forcë që ngre të vdekurit nga varri? Pyesni ju në një nga librat tuaj…

Për hir të së vërtetës, unë nuk pyes, por konstatoj – ndoshta do të ishte më e saktë të thosha zbuloj – madje me një ndjesi mrekullie, duke qenë se bëhet fjalë për një marrëdhënie njerëzore që del jashtësuazës sënormave dhe moralit të shoqërisë njerëzore, ashtu siç e njohim tash e dymijë vjet të shkuara.I obsesionuar nga dëshira për tëravguar e hulumtuar këto golle të errëta të shpirtit të njeriut, fund e krye tëpaeksploruara nga paraardhësit e mi në fushën e letrave shqipe, vendosa të ndërmarr atë udhëtim në viset e herezisë e të sakrilegjit dhe, duke huazuar një shprehje migjeniane,t’i bie pash më pash ferrit… Mbërritur në këtë pikë dua t’ju bëj një pyetje juve dhe lexuesit të këtyre radhëve: a nuk është ky misioni i shkrimtarit, pra të depërtojë e të mbërrijë atje ku nuk kanë ditur e nuk kanë mundur para tij as historianët, as sociologët, me një fjalë askurrkush? Në qoftë se e privojmë shkrimtarin nga kjo herezi a marrëzi, quajeni si t’ju vij më për mbarë, atëherë, them se e kemi vrarë shpirtin krijues të tij; në këtë pikë mbaron arti dhe fillon, një Zot e di se çfarë: propaganda dhe gjithëdokrrologjia që pjell një shoqëri e frustruar nga mbyllja dhe komplekset e inferioritetit.

Bisedoi:A. Bardhyli

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤